e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

25 vendet më të varfëra në botë sipas CIA-s

2
Valona Tela - REL
Postuar më: 22 Shkurt, 2013 tek Komunitet
varferi

Faqja amerikane e internetit për biznes dhe teknologji Business Insider ka analizuar 197 vende dhe territore – nga Afganistani në Zimbabve – për të hartuar Indeksin e Mjerimit për vitin 2013. Shënim: Rezultatet bazohen në të dhënat nga CIA World Factbook, e cila llogarit shifrat e vendeve dhe territoreve që nuk kanë agjenci të besueshme lokale të raportimit. CIA World Factbook për herë të fundit është përditësuar më 11 shkurt 2013.

25. MALI
Indeksi i varfërisë:  36.5
Inflacioni: 6.5%
Papunësia: 30%
Mali, njëri nga vendet më të varfra në botë, varet nga minierat e arit dhe eksportet bujqësore. Rreth 10 për qind e popullsisë është nomade dhe rreth 80 për qind e fuqisë punëtore është e angazhuar në bujqësi dhe peshkim.
Burimi: CIA Factbook

24. MAURITANIA
Indeksi i varfërisë: 37
Inflacioni: 7%
Papunësia: 30%
Gjysma e popullsisë është ende e varur nga bujqësia dhe blegtoria dhe varfëria është e shfrenuar. Ekonomia lokale varet shumë nga eksportet e mallrave.
Burimi: CIA Factbook

23. IRANI
Indeksi i varfërisë: 39.1
Inflacioni: 23.6%
Papunësia: 15.5%
Kontrollet e çmimeve, subvencionet dhe kufizimet e tjera në sektorin privat, janë pengesa të vërteta për ekonominë, ashtu si edhe zhvlerësimi me shpejtësi i monedhës. Kjo është edhe arsyeja përse korrupsioni është i shfrenuar dhe aktivitetet e paligjshme të biznesit zhvillohen në masë të madhe. Ekonomia është po ashtu shumë e varur nga nafta dhe vuan nga sanksionet ndërkombëtare. Papunësia është në nivele të shifrave dyshifrore.
Burimi: CIA Factbook

22. MALDIVET
Indeksi i varfërisë: 40.8
Inflacioni: 12.8%
Papunësia: 28%
Është një vend i dashur për pushime – turizmi përbën 30 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm (GDP). Por, rënia e turizmit dhe shpenzimet e mëdha të qeverisë kanë dëmtuar ekonominë lokale, kanë shkaktuar inflacion të lartë dhe norma e papunësisë gati është dyfishuar nga viti 2010.
Burimi: CIA Factbook

21. RRIPI I GAZËS
Indeksi i varfërisë: 43.5
Inflacioni: 3.5%
Papunësia: 40%
Prejse Lëvizja Islamike e Hamasit ka marrë kontrollin e Rripit të Gazës në qershor të vitit 2007, mbylljet e kufirit, të vendosura nga Izraeli, kanë çuar në përkeqësim të ekonomisë së dobët: më shumë papunësi, norma më të larta të varfërisë dhe tkurrje të mprehtë të sektorit privat, i cili mbështetet kryesisht në eksporte.
Burimi: CIA Factbook

20. BOSNJË DHE HERCEGOVINA
Indeksi i varfërisë: 45.5
Inflacioni: 2.2%
Papunësia: 43.3%
Lufta ndëretnike e viteve 1992 – 1995 ka shkaktuar papunësi. Papunësia është rritur, prodhimet kanë rënë për 80 për qind dhe vendi nuk ka arritur të rimëkëmbet. Në vitin 2011, një bllokim në Parlament ka lënë Bosnjën pa qeveri në nivel shtetëror për më shumë se një vit, çfarë ka bërë që Fondi Monetar Ndërkombëtar të ndalojë pagesat e ndihmës.
Burimi: CIA Factbook

19. JEMENI
Indeksi i varfërisë: 46.4
Inflacioni: 11.4%
Papunësia: 35%
Njëzetepesë për qind e Bruto Prodhimit të Brendshëm të Vendit vjen nga nafta. GDP-ja e Jemenit ka rënë më shumë se 10 për qind në vitin 2011, por kjo rënie është ngadalësuar për 1.9 për qind më 2012. Qeveria është duke bërë përpjekje për të zgjeruar ekonominë, por përballet me resurse ujore në rënie, papunësi të lartë dhe normë të lartë të rritjes së popullsisë.
Burimi: CIA Factbook

18. HAITI
Indeksi i varfërisë: 46.5
Inflacioni: 5.9%
Papunësia: 40.6%
Edhe para tërmetit të vitit 2010, 80 për qind e popullatës haitiane ka jetuar nën vijën e varfërisë dhe 54 për qind në varfëri të skajshme. Një pjesë e madhe e popullsisë po ashtu ka qasje të dobët në arsim. Vendi përballet ende me pasojat e tërmetit, si dhe me korrupsion të shfrenuar.
Burimi: CIA Factbook

17. SVAZILANDI
Indeksi i varfërisë: 48.4
Inflacioni: 8.4%
Papunësia: 40%
Svazilandi varet shumë nga Afrika e Jugut, ku i shkojnë 60 për qind e eksporteve dhe nga ku i vijnë 90 për qind e importeve. Kriza globale ekonomike ka goditur rëndë eksportet e Svazilandit, ndërsa të ardhurat në rënie kanë shtyrë vendin në krizë fiskale. Vendi po ashtu vuan nga papunësia e lartë.
Burimi: CIA Factbook

16. AFGANISTANI
Indeksi i varfërisë: 48.8
Inflacioni: 13.8%
Papunësia: 35%
Afganistani vazhdon të rimëkëmbet nga dekada e konfliktit. Përballet me nivele të larta të korrupsionit, kapacitet të dobët të qeverisë dhe infrastrukturë të varfër publike. Ndihma e huaj dhe bujqësia janë duke ndihmuar rimëkëmbjen e Afganistanit, por ai vazhdon të vuajë nga inflacioni i lartë dhe papunësia.
Burimi: CIA Factbook

15. ISHUJT MARSHALL
Indeksi i varfërisë: 48.9
Inflacioni: 12.9%
Papunësia: 36%
Gjëja më e mirë për ekonominë lokale është ndihma nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Turizmi është shpresë e mirë për rritjen ekonomike, por aktualisht punëson vetëm 10 për qind të fuqisë punëtore. Zvogëlimi i qeverisë, thatësira, rënia në ndërtim, rënia në turizëm kanë qenë pengesa për ekonominë.
Burimi: CIA Factbook

14. SENEGALI
Indeksi i varfërisë: 49.5
Inflacioni: 1.5%
Papunësia: 48%
Pavarësisht marrjes së shumë ndihmave të huaja, Senegali vuan nga furnizimi i dobët me energji elektrike, i cili ka çuar në protesta publike dhe është pjesërisht shkak i papunësisë së lartë.
Burimi: CIA Factbook

13. KENIA
Indeksi i varfërisë: 50.1
Inflacioni: 10.1%
Papunësia: 40%
Korrupsioni dhe mbështetja në disa mallra specifike, çmimi i të cilave ka mbetur i ulët, kanë lënë prapa ekonominë e Kenias. Papunësia ka qenë historikisht shumë e lartë dhe mbetet e tillë. Megjithatë, në Kenia është zbuluar naftë në mars të vitit 2012, e cila mund të ndihmojë rigjallërimin e ekonomisë së saj.
Burimi: CIA Factbook

12. LESOTO
Indeksi i varfërisë: 51.1
Inflacioni: 6.1%
Papunësia: 45%
Lesoto e ka koeficientin e tretë më të lartë të Gini-t (masën e shpërndarjes statistikore) në botë, që do të thotë se pabarazia e të ardhurave është veçanërisht e lartë këtu. Rritja ekonomike pritet të ndodhë për shkak të projekteve të mëdha infrastrukturore, por prodhimi i dobët pengon ekonominë. Papunësia e shfrenuar është gjithashtu një problem i madh.
Burimi: CIA Factbook

11. SUDANI
Indeksi i varfërisë: 51.5
Inflacioni: 31.5%
Papunësia: 20%
Shkëputja e Sudanit Jugor në korrik të viti 2011 – rajonit që ka qenë përgjegjës për rreth tre të katërtat e prodhimit të naftës në ish-Sudan – ka qenë goditje e madhe për ekonominë e Sudanit. Vendi është duke bërë përpjekje për të gjetur mënyra të reja për të gjeneruar të ardhura, por jo me shumë sukses. Sudani ka futur një monedhë të re, të quajtur funta sudaneze, por vlera e saj ka qenë vazhdimisht në rënie. Inflacioni në rritje, i cili ka arritur në 47 për qind në muajin nëntor, është po ashtu problem i madh.
Burimi: CIA Factbook

10. SIRIA
Indeksi i varfërisë: 51.7
Inflacioni: 33.7%
Papunësia: 18%
Ekonomia e Sirisë vazhdon të goditet nga konflikti, i cili ka nisur qysh në vitin 2011. Në vitin 2012, GDP-ja është tkurrur për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe rënies së konsumit të brendshëm. Përveç rritjes së papunësisë, vendi përballet me inflacion të lartë dhe zhvlerësim të monedhës.
Burimi: CIA Factbook

9. KOSOVA
Indeksi i varfërisë: 53.6
Inflacioni: 8.3%
Papunësia: 45.3%
Në vendin më të varfër në Evropë, mesatarja vjetore e të ardhurave për kokë banori është 7.400 dollarë. Remitancat nga vendet e tjera evropiane, kryesisht nga Zvicra, Gjermania dhe shtetet nordike, llogaritet se përbëjnë 18 për qind të GDP-së. Edhe pse ekonomia e Kosovës ka treguar hapa të rëndësishëm në kalimin në sistemin e bazuar në treg, papunësia e shfrenuar mbetet problem.
Burimi: CIA Factbook

8. NEPALI
Indeksi i varfërisë: 54.3
Inflacioni: 8.3%
Papunësia: 46%
Në njërin nga vendet më pak të zhvilluara në botë, rreth një e katërta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Bujqësia drejton ekonominë e Nepailit dhe përbën më shumë se çerekun e GDP-së. Grindjet civile, lokacioni i mbyllur gjeografik dhe ndjeshmëria ndaj fatkeqësive natyrore kanë përkeqësuar ekonominë e dobët të këtij vendi.
Burimi: CIA Factbook

7. NAMIBIA
Indeksi i varfërisë: 57
Inflacioni: 5.8%
Papunësia: 51.2%
Namibia është e varur në masë të madhe nga burimet e saj të minierave. Ajo eksporton shumë diamante, uranium dhe ar. Megjithatë, sektori i minierave punëson vetëm 3 për qind të fuqisë punëtore të vendit.
Burimi: CIA Factbook

6. XHIBUTI
Indeksi i varfërisë: 63.3
Inflacioni: 4.3%
Papunësia: 59%
Për shkak të burimeve të tij të pakta natyrore dhe industrisë së vogël, papunësia në Xhibut është tejet e lartë. Arsyeja e vetme përse inflacioni është i ulët, është sepse franga e Xhibutit është e lidhur me dollarin. Si rezultat, monedha është artificialisht e lartë dhe e bën edhe më të vështirë për vendin që të paguajë borxhet.
Burimi: CIA Factbook

5. TURKMENISTANI
Indeksi i varfërisë: 70.5
Inflacioni: 10.5%
Papunësia: 60%
Bujqësia përbën vetëm 8 për qind të të ardhurave në Turkmenistan, por punëson gjysmën e fuqisë punëtore të vendit. Turkmenistani vuan nga korrupsioni i shfrenuar dhe keqadministrimi nga qeveria autoritare. Sipas CIA Factbook: “Perspektivat e përgjithshme në të ardhmen e afërt janë dekurajuese për shkak të korrupsionit endemik, sistemit të dobët arsimor, keqpërdorimeve të qeverisë me të ardhurat e naftës dhe gazit dhe refuzimit për të miratuar reformat e orientuara në treg”.
Burimi: CIA Factbook

4. BJELLORUSIA
Indeksi i varfërisë: 71
Inflacioni: 70%
Papunësia: 1%
Në vitin 2011, në Bjellorusi ka nisur një krizë financiare, e shkaktuar nga rritjet e pagave nga qeveria, pa mbështetje nga trendet e prodhimtarisë. Pavarësisht marrjes së miliarda dollarëve ndihma nga Komuniteti Ekonomik i Euro-Azisë, shitja e Beltranzgaz-it te Gazprom-i rus për 2.5 miliardë dollarë, në përpjekje për të stabilizuar ekonominë, rubla e Bjellorusisë ka humbur 60 për qind të vlerës së saj në vitin 2012 dhe vazhdon të jetë në rënie.
Por, të paktën, pothuajse çdo bjellorus që kërkon punë, gjen punë. Me rreth 50 për qind të fuqisë punëtore të punësuar nga qeveria, vendi mburret me njërën nga normat më të ulëta të papunësisë në botë.
Burimi: CIA Factbook

3. BURKINA FASO
Indeksi i varfërisë: 81.5
Inflacioni: 4.5%
Papunësia: 77%
Burkina Faso ka një popullsi të madhe dhe burime shumë të kufizuara natyrore. Ekonomia e vendit varet nga bujqësia, pambuku dhe ari. Vendi është ende duke u rimëkëmbur nga efektet e thatësirës së madhe në vitin 2011. Ai po ashtu vuan nga papunësia shfrenuar.
Burimi: CIA Factbook

2. LIBERIA
Indeksi i varfërisë: 90.5
Inflacioni: 5.5%
Papunësia: 85%
Liberia është një vend me të ardhura të ulëta, i cili varet shumë nga ndihmat e huaja. Ekonomia e Liberisë është shkatërruar nga lufta civile dhe keqmenaxhimi i qeverisë. Ekonomia lokale është rritur me ritëm të shpejtë në dy vjetët e kaluar, kryesisht për shkak të burimeve të pasura natyrore dhe çmimeve të larta të mallrave. Megjithatë, 85 për qind e fuqisë punëtore nuk mund të gjejë punë të qëndrueshme.
Burimi: CIA Factbook

1. ZIMBABVE
Indeksi i varfërisë: 103.3
Inflacioni: 8.3%
Papunësia: 95%
Rritja ekonomike në Zimbabve është ngadalësuar, pjesërisht për shkak të të korrave të varfra dhe të ardhurave të ulëta nga diamantet. Sipas CIA Factbook: “Qeveria e Zimbabvesë ende përballet me një numër problemesh të vështira ekonomike, përfshirë infrastrukturën dhe mangësitë në rregullatorë, pasigurinë politike, një pjesë të madhe të borxhit të jashtëm dhe punësimin e pamjaftueshëm formal”. Papunësia vlerësohet të jetë 95 për qind, edhe pse Factbook CIA tërheq vërejtjen se papunësia e vërtetë është “e pakuptueshme” nën kushtet aktuale ekonomike. Edhe pse norma e inflacionit është stabilizuar kohët e fundit, Zimbabve është përballur me hiper-inflacionin masiv në periudhën 2003-2009.
Burimi: CIA Factbook

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


2 Komente


  1.  
    mentari

    po te shkojme me te dhenat e— istat —e berishes ne jemi rrote me rrote me gjermanine
    ne realitet ne duhet te jemi te kjo liste po te thuhet e verteta e varferise ne shqiperi




  2.  
    goni

    Ne jemi te ajo listë por ka paguar per ta hequr, kosova është më mirë se
    ne në çdo pikë, por si per enverin që ishim fener ndriçues në europë dhe tani jemi ke rrota e gjermanisë, ( ma va a cagare)





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)


Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter