e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Çrregullimet e të ngrënit, si të njohim buliminë dhe anoreksinë nervore

1
Pranvera Kola
Postuar më: 16 Qershor, 2013 tek Lajme Flash
anorexia-mirror-1

Dëshira për të arritur linja trupore perfekte përmes mbajtjes së dietave të rrepta, shpesh herë shndërrohet në armik të shëndetit. Kjo pasi jo vetëm nuk e ndihmon arritjen e linjave të bukura, por ndikon në shfaqjen e probleme psikologjike, të cilat nëse nuk marrin ndihmën e duhur mjekësore në kohë mund të mbartin edhe pasoja fatale. Pjesë e këtyre shqetësimeve janë dhe të ashtuquajturat “çrregullimet e të ngrënit”, të cilat fatkeqësisht në ditët e sotme jo vetëm që po shfaqen në rritje, por ndikojnë negativisht në shëndetin e të rinjve. Ndër format më të shpeshta të çrregullimeve në të ngrënë janë anoreksia dhe bulimia. Si rrjedhojë e mungesës së informacionit mbi njohjen e këtyre çrregullimeve, në pjesën dërrmuese të rasteve trajtimi i tyre neglizhohet, çka e dëmton edhe më shumë individin, si pasojë e dëmtimeve që pëson shëndeti nervor. Përgjithësisht këto lloje çrregullimesh kuptohen si imazhe të tilla që kanë të bëjnë linjat e dobëta trupore, ndërkohë që janë edhe më të thella. Problemet që shfaqen në jetën tonë të përditshme, qoftë në familje, shkollë, shoqëri etj, rezultojnë të jenë edhe ndër faktorët e shpeshtë që mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të të ngrënit. Në një intervistë për gazetën “Dita”, specialistja e shëndetit mendor në Institutin e Shëndetit Publik, Orjola Pampuri detajon format se si shfaqen këto çrregullime, si dhe rastet kur duhet kërkuar detyrimisht ndihma mjekësore.

Si duhet ti kuptojmë çrregullimet e të ngrënit, si dhe në çfarë formash shfaqen?   

Çrregullimet e të ngrënit karakterizohen nga prania e shtrembërimeve të forta në sjelljen e të ngrënit. Ndër çrregullimet më të shpeshta janë Anoreksia nervore, Bulimia nervore, çrregullime të paspecifikuara, si dhe obeziteti. Në thelb anoreksia nervore mund të konceptohet si një sjellje e mësuar, e cila bëhet e qëndrueshme nëpërmjet përforcimeve pozitive, që e shoqërojnë në fillimet e saj. Anoreksia nervore, e cila shfaqet me refuzimin e mbajtjes së peshës trupore mbi peshën minimale normale është një çrregullim me rrezik serioz për jetën që nuk shkaktohet nga asnjë sëmundje fizike. Etimiologjia e termit anoreksi, nënkupton një humbje të rëndë të oreksit me bazë emocionale, ndërsa bulimia e prejardhur nga fjalët greke “bous’ që do të thotë kafshë dhe “limos” që do të thotë uri, është e njohur ndryshe edhe si “sindroma e pastrimit”. Origjina gjuhësore e këtyre termave përputhet vetëm në dukje me këto çrregullime problematike për individët që i mbartin. Është interesant fakti që fjala anoreksi është përdorim i pasaktë, pasi shumë anoreksikë nuk shfaqin aq humbje të forta të oreksit sesa kanë frikë për të ngrënë. Si anoreksia, ashtu edhe bulimia nervore shfaqen zakonisht në nivelet më të ngritura të shoqërive, apo tek njerëz për të cilët eleganca fizike konsiderohet e rëndësishme.

 

Në çfarë kushtesh këta pacientë detyrohen të kërkojnë ndihmën mjekësore?

Personi zakonisht vjen për asistencë mjekësore nën presionin e familjarëve, kur humbja e peshës ose paaftësia për ta fituar atë bëhet e dukshme. Rastet kur individi e kërkon vetë ndihmën mjekësore janë rrjedhojë e shqetësimit të lidhur me pasojat trupore e psikologjike, me të cilat ai përballet. Duhet të vëmë në dukje se rrallë individët me anoreksi nervore shfaqin preokupim për dobësimin në vetvete. Në përgjithësi shfaqet mungesa e ndërgjegjësimit mbi sëmundjen ose mohimi me ngulm i saj.  Kjo është një pengesë serioze dhe kjo është arsyeja përse subjektet me anoreksi nervore janë një burim i pasaktë për mbledhjen e të dhënave mbi historikun e sëmundjes.

 

Në çfarë formash shfaqen këto lloje çrregullimesh?

Bazuar në praninë ose jo të episodeve të rregullta aktuale të të ngrënit pa kriter ose të sjelljeve të eliminimit, për vlerësim përdoren nëntipat e mëposhtëm: “Nëntipi kufizues, në të cilin kemi të bëjmë me rastet kur humbja e peshës tek këta individë arrihet në fillim përmes dietës, mosngrënies ose aktivitetit të tepërt fizik. Në përgjithësi tek këta persona nuk vërehen të ngrëna pa kriter ose sjellje eliminimi. Një tjetër formës e shfaqjes është edhe nëntipi me të ngrënët pa kriter ose të sjelljeve eliminuese. Kjo formë ndodh kur humbja e peshës tek këta individë arrihet përmes ngrënies pa kriter dhe përdorimit në vijim të sjelljeve eliminuese që kanë të bëjnë me : “të vjella të provokuara”, diuretikët dhe laksativët. Në disa raste individët nuk hanë pa kriter, po shfaqin përdorim të këtyre metodave pas marrjes së sasive të kufizuara të ushqimit. Duket se shpeshtësia e këtyre sjelljeve në këtë nëntip është, së paku javore, por të dhënat në dispozicion nuk janë të mjaftueshme për të specifikuar shpeshtësinë minimale.

 

Përmendëm që bulimia nervore është një ndër format më të shpeshta të këtyre çrregullimeve, konkretisht me çfarë ka të bëjë dhe si perceptohet pesha trupore tek këta individë ?  

Individët me bulimi nervore janë në kufijtë normal të peshës, megjithëse disa prej tyre mund të jenë pakëz mbi ose nënpeshë. Duket se para shfaqjes së çrregullimit të bulimisë nervore, individët tentojnë të kenë histori mbipeshe, krahasuar me moshatarët. Karakteristikat thelbësore të bulimisë nervore janë: “Prania e episodeve të vazhdueshme të ngrënit pa kriter dhe e sjelljeve të vazhdueshme të papërshtatshme për të parandaluar rritjen në peshë, përmes nxjerrjes së ushqimeve. Niveli i vetëvlerësimit tek individët me bulimi nervore ndikohet tepër nga pesha dhe forma e trupit. Për të justifikuar diagnozën, individi shfaq mesatarisht dy herë në javë për tre muaj rresht, të ngrënët pa kriter dhe sjellje të papërshtatshme kompensuese (nxitja e të vjellave). Episodi i  të ngrënit pa kriter, apo i cilësuar ndryshe “kriza bulimike” është përkufizuar si : Ngrënia në një periudhë të caktuar kohore, e një sasie më të madhe ushqimi, krahasuar me atë që shumica e njerëzve mund të hanë në atë periudhë kohe dhe në rrethana të ngjashme. Është e rëndësishme të vlerësohet konteksti në të cilin ndodh episodi.

 

Si duhet të kuptojmë ngrënien pa kriter?  

Ajo që konsiderohet si sasi e tepërt për një vakt në një ditë të zakonshme, për një ditë feste mund të jetë normale. Me “një periudhë të caktuar kohore” kuptohet një periudhë e kufizuar, zakonisht më e paktë se dy orë. Episodet e të ngrënit pa kriter nuk është e thënë të ndodhin medoemos në një kontekst të caktuar, ato mund të nisin në restorant dhe të përfundojnë në shtëpi. Nuk konsiderohen si episode të tilla pickimet e vazhdueshme të sasive të vogla të ushqimit edhe nëse këto ndodhin gjatë gjithë ditës. Megjithëse, tipi i ushqimit përgjatë ngrënies pa kriter varion gjerësisht, ku përgjithësisht përdoren, ushqime të ëmbla hiperkalorike, të tilla si akulloret apo tortat. Ajo që duket se e karakterizon të ngrënin është më shumë dhe mbi të gjitha anomalia në sasinë e ushqimit sesa rendja kundrejt një ushqimi specifik.

 

A mund të identifikohen lehtësisht këto raste?

Personave me bulimi nervore zakonisht u vjen turp prej zakoneve të tyre të ushqyerit patologjik, ndaj tentojnë t’i fshehin ato. Krizat bulimike ndodhin në vetmi, sa më e fshehtë të jetë e mundur. Shfaqja mund të jetë pak a shumë e planifikuar, megjithëse jo gjithmonë gjatë të ngrënit të shpejtë të ushqimit. Prania e këtij çrregullimi paraprihet nga: “Gjendje jo të mira humori, gjendje stresuese ndërpersonale, uri të shpeshtë pas një kufizimi dietik të ushqimeve, ndjesi të pakënaqësisë lidhur me peshën fizike, formën e trupit ose me ushqimin. Gjatë këtij episodi, humori mund të përmirësohet, por pasohet nga një humor i depresuar dhe autokritikë e pamëshirshme”.

 

Kur dhe si ndodh shfaqja e krizave bulimike?

Në përgjithësi fazat e hershme të një krize bulimike karakterizohen nga ndjesia e mungesës së kontrollit. Ndërsa në faza të avancuara individi përjeton një lloj ndjesie personale të humbjes së kontrollit përgjatë krizës e bashkëshoqëruar me paaftësinë për t’u rezistuar stimujve të krizës ose ndërprerjes së episodit, kur ai ka filluar. Humbja e kontrollit e shoqëruar me të ngrënit pa kriter tek bulimikët nervorë nuk është absolute, individi mund ta vazhdojë të ngrënit edhe nëse bie zilja e telefonit, por e ndërpret atë nëse dikush hyn papritmas në dhomë. Një tjetër karakteristikë thelbësore e bulimisë nervore është përdorimi i sjelljeve të vazhdueshme e të papërshtatshme kompensuese, për të parandaluar ngritjen në peshë.  Shumë individë me bulimi nervore realizojnë një sërë veprimesh që kanë për qëllim neutralizimin e efekteve të ngrënit pa kriter. Midis këtyre metodave ajo më e përdorshmja është të vjellat e vetëprovokuara pas të ngrënit. Ajo pakëson ndjesinë e papëlqyeshme fizike dhe frikën e shtimit në peshë.

 

Si manifestohet bulimia nervore?

Individët me bulimi nervore mund të përdorin mënyra të ndryshme për të shkaktuar të vjellët si: përdorimi i gishtave apo i mjeteve të tjera që shkaktojnë refleksin e të vjellit përmes stimulimit të faringut. Në faza të avancuara këto individë arrijnë të vjellin me komandë. Rrallë përdorin nxitësit e tipit të shurupëve apo përdorimi i papërshtatshëm i laksativëve, diuretikëve, enteroklizmave dhe medikamenteve të tjera. Të tjera masa nxitëse, janë mbajtja e dietës në ditët në vijim, ose kryerja e ushtrimeve të tepruara fizike.

 

 Shfaqja

Çrregullimet e të ngrënit fillojnë në moshën e adoleshencës, dhe janë më të shpeshta tek vajzat se tek djemtë. Numri i të rinjve me çrregullime të ngrënit shfaqet në rritje, ndërkohë që personat me këto çrregullime mund të kenë pasoja serioze në shëndet, dhe në rastet kur nuk trajtohen pasojat mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Personat me çrregullime të të ngrënit, e shohin peshën e trupit si qendrën e identitetit dhe lumturisë. Disa nga shkaqet e përmendura që çojnë në shfaqjen e anoreksisë rezultojnë të crregullimet e personalitetit, faktorët gjenetike, ata mjedisorë, imazhi i keq për trupin dhe peshën.  Shumica e personave me anoreksi shfaqin problem të personalitetit të tilla si, vetëvlerësimi i ulët, denja e të qenit i pashpresë, një frikë e vazhdueshme nga mbipesha

 

 

Aktiviteti fizik i tepruar   

Aktiviteti fizik konsiderohet i tepruar kur: “ndërhyn në aktivitetet të tjera të rëndësishme, ndodh në orare dhe në vende të pazakonta përdoret pavarësisht kushteve fizike të papërshtatshme. Personat me diabet mund të pakësojnë insulinën për të pakësuar metabolizmin e ushqimit të marrë gjatë krizës bulimike. Individët bulimikë i japin rëndësi të madhe formës dhe peshës së trupit në vlerësimin e vetes. Frika e madhe nga shëndoshja dëshira për të humbur peshë dhe niveli pakënaqësisë, për pamjen fizike janë shenja të përbashkëta me ato të individëve me anoreksi nervore  Sidoqoftë nuk është e justifikuar diagnoza e bulimisë nervore nëse çrregullimi shfaqet vetëm gjatë episodeve të anoreksisë nervore

 

Kritere diagnostikuese për anoreksinë nervore:

Refuzim i mbajtjes së peshës trupore mbi ose në peshën minimale për moshën dhe gjatësinë. Frikë e vazhdueshme e individit për shtim në peshë ose shëndoshje edhe kur është nënpeshë. Shtrembërim i mënyrës me të cilën individi e përjeton peshën ose formën e trupit, influencë e tepruar e peshës dhe e formës së trupit në nivelin e vetëvlerësimit, refuzim për të pranuar gjendjen e rënduar aktuale të qenit nën peshë. Shfaqja e amenorreas tek femrat, pra mungesa radhazi e tre cikleve menstruale.

 

Anoreksisë nervore, karakteristikat që e shoqërojnë :

Refuzimi i mbajtjes së peshës trupore, mbi peshën minimale normale

Frika e fortë dhe e vazhdueshme e ngritjes në peshë dhe shtrembërimi i imazhit trupor i lidhur me përmasat trupore.

Humbja e peshës në fillim arrihet përmes pakësimit të sasisë së përgjithshme të ushqimit të marrë.

Megjithëse ulja e nivelit të kalorive mund të kufizohet në fillim përmes përjashtimit të ushqimeve të konsideruara hiperkalorike.

Në pjesën më të madhe të rasteve këto subjekte arrijnë të kufizohen në pak kategori ushqimesh.

Për më tepër, ata mund të kryejnë sjellje eliminimi apo pastrimi siç janë: “Të vjella të provokuara nga vetë personi, përdorim i papërshtatshëm i laksativëve dhe diuretikëve, praktikim të tepruar të aktivitetit fizik me qëllim uljen e peshës.

Megjithëse disa individë mund të jenë të ndërgjegjshëm për dobësinë e tyre fizike, ata në mënyrë tipike i mohojnë pasojat e rënda mbi shëndetin e tyre mendor dhe emocional.

 

 

Bulimia nervore, karakteristikat që e shoqërojnë

  • Megjithëse tipi i ushqimit përgjatë ngrënies pa kriter varion gjatë, përgjithësisht përdoren, ushqime të ëmbla me kalori të larta, të tilla si akulloret, tortat e çokollatat në sasi të larta.
  • Ajo që duket se e karakterizon të ngrënin është më shumë dhe mbi  të gjitha anomalia në sasinë e ushqimit sesa përdorim i tepruar i një ushqimi specifik.
  • Subjekteve me bulimi nervore zakonisht u vjen turp prej zakoneve të tyre të ushqyerit patologjik, ndaj tentojnë t’i fshehin ato.
  • Krizat bulimike ndodhin në vetmi, sa më e fshehtë të jetë e mundur.
  • Episodi mund të jetë pak a shumë i  planifikuar dhe paraprihet nga:
  • Gjendje jo të mira humori.
  • Gjendje stresuese ndërpersonale.
  • Uri të shpeshtë pas një kufizimi dietik të ushqimeve.
  • Ndjesi të pakënaqësisë lidhur me peshën fizike, formën e trupit ose me ushqimin.
  • Gjatë këtij episodi, humori mund të përmirësohet, por pasohet nga një humor i depresuar dhe autokritikë e pamëshirshme.
Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


Nje koment


  1.  
    valee

    si munemi me e paksu numrin e njerzve me keto semundje





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)