e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Gremina e borxhit tatimor

2
Edlira Shehu
Postuar më: 4 Tetor, 2013 tek Aktualitet
biznesi fason

Qeveria e ikur, me papërgjegjshmërinë e saj të plotë, i ka përgatitur qeverisë së sotme një humnerë të vërtetë  të ardhurash që e shtyn atë dhe qeverisjen e saj drejt rrënimit.  Njëlloj si kaposhi mbi plehrat, disa përfaqësues të opozitës deri dje në pushtet tregojnë sot me gisht qeverinë e re që “po e shpie vendin drejt borxhit publik 70 përqind të GDP-së, dhe ne e lamë 64 përqind!”. Por nuk thonë se këtë gremisje ia shkaktuan vetë vendit. Vetë ata e lanë buxhetin pa një grosh, konsumuan gjithë huamarrjen e brendshme. Vetë ata e sollën administratën fiskale të mbledhë më pak para, në krahasim me GDP-në, nga të gjitha vitet e tranzicionit! Vetëm në vitin 1997 janë mbledhur më pak të ardhura. Kjo rrëshqitje gati e lirë drejt askundit, kjo tepisje quhet së pari borxh tatimor. Ka dhe borxh donagor, por borxhi tatimor  “shkëlqen” i gjithi në gjigandërinë e tij. Në vitin 2010 ishte vetëm 50 miliardë lekë (rreth 340 milionë euro).

Në gusht 2013, është pothuajse i dyfishuar, duke arritur në 78 miliardë lekë (afro 600 milionë euro), megjithë faljen masive fiskale që qeveria kreu për të blerë votat e biznesit një vit më parë. Falja masive u bojkotua sistematikisht nga biznesi, duke injoruar  mundësinë që duke shlyer principalin e borxhit, të përfitojë nga falja e gjobave dhe kamat-vonesave. Ndërkohë, borxhi që aktualisht bizneset i kanë administratës tatimore dhe gjithë Shtetit llogaritet në rreth  7.2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, ose pothuajse një herë e gjysëm sa totali i investimeve kapitaleve që qeveria ka realizuar gjatë gjithë vitit të kaluar! Sikur ky borxh të ishte mbledhur, financat publike të Shqipërisë nuk do të ishin në këtë ditë të hallit.

Arsyeja kryesore e mosmbledhjes së tij është mosdëshira e drejtuesve të mëparshëm të administratës sonë financiare. Sipas të dhënave më të fundit nga kjo administratë, debitorë të Shtetit në pagimin e taksave janë mbi 60 mijë subjekte. Me punë të përkushtuar, bindje e tek e fundit edhe masa shtrënguese, shumica e këtyre kompanive do të ishte detyruar ta paguante detyrimin ndaj Shtetit. Por kjo punë ka munguar tërësisht, pse duke e mbajtur peng biznesin, shtoheshin pagesat abuzive ndaj tatimorëve që “gjoja bënin lëshim” dhe nuk kërkonin llogari për detyrimin. Kundrejt Produktit të Përgjithshëm Kombëtar, vlera e këtyre borxheve-detyrime ka ardhur duke u rritur pikërisht në  vitet e fundit, kur qeveria aplikoi gati një parajsë financiare vetëm për të mbushur xhepat e titullarëve të saj. Nga përllogaritjet, rezulton se mesatarja e detyrimeve për subjekt në borxh me Shtetin është 1 390 mijë lekë të reja, ose afërsisht çdo kompani me shkelje i ka detyrim të pakthyer qeverisë sonë rreth 10 mijë euro!

Dhe askush nuk del fajtor për dyfishimin  e borxhit, që në pikëpamje ekonomike përbën veprim kriminal ndaj interesave të vendit. Askush nuk do të japë llogari për këtë atentat ndaj shëndetit të financave publike. Peshën më të madhe në borxhin-ajsberg tatimor e zënë debitorët për tatimin mbi fitimin, pasuar nga debitorët e TVSH (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar) dhe debitorët e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Mospagimi i detyrimeve dhe neglizhenca gati kriminale për të mos bërë përgjegjës debitorët e shumtë është portreti më i plotë i papërgjegjshmërisë fiskale të qeverisë së ikur. Me dështimet e saj të thekshme, ajo vijon t’i fusë shkopinj ndër rrota qeverisë së re, e cila duhet të angazhohet në një veprim tërësor për të nisur mbledhjen me përparësi të borxheve fiskale.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


2 Komente


  1.  

    GREMINA E BORXHIT TATIMOR, E BORXHIT BANKAR DHE GREMINA E EDIT.

    Shkrime te tilla inteligjente si ky i zonjes Shehu mund te lexohen me endje dhe interes, pasi pickojne probleme, nga te cilat varet fati i nje populli te tere. Ne dallim nga studot famoze TV OPINION apo TOP STORY e te ngjashme me to qe jane kthyer si ne kotece me llafollogji boshe politike ku degjon vetem kakarisje pulash, secili kush ta beje vezen me pare se tjetri. Ne kete shkrim zonja Shehu per here te pare ne media piketon vetem borxhin qe biznesi i ka borxh buxhetit te shtetit dhe e ben dyfish papergjegjesine dhe krimin financiar te qeverise “BERISHA”. Nga njera ane ministri i Bode i Saliut nuk mblidhte taksat dhe tatimet e detyruara nga biznesi, nga ana tjeter merrte borxhe tek bankat brenda dhe jashte vendit. “Ne e kishin 60 % ju e cuat 70 %” deklarojne pa piken e pergjegjesise berishistet dhe nuk e vrasin mendjen fare se cfare kane bere me keto pare borxh? Llogaria eshte shume e thjeshte dhe mund ta beje cdo ekonomist i thjeshte me dy kollona: ne njeren kollone te ardhurat e shtetit, ne kollonen tjeter shpenzimet. Nese verrehet qe ka diference ne dy kollonat qeveria duhet te jape llogari ne Parlament se cfare ka bere me diferencen. Ndryshe duhet te pergjigjet ne Prokurori per VJEDHJE te fondeve publike gje e cila perben veper penale dhe NDESHKOHET pa ngjyra politike fare. Sic ndodhi ne Kroaci me kryeministrin Sanader, por edhe ne vende te tjera te ngjashme me Shqypnine. Ne fakt kete kontroll te vazhduar te mbledhjes dhe harxhimit te LEKAVE te grumbulluara duhet ta kryeje KLSH, por Saliu me qellim ka emeruar ne krye te ketij Institucioni Thelbesor nje Dordolec servile qe ta transformoje Buxhetin e Shtetit si nje Arke Kursimi personale te familjes se tij. Deri ketu OK. Te vazhdojme me tej.
    Edi Rama so opozite aktive, por akoma me shume edhe Ilir Meta si pjese e grabitjes masive te shqyptareve nga dyshja e pushtetit te LSI-se me PD-ne e Saliut e dinin me kohe per GROPEN E ZEZE financiare qe kishte hapur Sali Berisha per Vatanin duke e mbuluar bile pa kujdes fare me demagogji qesharake. Kush i besonte brockullave qe Shqypnia renditet pas Gjermanise per nga prodhimi apo rritja ekonomike? Kur ne vendin tone nuk prodhohet pothuaj ASGJE qe nga Koha e Qepes e Enverit? Ne kete konteks edhe Edi Rama e kishte prej kohe te qarte situaten ekonomike te vendit megjithate nuk nguroi te premtonte ZERIME taksash per biznesin e vogel me shume BAMIRESI te tjera alla enveriste nga pas ne nje kohe qe kolera e krizes ekonomike po ben kerdine ne Bote. Ne kete llogjike zonja Edlira Shehu mire do te bente qe ta zgjeronte shkrimin edhe tek GREMINA e re qe po pergatit Koalicioni Fitues pas GREMINES se borxhit tatimor dhe GREMINES te borxhit bankar te Sali Berishes qe te mos vazhdoje avazi i vjeter: “Une e lashe borxhin 60 %, ju e cuat ate ne 70 %” e keshtu me radhe pa fund derisa te shuhet edhe shqyptari i fundit.




  2.  
    Pëllumb zaimi

    Se ka keq nastradini! Duket që ka njohuri te mira ekonomike. Ajo që them une si jo ekonomist është qe veç atyre që thote nastradini te caktohet nje afat i rrepte per shlyerjen e borxheve qe kane subjektet e ndryshme. Kush nuk i shlyen ne afat t’i paguaje me kamatë etj. Përgjegjesia penale ne kete mesele duhet te zgjoje menjehere prokurorine. Ajo duhet te veproje!





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)


Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter