e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Fevziu: Pse Berisha nuk vjen në “Opinion”

0
Redaksia Online
Postuar më: 13 Mars, 2013 tek Lajme Flash
fevzo-berisha

Moderatori i programit Opinion në TV Klan, Blendi Fevziu, ka dhënë një intervistë të gjatë për Mapon. Është një intervistë dhënë kryeredaktorit Arion Sulo, dhe në fokus ka letrën e hapur që Berisha i ka dërguar Çilit, në të cilin na bën me dije se, në rrethanat e dashurisë së sapozbuluar me rrjetet sociale, ka rënë interesi i tij për studiot televizive; qoftë dhe për studion e Fevziut, të cilën e ka pasur të preferuarën e vet.

Zoti Fevziu, ju realizoni prej 15 vitesh emisionin”Opinion”, kohë e mjaftueshme kjo për të bërë një analizë mbi sjelljen e politikanëve shqiptarë me ekranin. E veçanërisht të liderëve… Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë mbetet njësoj në këtë raport?

Ka ndryshuar gjithçka e njëkohësisht loja mbetet po ajo. E para, ka ndryshuar siguria e politikanëve në ekran. Kur unë nisa emisionin, thuajse 16 vjet më parë, politikanët njoftoheshin 5 – 6 ditë përpara emisionit. Ky ishte një event dhe ata i kërkonin temat ose pyetjet thuajse 3 ditë përpara. Sot me shumicën e tyre nuk arrin as të shqiptosh temën, sepse sa u thua: duam t’ju ftojmë në një emision, thonë: po, vij unë. E dyta, ka ndryshuar koncepti i Tv si një mjet i rëndësishëm promovimi dhe sidomos filozofia: ka më shumë rëndësi të të shohin sesa të të dëgjojnë. Nga ana tjetër, Tv ka sjellë shumë më tepër transparencë dhe llogaridhënie dhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të mediave në Shqipëri. Nëse i vë në një balancë, unë mendoj se TV sot kanë sjellë një situatë mediatike shumë më të mirë sesa ajo e 15 viteve më parë. Por edhe më shumë balancë politike.

Në forumin për MAPO-n, ju thoshit se debatet politike rrezikojnë të kthehen në recitime të mërzitshme, në kushtet kur partitë caktojnë deputetët dhe i nisin ata në emision me teza të gatshme. Si keni menduar ta zgjidhni këtë kontradiktë mes nevojës së politikës për ta përdorur ekranin dhe rolit të gazetarit si ndërmjetësues në emër të publikut?

Ky fenomen ka filluar të ndihet në vitin 2009. Çfarë kam dashur të them. Deri në vitin 2009, drejtuesit e emisioneve, në bazë të temës që zgjidhnin, kontaktonin personazhet politikë që donin të kishin në emision. P.sh. dihej që për ekonominë mund të ftohej Malaj apo Bode; për politikën e jashtme, Islami a Milo. Të ftuarit kishin argumentet e tyre personale brenda linjës së partisë që përfaqësonin. Në fund të fundit, diferenca e një politikani të mirë nga një më pak i mirë bëhet mbi këtë bazë, atë të aftësisë për të gjetur argumente në favor të tezës sate dhe për t’i bërë të besueshme për publikun. Pas 2009-s, politikanët caktohen nga partitë, vijnë me argumentet e partive dhe thonë po ato argumente. Diferenca personale mes njërit dhe tjetrit bëhet e vogël. Pra, ka një unifikim që shpesh shfaqet në formën e recitimit të tezave të gatshme. Përveç liderëve të partive, këtu bën përjashtim Ben Blushi, Pandeli Majko, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Ridvan Bode dhe disa të tjerë. Nga ana tjetër, ky lloj unifikimi dhe përsëritja e të njëjtave argumente ka sjellë rënien e audiencës së emisioneve të mirëfillta politike. Nuk është më sekret t’ju them që temat shoqërore në OPINION kanë më shumë ndjekje sesa emisionet rutinë politike. Edhe pse në raste kur ka ngjarje, ose debat të vërtetë, audienca politike është e pakonkurrueshme.

A jeni dakord me konstatimin e Zhejit se koha televizive është shumë e lirë për politikanët shqiptarë, e për rrjedhojë ata e kontrollojnë median me axhendat e tyre? Kësisoj nuk kanë pse të pranojnë sfida për përballje dhe as t’u përgjigjen gazetarëve apo opinionit publik, që në fakt do ta dëshironte sot një debat Rama-Berisha?

Po, Zheji ka të drejtë, koha televizive është shumë e lirë në Shqipëri. Por në këtë rast, Shqipëria nuk është një përjashtim i madh, por një keqkuptim i madh. Koha televizive është fare e lirë për televizione që synojnë tregun e lajmit dhe si të tillë limitohen veç tek ata njerëz që jetojnë me politikën dhe lajmin në veçanti. Audienca e këtyre televizioneve, nja 7 – 8 bashkë, është diku midis 7 – 9% të audiencës ditore, madje kjo kryesisht e përqendruar në mëngjes. Në mbrëmje, të gjithë këta televizione eklipsohen nga televizionet e mëdhenj, ku dominon Klan dhe Top Chanel. Në gjithë botën, televizionet informativë transmetojnë evente dhe fjalime politike, por askush s’e llogarit këtë. Në Shqipëri, politika bën të njëjtën gjë. Diferenca është se, në këto raste, ajo i flet vetes dhe për veten e nuk shkon në ndonjë audiencë të gjerë. Pra, thënë shkurt, kjo është kohë fare e lirë, por edhe fare pak e nevojshme.

Përmes një letre drejtuar Henri Çilit, kryeministri Berisha u ktheu në fakt përgjigje të gjithë moderatorëve që flisnin në atë forum. A qëndron argumenti i tij se, përmes konferencës mujore për shtyp, takimeve me elektoratin dhe taën-holleve, përmbush detyrimin për t’iu përgjigjur pyetjeve? Detyrimin e llogaridhënies, pra?

E dëgjova në Tv letrën e Kryeministrit dhe besoj se kjo është mënyra që ai ka zgjedhur. Me siguri ka argumentet e tij për këtë.

Në qarqet gazetareske është krijuar bindja se ju kishit në fakt ekskluzivitetin e intervistave të Kryeministrit. Ndaj edhe më shumë sesa strategjia e re e tij, ka shkaktuar habi fakti pse Berisha nuk shkon më te Fevziu. Çfarë përgjigje keni marrë në ftesat që i keni bërë Kryeministrit për të qenë në “Opinion”?

Po e nis nga e fundit. Gjatë këtij viti, Kryeministrin e kam ftuar vetëm një herë për datën 29 Nëntor, meqenëse ishte 100-vjetori. Përgjigjja ishte se ato ditë qenë tejet të ngarkuara me aktivitete dhe se, në fakt, kish folur shumë në disa mbledhje të Komitetit të 100-vjetorit, në konferenca shtypi dhe evente. Gjë që ishte krejtësisht e vërtetë. S’e kam ftuar më që atëherë dhe s’është se ka pasur diçka specifike që ta bënte praninë në emision më të rëndësishme sesa shpjegimet në daljet publike. Nuk mund të ftosh dikë kur s’ke diçka specifike për ta pyetur. Kështu ndodhi edhe me Edi Ramën, intervista e të cilit u shty nga dhjetorit për në shkurt, pas konventës, që të kisha mundësi ta pyesja për programin. E dyta, kjo e ekskluzivitetit të intervistave të Kryeministrit mund të jetë perceptim, por s’e di sa qëndron. Me përjashtim të Top Chanelit, me të cilin Kryeministri ka pasur një moment të pakapërcyer provokimi 3 ditë përpara zgjedhjeve të 2005-s, ai ka qenë në të gjitha ekranet e tjera. Ka dhënë disa intervista për Pezën, që sot garon për PS, në Ora Neës dhe Vizion+; për Babaramon në Neës24; për Pekën në UTV; për Patrik Sadikajn në Ora; për TVSH; për Klan Kosovën; për ABC; për RTK dhe me mbase ndonjë që unë s’e kujtoj tashmë. Por nëse ju mendoni se Kryeministri duhet të jetë në çdo ekran, edhe me 1 për qind shikueshmëri, për gjeografi, unë mendoj se kjo është e gabuar. Një njeri politik me ndikim bën një zgjedhje. Nëse ju do t’ju ftonin në një seri emisionesh si Kryeredaktor, a do kishit një filtër? A ka emisione ku do të çonit dikë tjetër nga gazeta? Përse Kryeministrit i kërkohet të bëjë atë që s’e bëjmë ne në jetën e përditshme. Unë i them gjithnjë me shumë kënaqësi ok një emisioni që e di që ka tjetër vëmendje ndaj një më modesti. Kjo është gjëja që nga dëshira për të dalë në ekran, pak veta e llogarisin në Shqipëri. E fundit, prania e politikanëve në OPINION bie më shumë në sy, sepse Opinion ka 18 ose 19 emisione në muaj për 11 muaj rresht. Ose afër 201 – 205 emisione në vit.

Po thoni që e keni ftuar vetëm 1 herë zotin Berisha gjatë këtij sezoni, por mungesa e tij ka qenë fakt, në të gjitha emisionet që ju citoni më sipër. Madje, në letrën publike, ai vetë pranonte se ka zgjedhur forma të tjera komunikimi me publikun. Si e komentoni këtë ndryshim të Berishës dhe a përbën kosto për të shmangia e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë me të gjitha pyetjet që i interesojnë publikut në këtë moment?     

Edhe unë, kur lexova forumin tuaj, vura re që Kryeministri s’ka qenë në emisione televizive. Ai është i pranishëm shumë në Tv dhe kjo mungesë, me sy të lirë, nuk ndihet. Nisur nga përgjigjja e tij, duket qartë që është një zgjedhje. Nëse doni mendimin tim, unë kam bindjen se liderët që kanë një model të cilit i kanë besuar dhe i ka nxjerrë fitues, nuk kanë shkak ta ndryshojnë atë. Por nuk besoj se ky është hezitim i Kryeministrit dhe s’besoj se në këto 15 vjet daljet në Tv i kanë dhënë atij  kosto, përkundrazi. Të çdo rrethane dhe formati që kanë qenë. Mbaj mend që kur erdhi për herë të parë në TVSH më 1998, ai nuk kërkoi as pyetjet dhe kjo ka ndodhur në dhjetëra emisione për 15 vjet rresht, pavarësisht marrëdhënieve personale të mira, apo të acaruara me të.

Mungesa e Berishës është shoqëruar nga dy intervista-debat që ju keni realizuar me Edi Ramën në harkun e pak muajve. A ka ndikuar kjo në qëndrimin e Kryeministrit për të mos ardhur në Opinion? Pra, një kushtëzim i Berishës me Ramën?

Kjo është e vetmja gjë që s’ndodh.

Në anën tjetër, është e njohur marrëdhënia komplekse e liderit të opozitës me median. Në këtë këndvështrim, pse u rikthye Rama në “Opinion”? Sa e vështirë ishte një negociatë e tillë?

Nuk ka pasur asnjë negociatë dhe për vendimin duhet të pyesni Edi Ramën. Rama ka pasur një ftesë të hapur që prej vitit 2006, kur nuk vinte. Derisa një ditë, ai më tha, PO, unë do vij. Rama nuk ishte i vetmi. Berisha e bojkotoi emisionin në verën e 2000-it; Nano në fushatën e vitit 2001 dhe në atë të 2005-s. Në të dyja rastet u kthye sërish pas ca kohësh.

Si moderator i intervistës së pak javëve më parë, si e analizoni performancën e tij në studion tuaj?

Do t’ju them diçka që nuk është bërë publike. Kur Rama do vinte për intervistë në maj, si pasojë e një mungese 5-vjeçare, unë nuk e dija stilin e tij të përgjigjes. Mora 4 intervista të tij të plota të viteve 2010 – 2012 dhe 6 pjesë intervistash më të hershme. I pashë me vëmendje dhe vura re që Rama kishte përgjigje të gjata dhe të lodhshme për shikuesin. Nga konspektimi i 4 intervistave dilte që ai përgjigjej mesatarisht 8 – 9 minuta për një pyetje. Një intervistë 118 minuta e gjatë kishte vetëm 19 pyetje, ndërsa në një tjetër ai ishte përgjigjur për 21 minuta pa u ndërprerë. Standardi që unë lejoj në emision në debat është 3 minuta, ndërsa në intervistë rrotull 2 minutave. Nëse ju jeni kurioz, mund t’ju vë në dispozicion analizën e intervistës së Berishës në maj 2011, kur mesatarja e përgjigjeve është më pak se 2 minuta për pyetje. Në botë zakonisht është 1.5. Bisedova me Ramën dhe e sqarova që një tip i tillë interviste s’mund të ndodhte në OPINION. Ai pranoi që përballë të kishte një orë që limitohej në 3 minuta për përgjigje. Unë fillova ta ndërpres tek 2 – 2.5-minutshi. Kështu që intervista fitoi ritëm për të cilin ishte edhe ai dakord. Po ju them që kur Ramush Haradinaj ishte tek unë 2 ditë para Ramës, ai doli nga intervista i djersitur dhe më tha që këtë ritëm s’e kish ndeshur kurrë në një intervistë. E keni aty Haradinajn; edhe Ramën, pyetini. E dyta, Rama e dinte që intervista do të ishte oponente. Kjo nuk është intervistë rrëfim, por një intervistë përballjeje. Rama nuk i dinte argumentet e mia, për të cilat kisha punuar 5 ditë me më shumë se 10 orë në ditë dhe me konsultime me disa kolegë. Por ai e dinte që intervista do të ishte e vështirë. Unë nuk mendoj se një njeri që e fton në emision dhe nuk e pyet, ose e lë të flasë, e bën më interesant për publikun. Përkundrazi. Sa më shumë ta ngacmosh një politikan, aq më shumë provokon tek ai grintën e liderit, atë që e ka bërë atë të merret me politikë, si një profesion shumë specifik. Në fund të fundit, kështu më ka ndodhur në intervista me Fatos Nanon, Sali Berishën, Jozefina Topallin, Ilir Metën, Pandeli Majkon apo Majlinda Bregun. Ky është stili i intervistës sime. Ka edhe një stil tjetër, që e lë tjetrin të flasë, të shpjegojë më gjatë, dhe gazetari ia bën po ashtu të gjitha pyetjet. Është edhe ky një stil i nderuar, por nuk është stili im. Kush vjen në studio e di pak a shumë stilin tim. Dhe e fundit, ajo që më befason, është se nga intervista intensive, nuk u mërzit Rama, por më shumë gazetarët. Është rast unikal në botë, kur gazetarët i thonë kolegut: pse e pyet fort një politikan!

Ju kanë etiketuar shpesh si “dhoma e dytë”, si “salloni mediatik” afër  Kryeministrit e ky paragjykim qarkulloi në media edhe pas intervistës me Edi Ramën, ku nuk munguan kritikat për leximin e mesazheve, kryesisht nga njerëz të qeverisë. Sa ju bezdis realisht ky perceptim dhe sa ndikon në punën tuaj?   

Në këtë rast mund t’ju citoja një letër të famshme të Faik Konicës të shkruar më 1902, një djali që donte të hapte një gazetë. Ku thotë se çdo gjë që do bësh, do të ta marrin për keq dhe do të të gjejnë një justifikim. Paragjykime do ketë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. As më kanë shqetësuar dhe as më shqetësojnë. Sa për mesazhet në intervistën me Ramën, nuk arrita ta bëja dot në fakt, sepse isha shumë i përqendruar. S’kisha mundësi të shihja celularin. Kisha mbi 138 mesazhe vetëm në 1-orëshin e parë dhe nja 40 të tjerë në BBM dhe Ëhatsapp. S’kisha mundësi t’i lexoja. Më pas pashë se kishte vëzhgime shumë interesante, që nëse do t’ia kisha bërë atij prezente emisioni do të kishte qenë edhe më interesant. Lexova vetëm 4 mesazhe në pjesën e tretë, ato që pashë në dy pushimet e shkurtra. Dhe qëlloi që njëri prej tyre ishte i Rulit dhe lidhej me kunatin e tij dhe mikun e përbashkët, Gramoz Pashkon. Nuk kisha ndonjë mesazh tjetër nga qeveria. Nga ana tjetër, me sa di unë, Berisha nuk e ka parë emisionin. Madje, kam përshtypjen që Berisha nuk e dinte fare që Rama ishte atë natë në OPINION. Sa për mesazhet, unë i kam lexuar gjithnjë dhe do t’i lexoj sërish. Është një formë interaktive e komunikimit. Qëllon që kryeredaktorë si Rakipllari apo Soni Kurani më dërgojnë pyetje gjatë intervistave që ju hyjnë në punë për titujt e nesërm; qëllon që politikanë më dërgojnë SMS që sqarojnë pozicionet e tyre ndaj përfoljes në studio. Berishës i kam bërë pyetje që më ka çuar p.sh. Ditmir Bushati, madje ia kam cituar edhe emrin. Thashë, gabimi i vetëm ishte që nuk ia lashë celularin dikujt nga stafi, që t’i shihte të gjitha pyetjet që vinin me SMS, se do e kishin bërë emisionin më interesant. E fundit, unë kam raporte të mira me të gjithë njerëzit politikë; siç ka shpesh tensione dhe moskuptime me ta. Këto vijnë nga puna, si kudo në botë dhe në çdo vend pune.

Ju keni realizuar debatin e vetëm Berisha-Nano. Sa të mundur e shihni një debat Berisha-Rama? A keni bërë ju përpjekje në këtë drejtim dhe sa fuqi ka media shqiptare sot, për të ushtruar presion që një përballje e tillë të realizohet?

Debati si qëllim në vetvete s’ka asnjë vlerë. Ka vende që zhvillojnë debate, ka vende që jo. Italia dhe Greqia nuk zhvilluan debate liderësh në këto zgjedhje. ShBA dhe Franca zhvillojnë që prej sa mbahet mend. Nuk ka një standard. Do varet shumë nga rrethanat. Ne kemi pasur veç një debat në fushatë, atë Rama – Mustafaj, në vjeshtën e 2000-it. Debati Nano – Berisha s’ka qenë në fushatë, por 3 vjet e gjysmë përpara zgjedhjeve. Por nëse ky debat do zhvillohet, duhet kthyer në standard për zgjedhjet e ardhshme./mapo

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)