e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Mbipopullimi i fakulteteve, reduktohen kuotat për studimet part-time

0
Pranvera Kola
Postuar më: 22 Gusht, 2013 tek Komunitet
foto kryesore

Mbipopullimi i auditorëve gjatë viteve të fundit, si dhe mungesa e hapësirave për të pritur studentët e rinj, kanë bërë që këtë vit universitetet publike të kërkojnë më pak të drejta studimi për sistemin part-time. Fakultetet e Universitetit të Tiranës që rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarit nga maturantët e të gjitha rretheve, raportojnë edhe reduktimin më të madh të kuotave të miratuara për studimet në ciklin part time. Në mënyrë më të detajuar në degët e Fakulteti Ekonomik gjatë këtij viti për studimet me kohë të pjesshme janë miratuar rreth 300 kuota studimi më pak, se sa ato të një viti më parë. Po ashtu edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, për degën e Biologjisë janë aprovuar vetëm 70 të drejta studimi, ndërkohë që një vit më parë në këtë degë janë miratuar rreth 200 kuota. Një reduktim i tillë kuotash është raportuar edhe për universitetet e rretheve, veçanërisht në universitetin “Fan Noli” të Korçës  dhe atë “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Sipas vendimit të miratuar së fundmi në Qeveri, në total për Universitetin e Tiranës sa i takon ciklit të studimit part-time, për vitin e ri akademik janë miratuar rreth 2363 të drejta studimi, nga të cilat 2190 shkojnë për kandidatët brenda vendit, dhe 173 janë aprovuar për kandidatët që vijnë nga trojet. Në këto kushte, krahas pranimeve të sistemit të ditës kandidatët që do të mbeten pa një të drejtë studimi në shkollat e larta publike (gjatë sistemit të ditës) do të kenë edhe një tjetër shans. Konkretisht bëhet fjalë për vijimin e studimeve të larta në sistemin part-time, ose siç njihet ndryshe, me kohë të pjesshme. Ndërkohë që në total për të gjitha universitetet publike të vendit janë aprovuar rreth 8522 kuota studimi, vetëm për kandidatët që jetojnë territorit të vendit tonë, duke ndarë më vete kuota për studentët shqiptarë që vijnë nga trojet. Burime zyrtare bëjnë të ditur se Ministria e Arsimit ka vendosur që për vitin e ri akademik 2013-2014, të kërkojë 583 kuota më pak se sa ato të aprovuara një vit më parë, duke ashpërsuar në këto kushte edhe më shumë garën që do të zhvillohet për kandidatët që do të kërkojnë të fitojnë një të drejtë studimi në part-time. Në vite, fluksi i kërkesave për studime në këto degë ka qenë shumë herë më i lartë se sa kuotat e miratuara për fituesit. Sikundër ka ndodhur edhe më parë, edhe për 2013-ën pjesa dërrmuese e kuotave të pranimit shkojnë për fakultetet e Universitetit të Tiranës, kryesisht në degët e Historisë dhe Filologjisë, Ekonomikut dhe Drejtësisë. Njëkohësisht edhe për vitin akademik 2013-2014 një ndër kriteret kryesore që duhet të përmbushin kandidatët që duan të vijojnë studimet në part time, është marrja e notave kaluese në të gjitha provimet e maturës, si në lëndët me zgjedhje ashtu dhe në ato të detyruara. Forcimi i kritereve të pranimit ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimeve të bëra në rregulloren e maturës, përmes të cilave prej dy vitesh të katër provimet e maturës janë të detyrueshme për t’u kapërcyer nga të gjithë maturantët që duan të vijojnë studimet e larta publike në sistemin e ditës, ashtu edhe në ciklin e pranimeve part-time. Në rast se maturanti nuk merrte notë kaluese në të gjitha provimet, atëherë ai jo vetëm humbet të drejtën për të vijuar studimet e larta, por klasifikohet si mbetës edhe në shkollën e mesme, pasi nuk pajiset me diplomën që legjitimon mbarimin e shkollës së mesme. Degët më të kërkuar për sistemin part-time vazhdojnë të mbeten mësuesia, financa, administrim-biznesi dhe drejtësia. Krahas shtesave në pranime, ndryshime pritet të ketë dhe në tarifat e shkollimit për këtë cikël studimesh. Ndonëse nuk janë zyrtarizuar tarifat e studimeve parashikohet një rritje e lehtë e tyre të krahasuara me ato të një viti më parë, rritje e cila do të jetë e përshkallëzuar edhe në varësi të programeve universitare që do të ofrojnë studime part-time. “Tarifat e shkollimit për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2013-2014, të përcaktohen me udhëzim të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës “, thuhet në udhëzimin zyrtar të miratuar nga Këshilli i Ministrave, lidhur me kuotat e pranimeve në ciklin e studimeve part-time.

 

Si ndahen kuotat e pranimeve

Kuotat e çdo programi studimi ndahen në raportin 7:3, përkatësisht 70 për qind e tyre, për pranimet e reja që do të pranohen në programet e ciklit të parë 3 vjeçar, (bachelor), ndërsa 30 për qind e kuotave të mbetura u rezervohen kandidatëve që kanë mbaruar studimet më parë  në një fakultet të caktuara, teksa duan të vijojnë ndjekjen e studimeve edhe në një fakultet të dytë. Kuotat e pranimeve të planifikuara për personat që nuk shikojnë (rreth 20 kuota), ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, mbi bazën e listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve. Kuotat e pranimeve për romët dhe ballkano-egjiptianët (20 kuota) ndahen gjithashtu nga Ministria e Arsimit, mbi bazën e listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e Romëve dhe Shoqata Kombëtare e Ballkano-Egjiptianëve dhe të vërtetuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kuotat e pranimeve për të përndjekurit politikë (150 kuota) ndahen nga Ministria e Arsimit mbi bazën e listës së hartuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe plotësimit të kritereve të vendosura nga institucionet publike të arsimit të lartë. Ndërsa kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit nga persona të interesuar. Për këtë kategori janë aprovuar në total rreth 50 të drejta studimi.

 

 

Studimet part –time, kush duhet të aplikojë

Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron diplomë të maturës shtetërore, dëftesë pjekurie apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme dhe edukimit në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë. Kandidatët që zotërojnë dëftesë pjekurie apo diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim, certifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Sipas autoriteteve arsimore prioritet në listat e fituesve do të kenë maturantët që nuk mundën të siguronin dot një të drejtë studimi në konkurrimet që zhvillohet për sistemin e ditës. Mesatarja është një ndër kriteret kryesore që do të shërbejë për seleksionimin e fituesve në degët ku fluksi i kërkesave është më i lartë se sa kuotat e miratuara.

 

Kuotat e pranimeve në fakultetet e Universitetit të Tiranës

  • Për Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë janë miratuar në total 750 kuota studimi të ndara për tre programet në degën e Historisë, Gjeografisë dhe Gjuhë-Letërsisë.
  • Për Fakultetin e Shkencave Sociale janë miratuar në total 70 kuota të destinuara vetëm për degën e Biologjisë.
  • Për Fakultetin e Shkencave Sociale janë miratuar 390 kuota studimi për të katër programet studimore në degët Punë Sociale, Psikologji, Sociologji dhe Filozofi.
  • Për Fakultetin Ekonomik janë miratuar në total 290 kuota studimi të ndara këto në mënyrë të barbartë në profilet Administrim-Biznes    dhe Financë-Kontabilitet.
  • Për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë miratuar në total 220 kuota pranimi për pranimet tek gjuha angleze, frënge, gjermane dhe ajo italiane.
  • Për Fakultetin e Drejtësisë janë miratuar në total 300 kuota pranimi për studimet part-time.
  • Për Fakultetin e Infermierisë janë miratuar 170 kuota studimi të ndara këto në degët Infermieri e Përgjithshme, Mami, Teknik i Lartë, Laborator, Fizioterapi, si dhe Imazheri.

 

 

 Udhëzimi i MASH-it, si shpallen fituesit për shqiptarët që vijnë nga trojet

 Kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, kanë të drejtë të vijojnë studimet e larta publike në universitetet shqiptare duke konkurruar për kuotat e veçanta që janë miratuar vetëm për këtë kategori. Duke u ndalur konkretisht tek pranimet e sistemit të ditës, kjo kategori të aplikojë direkt pranë universiteteve publike, duke filluar nga data 2 shtator deri në 20 shtator, sipas kuotave të përcaktuara në vendimin përkatës. Kjo kategori studentësh për të aplikuar duhet të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara, në brendësi të cilës duhet të jenë: “Fotokopja e noterizuar në vendin tonë, e Diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose dëftesën e shkollës së mesme të fituar në vendin përkatës me certifikatën e notave të legalizuara nga autoritetet drejtuese, vendore apo qendrore, të vendit ku kandidati ka përfunduar shkollën e mesme. Në dosje duhet dorëzuar edhe një dokument identifikimi (Kartë Identiteti, pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, 2 fotografi, si dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh e paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare. Janë universitetet pritëse ato që marrin përsipër menaxhimin e kuotave për studentët nga trojet, mbështetur edhe tek nota mesatare e shkollës së mesme, si dhe notat e lëndëve për të cilat strukturat universitare kanë vendosur koeficient më të lartë për pranimet e reja të këtij viti. Në rast se numri i numri i kandidatëve, që aplikojnë për t’u pranuar në një program të caktuar studimi, të cilët përmbushin kriteret e pranimit, është më i lartë se numri i kuotave të miratuara në Vendimin e Qeverisë, universitet bëjnë seleksionimet përkatëse në varësi të kritereve të caktuara. Lista zyrtare e kandidatëve të shpallur fitues zbardhet brenda datës 1 tetor, dhe për një javë më pas sekretaritë e fakulteteve çelin procedurat e regjistrimeve për të gjithë kandidatët e shpallur fitues gjatë procesit të konkurrimeve.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)