e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Ç’fyerje e intelektit të shqiptarit të mirëshkolluar!

10
Dr.AHMET KAMBERI
Postuar më: 17 Maj, 2013 tek Analiza
ahmet_kamberi_zps901b1dff2

Dmth pa këtë skotë, Shqipëria vdes?! Hapu dhe të groposen të gjithë mentarët e këtij vendi që tundin kokën e buzëqeshin me këtë ironi të zezë! O na paska hyrë frika në palcë, o qenkemi të mefshtë, o qenkemi servilë, o qenkemi cinikë, o qenkemi askushi. Ta gjejmë se kush jemi. Por duhet të vërtetojmë se jemi dikushi. Ku mund ta çojë Shqipërinë kjo lloj kulture politike sui generis, e mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike?

 

Një nga elementët bazë të drejtësisë, që është thelbësore për shprehjen e plotë të dinjitetit të natyrshëm dhe të të drejtave të  barabarta e të patjetërsueshme të të gjitha qenjeve njerëzore janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Ky është mekanizmi bazë i krijimit të hapsirës për një qeverisje që përfaqëson vullnetin e shumicës së një populli, qeverisje e cila ka detyrimin të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme për një votim të fshehtë, të lirë e të ndershëm. Kur një qeverisje e tillë e humbet besimin e zgjedhësve të saj, këtyre u krijohet mundësia që në zgjedhjet e ardhshme, të përcaktuara sipas ligjit, të zgjedhin një tjetër qeverisje që ata besojnë se do të jetë më e mirë. Kjo bën që udhëheqësia politike e vendit të rrotullohet ciklikisht në kërkim të më së mirës. Por kjo do të ndodhte vetëm kur votuesve t’u krijoheshin mundësitë të gjykonin vetë për udhëheqësinë dhe kandidatët, pa u shtrënguar, pa u frikësuar, pa u mashtruar, pa u kërcënuar, pa shfrytëzuar në mënyrë diabolike gjendjen e tyre në nevojë; kur atyre t’u krijoheshin mundësitë t’ia japin votën e vet atyre, të cilëve u besojnë dhe që kjo votë të shkonte te ata e jo diku tjetër, dmth të zgjidhnin vetë me vullnetin e tyre të lire, jashtë çdo marifeti votëndryshues.

U bënë 22 vjet që po përpiqemi të ndërtojmë një shtet demokratik. Një shtet me institucione demokratike të qëndrueshme e pushtete të balancuara. Njëzetedy vjet që bëjmë zgjedhje të cilat nuk përmbushin standardet demokratike dhe në vend se të përmirësonim cilësinë, po sofistikojmë marifetet e shtrembërimit të tyre. Produkt i këtyre zgjedhjeve kanë qenë qeverisje që e kanë çuar vendin në një korrupsion monstruoz, me rrënjë të shtrira në të katër anët e jetës ekonomike, politike, sociale e kulturore. Një qeverisje që ka rrënuar në mënyrë të pandreqshme – të paktën për disa breza – zemrën e zhvillimit, kulturimit e përparimit të këtij vendi, arsimin. Eshtë pa kuptim të numrosh prishjet tjera kur të gjitha e marrin fillesën te prishja e arsimimit.  Gjithkush në këtë vend e din sot se në Shqipëri ka 3 kategori analfabetësh: analfabet/analfabet, analfabet me shkollim të ulët dhe analfabet ose gjysmëanalfabet me shkollim të lartë.

Kjo kategoria e tretë është ajo që është e zonja të bëjë çdo gjë përveç asaj që përcakton deryra e vet shtetërore ose profesionale. A ka mjaftueshëm prej kësaj kategorie? Mjafton të shikosh si kryhen veprimet më të thjeshta në administratën publike, sa i hyn asaj në punë ligji, rregullat, normat e morali, dhe si përdoret kjo për politikën e ditës. I mjafton një grushti ekspertësh që ta përdorë atë në dobi të atij që sundon. Mjafton të shikosh lukuninë e përfituesve, të cilët përfshihen në çdo lloj veprimtarie të ulët, të shëmtuar, të përçmuar, korruptive a kriminale në shërbim të sunduesit ose të kryetarëve të gjithëfuqishëm, paçka se në këtë lukuni mund të gjesh edhe ekspertë të mirëshkolluar.

Ç’ka ndodhur me zgjedhjet tona gjatë këtyre 22 vjetëve? Ne të gjithë e dime. Asnjëherë nuk kanë qenë të lira, asnjëherë nuk kanë qenë të ndershme, asnjëherë votat nuk kanë shkuar plotësisht te i votuari. Por kurdoherë janë gjysmëpëlqyer nga ndërkombëtarët. Jo pse ata do pranonin për vendet e tyre qoftë edhe një element të vetëm të mbrapshtive që përdorim ne, por se udhëheqësitë tona paraqiten aq mjerueshëm sa ata besojnë se në këtë vend nuk ka mundësi për ZGJIDHJE më të mira. Me dashje a padashje ata kanë qenë komplisë të përhershëm të zgjedhjeve të derisotme, të papranueshme për standardin demokratik.

Ka 22 vjet që bëjmë zgjedhje pa ditur numrin e vërtetë të zgjedhësve. Bëjmë zgjedhje duke lëvizur grupe “zgjedhësish” nga një zone në një tjetër. Bëjmë zgjedhje duke votuar nga dy e tri here. Bëjmë zgjedhje duke mbushur kutitë me fletë-votimi të parapërgatitura. Bëjmë zgjedhje familjare, me kryetarin e fisit. Bëjmë zgjedhje për zgjedhësit që mungojnë dhe për të vdekurit. Bëjmë zgjedhje duke i numruar votat për vete. Bëjmë zgjedhje duke vendosur vetë se kush është fituesi. Bëjmë zgjedhje duke mashtruar, manipuluar e përdorur në mënyrë diabolike shtresa të caktuara të popullsisë, përfshirë edhe nxënësit e shkollave. Bëjmë zgjedhje duke shantazhuar rrogëtarët e shtetit me prerjen e ‘koromanes’. I mësojmë popullit si të korruptohet dhe pastaj çuditemi pse korrupsioni na qenka monedha e preferuar e blerjes së çdo shërbimi a qëllimi në këtë vend.

Pastaj, vazhdojmë të çuditemi se pse disa politikanë që i kemi parë e ku s’i kemi parë dalin të na mësojnë, të na mbushin mendjen se ne qenkemi tepër të paditur për të vlerësuar madhështinë e ideve, përrallave e veprimeve të tyre diku korruptive, diku mashtruese, diku hajdutore vulgare, diku mjerane, diku sahanlëpirëse, diku të shëmtuara, diku kriminale, diku tradhëtare, diku antikombëtare e diku paranojake maniakale, dhe duan të na infektojnë me shëmbëlltyrën e tyre. O, ç’fyerje e intelektit të shqiptarit të mirëshkolluar!  Dmth pa këtë skotë, Shqipëria vdes! Hapu dhe të groposen të gjithë mentarët e këtij vendi që tundin kokën e buzëqeshin me këtë ironi të zezë! do të thoshin disa plaka andej nga Peladhia.

O na paska hyrë frika në palcë, o qenkemi të mefshtë, o qenkemi servilë, o qenkemi cinikë, o qenkemi askushi. Ta gjejmë se kush jemi. Por duhet të vërtetojmë se jemi dikushi. Nuk pengohet qeverisja e mbrapshtë, që si rul shtyp e rrafshon çdo gurë e guralec, pa e ngdalësuar shpejtësinë nga 3, 5, 15, 100 a më shumë vetë që flasin e shkruajnë pa pushim kundër bëmave e mbrapshtive të saj. Zëri i tyre zhurmohet e shurdhohet. Atje ku ai duhet dëgjuar, te masa e madhe e popullsisë, sidomos te ajo fshatare, mbërrin vetëm zëri i atyre që kanë mundësitë, zotësinë, pafytyrsinë dhe diabolizmin për ta mashtruar, manipuluar e përdorur atë. Prandaj ne shohim politikanë të diskredituar të fryhen dhe të na kërkojnë përhershmërinë ose riciklimin e tyre në politikë e në qeverisje.

Shohim politikanë që kur kjo nuk u ndez në partinë ku bënin pjesë, t’ia therin  te tjetra, te tjetra e te tjetra, ose të krijojnë një të re, ose të dalin në karshillëk. Dhe nuk e bëjnë këtë kur e shohin qartë se nuk e gjejnë më veten në atë grupim politik, por e bëjnë atëherë kur ngelen me gisht në gojë. Pastaj përpiqen të na mësojnë se kjo është rruga, kështu duhet vepruar. Pikërisht. Një mënyrë shumë e mirë për të bastarduar demokracinë. Në një parti politike grumbullohen njerëz që e gjejnë veten në përkatësi botëkuptimi me atë grupim. Kur dikush që është përpjekur të bëjë të triumfojnë idetë e tij ose të dalë në krye, por nuk ia ka dale dot dhe nuk e gjen më veten brenda atij grupimi, ai largohet vetë prej aty dhe nuk pret ta largojnë. Kryetarët e partive nuk i shkul dot prej aty kur kanë shumicën me vete. Kryetar ka vetëm një. Nuk mund të ketë as dy, as tre e as më shumë. Ka vetëm një njësh. Një president, një kryeministër, një kryetar partie, një kryetar kështu a një kryetar ashtu. Çështja është si të kufizohet pushteti i kryetarit që ai të mos bëhet i gjithfuqishëm. Sidomos në Shqipëri, ku me këtë lloj pseudodemokracie që kemi, kryetarit i joshet aq shumë pushteti sa menjëherë vrapon drejt gjithfuqishmërisë dhe, kur i krijohet mundësia, drejt sundimtarisë. Ka vetëm një mënyrë për ta ndaluar këtë prirje të zezë, vetëm duke bërë ligje e rregulla, që nuk lënë shtigje për deformime, dhe duke ndërtuar instrumente të fortë, të pavarur e të pakorruptueshëm për kontrollin e zbatimin e tyre.

Në këto 22 vjet përpjekjesh për të ndërtuar një shtet demokratik, në udhëheqësitë tona politike kemi parë kryetarë që bëhen të gjithfuqishëm dhe, kur ia kanë dalë, kanë marrë fuqitë e sundimtarit. Kemi parë zonja me pushtet të fuqishëm ligjor të cilat janë cilësuar publikisht “lavire bulevardi” kur pushteti vret demostrues me duar në xhepa, t’a gëlltisin atë cilësim poshtrues pa dridhje qerpiku dhe të presin me qetësi mbarimin e mandatit. Kemi parë zotërinj me pushtet të fuqishëm, të pavarur, të quhen “horr bulevardi”, kur ekzekutivi vret demonstrues me duar në xhepa, në mes të rrugës, të mërmërisin diçka nëpër dhëmbë dhe të presin qetësisht mbarimin e mandatit.

Kemi parë e ç’nuk kemi parë, por nuk kemi parë as ligje as instrumente ligjorë të fortë, të pavarur e të pakorruptueshëm, që ta pamundësonin këtë prirje. Në vend të kësaj kemi parë prishjen e kushtetutës për t’i shtruar rrugën me qylym kësaj prapësie. Sigurisht se, për këtë,  nuk mund të fajësohet populli “i bindur” a indiferent. Populli ia ka deleguar fuqitë e tij përfaqësuesve të vet të zgjedhur. Po a kanë qenë këta vërtetë përfaqësuesit e interesave kombëtare, interesave publike e private të popullit të Shqipërisë dhe të zgjedhur në mënyrë të fshehtë, lirisht e ndershmërisht? Ata kanë pasur përgjegjësinë dhe autorizimin të ndërtonin një shtet demokratik me institucione demokratike e pushtete të pavaruara e të balancuara. Por nuk e bënë. Në vend të kësaj i kanë shërbyer, ose nuk kanë mundur ta pengojnë, zhvillimin e një qeverisjeje autokratike të korruptuar që, më e pakëta, ka penguar zhvillimin e përparimin e vendit në pajtim me mundësitë reale e potenciale që ai ka pasur dhe ka.

Përse gjatë 22 vjetëve nuk u bënë ligje të përshtatshme që të garantonin zgjedhje të lira e të ndershme?  Përse gjatë 22 vjetëve nuk u bënë ligje që t’i pamundësonin kryetarit të ekzekutivit të fuste nën vete të gjitha pushtetet tjera – në teori të pavarura – dhe të merrte fuqitë e sundimtarit? Përse nuk u bënë ligje që të pamundësonin shndërrimin e Kuvendit të Shqipërisë në një instrument të ekzekutivit? Përse nuk u bënë ligje që t’i NDALONIN CILITDO përdorimin e gjuhës së urrejtjes, të përçarjes kombëtare e të armiqsimit, të sharjeve vulgare e të neveritshme në publik? Përse nuk u bënë ligje që të detyronin administratën publike të krijonte një regjistër kombëtar të pamanipulueshëm të popullsisë? Përse nuk u bënë ligje që ta detyronin administratën publike të siguronte adresat e sakta të qytetarëve? Pse nuk u bënë ligje që të ndalonin kalimin e deputetëve nga një grup në tjetrin brenda së njejtës legjislaturë? Pse nuk u bënë ligje të mira, pa shtigje, për të forcuar dhe garantuar pavarësinë e instrumentave të kontrollit dhe të zbatimit të ligjit? Ka edhe plot pyetje të tjera që do të kërkonin përgjigje… se demokracia është hapsirë për të gjithë, por një hapsirë e përcaktuar me ligje, norma e rregulla të zbatueshme nga të gjithë e të pacënueshme nga kurrkush.

Nëse u përgjigjemi këtyre pyetjeve, atëherë na lind vetëvetiu një pyetje tjetër: Këta deputetë të ‘zgjedhur’ përfaqësojnë Sovranin popull apo “kryetarin e gjithfuqishëm”, apo “sundimtarin”, atë që u ka mundësuar atyre të “zgjidhen”? Nëse shumica e deputetëve dhe e politikanëve i shërben sundimtarit “sovran!”, a “kryetarit të gjithfuqishëm!” atëherë nuk është vështirë ta gjejmë përgjigjen e të gjitha pyetjeve që kanë të bëjnë me shkatrrimet e mbrapshtitë politike, ekonomike, juridike, sociale, kulturore e mjedisore në këtë vend. Kemi të bëjmë me një kulturë politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike. Karakteristika themelore e kësaj kulture politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike është arti i mashtrimit, manipulimit e përdorimit të popullit Sovran për të garantuar “demokracinë!” e  sundimtarit “sovran!”, të “kryetarëve të gjithfuqishëm”, të politikanëve të diskredituar të riciklueshëm, të politikanëve të vetëshpallur “të nevojshëm” a “të pazëvendësueshëm”, të politikanëve sahanlëpirës dhe të përfituesve që i mbajnë ato gjallë.

Kësaj kulture politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike nuk i shërbejnë vetëm deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhur me “votim të lirë, të ndershëm e të drejtë!”, nuk i shërbejnë edhe ndërkombëtarët qejfmosprishës, sehirxhinj, cinikë e midis tyre edhe qëllimkëqinjë, por i shërbejnë batalione medieje, profesorë, shkrimtarë, artiste, mësues e drejtorë shkollash. Kësaj kulture politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike, i shërbejmë të gjithë ne që kemi sy të shikojmë, kemi veshë të dëgjojmë, kemi mendje të mendojmë, kemi gojë të flasim dhe kemi penë të shkruajmë, që bëjmë muhabet përditë në tavolina, që përbëjmë shumicën dërrmuese, por që nuk shpërthejmë së bashku me një zë të fuqishëm buçitës për ta demaskuar, stigmatizuar e shpartalluar atë.

Kjo është një kulturë politike që duhet asgjesuar. I duhet pamundësuar gjeneruesve të kësaj kulture politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike, të deformojnë demokracinë në pseudodemokraci dhe të gjejnë shtigje për të përjetësuar sundimin autokratik; duhet të përpiqemi të gjenerojmë një kulturë të vërtetë demokratike që ta ndihmojë qytetarin shqiptar të bëhet zot i pakorruptueshëm i votës së vet të shenjtë dhe të kërkojmë pa sprapsje krijimin e instrumenteve garantë, të pakorruptueshëm të saj. Kjo mund të ishte një mënyrë që do të prodhonte një udhëheqësi politike të mbarë dhe një qeverisje të përshtatshme të Shqipërisë tonë të dashur. Kështu do të pamundësohej gremisja e  saj në një humnerë prej ku s’do  të kishte burrë e forcë që ta nxirrte.

 

*Prof.Dr. Ahmet Kamberi është profesor ne kardiologji aktualisht ne profesion te lire, aktiv ne Shoqaten Shqiptare te Kardiologjise dhe ne Shoqaten Evropiane te Kardiologjise, themelues i Revistes Shqiptare te Kardiologjise

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


10 Komente


  1.  
    mongoli

    Zoti Kamberi! Njehsohem plotesisht me mendimet dhe analizen tuaj per gjendjen aktuale te shoqerise tone.Shume e sakte shprehja juaj ,, bastardim i i demokracise,, Respekt per gjithe intelektualet e brezit tuaj.




    •  
      Alfred Vicishta.Gjermani

      Eshte zeri i nje njeriu me nivel te larte kulturor,eshte mendja e mpreft e nje intelektuali,eshte shpirti i nje dibrani atdhetar,eshte zemra e nje shqiptari te pergjegjshem dhe e nje mjeku te perkushtuar
      Faleminderit i nderuar Ahmet Kamberi.
      Per ju kam degjuar te flitej me respekt dhe adhurim qe kur isha femij.
      Fjala juaj eshte thirrje qe duhet te ushtoje ne te gjitha malet e Bulqizes,Zerqanit,e te ngjitet ne maje te Korabit.
      Shqiperia eshte ne rrezik te luftes civile po u preken zgjedhjet dhe votat me 23 Qershor.




  2.  
    Dike Mullai thote-

    RESPEKTE Prof.Dr.AHMET KAMBERI! Analize e THELLE per shoqerine Shqiptare, cdo paragraf eshte Kuptim-Plote:-Keni vene gishtin ne PLAGE! Fjale e bukur eshte DEMOKRACIA. Si nje foshnje qe lindi para 22 vjetesh, u komprom entua, u bastardua sapo lindi. HIPOKRIZIA, NIHILIZMI, KAMELEONIZMI, PERCARJA, PARCELIZIMI i ketij vendi te vogel coi ne pasija te RENDA, per te mos thene te PARIPARUESHME! Ne emer te PLURALIZMIT “Lulezuan” shume parti, ne numur afro 5 fishi i qarqeve (?!) -Brenda familjes gjejme antare ne parti te ndryshme(?!), Ne parti gjejme njerez me 2 apo 3 TESERA (?!), Te “zgjedhurit”, per interesa personale, kaperxejne nga nje parti ne tjetren pa i u skuqur faqja! Aq me KEQ ne Parlament:-Deputete me mandat te nje partie kalojne ne nje parti tjeter(?!) Eshte fakt se U MOHUA gjitheshka e ndertuar me Punen e Djersen e ketij populli, por jo vetem kaq:- U SHKATERRUA! Ka nje PERCARJE te thelle, baze krahinash:-‘Malesore’, ‘Lale (myzeqare)’, ‘Labe’…. Ne sekte FETARE:-Muslimane, Orthodhokse, Katolike, Bektashij…. “Lulezoi” perseri Gjak-Marrja! Jane shtuar frikshem semundjet epidemike! Analfabetizmi ka marre permasa te pa para! KORRUPSIONI, KRIMI(deri brenda familjes) kane marre permasa te Rrezikeshme! Sot, i moraleshmi (qofte dhe vellai) quhet nga i pa moraleshmi ” I HUMBUR “, ndersa ky i fundit quhet ” I SHKATHET” (?!) Shpresojme per nje RILINDJE! Se pari, duhen QERRUAR Ferrat e Drizat! Ketij vendi i duhen SOT me shume Zera, si JU, qe bejne APEL! Edhe nje here RESPEKTE!




  3.  
    skandro

    Respekte për mendimet e shtruara.Por unë,duke studiuar historinë mijra vjeçare të vendit tonë,jam tmerësisht pesimist për ndryshime pozitive.Për të bërë të mundur ndryshime,më parë duhet të bëhet radioskopia e defekteve (dhe jo me parullat e politikanëve të djeshëm e të sotëm:Popull punëtor,trim,i ditur,…),që tashmë janë futur në gen.Vetëm atëherë mund të shpresojmë…




  4.  
    Shefqet

    Bravo ! Nje veshtrim i shkelqyer analitik i situates.
    Urime doktor, jemi ne nje mendje se “kjo është një kulturë politike që duhet asgjesuar”.
    Por del pyetja si, me c’mjete, ne c’rruge, ?




  5.  
    studenti

    Faleminderit dr.Kamberi.Kemi nevoje te degjojme fjale te mençura qe te vendosim relacionet me veten dhe me jeten qe i perkasim.Na vjen ndot kur degjojme marrezite e prijesve tane qe qajne si femijet kur ia marrin topin njeri-tjetrit.Demokracia jone e ketyre 22 viteve ka bere kalimin nga tirania e shprehur ne ate te fshehur duke vene çdo gje ne sherbim te pushtetit. Sot u dha lajmi se vdiq ne burg Videla, tirani i Argjentines, ndersa tiranet tane shperblehen me dashuri diku hapur, diku tines.Na vdiqen, na moren frymen, na nxine fytyren sepse ne mjeranet genjehemi, nxjerrim ne krye dhe pervelohemi pas atyre qe na bejne menxyren.Ca si arinj, ca si ujqer, ca si çakenj, ca si zagare prijesit tane turren mbi kermat tona pasi na kane mashtruar, na kane vjedhur, na kane vrare.Por le te kujtojme fjalet e nje personaliteti qe shume njerez ne bote e percjellin:”Neqoftese pranon te behesh krimb, mos u anko pse te shkelin”Ne i kemi lejuar me primitivitetin tone keto hiena qe na kapin per zhelesh,na çjerrin, na permjerrin dhe neper rruget e botes si lypsiare na nxjerrin.Ata qe quhen “mençuria ” e kombit, njerezit e dijes, artit,medias,shkences jane preokupuar per t’i sherbyer vetes duke mbyllur syte para ketyre viruseve te vdekjes.




  6.  
    LORA

    E vertete cdo fjale e Profesorit,por e vonuar.
    Profesor Kamberi ka qene deputet ne legjislaturen e pare,i te majtes se kryesuar nga kurva fatos nano,por nuk e ngriti ndonjehere zerin,teresisht te mbrojtur nga imuniteti parlamentar, per gjithe keto te zezat ,qe rreshton me siper ,dhe qe e nisen rruge qysh atehere.
    Nuk kam per ta harruar kurre klithmen e deputetes Shapllo,e majte nga Gjirokastra, qe iu drejtua me pergjegjshmeri te larte kombetare kolegeve,-“Cfare po beni,po beni pronare greket, qe erdhen te punonin si hyzmeqare pronat tona? Ishin momentet kur po aprovohej famekeqi ligj 7501. Per punen profesionale dhe akademike te Profesorit ruaj respekt.




  7.  
    europiani

    Shume e vertete, por e vonuar. Megjithate me mire vone se kurre. Thuaje haptas Profesor, kush eshte pergjegjes per kete gjendje katastrofike te realitetit shqiptar ? Ka emer kush e krijoi kete lloj shteti, kete lloj qeverisje, kete lloj administrate te tredhur, qe duhet te marre leje te shkoje ne banjo ( kjo eshte e tmerreshme ). Une mendoj se po. Ky eshte Berisha, arkitekti i gjithshkaje qe ndodh ne kete vend. Pa u larguar ai, nuk ka te ardhme per popullin.




  8.  
    fidaho

    Nje e vertete e realitetit shqiptar, por ……..




  9.  
    Gramoz

    i ndaeruar profesor ju admiroj pa mase por vetem nje dicka te lutem ma pranoni ate politike ruge qe ndjek vendi yne vegjelia s,ka c,iben nesee nuk shterngoni grushtin e ti kanosni yu si ajka e vendit ata do te na hane gjalle i nderuar qofsh per jete





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)