e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Hiqet konkursi tek Arkitektura, ja si do përzgjidhen fituesit

5
Pranvera Kola
Postuar më: 4 Korrik, 2013 tek Komunitet
arkitektura

Ndryshon procedura e regjistrimeve për pranimet e reja në degën e arkitekturës dhe urbanistikës. Për herë të parë fituesit që do të pranohen për të vijuar studimet e larta publike në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës gjatë 2013-s, nuk do të zgjidhen më përmes konkursit, por përmes një procedure të re, e cila do t’i seleksionojë studentët në specialitetet përkatëse në fund të vitit të parë. Drejtuesit e Universitetit Politeknik në kryeqytet bëjnë me dije se Senati Akademik i këtij universiteti ka miratuar tashmë edhe rregulloren me procedurat e reja që do të ndiqen deri në përzgjedhjen e maturantëve që do të vijojnë studimet e larta publike në degën e arkitekturës ashtu edhe në atë të urbanistikës. Ky vendim i senatit, tashmë i është përcjellë Ministrit të Arsimit për miratim. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se ky vendim është marrë pas shqyrtimit të propozimeve të bëra edhe nga departamentet përkatëse të fakultetit.

 

Pranimet e reja

Gjatë viteve të shkuara, peshën vendimtare në përzgjedhjen e kandidatëve fitues që vijuan studimet e larta në këto dy degë e luante konkursi special (ku përgjatë tre ditëve të testimit kandidatët duhet të grumbullonin sasinë e përcaktuara të pikëve për çdo fazë të konkursit). Por, u pa që kjo formë e përzgjedhjes së kandidatëve nuk plotëson standardet e duhura, sa i takon cilësisë që kjo degë duhet të prodhojë. Për këtë në rregulloren e re është vendosur që kandidatët që janë të orientuar drejt studimeve të larta në profilin e arkitekturës dhe urbanistikës të regjistrohen direkt gjatë vitit të ri akademik, pa kaluar në provën e konkursit. Ndërkohë që viti i parë do të jetë eksperimental, pasi ndarja e vërtetë e studentëve në profilet e arkitekturës dhe urbanistikës do të bëhet në fund të vitit të dytë, përmes një sërë kriteresh të përcaktuara. Kështu, në vitin e dytë do mund të studiojnë në profilin e arkitekturës vetëm ata kandidatë që rezultojnë të kalojnë me sukses provimet eksperimentale, si dhe kriteret e tjera që do të përcaktojnë departamentet përkatëse. Marrja e këtij vendimi sipas Kaçanit, ishte e domosdoshme pasi realizimi i konkurseve gjatë viteve të mëparshme ka dëshmuar për një vlerësim të përshpejtuar të kandidatëve që janë pranuar për të vijuar studimet e larta në këto dy degë.

 

Përzgjedhja e fituesve

“Pranimet në arkitekturë për vitin akademik 2013-2014 do të bëhen pa konkurs, do bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore, si dhe mbi bazën e disa kritereve të tjera. Në këtë formë pretendojmë që t’i jepet mundësia shumë studentëve të bëjnë zgjedhjet e duhura. Kështu ai që do të futet në degën e arkitekturës dhe urbanistikës, të ketë mundësi që të vlerësohet për një vit të tërë, të testohet për të gjitha lëndët që do të zhvillojë viti i parë për degën e arkitekturës dhe pastaj nga 250 kuota që ne kemi kërkuar për këtë vit, 200 persona do të kenë të drejtë të vazhdojnë vitin tjetër në arkitekturë apo urbanistikë”, bën të ditur rektori Kaçani. Duke u ndalur tek rregullorja e re, Kaçani shton se në rastet kur të rinjtë në mbyllje të vitit të parë të studimeve që do jetë eksperimental, nuk do të përmbushin kriteret e caktuara për të vijuar më tej studimet në degën e arkitekturës, atyre do tu jepet një shans për të kaluar në një degë të tjetër. “50 për qind që nuk do të plotësojnë kriteret për t’u pranuar në arkitekturë, është menduar të hapim një degë të re, është ngarkuar departamenti përkatës që të çelet një degë bachelor për dizenjim, ku të shkojnë këta  studentë. Nga ana tjetër, studentë që nuk do arrijnë të marrin rezultatet e duhura, do t’u krijohet mundësia të transferojnë studimet në degë të tjera të Universitetit Politeknik të Tiranës”, shprehet Kaçani. Në maturat e mëparshme, për të fituar një të drejtë studimi, maturantët duhej t’i nënshtroheshin testimit për tre ditë me radhë në Pallatin e Kongreseve. Procedurë e cila gjatë këtij viti do të shmanget, në rast se edhe Ministria e Arsimit do të aprovojë rregulloren e re, të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit Politeknik. Arkitektura listohet si një nga degët elitë që kërkohet nga studentët dhe ajo vazhdon të renditet në majën e listës së degëve që kanë tarifën më të lartë të shkollimit.

 

Arkitektura dhe Urbanistika, 245 kuota të miratuara

Pak ditë më parë janë miratuar në Këshillin e Ministrave edhe kuotat e mundshme për kandidatët që do të pranohen gjatë vitit të ri akademik 2013-2014, në auditorët e universiteteve publike të vendit. Duke u ndalur konkretisht tek propozimet e bëra për Arkitekturën janë miratuar 100 kuota pranimi, çka do të thotë se kaq do të jetë edhe numri i kandidatëve që do të mund të fitojnë të drejtën për të ndjekur këtë degë. Ndërsa në profilin e Urbanistikës pranimet do të jenë më të larta. Konkretisht në këtë degë janë aprovuar plot 145 kuota pranimi. Referuar rregullores së re, drejtuesit e fakultetit kanë theksuar se përzgjedhja e kandidatëve që do të pranohen në këto degë do të bëhet sipas sistemit meritë- preferencë. Në këto kushte duke qenë se numri i kuotave për kandidatët që do të pranohen në këto dy degë është i kufizuar, përballë fluksit të kërkesave, burime pranë fakultetit bëjnë me dije se përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas rezultateve të Maturës Shtetërore, e rezultateve të arritura nga kandidatët në disa lëndë të caktuara. Detajet e plota, se si merite-preferenca e maturës do të shërbejë për seleksionimin e fituesve që do të pranohen në këto degë, do të bëhen publike gjatë ditëve të ardhëshme. Kohë në të cilën do të shpallet e plotë edhe procedura se si do të konkurrohet për të vijuar studimet e larta në të gjitha universitetet publike të vendit.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


5 Komente


  1.  
    filan fisteku

    skandal….. qe ne kohen e komunizmit, 3 kane qene fakultetet qe ishin me konkurs, ARTET, FIZKULTURA dhe ARKITEKTURA…..po nuk pate dhunti kot qe shkon, por kjo pune behet qe tju lihet ne dore sa me shume pedagogeve, si ishte?!?!?! 1 vit prove, dhe pastaj do kete disa “kritere” qe duhen plotesuar per te vazhduar etj etj etj……hahahaha qe ketu lind abuzivizmi e korrupsioni. KOMKURSI keto gjera i shmangte qe ne fillim…..sa keq




  2.  
    ILIRET

    Tani publikohet ky ndryshim, kur maturantet pothuaj i kane percaktuar deget qe do te ndjekin?
    Nuk besoj se kjo shpikje e minutes se fundit do ta kete jeten te gjate…




  3.  
    Hyseni

    Kjo tregon perfundimisht kaosin qe e ka perfshire kete vend, pasi shihet qarte se nuk funksionon asnje lloj insitucini me ligje dhe rregulla, me prognaza afatgjata zhvillimi dhe parashikimi, por me ligje biznesi. Pasi harxhuam nje thes me para me konkurs gjate gjithe ketij viti tani u kujtuan keto moterq..e ta shpallnin kete procedure te arkitektures, turp,turp i madh, korrupsioni po na perpin dhe nuk po na le te eci perpara. Mjere ky popull ne cfare dore ka
    rene. Tani te shohim si do veprojne keto socialistet me keto qelbesira qe kane zene vend ne Ministri te Arsim-Arketimit?????




  4.  
    afrim

    po cilat jane keto kriteret e tjera qe thone…….duhen plotesuar kriteret e tjera……cilat jane keto???




  5.  
    alias

    Neqoftese provimet e matures i merr me nota jo shume te larta a do kem un personalisht te drejten per tu futur ne universitet per degen e arktektures?
    Se me lart thuhet qe mund te futemi direkt ne universitet ku viti i par eshte prove dhe ne fund te vitit te dyt do behet perzgjedhja e studenteve?





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)