e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Personat me aftësi të kufizuar, ndërkombëtarët kritikojnë, ministri i Punës refuzon pjesëmarrjen

0
Pranvera Kola
Postuar më: 12 Prill, 2013 tek Aktualitet
Personat-me-Aftesi-te-Kufizuar

Pavarësisht premtimeve të bëra respektimi i të drejtave për personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë mbeten në nivele kritike. Referuar gjendjes aktuale dhe kushteve të vështira të jetesës në të cilat ndodhet kjo shtresë, ndërkombëtarët kanë tërhequr vëmendjen e dikastereve përgjegjëse që të rikthejnë vëmendjen drejt problemeve me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara. Kjo veçanërisht në drejtim të punësimit, arsimimit, infrastrukturës, strehimit dhe ndarjes së pagesave sociale tek personat që plotësojnë kushtet.

Këto problematika janë evidentuar në tryezën e zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga Shoqata e Aftësisë së Kufizuar, ku merrnin pjesë ambasadori i Bashkimit Evropian Etore Sequi, Avokati i Popullit Igli totozani, përfaqësues të shoqatave të aftësisë s ë kufizuar. Ajo që binte në sy ishte mungesa e kreut të dikasterit përgjegjës që merret me mbrojtjen e kësaj shtrese. Ndonëse e kishte konfirmuar më parë pjesëmarrjen e tij në këtë tryezë debati, ministri i punës Spiro Ksera, nuk ka marrë pjesë në këtë tryezë. Sa i takon punësimit ligji përcakton se të paktën në administratë një nga 25 të punësuar duhet të jetë nga shtresat me aftësi të kufizuara, por si shumë të tjerë edhe zbatimi i këtij përcaktimi ligjor mbetet vetëm në letër. Për të mos folur më tej për mungesën e infrastrukturës së veçantë që shteti duhet të sigurojë për qarkullimin e këtyre personave.

Probleme të shumta shfaqen edhe në sigurimin e strehimit, si dhe arsimimit, për të cilat deri më sot është bërë shumë pak. Kundrejt problematikës së hasur, e cila gjatë muajve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese (si rrjedhojë e bllokimit të pagesave sociale), të verbëritë, si dhe persona të tjerë të aftësisë së kufizuar në prani të ndërkombëtarëve kërkojnë rishikimin e ligjit antidiskriminim dhe  respektimin e të gjitha të drejtave që ata duhet të kenë në punësim, arsimim, strehim.

Kreu i Shoqatës së të verbërve Sinan Tafaj ka bërë me dije se tashmë kërkesat i janë drejtuar ministrit të Drejtësisë për respektimin e të gjitha detyrimeve ligjore, duke marrë parasysh edhe faktin se tani Shqipëria është bërë pjesë e konventës së OKB-së.

“Ne kemi kërkuar ndërhyrje në legjislacion, në kodin civil, penal, të procedurës penale, kodin rrugor dhe një seri ligjesh të tjera. Ne e konceptojmë mbrojtjen tonë ligjore të përfshirë në legjislacionin ku zgjidhen problemet e të gjithëve dhe jo në një ligj integral ku do të krijohet një veto ligjore për aftësitë e kufizuara”, ka bërë të ditur Tafaj. Në mbrojtje të kësaj shtrese janë pozicionuar edhe Avokati i Popullit si dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare të pranishme në këtë tryezë. Ambasadori i BE-së, Etore Sequi vuri në dukje se Shqipëria shfaq ende mangësi të shumta në respektimin e të drejtave të aftësisë së kufizuar.

Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara ka shprehur besimin se Qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet do ta vendosë në fokus të punës së saj zbatimin në praktikë së pari të nenit 8 të Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, do të njohë rolin e rëndësishëm të organizatave përfaqësuese të personave me aftësi të kufizuara dhe do të ndërtojë një bashkëpunim real, konkret dhe efektiv. Më tej edhe BE ka premtuar se do të zgjerojë më tej mbështetjen për këtë kategori.

 

Sinan Tafaj

“Neni 18 i Kushtetutës, njeh si grupe të riskut për t’u diskriminuar mjaft grupe të tjera, por nuk përfshin aftësinë e kufizuar, e cila ka një rrisk më të madh për t’u diskriminuar. Kemi rezerva edhe për ligjin antidiskrimin. I kemi parashtruar ministrit të Drejtësisë kërkesën për përfshirjen në Kodin Penal, të atyre dispozitave, të Konventës së OKB-së që kërkojnë një mbrojtje të veçantë. Ne e konceptojmë mbrojtjen tonë ligjore të përfshirë në legjislacionin, ku zgjidhen probleme të  gjithëve dhe jo në një ligj integral, ku të krijohet një geto ligjore për aftësinë e kufizuar”,  tha Sinan Tafaj.

 

Etore Sequi 

“Shqipëria duhet të miratojë ligje dhe akte nënligjore për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Në Shqipëri vazhdon të jetë një problem arsimimi dhe respektimi i kuotave të punësimit, gjithashtu ligji për antidiskriminimin duhet të jetë më i fortë. Ne besojmë se e drejta nuk është ajo që jepet, por atë askush nuk duhet të ta marrë. Të gjitha vendet që aspirojnë në BE duhet të respektojnë këto të drejta, përfshi këtu dhe Shqipërinë që duhet t’i respektojë këto standarde”, vuri në dukje ambasadori Etore   Sequi.

 

Igli Totozani

” Dua të sjell në vëmendjen tuaj dhe propozimin që Avokati i Popullit i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, për zgjedhjen e një prej Komisionerëve nga radhët e PAK, propozim ndaj të cilit ende Kuvendi nuk ka mbajtur qëndrim e për të cilin jemi në pritje. Dëshiroj t’ju përmend iniciativën tonë më të fundit, për të kërkuar informacion nga institucionet publike, në lidhje me zbatimin e kërkesave të ligjit numër 7995, për nxitjen e punësimit, për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Ky informacion do të jetë pjesë e një raporti të veçantë, që institucioni i Avokatit të Popullit do ta hartojë për personat me aftësi të kufizuar”, ka deklaruar Avokati i Popullit Igli Totozani.

 

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)