e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Kurimi i gazrave në stomak dhe sindroma e zorrës së irrituar

4
Pranvera Kola
Postuar më: 22 Maj, 2013 tek Lajme Flash
dhimbje barku

Vështirësia që organizmi manifeston në shpërbërjen e një sërë ushqimesh, si dhe gëlltitja e ajrit janë dy ndër faktorët më të shpeshtë që çojnë në formimin e gazrave në aparatin tretës. Gazrat mund të manifestohen gromësirave apo çlirimit nëpërmjet rektumit (zorrës së trashë). Gazrat e stomakut janë ndër problemet e shpeshta prej të cilave vuan një pjesë e mirë e popullatës. Neglizhenca në trajtimin e tyre, shpesh shfaqet në nivele të larta duke bërë që shumë persona të përballen me gjendje të parehatshme. Në këto kushte nuk duhet neglizhuar marrja e kujdesit mjekësor të specializuar në rast se sasia e gazrave në aparatin tretës është në nivele të larta dhe e përsëritur. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjeku gastroenterolog Altin Cekodhima, tregon format e shfaqjes së këtyre gazrave, si dhe rastet kur duhet ti drejtohemi mjekut për të kërkuar ndihmë. Doktori vë në dukje se të gjithë njerëzit manifestojnë praninë e gazrave, eliminimi i të cilave bëhet nëpërmjet të ashtuquajturave gromësira, apo përmes rektumit. Shpesh ndodh që shumë persona të alarmohen edhe kot, pasi mendojnë që kanë shumë gazra (ndërkohë që testet tregojnë se ato janë në sasi normale). Gjithashtu të shumta janë edhe rastet në të cilat sasia e tepërt e këtyre gazrave bëhet problematike, për cilat është e domosdoshme marrja e ndihmës mjekësore. Fatmirësisht paraqitja e simptomave të tilla nuk është jetë-kërcënuese.

 

Në shumë raste vihemi përballë situatave të vështira, të cilat i manifestojmë nëpërmjet atyre veprimeve që njihen si gromësira, apo çlirimit të gazrave përmes rektumit. Konkretisht çfarë janë këto gazra dhe cilët janë faktorët përgjegjës që favorizojnë krijimin e tyre?

 

Çdo njeri ka gazra dhe i eliminon ato duke gromësire ose nëpërmjet rektumit. Mirëpo disa njerëz mendojnë se kanë shumë gazra kur realisht ato kanë sasi normale të tyre. Shumica e njerëzve kanë 14 herë gazra në ditë. Gazi është i përbëre kryesisht prej avujve pa erë të dyoksidit të karbonit, oksigjenit, azotit, hidrogjenit dhe ndonjëherë dhe të metanit. Era e pakëndshme e tyre vjen prej baktereve që ndodhen në zorrën e trashë, të cilat çlirojnë sasi të konsiderueshme gazi që përmban sulfur. Gazi në traktin tretës (ezofag, stomak, zorrën e hollë dhe në zorrën e trashë) vjen nga dy burime: “Gëlltitja e ajrit, si dhe nga shpërbërja normale e disa ushqimeve të patretura prej florës bakteriale në zorrën e trashë.

 

Çfarë duhet të kuptojmë me gëlltitje të ajrit dhe nga se shkaktohet?

Gëlltitja e ajrit (aerofagjia) është një shkak i shpeshtë i gazrave në stomak. Çdo njeri gëlltit një sasi ajri gjatë konsumimit të ushqimeve dhe ujit. Megjithatë ngrënia e ushqimeve dhe pirja e ujit shpejt, përtypja e çamçakëzëve, pirja e duhanit apo proteza dhëmbësh të lirshme mund të shkaktojnë gëlltitje ajri.

Gromësira është mënyra më e shpeshtë kur ajri i gëlltitur, i cili përmban azot, oksigjen, dyoksid karboni çlirohet nga stomaku. Gazi i mbetur lëviz drejt zorrës së trashë ku pjesërisht absorbohet (përthithet), pjesa tjetër çlirohet nëpërmjet rektumit. Stomaku gjithashtu çliron dyoksid karboni, kur lëngjet acide të stomakut bashkohen me bikarbonate (që janë baza), por një pjesë e madhe e dyoksidit të karbonit përthithet në qarkullimin e gjakut dhe nuk kalon në zorrën e trashë.

 

Krahas gëlltitjes së ajrit si faktor që ndikon në formimin e gazrave përmendëm edhe ushqimet. Ç’mund të themi në këtë rast?  

Shpërbërja e ushqimeve të patretshme është një tjetër faktor i shpeshtë që çon në krijimin e gazrave në aparatin tretës. Kjo pasi trupi ynë nuk është në gjendje që të shpërbëjë të gjitha ushqimet, në kushte normale. Mungesa e enzimave në stomak bën që shumë nga ushqimet që kanë në përmbajtje karbohidrate të caktuara të mos treten, duke kaluar në zorrën e hollë dhe atë të trashë, ku më pas përfundohet cikli i shpërbërjes. Në vijim të shkrimit do të sqarojmë edhe kujdesin që duhet bërë në regjimin ushqimor për të pakësuar situatat e parehatisë që shkaktohen nga prania e gazrave në pjesë të ndryshme të aparatit tretës.

 

Me çfarë simptomash shoqërohet prania e gazrave, dhe çfarë problemesh mbartin?

Shenjat më të shpeshta të gazrave janë çlirimi i gazrave prej rektumit (zorrës së trashë), dhimbje barku, fryrje barku dhe gromësira. Gjithsesi jo çdo njeri i përjeton këto shenja. Faktorët përcaktues në shfaqjen  e tyre mund të jenë: sasia e gazrave që trupi prodhon, sasia se sa acide yndyrore trupi përthith dhe ndjeshmëria e personit ndaj gazrave në zorrë të trashë. Kombinimi i tyre ndikon më pas dhe në formën se si manifestohet prania e gazrave në aparatin tretës.

 

Përmendëm pak më lart se në pjesën dërrmuese të rasteve këto gazra manifestohen përmes gromësirës. Kjo e fundit në cilat raste bëhet shqetësuese ?

Një gromësire e rastit, gjatë ose pas një vakti është normale, pasi çlirohet gaz kur stomaku është plot me ushqim. Megjithatë, njerëzit që gromësijnë vazhdimisht mund të kenë gëlltitur shumë ajër dhe e çlirojnë atë para se të hyje në stomak. Ndonjëherë një person me gromësira të shumta mund të ketë çrregullime të traktit të sipërm tretës (stomakut) siç janë: sëmundja e ulcerave peptike, urthi (refluks gastro-ezofagl) dhe gastropareze (dobësim i muskujve të stomakut si rezultat uljes së peristaltikës së stomakut). Në disa raste, disa njerëz mendojnë se duke çliruar gazin e gëlltitur mund të qetësohen nga këto çrregullime dhe këta persona me qëllim apo pa qëllim mund të krijojnë zakonin e gromësirës për tu lehtësuar. Sindromi i fryrjes nga gazrat mund të ndodhi pas kirurgjisë që shpesh herë bëhet për të korrigjuar problemet prej refluksit gastro-esofageal. Në këtë operacion krijohet një valvul një kalimëshe që lejon ushqimet dhe gazrat të kalojnë në stomak, por shpesh ndalon gromësirat normale dhe aftësinë për të vjellë. Kjo ndodh në 10 për qind të njerëzve që i janë nënshtruar këtij operacioni, por mund të përmirësohen edhe me kalimin e kohës. Një tjetër ankesë e zakonshme është kalimi sasisë së tepruar të gazrave prej rektumit. Gjithsesi, njerëzit nuk e kuptojnë se çlirimi normal i gazrave prej rektumit ndodh 14-23 herë. Gazra të tepërt mund të vijnë dhe prej keqpërthithjes së karbohidrateve.

 

Formimi i këtyre gazrave a shkakton fryrje të barkut, apo ky është një mentalitet i gabuar?

Shumë njerëz mendojnë se të pasurit shumë gazra shkakton fryrje barku. Megjithatë, njerëzit që ankohen për fryrje prej gazrave, shpesh kanë sasi dhe shpërndarje normale të gazit. Në fakt, zakonisht ata mund të bëhen të vetëdijshëm për sasinë e gazit në traktin tretës. Doktorët mendojnë që fryrja zakonisht është rezultat i ndonjë çrregullimi siç është sindromi i zorrës së irrituar. Shkaku i sindromit të zorrës së irrituar është i panjohur, por mund të ndodhin lëvizje dhe kontraktime jo normale të muskujve të zorrës duke rritur ndjeshmërinë ndaj dhimbjeve në zorrë. Ky çrregullim mund të japi ndjesinë e fryrjes për shkak të rritjes së ndjeshmërisë ndaj gazrave. Tjetër sëmundje që mund të japi fryrje barku është sëmundja inflamatore e zorrës dhe obstruksionet (bllokimet) siç janë: sëmundje “Crohn”, kanceri i zorrës së trashë. Për më tepër personat që i janë nënshtruar disa operacioneve, aderencat (ngjitje e indeve) ose hernia e brendshme mund të japin dhimbje dhe fryrje barku. Përfundimisht konsumimi ushqimeve me shumë yndyra mund të vonojnë tretjen në stomak duke shkaktuar fryrje dhe ndenje jo rehatie, por jo domosdoshmërish shumë gazra.

 

Përmendëm pak më lart se fryrja e barkut shpesh është simtomë e sindromit të zorrës së irrituar, si mund ta dallojmë praninë e saj?

Sindroma e zorrës së irrituar është një çrregullim, shpesh i karakterizuar me dhimbje barku të lehta, fryrje barku, kapsllëk (konstipacion) ose bark-qitje (diarre). Në përgjithësi sindromi i zorrës së irrituar shkakton në të njëjtën kohë një situatë parehatie dhe stresi, por nuk jep dëmtime të përhershme të zorrës dhe nuk çon në një sëmundje serioze siç është kanceri. Shumica e njerëzve mund të kontrollojnë shenjat e tyre duke bërë kujdes me dietën ushqimore, duke kontrolluar stresin, ose me ilaçe të përshkruara nga mjeku, pasi ka bërë ekzaminimet përkatëse për identifikimin e problemit të shfaqur. Megjithatë, për disa njerëz kjo sëmundje mund të pengojë kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Këta pacientë mund të jenë të paaftë për të punuar, për të marrë pjesë në organizime të ndryshme, të udhëtojnë për distanca të shkurtra etj. Sindromi zorrës se irrituar ndodh më shpesh tek gratë se te meshkujt, ndërkohë që fillon të shfaqet në moshën 35 vjeç tek rreth 50 për qind e njerëzve. Dhimbja dhe fryrja e barkut janë shqetësimet më të shpeshta që shfaqen tek personat që vuajnë nga sindromi i zorrës së irrituar. Gjithsesi shenjat shfaqen në forma të ndryshme tek individë të caktuar. Disa mund të kenë kapsllëk (konstipacion) që do të thotë vështirësi për të dalë jashtë. Disa të tjerë mund të kenë shtrëngime dhe dhimbje gjatë daljes jashtë (defekimit), e sado që mundohen nxjerrin masa të vogla fekalesh (mbetje ushqimore). Disa njerëz të tjerë me këtë sindromë kanë diarre, e cila është e shpeshtë dhe e ujshme. Njerëzit me diarre të shpeshtë kanë urgjencën për të defekuar (dale jashtë). Disa njerëz të tjerë mund të kenë alterime të kapsllëkut dhe diarresë. Shpesh here në disa njerëz shenjat qetësohen për pak muaj dhe pastaj rikthehen ndërsa disa të tjerë referojnë shenja të ashpra, të cilat zgjasin për kohë të gjata.

 

Sa i takon këtij sindromi, cilat janë këshillat që pacinetët nuk duhet ti neglizhojnë në mënyrë që të mos përballen me komplikacione të rënduara?

Për disa njerëz ngrënia me kujdes pakëson shenjat e sindromit të zorrës së irrituar. Përpara se të ndryshoni dietën tuaj, mbani shënim ushqimet që duket se ju shkaktojnë shqetësimet, pastaj këto diskutojini me doktorin tuaj. Ndihmë në këtë rast mund të japë edhe mjeku dietolog. Për shembull, nëse produktet e qumështit shkaktojnë rëndim të simptomave tuaja, ju mund të përpiqeni ti konsumoni sa më pak ato. Ju mund të toleroni më mirë kosin se sa produktet e tjera të qumështit, sepse ai përmban bakterie që furnizojnë enzimat që nevojiten për të tretur laktozën, sheqer e cila gjendet tek qumështi dhe produktet e tij. Qumështi dhe produktet e tij janë një burim i rëndësishëm i kalciumit dhe vlerave të tjera ushqyese. Në qoftë se ju nevojitet të shmangni produktet e qumështit, siguroheni që merrni vlerat e duhura ushqyese nga dieta juaj ose merrni shtesa në formën e tabletave. Në shume raste, dieta e pasur me fibra mund të lehtësojë dhe pakësoje shenjat e shfaqjes së kësaj sindrome, e në veçanti të kapsllëkut. Mirëpo kjo nuk mund të ndihmojë në uljen e dhimbjeve ose pakësimin e diarresë. Buka me krunde, drithërat, frutat dhe perimet janë burim i mire i fibrave. Dieta e pasur me fibra ndihmon në mbajtjen e zorrës të relaksuar dhe kjo ndihmon në parandalimin e spazmave. Disa lloje fibrash ndihmojnë në zbutjen e materialeve fekale, duke thithur ujin në zorrë, të cilat janë shumë të lehta për jashtëqitjen. Doktori zakonisht rekomandon dietë me fibra për të pasur një jashtëqitje të lehtë dhe të padhembshme. Por në të tilla raste nuk duhet lënë pa përmendur fakti që dieta e pasur me fibra shkakton shtim të gazrave dhe fryrje barku edhe pse shumica e pacienteve referojnë që këto shenja zhduken brenda një jave. Prija e 6-8 gotave të mëdha me ujë në dite është shumë e rëndësishme, në veçanti nëse jeni me diarre. Ngrënia e vakteve të mëdha mund të shkaktojë dhimbje të forta barku ose diarre, prandaj konsumoni vakte të vogla dhe të shpeshta të cilat mund të ndihmojnë në lehtësimin e sindromit të zorrës së irrituar.

 

 

Testet diagnostikuese që duhen kryer

 

Për shkak se gazrat mund të jenë prej çrregullimeve serioze është shume e rëndësishme të gjendet fillimisht shkaku i shfaqjes së tyre. Doktori zakonisht fillon me vlerësimin e dietës dhe shenjat. Doktori mund ti kërkojë pacientit të mbajë një ditar të ushqimeve dhe pijeve që konsumon për një periudhe të caktuar kohe. Në qoftë se dyshohet se gazrat vijnë për shkak të insuficiencës ndaj laktozës, doktori mund t’ju këshillojë të shmangni qumështin dhe produktet e tij për një kohë të caktuar. Testet laboratorike të gjakut dhe frymës mund të bëhen për të vërtetuar intolerancen ndaj laktozës. Veç kësaj, për të përcaktuar nëse një person prodhon sasi të shumta gazi në zorrë apo zakonisht është i ndjeshëm ndaj volumit normal të gazit, doktori mund ti kërkojë pacientit të numërojë gjatë ditës çlirimin e gazrave duke mbajtur një ditar për to. Megjithatë, duhet të dimë që rishikim i kujdesshëm i dietës dhe sasisë së gazit të çliruar, mund të ndihmojnë për të bërë lidhjen me ndonjë ushqim specifik, me shenjat dhe për të përcaktuar ashpërsinë e problemit. Pas evidentimit të saktë të tyre veprohet edhe me përcaktimin e trajtimit apo kujdesit që duhet të ndjekë pacienti. Për shkak se shenjat që mund të ketë një person janë të variueshme, doktori mund të kërkoje teste të tjera plotësuese diagnostikuese, në varësi të shenjave dhe faktorëve të tjerë.

 

Format e trajtimit

Eksperienca ka treguar që mënyrat më të shpeshta për të pakësuar shqetësimet dhe gazrat janë ndryshimet në dietë, marrja e disa ilaçeve, dhe pakësimi i sasisë së ajrit të gëlltitur. Me kryerjen e testeve dhe përcaktimin e shkaqeve që kanë ndikuar në shfaqjen e këtyre gazrave, mjeku specialist përcakton edhe trajtimin që pacienti duhet të ndjekë. Duke u ndalur konkretisht tek dieta ushqimore, doktori mund tu këshillojë pacienteve të konsumojnë sa më pak ushqime që prodhojnë gazra. Megjithatë, për shume njerëz kjo do te thotë të heqin nga dietat e tyre ushqime të shëndetshme, siç janë frutat, perimet, të gjithë drithërat, qumështin dhe nënproduktet e tij.  Në varësi të problemit të konstatuar doktori mund të sugjerojë edhe kufizimin e ushqimeve me yndyra të larta për të pakësuar fryrjen dhe shqetësimet e barkut. Kjo ndihmon stomakun të zbrazet lehtë duke lejuar gazrat të lëvizin drejt zorrëve të holla. Fatkeqësisht sasia e gazrave të prodhuar prej disa ushqimeve varion në forma të ndryshme nga një person te tjetri. Ilaçet që nuk kanë nevoje për përshkrim nga mjeku janë në dispozicion për pacientet për të pakësuar shenjat ku përfshihen antiacidet dhe simetikoni. Enzimat tretëse siç është laktaza shtesë në fakt mund të ndihmojë që të tretën karbohidratet, duke i lejuar njerëzit të konsumojnë ushqim normal pa shkaktuar gazra.

 

 

 

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


4 Komente


  1.  
    andrea

    ju falenderoj per shpjegimet tuaja kaq te nevojshme




  2.  

    ..PO, PO I MIRE DHE I RENDESHISHEM TRAJTIMI I KETIJ PROBLEMI NGA JU…URIME E SUKSESE…FLAMURI.




  3.  
    dona

    shum falemindrit per shpjegime do ta provoj





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)