e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Zbardhet kontrata e shitjes së ARMO-s

4
Postuar më: 9 Gusht, 2013 tek Aktualitet
gazeta dita cover

E mërkura e datës 31 korrik 2013, me siguri që nuk ka qenë një ditë e zakonshme pune për ministrin e Ekonomisë së Shqipërisë, Florion Mima. Në këtë ditë ai duhej të firmoste një dokument. Një dokument me zarar. I duhej t’i jepte dritën jeshile biznesmenit Rezart Taçi për të bërë shitjen e aksioneve të tij në kompaninë ARMO. Taçi nëpërmjet një kërkese që ja kishte çuar ministrit që më 22 korrik, i kërkonte leje për shitjen, Taçi e kishte me ngut punën. Por edhe ministri nuk është se e lodhi shumë, vetëm 7 ditë e la të priste, më pas Mima firmosi një copë letre, duke i dhënë rrugë të lirë biznesmenit të shumëpërfolur shqiptar të kryente operacionin financiar për të cilin kishte mbi një vit që po punonte.

Si rrallë mund të ndodhë ndonjëherë me trajtimin që i bën një zyrtar i lartë shtetëror shitjes së një korporate strategjike, ministri Mima, jo vetëm që nxitoi ta firmoste, por në shkresë i shkruante biznesmenit se ia kuptonte hallin që e kishte zënë: “…dhe ku si shkak ju na paraqitët vështirësitë financiare që aktualisht po kalon shoqëria Juaj, shprehemi dakord për kryerjen e transferimit”, -shprehej ministri ndër të tjera në letër. Ndonëse kompanitë e Taçit rezultojnë debitore në shuma të mëdha në disa institucione shtetërore dhe me borxhe ndaj disa qindra punonjësve, funksionari i lartë publik shqiptar, ministri i Ekonomisë Florion Mima i shpërfilli të gjitha këto probleme dhe borxhe të kompanive të Taçit me shtetin shqiptar. Me tëlexuar hallet e Rezart Taçit, ministri i harroi hallet e shtetit. Kjo “harresë” bëri që çdo gjë më pas të ishte thjesht një “rutinë” dhe kontrata e shitjes të lidhej përpara një noteri një javë më vonë.

SKEMA

Rezart Taçi në fakt, kishte disa vite që ishte në probleme financiare. Ai e privatizoi ARMO-n me lekë të marra borxh dhe me shumë gjasa blerësit e rinj janë azerët të cilët ia dhanë atij këto lekë për ta privatizuar ARMO-n dikur.

Pasi u bë pronar, Taçi nisi të linte si kolateral në banka disa asete të ARMO-s për të marrë kredi në disa dhjetëra miliona euro, të cilën më pas e investonte, ndër të tjera i ka investuar edhe në tri kompani të cilat janë “Taçi Oil”, “KUID” dhe “Europetrol”, të cilat Taçi së bashku me interesat e ARMO-s, i shiti mëngjesin e së martës më datën 6 Gusht në një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Rezart Taçi kontrollonte 85 për qind të aksioneve të paketës së aksioneve të ARMO-s. Pjesën tjetër e kontrollonte Ministria e Ekonomisë.

Këto aksione te ARMO, Taçi i kontrollonte nëpërmjet konsorciumit “AMRA Oil sha”. Në këtë konsorcium,Taçi zotëronte 70 për qind të aksioneve dhe pikërisht këto aksione shiti të martën në shumën e 35 milionë eurove, duke e bërë automatikisht blerësin pronar të paketës kryesore kontrolluese të ARMO-s. Por pjesë e operacionit të shitjes ishin dhe interesat e tij në tri kompanitë e tjera, që u shitën në një total prej 15 milionë eurosh, duke përmbyllur në këtë mënyrë shumën

totale prej 50 milionë eurosh.

BLERËSI

Kompania blerëse quhet “Heaney Assets Corp”, ajo është një kompani e regjistruar në Ishujt Virgjinë Britanikë. Ç’ka do të thotë se është një kompani me pronarë të fshehur, një kompani “offshore”.

Në kontratën e shitjes kjo kompani ka lënë si adresë kontakti një zyrë në Evropë. Ajo është zyra e një firme të quajtur “Fortrust Global S.A” e cila ndodhet në Bulevardin “Royal” në Luksemburg. Si person kontakti në Luksemburg është caktuar një zonjë me emër rus, Elena Krotova quhet. Por diçka më tepër mbi identitetin e blerësve mund të mësohet nga personi që erdhi në Tiranë për të nënshkruar kontratën. Blerësi nga Ishujt e Virgjër Britanikë, kishte autorizuar dhe kishte veshur me të gjithë besimin e tij për nënshkrimin e kontratës një person të quajtur Abe Halati.

Zoti Halati ka lindur në Iran por disponon një pasaportë amerikane, ai është shtetas amerikan. Ndonëse i tillë, ai është një azer me origjinë dhe jeton në Baku. Emri i tij korrespondon si përfaqësues i lartë në bordet drejtuese të disa kompanive në Azerbajxhan, të cilat janë kryesisht kompani që operojnë në sektorin e mineraleve. Prezenca e tij është një gjurmë që orienton dhe përforcon pistën e një blerësi ngaAzerbajxhani. Por edhe sikur blerësit të mos jenë të tillë, në të gjithë këtë operacion financiar ka diçka që duket kollaj fare: Ministri i Ekonomisë, qeveria shqiptare, ka bërë gjithçka për të lehtësuar Rezart Taçin që ta kryente këtë shitje. Se me çfarë fature publike e ka ndihmuar qeveria biznesmenin, ende nuk kemi një shifër, por me siguri që edhe kjo shifër duhet të jetë me miliona në euro, njësoj si fatura e shitjes që Taçi realizoi ditën e martë.

 

NENI 3 I KONTRATES:  ÇMIMI I BLERJES

3.1 Çmimi. Si çmim për shitjen dhe transferimin e Pjesëmarrjeve nga Shitësit tek Blerësi, Blerësi pranon t’iu paguajë Shitësve një shumë totale prej 50.000.000. € (Pesëdhjetë milionë Euro) (Më poshtë, “Çmimi”), i ndarë mes Pjesëmarrjeve si vijon:

(a) € 35, 000, 000 (tridhjetë e pesë milionë) për Pjesëmarrjen në AMRA

(70%) (b) € 500, 000(Pesëqind mijë) për Pjesëmarrjen Taci Oil(1%) (c) € 14,000,000(Katërmbëdhjetë milionë) për Pjesëmarrjen në Europetrol(28%) (d) € 500, 000 (Pesëqind mijë) për Pjesëmarrjen në Kuid(1%

3.2 Pagesa. Pagesa e çmimit, nga Blerësi për Shitësit do të kryhet me tri këste si më poshtë:

(a)

Brenda 24 (njëzetekatër) orëve nga përmbushja ose heqja dorë me shkrim e Blerësit, nga kushti i vetëm i mbetur pa plotësuar e i parashikuar në Nenin 4.1 të kësaj Kontrate, Blerësi duhet të paguajë me transfertë bankare, në fonde të disponueshme menjëherë, shumën prej € 35,000,000(tridhjetë e pesë milionë euro) minus çdo shumë të treguar në Nenin 1 1.8(a), në llogarinë bankare të Shitësve të vënë në dispozicion me shkrim nga Taçi. Në rast se kjo pagesë nuk do të bëhet brenda afatit prej 24 orësh, kjo Kontratë do të konsiderohet e zgjidhur me efekt të menjëhershëm, pa qenë nevoja, për ndonjë njoftim tjetër me shkrim. Ajo do të konsiderohet se nuk ka ekzistuar që prej fillimit. Për qëllim të kësaj klauzole, pagesa do të konsiderohet e kryer me nisjen e fondeve nga banka nisëse. Për këtë qëllim kopja e “suiftit” të bankës dërguese me datë valute të njëjtën ditë, do të konsiderohet vërtetim pagese.

(b)

Në datën kur mbushen 8(tetë) muaj nga data e Mbylljes (siç specifikohet në klauzolën 4.3 më poshtë) (nëse kjo ditë nuk do të jetë një ditë pune, pagesa do të kryhet në ditën e parë pasuese të punës), Blerësi duhet të paguajë me anë të një transferte bankare dhe me fonde të disponueshme menjëherë shumën prej € 5, 000, 000(pesë milionë euro) në llogarinë bankare të Shitësve të vënë në dispozicion me shkrim nga Taçi.

(c)

Në datën kur mbushen 18 (tetëmbëdhjetë) muaj nga data e Mbylljes, Blerësi, duhet të paguajë me anë të një transferte bankare dhe me fonde të disponueshme menjëherë, shumën prej € 10,000,000(dhjetë milionë euro), në llogarinë bankare të Shitësve, të vënë në dispozicion nga Taçi.

(d)

Për qëllimin e klauzolave 3.2(a) deri 3.2(c), më lart, pagesa do të konsiderohet përfundimisht e kryer prej Blerësit tek Shitësit, kur blerësi të ketë kryer transfertën bankare , me fonde të disponueshme menjëherë në shumat e specifikuara në paragrafet e lartëpërmendura , në llogarinë bankare të vënë në dispozicion të Blerësit nga Taçi. Titulli i Pronësisë së të gjithë pjesëmarrjeve do t’i transferohet Blerësit në momentin që do të kryhet pagesa e specifikuar në seksionin 3.2(a), si më lart. Çdo pagesë do të konsiderohet e kryer kolektivisht për të gjithë Shitësit, dhe do të ndahet nga Shitësit e Pjesëmarrjeve në proporcion me përqindjet e specifikuara në Paragrafin 3.1, si më lart. Shitësit do jenë bashkarisht dhe personalisht përgjegjës për alokimin e çdo pagese dhe për shpërndarjen e porcionit monetar të çdo shitjeje që i takon secilit shitës, sipas kushteve të kësaj Kontrate. Me përjashtim të rasteve kur është parashikuar shprehimisht ndryshe në këtë Kontratë, dhe pa kufizuar ndonjë të drejtë apo kompensim të Blerësit, pagesat e parashikuara në paragrafet 3.2(b) dhe 3.2(c) do të jenë subjekt kompensimi dhe uljeje, euro për euro, në shumën e çdo zbritje kompensimi ose llogarie,garantuese të parashikuar në klauzolën 8.3

 

***********

DITA paralajmeroi shitjen e ARMO 5 ditë më parë

04-gusht-20131-160x160

 

Lamtumirë ARMO (kopertina e dates 4 gusht)

Rezart Taçi, biznesmeni i mbështetur vazhdimisht nga familja Berisha po i shet gjigandin e rafinerisë shqiptare Azerbajxhanit. DITA sjell ekskluzivisht në numrin e saj të sotëm detajet e marrëveshjes së Taçit me azerët dhe detajet e një operacioni të fshehtë bankar shoqërues. Në shitje edhe kompanitë “Taçi Oil” dhe “KUID” së bashku me ARMO-n. Por borxhlinjtë e biznesmenit në faliment bllokojnë veprimet në QKR duke ngrirë llogaritë e kompanive.

Rezart Taçi ka mbyllur marrëveshjen me një kompani azere për shitjen e tre kompanive të tij. “ARMO”, “Taçi Oil” dhe “KUID” . Burime të mirinformuara bankare kanë bërë të ditur për DITA se biznesmeni shqiptar i ka mbyllur marrëveshjet me azerët dhe ka përcaktuar të gjitha detajet dhe modalitetet e shitjeve por finalizimi i tyre është bllokuar në banka dhe në QKR kryesisht për dy arsye. Burime bankare kanë bërë të ditur se që prej javës që shkoi Rezart Taçi ka njoftuar bankat se kishte arritur në një marrëveshje me partnerët në Azerbajxhan për shitjen e kompanive të veta. Taçi nuk mund të kryente operacionin e shitjes pa njoftuar më parë bankat, pasi në disa banka ai është debitor në disa dhjetëra milionë euro si pasojë e disa kredive që ka marrë në vite, interesat e të cilave janë fryrë së tepërmi si pasojë e vonesës së kësteve. Ndaj dhe bankat kanë një rol kyç në operacionin e shitjes dhe finalizimit të shitjes që ka nisur javën e kaluar. Për të marrë kreditë në fjalë, Rezart Taçi ka lënë si kolateral, si garanci pronësore, disa nga trojet, depozitat dhe makineritë e kompanive “ARMO”, “Taçi Oil” dhe “KUID” , ndaj dhe shitja dhe kalimi i pronësisë së këtyre kompanive në duart e azerëve do të kalojë doemos nëpërmjet kontrollit të procedurës dhe të të gjithë operacionit nga bankat.

 

Debitorët

Përveç bankave, duket se biznesmeni Rezart Taçi dhe kompanitëe tij kanë pasur borxhe në disa miliona euro edhe në biznesmenë të tjerë dhe kompani të tjera private. Këta të fundit, janë njoftuar nga bankat për operacionin e shitjes që kishte vënë në lëvizje vetë Taçi së bashku me azerët dhe javën e kaluar kanë ndërmarrë hapa parandalues për kryerjen e operacionit të shitjes. “Këto kompani shqiptare duke qenë se i kanë dhënë hua disa miliona euro kompanive të Taçit, janë alarm uar nga operacioni i shitjes së kompanive që Taçi ka vënë në lëvizje dhe kanë dashur të garantohen se do të marrin mbrapsht lekët e tyre. Për këtë arsye ata kanë kërkuar javën e kaluar në gjykatë që të vendosej sekuestro konservative mbi kompaninë  “ARMO” dhe për pasojë kanë bllokuar çdo veprim të kësaj kompanie në QKR dhe në tatime duke paralizuar çdo mundësi për operacione ligjore dhe financiare deri në heqjen e sekuestros konservative, pra e thënë ndryshe deri në momentin që këto kompani shqiptare nuk do sigurohen se kontrata e re do të garantojë shlyerjen e borxheve të Taçit ndaj tyre”, – i tha Ditës i njëjti burim bankar.

 

Azerët

Historia e Rezart Taçit dhe privatizimit të kompanisë ARMO në vitin 2009, është ngushtësisht e lidhur me Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, bankat në Shqipëri dhe një sërë aktorësh të tjerë, të cilët janë kryesisht biznesmenë shqiptarë. Rezart Taçi pasi bëri privatizimin lekët i siguroi nëpërmjet një banke, e cila mori rreth 75 milionë euro në Bankën Ndërkombëtare azere, për të paguar shtetin shqiptar në rolin e shitësit. Futja e bankës në fjalë në lojë i hapi jo pak telashe kësaj të fundit, pasi me kalimin e muajve ARMO nuk po prodhonte fitimet e përllogaritura në fillim ndërsa azerët kërkonin lekët dhe këstet e borxhit. Interesat rriteshin çdo muaj dhe detyrimi ndaj azerëve shkoi deri në 125 milionë euro. Kjo bëri që në vitin 2012 azerët të humbnin durimin dhe ndërsa Rezart Taçi ishte duke tentuar të bëhej dhe pronar i “Albpetrolit”, azerët kërkuan bllokimin e të gjitha bizneseve të tij në Tiranë, situatë që Taçi e zgjidhi shumë shpejt me ta, duke u kërkuar më shumë kohë. Taçi shpresonte se “Albpetroli” do ishte zgjidhja përfundimtare e të gjitha problemeve të tij me borxhet, por tenderi në fund u anulua krejtësisht dhe rezultoi një dështim fatal. Duket se pas këtij aksioni të dështuar me “Albpetrolin” , tashmë Rezart Taçi ka vendosur të shlyejë përfundimisht partnerët e tij azerë duke u dorëzuar dhe duke pranuar shitjen e tre kompanive të tij dhe sidomos kompanisë kryesore ARMO.

 

Azerët kërkuan sekuestron e ARMO-s një vit më parë

Gjykata e Tiranës vendosi në muajin Gusht 2012 sekuestro ndaj kompanive të biznesmenit Rezart Taçi, për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë euro, marrë për blerjen e kompanisë ARMO nga Azerbajxhani. Kërkesa për vendosjen e sekuestros është bërë nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, (International Bank of Azerbajixhan, I.B.A), e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri, në nëntor të vitit 2008 ka depozituar në një bankë private 75 milionë euro. Mësohet se shuma e përmendur më sipër është depozituar në tre këste. Kësti i parë është depozituar më datë 18 nëntor 2008, në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë është depozituar më datë 19 nëntor 2008 në masën 40 milionë euro dhe kësti i fundit më datë 21 nëntor i të njëjtit vit në shumën 5 milionë euro. Gjatë kohës në të cilën është kryern transferta bankare, “AMRA Oil” kishte fituar tenderin për shitjen e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a. dhe ishte në proces të përmbylljes së kontratës dhe kryerjes së pagesës. Në këtë periudhë këto fonde ishin të domosdoshme për të realizuar blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë.

Në kushtet kur I.B.A. nuk arriti të kryente investime, aktivitet në Shqipëri, ose të kishte pjesë marrje në shoqëri të tjera, kërkoi nga Banka dhe shoqëria “Amra Oil” sh.a, rikthimin e shumës prej 75 milion Euro të depozituar. Kjo e fundit në datë 15.07.2010, i kthen bankës I.B.A. një shumë prej 1.5 milion euro, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese. Në këto kushte IBA ka kërkuar kthimin e menjëhershëm të të gjithë vlerës së detyrimit së bashku me interesat dhe fitimin e munguar në vlerën totale prej 115 milion euro.

Në mungesë të një përgjigje zyrtare nga debitorët, I.B.A. i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për “Marrjen e Masës së sigurimit të padisë”. Por problemet nuk mbaruan me kaq për Taçin, një vendim i marrë në muajin Maj 2013 në Gjykatën e Tiranës vendosi sekuestrimin e aseteve të kompanive të tij për shkak të një kredie problematike të marrë prej Taçit në “Intesa San Paolo Bank” në vlerën e 4 milionë e 400 mijë eurove.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


4 Komente


  1.  
    Saimir

    Qeveria Rama nuk duhet te gjej paqe derisa te kthej ne arken e shtetit cdo qindarke te vjedhur publikut dhe te gjithe hajdutet ne burg.




  2.  
    kujtim kazazi

    shteti qe ndihmon hajdutet, mininstri yne zemer mire. A mendon ky minister se ky veprim eshte shperdorim detyre???….. apo kush pyet ne shqiperi. me shume te shkelesh ligjin me i forte je sepse eshte ligji i pa fuqishem perpara ke tyre personave te veshur me pushtet………….




  3.  
    illi

    Cfare garancish morri Mima per shlyrjen e detyrimeve qe shoqerite e Tacit i kane shtetit shqiptar?! Po perseritet historia e Albpetrolit?! A ka ligj, qe kontrata duhet te permbaje se paku edhe banken e shitesit, ku duhet te transferohen parate e blerjes?! A nuk eshte nje rast i paster per Llallen per te hetuar qofte Tacin, qofte Mimen?!




  4.  
    poshte saliu

    Mund te jem dhe “gabim”, por deri dje thuhej, “pasuri e popullit mbrohet nga shteti”.Tani, kush eshte populli dhe kush eshte shteti?Ku e gjeti ky kete pasuri que do te shes, kush ia ka lene kete pasuri te pa çmuar te popullit, qe mijera dhe mijera naftetare kane derdhur djerse dhe gjak per kete aset, dhe sot jane te papune dhe vdesin per buken e gojes?Ky fidan i zhvilluar neper fekale a do te ndalet ndonjehere duke shitur pasurine e popullit, duke paguar ekipin e Milanit apo Realit, ne vend qe te ndertonte ndo 1 shkolle apo spital::::::::.





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)


Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter