e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Muharrem Haklaj: Për vrasjen e djemve unë akuzoj Sali Berishën e njerëzit e tij

7
Nga Artan Hoxha
Postuar më: 5 Korrik, 2013 tek Nostalgji
Tropoja

Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Intervista me plakun e Haklajve, 85-vjeçarin Hamdi Haklaj. Pse ai akuzon Berishën e njerëzit e tij si shkaktarë të trazirave e vrasjeve në Tropojë. Pse u detyrua plaku i Haklajve që me djalin e madh të mbetur gjallë të ikë nga Shqipëria e të kërkojë strehim politik në Suedi. Rrafshimi i kullës së Haklajve pas ikjes së familjarëve.

 

85-vjeçari Haklaj: Shkak për vrasjen e djemve të mi është Sali Berisha, njerëzit që mban afër dhe qeverisja e tij! Ne që mbetëm të gjallë, u detyruam të iknim jashtë Shqipërisë. Nëse do të kishim qëndruar në kullë do të na kishin djegur të gjallë. Ju e patë se ç’ndodhi me një kullë të braktisur, ku nuk u kursyen as varret e djemve të mi të vrarë!”

 

Plaku i Haklajve, Muharremi, i larguar së bashku me nipat e mbesat e vegjël nga kulla e tij(tashmë e rrafshuar) në fshatin Kërnajë, qysh në shtatorin e vitit 2005, ka rrëfyer shkaqet që e detyruan të hidhte një hap të tillë. Për vrasjen e djemve të tij dhe të tjerëve në konflikt ai pohon: “Shkak është Sali Berisha, njerëzit që mban afër dhe qeverisja e tij!” Në intervistën që ka dhënë nga vendi ku qëndron i strehuar për t’i mbijetuar eleminimit fizik, Muharrem Haklaj dëshmon se ngjarjet që rrodhën pas arratisë së tij i dhanë plotësisht të drejtë. “Nëse do të kishim qëndruar në kullë do të na kishin djegur të gjallë. Ju e patë se ç’ndodhi me një kullë të braktisur, ku nuk u kursyen as varret e djemve të mi të vrarë”, thotë plaku i Haklajve. Ai tregon pse i biri, Hamdiu, i vetmi i mbijetuar nga pesë djemtë e tij, u bë objektivi kryesor i policisë dhe njerëzve tashmë të veshur me pushtet që veprojnë nën urdhrat e kryeministrit. Plaku i Haklajve thotë se struktura të caktuara që veprojnë nën petkun e policisë së shtetit nuk synojnë ekstradimin e djalit të madh Hamdiut, por eliminimin e tij fizik, për të zhdukur përfundimisht edhe dëshmitarët e fundit që u kanë mbijetuar shënjestrës së snajperëve të paguar apo minave të telekomanduara. Muharrem Haklaj dëshmon se nuk mund të ketë besim te drejtësia shqiptare përsa kohë ajo përdor dy standarde. Ndërsa djali i tij, Hamdiu dhe e bija, Zylfija, gjykohen në gjykatën e Tiranës, nuk ndodh e njëjta gjë me autorët e vrasjeve të djemve të tij, të cilët përkundrazi u emëruan në detyra shtetërore dhe lëvizin lirisht. Ai shpreson te drejtësia e vendit nordik, Suedisë, ku u arrestua djali i tij, do të japë të vërtetën. “Nuk duam që tim biri t’i ndodhë ajo që e gjeti tregtarin patriot Remzi Hoxha, të cilit nuk i janë gjetur as eshtrat pas rrëmbimit nga SHIK-u i Berishës”, thotë Muharrem Haklaj.

A jeni në dijeni se çfarë ka ndodhur me kullën tuaj në fshatin Kërnajë të Tropojës?

-Sulmet ndaj banesës së braktisur nisën pikërisht pas ardhjes në pushtet të Berishës dhe largimit tonë të detyruar për të mos u eliminuar familjarisht nga snajperistët e paguar që sot bredhin të lirë me makinat e policisë. Parashikimi jonë se do të synonin të na vrisnin të gjithëve u provua nga ngjarjet që rrodhën gjatë vitit të kaluar. Skenari nisi pas kontrollit të policisë në banesën time më 9 prill 2006, ku u veprua sikur të ishin paramilitarë serb gjatë raprezaljeve në Kosovë. U thyen dyert dhe u shkelën rrobat e përgjakura të djemve të mi të vrarë. U thyen fotot e tyre, u morën sende me vlerë dhe u futën armë nga vetë policia, gjoja sikur me to ishin vrarë banorë të tjerë të Tropojës. Ky kontroll u krye pa prezencën e asnjë familjari dhe pa prezencën e askujt nga fshati, vetëm që të vepronin sipas dëshirës dhe të deklaronin se kishin gjetur një arsenal të madh armësh, të cilat dyshoj se janë futur nga disa persona me të kaluar të dyshimtë dhe që mbanin veshur uniformën e policisë. Nga kjo kuptohet qartë se gjithçka u realizua prej makinerisë së komanduar nga vetë Berisha dhe tani duke përdorur përsëri shtetin dhe njerëzit e tij në Interpol, arriti të arrestojë djalin tim për llogaritë e veta personale. Kërkoj nga institucionet shqiptare dhe ajo pjesë e politikës që nuk i ka ngjyer duart me gjak apo nuk i ka ndyrë ato në punë të pista, të ndalojë dorën vrastare të Berishës dhe synimet e errëta të tij për mbulimin e krimeve që ai vetë ka organizuar ndaj atyre që nuk i janë rreshtuar nga pas.

 

A është fajtor djali juaj Hamdiu për vrasjen e dyfishtë më 10 qershor 2004?

-Në të gjitha deklarimet që familja ime ka depozituar në institucionet shqiptare qysh nga viti 2002 e në vazhdim nuk rezulton të jetë përmendur emri i personit të vrarë më datë 10 qershor 2004 për asnjë lloj aktiviteti të tij dhe të familjes së tij. Deri tani nuk ka pasur asnjë dëshmitar që të provonte në gjykatë se Hamdiu është autor i krimit. Procesi është më tepër i inskenuar keq dhe me nxitim duke bërë shumë gabime, të cilat po dalin zbuluar në gjykatë.

 

Përse nuk dëshironi ekstradimin e djalit tuaj? 

-Sigurisht nuk do të pres të vijë djali im në Shqipëri dhe të pësojë fatin e Remzi Hoxhës, të cilit nuk po i gjenden as eshtrat pasi e mori SHIK-u i Berishës në ’95-n dhe s’dihet ku e ka groposur. Nëse Berisha është i interesuar të vendosë drejtësinë në Shqipëri, të zbardhë njëherë vrasjet e familjes Haklaj dhe pastaj unë do ta sjell vetë djalin këtu që të ketë mundësi drejtësia të faktojë të vërtetën e akuzave ndaj tij. Por Berisha nuk ka sesi t’i zbardhë vrasjet tona pasi i duhet më parë të arrestojë shefat që ai ka graduar me dorën e tij për shërbimet që i kanë bërë në të kaluarën. I duhet të nxjerrë veten të zbuluar. I them se nuk do ta ketë të lehtë të zhdukë gjithë familjen Haklaj dhe të rrënojë banesat e saj, të asgjësojë çdo provë, fakt apo dokumente që e fajësojnë për implikimin e tij në krimet dhe përgjakjen e Tropojës.

 

Hamdiu akuzohet se ka dijeni për shumë vrasje e ngjarje të rënda që kanë ndodhur në Tropojë vitet e fundit, sa është e vërtetë kjo?

-Me ekstradimin e djalit tim, Berisha nuk kërkon të zbulojë çka ndodhur po kërkon të mbyllë të vërtetën e vrasjeve në Tropojë dhe në veçanti të familjes Haklaj. Për vrasjet në Tropojë, ai di më shumë se Hamdiu, sepse Berisha ka(intervista është dhënë para zgjedhjeve të fundit) strukturat shtetërore në dorë dhe ka qëndruar në Shqipëri gjatë gjithë kohës, kurse djali im ka qëndruar jashtë Shqipërisë nga frika e ndonjë hakmarrje. Berisha nuk ka shkuar në Tropojë qysh nga viti ‘97 sepse e ka të qartë se atje akoma nuk është tharë gjaku që ai derdhi nga djemtë e Tropojës. (Vonë, shkoi me jelek antiplumb dhe me qindra forca sigurie). Në Tropojë u qëllua mbi OSBE-në, u vranë funksionarë të lartë të UÇK-së, u sulmuan institucione shtetërore që nga komisariati i policisë, gjykata e prokuroria më 28 nëntor 2000 që u pasuan me të vrarë. U vranë për herë të parë në Shqipëri viktima me mina të telekomanduara në distancë e askush nuk u zbulua apo u dënua. Kurse për djalin tim veprohet ndryshe sepse kështu i intereson dikujt që është atje sipër. Berisha më mori shumë deri tani, por ai nuk duhet të mendojë se mund të më marrë më shumë. E akuzova Berishën haptazi në seancën gjyqësore të të ndjerit Hajdari më 2001-shin. Prisja që ai të më akuzonte për shpifje por për çudinë time ai nuk reagoi fare. Ai veproi në mënyrë mafioze duke eliminuar familjarët e mi njëri pas tjetrit dhe tani kërkon të eliminojë fizikisht edhe djalin tim të fundit nga pesë djem që unë kisha. Për këto shkaqe kërkoj reagimin e institucioneve të pavarura të Shqipërisë, të klasës politike që nuk është nën urdhrat e tij, të institucioneve ndërkombëtare dhe të gazetave e televizioneve, të cilave deri tani Berisha ende nuk ua ka mbyllur dot gojën në mënyrë që Drejtësia në këtë vend të funksionojë njëlloj për të gjithë pavarësisht se kush është e çfarë bën. Gjithkujt t’i jepet hisja që i takon e mirë apo e keqe, vetëm atëherë do të krijohet mundësia që shqiptarët të marrin vesh se çfarë ka ndodhur në Tropojë dhe kush i ka lyer duart me gjak.

 

Si nisi tragjedia e familjes suaj dhe a është zbuluar ndonjëri prej vrasësve të djemve tuaj deri tani?

-Tragjedia jonë filloi në një miting të PD-së dhe u pasua me vrasjet njëra pas tjetrës të shtatë familjarëve dhe shtatë të tjerëve të afërm të familjes sime. Unë nuk akuzoj të djathtën shqiptare ashtu siç është thënë në disa media, por konkretisht Sali Berishën, i cili për të qenë korrekt erdhi nga zyrat e sekretarit të partisë e mbetet një komunist i pandreqshëm. Të gjitha këto tragjedi na ndodhën kur në krye të shtetit shqiptar u vu një grup personash dhe politikanësh të inkriminuar që për të mbajtur në këmbë karrigen e tyre nuk kursyen asgjë. Mjafton të kujtoj se nuk është zbuluar dhe as shoqëruar në polici qoftë dhe një person i vetëm i dyshuar si autor i vrasjes së djemve apo të afërmve të mi. Pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës në vitin 2005, ai u vu në kërkim të djalit tim Hamdiut. Duke përdorur prokurorinë e Tropojës e patjetër edhe policinë, ai rrafshoi banesën time dhe dhunoi varret e djemve të mi të vrarë. Ai mendonte se djali im Hamdiu ndodhej në Shqipëri dhe do të reagonte për t’u hakmarrë ndaj këtyre veprimeve, e pastaj në përpjekje për t’u kapur nga policia ai të vritej pa diskutim. Bile pa qenë nevoja të bënte gjyq, duke vepruar në të njëjtën mënyrë siç vrau edhe djemtë e tjerë. Veç tragjedive e mos zbardhjes së asnjë dosje për 14 personat familjarë e të afërm të familjes sime, tani, ndaj ne të mbijetuarve hapen çështje penale, të cilat janë të paragjykuara pa filluar ende procesi në gjykatë. Herë pas here nga Ministria e Brendshme në deklarime publike në televizion i bëhet apel Drejtësisë për shkallën e vendimit ndaj djalin tim. Është arritur deri te dizinformimi nga zv/ministri i Brendshëm Lezhja se djali im është i dënuar me burgim të përjetshëm ndërkohë që ai ndodhet akoma nën hetim dhe e vërteta është se djali im dhe anëtarë të familjes sime nuk vrasin pleq, gra e fëmijë. (Fund)

 

Kulla e Haklajve u rrafshua me eksploziv pas braktisjes

Muharrem Haklaj u largua 4 ditë pas formimit të qeverisë Berisha më 2005-n

 

Vetëm katër ditë pasi qeveria Berisha kishte bërë betimin para presidentit të vendit Alfred Moisiu, Muharrem Haklaj nxitoi të merrte arratinë për t’u larguar nga së bashku me familjen nga kulla e tij në fshatin Kërnajë të Tropojës. Pavarësisht moshës së thyer afër të 85-tave dhe sëmundjes së bashkëshortes së tij, plaku i Haklajve ka marrë nipat dhe mbesa jetimë të djemëve të tij të vrarë dhe është larguar një orë e më parë nga Shqipëria. Ai e ka motivuar këtë largim si të detyruar, për t’i mbijetuar eliminimit fizik që i kërcënohej jo vetëm atij por dhe fëmijëve të familjes. Ngjarjet që rrodhën pas largimit të tij nga Shqipëria i dhanë plotësisht të drejtë për zgjidhjen që kishte bërë. Vetëm pak javë pas largimit të pjesës së mbijetuar të familjes Haklaj nga kulla e fortifikuar rrëzë të Shkëlzenit, nisën një seri atentatesh me snajperë dhe mitraloz të rëndë që synonin të godisnin personin i cili ishte lënë në ruajtje të kullës. Manush Selivrada denoncoi disa herë në polici tentativat që u bënë për ta ekzekutuar nga snajperistë “të panjohur”, por askush nuk e vuri ujin në zjarr. Kur ndjeu se mund të përfundonte viktimë e atentatorëve të panjohur që nuk hiqnin dorë nga objektivi i tyre, Manush Selivrada u detyrua t’ua linte të lirë kullën-kështjellë, në mënyrë që ta rrafshonin nga themelet.

 

LARGIMI

Plaku i familjes Haklaj më pohoi se u largua menjëherë pas formimit të qeverisë Berisha në mes shtatorin e vitit 2005. “E dija se çfarë më priste jo vetëm mua për të gjithë, deri dhe nipat e mbesat e vogla, jetimët e djemëve të vrarë. Duke mos parë rrugëzgjidhje tjetër vendosa ta braktisja kullën në pleqëri”, tregon Muharremi. Më datë 19 shtator 2005, ai ka nënshkruar një kontratë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kullës me një të afërm të tij, Manush Selivradën, nga fshati Bradushnicë. Selivrada është vendosur në kullë së bashku me familjen e tij, nënën në moshë të thyer, gruan dhe katër fëmijët e vegjël. Fillimisht ai do të kërcënohej me telefonata anonime që të largohej nga kulla se mund të vrisnin. Më pas u qëllua dy herë me snajper, herën e parë natën vonë dhe për herë të dytë në orën 08:00 të mëngjesit. Duke parë këmbënguljen e tij për të mos u larguar nga kulla, komando e panjohur vendosi të sulmonte me armë kundërtanke duke rrezikuar seriozisht shfarosjen totale të gjithë familjes Selivrada.

 

KULLA

Kontrolli i kullës së fortifikuar të Haklajve nga forcave speciale të Ministrisë së Brendëshme më 9 prill 2006, do ta çarmatoste përfundimisht mirëmbajtësin e saj dhe do ti jepte një sinjal të fortë, komandos që sulmonte se tashmë “rruga ishte e lirë”. Qysh nga ky moment kulla u bë një objektiv që sulmohej çdo muaj. Fillimisht asaj iu vu zjarri me lëndë djegëse. Por kur u pa se ishte rezistente, atëherë u vendos që të rrafshohej nga themelet me eksploziv. Autorët, që gjithmonë mbetën “të panjohur” për policinë edhe pse vepronin ditën për diell, nuk u kursyen kur e minuan atë me 70 kilogram eksploziv. Por akti që do të vuloste hakmarrjen ndaj familjes Haklaj, ishte sulmi dhe dëmtimi i varreve të katër djemve të vrarë.

 

 “Dosja Tropoja”, viktima të tjera në zinxhirin e vrasjeve

19 shtator 2005

Plaku i Haklajve, Muharremi me bashkëshorten e sëmurë, ka marrë nipat dhe mbesat jetimë të katër djemve të tij të vrarë gjatë disa atentateve mafioze të kryera vitet e fundit dhe është larguar me urgjencë nga Shqipëria për motive sigurie.

9 prill 2006

Bastiset kulla e familjes Haklaj në Kërnajë duke kapur aty një sasi armatimi. Në banesë jetonte Manush Selivrada me familjen e tij, i pajtuar si qiraxhi nga i zoti i kullës. Pas çarmatosjes, kulla është sulmuar 7 herë nga një komando e panjohur.

19 Qershor 2006

Nipi i Muharrem Hakljat, Manush Selivraba 46 vjeç, i cili banonte në kullë së bashku me familjen e tij, i ka shpëtuar mrekullisht një atentati me snajper ndaj tij. Ngjarja ka ndodhur paradite rreth orës 10:30, pas një prite të zënë nga kodrat pranë kullës.

25 Korrik 2006

Goditet tre herë me kundërtank kulla e fortifikuar e Haklajve duke i shkaktuar asaj dëme serioze. Për fat të mirë nuk ka patur viktima në njerëz, pasi në momentin që është bërë sulmi, ndodheshin tetë persona dhe mes tyre edhe katër fëmijë.

13 gusht 2006

Rreth orës 21:50 të mbrëmjes kulla e Hakljave u përfshi nga flakët. Pesë persona dyshohet se kanë hyrë brenda ambienteve të brendshme të saj dhe pasi e kanë spërkatur me benzinë i kanë vënë flakën. Kulla në ato momente ka qenë e braktisur.

10 dhjetor 2006

Varrezat në formë memoriali prej graniti të zi, ku janë vendosur eshtrat e katër vëllezërve Haklaj, janë rrafshuar përtokë. Pas shkatërrimit nga themelet të kullës shekullore, tashmë i është dhënë “dora e fundit” dhe varrezave të djemve të vrarë.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


7 Komente


  1.  

    Keto ngjarje i kam degjuar ne kohen kur isha emigrant ne Greqi dhe me dukeshin si te sajuara.Por kur ky burre i moshuar baba i kater djemeve te vrare ,tregon me gisht se kush eshte vrasesi,i ngelet detyre drejtesise se shtetit shqiptar,ta veje ne bangon e te akuzuareve urdherdhenesin,qe te pakten te mos kercasin kockat e atyre te vrareve.Respekte per plakun e Haklajve.




  2.  

    Kujdo I vjen keq per vrasjet e ndodhura ne ket familje.Po me te thene te drejten mashkujt e ksaj familje kan qene bere te merzitshem ne gjith Tropojen. Nuk eshte nje po me dhjetra qe haklajt jua kan bere me borc ne tropoj,po edhe ne vende te tjera.Haklajve u kishte hyr vetja ne qef.Ata organizuan te parin antimiting ne Shqiperi partis demokratikem,sigurisht te frymzuar nga komunistet e Tropojes,dhe I cuan mish per top haklajt.Nuk mendoj se I ka ardhur kujt keq,per fatkeqsit e ksaj familje qe nuk lan gja pa bere ne ket zone.




  3.  
    Desaret

    Tragjike!Lufte civile Rajonale!Natyrisht Berisha shkaktari kryesor dhe fitilndezesi i kesaj vëlla vrasje të tmerrshme qe nuk perfundon as pas 50 vjetesh!…Berisha shihet qarte e ka deshiruar kete perplasje sepse nuk ben as perpjekjen me të vogel te shuaj zjarrin në “shtepi”,Tropoje!Duke qene se kam njohur Azemin,me ka deklaruar se “të mitë në PD,duan të me vrasin!”,Fakti qe e thirren nga Fieri-Lushnja,me urgjence Azemin,flet se “e futen”ne pritë!Perse nuk doli vet Saliu,ne takim me F.Haklaj?…Azemi,ka nxituar,si dhe bente ne keto raste,ndaj dhe u vra…Haklajt nuk kishin ardhur per Azemin se e vrisnin ne Fier,Lushnje,por per Berishën…Berisha kishte mundesi ta shuante zjarrin,por kjo nuk i vlente politikes se tij,ai donte te eleminonte Azemin qe kish deklaruar ne shtyp”Kallami i gjate i Ramizit ne PD qe duhet thyer!”…Ai me Berishen kishin shkuar me 19 shkurt tek Zyra e Ramizit te thirrur nga Ramizi…Azemi me ka pranuar gojarisht se Heqjen e Monumentit te Enverit, ja kerkova une Ramizit ta hiqnim dhe ai pranoi menjehere…Naten sigurimi shtetit hoqi bullonat se Monumenti nuk binte dhe televizioni u njoftua ne oren tetë te fillonin pune tek Sheshi(deklarate ne shtyp e tyre)..Keto deshmi dhe te tjera i duheshin Saliut te maskonte veten edhe pse pardesyne e bardhë e ka marre me firme tek x…Ai nuk e donte Azemin me,mundet edhe me “porosi”eleminimi gje qe mbetet enigme!Haklajt natyrisht u vrane te gjithe nga Klani i organizuar e profesional i shtetit ku Berisha lozte fijet!…Tani duhet te kete zhvillime te reja,per tek e verteta,dhe ky shkrim i zgjeruar,hap dritere!Nje gjykim i forte dhe i drejtë do zbulonte prapaskenat!…




  4.  
    MARKO

    Berisha vampir. Kenaqet e gjakun e derdhur te shqiptareve, por me teper nuk ngopet duke pire gjakun.




  5.  

    populli ka nje shprehje te art qe thot” ku ka ze nuk eshte pa gje” prandaj kesaj pune i do shkuar deri ne fund




  6.  
    Arbri

    Ne si popull , si njerez, jemi oportunist. Per Salen nuk kan dal te gjitha ne shesh. Njerezit nuk duan as ta degjoojne te verteten sepse ky ishte ai qe ” na shpetoi nga komunizmi” , dhe per kete e mbajme ne qiell. Po cila eshte e verteta? Nje nga ato eshte qe ai qe furnizoje Millosheviqin me karburante etj. Kosovaret e duan se e ka emrin Sali, kurse psh per Ramen mendojne qe eshte grek. Jemi popull fatkeq. Nuk e di se kure do te zgjohemi nga gjumi?




  7.  
    gjini

    RRESPEKT FAMILJES “HAKLAJ” po me fol tdrejten esht ni fjel e popllit pa e lyp nuk e gjen po edhe dishka edhe kon e kan vra e qe e ka lyp mir ja kan boo po ngjarja e viteve 1997 98 99 ma mir ish kon krejt kta djemt shka jon vra edhe djemt tjer shka i kan vra me ardh me luftu per kosoven kunder serbis e JO me luftu kunder njoni tjetrit LEKT nuk jon sendi kryesor nket jet se ma shum zgatt fjela DESHMOR se fjela MILJONER nkit jet ka shum MILJONERA e DESHMORT jon tu zhduk RRESPEKTE PLAKUT I FORT JEE





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)