e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Matura 2013, ja kriteret e provimeve me zgjedhje të detyruar

3
Gazeta "Dita"
Postuar më: 9 Janar, 2013 tek Aktualitet
Studente

Detajet e plota mbi procedurat që do të ndiqen për maturantët që do garojnë për studime në universitete publike. Plotësimi i formularit A1 dhe A1Z në mbyllje të shkurtit. Si do veprojnë maturantët që i kanë dhënë më parë provimet me zgjedhje

Pranvera Kola

Përcaktohen kriteret me anë të  cilave maturantët do të konkurrojnë për të siguruar një të drejtë studimi në universitetet publike gjatë vitit të ri akademik. Sikundër ishte paralajmëruar, Ministria e
Arsimit ka miratuar dy ditë më parë rregulloren e maturës shtetërore në të cilën përcaktohen kushtet që maturantët duhet të përmbushin për të hyrë në provimet e qershorit. Neni 11 i rregullores detajon se edhe për këtë vit provimet e detyruara të maturës do të zhvillohen në ditë të ndryshme të muajit qershor ndërsa provimet me zgjedhje të detyruar për të dyja lëndët do të jepen në një ditë të vetme.

 

Kategoritë që do lejohen të japin provimet

Përcaktimet e bëra në rregulloren e provimeve konfirmojnë se provimet e maturës 2013 do t’i japin të gjithë maturantët dhe kandidatët që kanë përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme e që disponojnë Dëftesë Pjekurie dhe Diplomë të Maturës, pasi të kenë plotësuar në kohë e përcaktuar formularin A1 dhe A1Z.  Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe me zgjedhje, pajiset me Diplomën e Maturës Shtetërore. Ndërsa maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2012, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie apo Diplomë Mature, nëse fitojnë provimet e Maturës së këtij viti do të pajisen me Diplomë dhe certifikatën e Maturës Shtetërore modeli i vitit 2011. Kjo diplomë lëshohet vetëm një herë.

Më tej rregullorja detajon se maturanti që është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme, shtetasi shqiptar ose i huaj që vjen nga jashtë shtetit dhe jep provimet me zgjedhje të maturës shtetërore 2013 nuk merr Diplomë Mature. Këta shtetas pajisen me një vërtetim për provimet e Maturës. Maturanti në sesionet e ardhshme jep provimet mbetëse të detyruara apo dhe ato me zgjedhje.

Një tjetër risi e rregullores së këtij viti është e drejta që maturantët kanë për të ndryshuar lëndët me zgjedhje që duan të japin provim. Lënda mund të ndryshohet sipas dëshirës së maturantit, mjafton që ajo të jetë pjesë e listës së lëndëve me zgjedhje që gjenden të detajuara në përmbajtje të formularit A1Z.

Si aplikohet për provimet e maturës

Ministria e Arsimit deri më datën 15 shkurt duhet të miratojë Formularin A1 dhe A1Z së bashku me udhëzuesit që shpjegojnë procedurat e plotësimit të tyre. Brenda këtij harku kohor do të jenë detajuar edhe tabela e indeksit të profilit dhe degëve me drejtimet e çdo shkolle të mesme. Këto do të shoqërohen edhe me koeficientët e shkollave dhe të lëndëve me zgjedhje, të propozuara nga strukturat publike të arsimit të lartë në vend. Plotësimi i formularëve me lëndët që do të jepen si provime me zgjedhje do të nisë në mbyllje të muajit shkurt dhe do të përfundojë zyrtarisht brenda datës 10 mars 2013. Në periudhën 1-24 mars do të plotësohet nga komisioni përkatës edhe baza e të dhënave me fushat përkatëse sipas udhëzimit që do të dërgohet nga Agjencia Kombëtare e Provimit.

Regjistrimi i maturantëve për provimet e Maturës bëhet:

Në shkollat ku aplikuesit kanë kryer arsimin e mesëm

Në Komisionet e Maturës Shtetërore të vendbanimeve të tyre, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur.

Për regjistrim duhen dorëzuar këto dokumente :

Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve të Maturës

Kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë. (Në mungesë të Dëftesës së Pjekurisë, vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, Certifikatën e Maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentit të lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga titullari i Drejtorisë Arsimore Rajonale të rrethit përkatës.

Kopje të kartës së identitetit

Në bazë të dokumenteve të paraqitura, Komisioni i Maturës Shtetërore përcakton notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe provimet e mbartura me zgjedhje të detyruara ia përcjell zyrtarisht shkollës ku kandidatet do të japin provimet me zgjedhje.

Si do jepen provimet për ata që kanë mbaruar shkollën e mesme në 2005-2006

Maturantët që kanë kryer shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006 do të japin provimet e maturës sipas kritereve të përcaktuara në udhëzimin numër 35, datë 27.11.2012 “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2013″.

Ndërsa për shkollat profesionale dhe socialkulturore, në rastet kur maturanti ka fituar Dëftesën e Pjekurisë, si provime të detyruara njihen: “Letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë e fituar të dyja, letërsia ose matematika (nëse është dhënë e fituar njëra prej tyre) si dhe një ose dy nga provimet, sipas planit mësimor të shkollës së tyre, të vlerësuara me rezultat më të lartë”.

Rastet kur nuk jepen provimet me zgjedhje të detyruar

Provimet e maturës për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet 2006-2012Kandidatët që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2012-2013 dhe nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje ose kanë rezultuar jokalues, por dëshirojnë të aplikojnë për studime në universitetet publike, duhet t’i japin ato.

Në këto kushte kandidatët e Maturës Shtetërore 2006 – 2012 duhet të aplikojnë në universitetet publike bazuar në rezultatet e mëparshme të maturës nëse nuk janë shpallur fitues, vërtetuar kjo nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, kur janë shpallur fitues dhe nuk janë regjistruar në asnjë degë, kur janë shpallur fitues dhe janë regjistruar gjatë vitit të parë akademik deri më datën 15 shkurt, vërtetuar nga AKP-ja dhe dekanatet përkatëse.

Kandidatët nuk lejohen të japin provimet me zgjedhje të detyruar nëse kanë rezultuar kalues në maturat e viteve të mëparshme, me përjashtim të rastit kur rezultatet e tyre janë nën 4.50. Në rast se kandidati ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i fundit.

Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë merren koeficientet e vitit shkollor 2012-2013

Në rastet kur lënda, rezultati i së cilës kërkohet të mbartet, nuk gjendet në listën e lëndëve me zgjedhje të këtij viti, për llogaritjen e pikëve të tyre nga AKP-ja do të merret koeficienti i lëndës analoge ose të përafërt.

Duhet të dëshmojnë mbrojtjen e gjuhës shqipe

Procedura e provimeve për kandidatët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë venditShtetasit shqiptare dhe të huaj që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm. Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin Histori-Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e detyruar ose të mesëm në shkolla me program në gjuhën shqipe.

Me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, në MASH, ngrihet një komision i posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e maturantëve dhe kandidatëve për njëvlershmërinë e arsimit të mesëm. Shtetasit e përmendur në këtë pikë paraqesin pranë komisionit deri më datën me 25 prill 2013, këto dokumente: “Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në universitetet publike, Dëftesën ose Diplomën origjinale, së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara. Kopjen e dokumentit të identifikimit. Shtetasit që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, por që nuk kanë dhënë provimet e Maturës (provimet e detyruara dhe me zgjedhje), për t’u pranuar në universitete publike duhet të japin provim Matematikën, si dhe Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë së Maturës Shtetërore.

Për shtetasit shqiptarë që përfshihen në këtë pikë, për provimet me zgjedhje, të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar. Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e Dëftesës apo Diplomës shkollore, përcakton indeksin e shkollës, në referencë me tabelën e shkollave të mesme në Republikën e Shqipërisë.

Ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe përcakton, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nëse provimet e dhëna janë të barasvlershme me provimet e Maturës Shtetërore, në Shqipëri. Këto të dhëna i përcillen AKP-së. Komisioni ia përcjell rezultatet e barasvlershmërisë zyrtarisht Komisionit të Maturës Shtetërore ku aplikanti ka vendbanimin apo lejen e qëndrimit, deri në datën 5 maj 2013. KMSH-ja i përcjell këto të dhëna në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe përcakton shkollën ku kandidati do të kryeje provimet e Maturës dhe ku do të plotësojë formularët përkatës.

Komisioni i maturës dërgon pranë komisionit të shkollës të dhënat e kandidatit dhe rezultatet e arritura prej tij. Shtetasit që kanë kryer arsimin e mesëm dhe nga komisioni rezulton se nuk kanë asnjë detyrim për Maturën shtetërore plotësojnë në internet formularin A1Z në Agjencinë e Provimeve deri më datë 10 maj 2013. Agjencia pajis çdo maturant apo kandidat me numër regjistrimi (ID e Maturës), i cili është element i identifikimit të tij gjatë dhënies dhe vlerësimit të testeve.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


3 Komente


  1.  
    alma

    jam nje zonje qe kam mbaruar shkollen e mesme asim vokshi ne vitet 1997 jetoj ne itali dhe dua te vazhdoj shkollen e larte ne itali por ambasada italiane me kerkon te jap provim me zgjedhje.ju lutem me informoni se cfare procedure te ndjek per rregjistrim te provimeve me zgjedhje.faleminderit.





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)