e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Problemet shëndetësore pas moshës 50 vjeç dhe trajtimet

1
Pranvera Kola
Postuar më: 5 Maj, 2013 tek Lajme Flash
male-menopause

Problemet shëndetësore me të cilat përballet mosha e tretë në vendin tonë gjatë viteve të fundit kanë pësuar rritje të ndjeshme. Ndër komplikacionet më të shpeshta janë sëmundjet kardiovaskulare, problemet me shëndetin mendor, ato kockore për të cilat nëse tregohet kujdesi  i duhur mund të shmangen edhe dëmtimet serioze të shëndetit. Në një intervistë për gazetën “Dita”, shefi i Departamentit për Sëmundjet Kronike në ISHP, Alban Ylli, tregon se cilat janë komplikacionet më të shpeshta që shfaqen tek moshat e treta, si dhe këshillat që duhet të ndiqen për t’i trajtuar ato në kohë.

 

Cilat janë ndryshimet fiziologjike që shfaqen tek të moshuarit?

Ndryshimet fizike që ndodhin me kalimin e moshës janë shumë të lidhura me individin. Në përgjithësi mund të thuhet se ndryshimet fizike tek të moshuarit janë tepër graduale dhe ato sjellin invaliditet shumë më rrallë sesa mendohet. Karakteristika më universale e lidhur me kalimin e moshës është prirja për ‘t’u ngadalësuar’.

Të moshuarit kanë nevojë për më shumë kohë për të bërë gjërat, megjithëse kjo nuk i pengon ata të realizojnë po aq, në mos më shumë se individët më të rinj. Kur një person bëhet më i moshuar ka një prirje për t’iu ulur rezistenca në përgjithësi, si dhe aftësia për të përballuar streset. Forca muskulare zvogëlohet si pasojë e uljes si në madhësi, ashtu dhe në numër të fibrave muskulore. Muskuli i zemrës dobësohet dhe enët e gjakut bëhen me pak elastike. Organe të ndryshme bëhen me pak efektive me kalimin e moshës, mund të përmendet këtu rasti i veshkave.

Tek gratë e moshuara mund të vihet re një gjendje që quhet osteoporozë. Rreth 25 për qind e të gjitha grave mbi 60 vjeç kanë një problem të tillë, i cili pas një periudhe prej shumë vitesh rezulton në hollimin dhe dobësimin e kockave. Kjo mund të çojë deri në fraktura. Përgjatë jetës kockat e njeriut zhvillohen nëpërmjet një procesi që quhet rimodelim. Një pjesë e vogël e kockës së vjetër hiqet dhe një pjesë e re formohet në vend të saj. Gjatë moshës së mesme pak më shumë kockë humbet sesa fitohet. Megjithatë, kjo humbje e kockës nuk duket të shkaktojë probleme deri në një moshë më të vjetër. Një shenjë e hershme e osteoporozës është zvogëlimi i gjatësisë trupore, ç’ka ndodh si pasojë e shtypjes së vertebrave tashmë të dobësuara. Gjithsesi, kjo gjendje ngelet e  panjohur për personin derisa të formohet një përkulje e shpinës apo të ndodhi ndonjë frakturë.

 

A mund t’i identifikojmë faktorët që çojnë në shfaqjen e osteoporozës?

Megjithëse nuk ka një mendim të vetëm lidhur me atë se çfarë e shkakton osteoporozën, duket se katër funksione luajnë rol në të. Konkretisht në këtë grup bëjnë pjesë: rënia e niveleve hormonale, mungesa e sasisë së përshtatshme të kalciumit në dietë, ekspozimi i pamjaftueshëm ndaj rrezeve të diellit, çka ndihmon trupin e njeriut të prodhojë vitaminën D, si dhe mungesa e aktivitetit.

 

Ku duhet të konsistojë trajtimi i osteoporozës?

Trajtimi osteoporozës konsiston në mjekimet të cilat synojnë të ndërpresin humbjen e mëtejshme të lëndës kockore. Meqenëse kalciumi dhe vitamina D mund të ngadalësojnë humbjen e lëndës kockore, shpesh doktorët këshillojnë marrjen e tabletave të kalciumit me vitaminën D. Shpeshherë këshillohet edhe estrogjeni. Ky është një hormon që ndihmon gjithashtu në ngadalësimin e humbjes kockore. Kërkimet shkencore janë të përqendruara në kombinimet e preparateve të mësipërme plus fluor në shpresën e gjetjes së një mënyrë për të ndaluar humbjen kockore.

Në masat parandaluese përfshihen marrja e ushqimeve të pasura në kalcium, mënjanimi i proteinave të tepruara dhe ushtrimet e rregullta fizike të cilat stresojnë në mënyrë të moderuar shtyllën kurrizore dhe kockat e gjata të trupit. Osteoporoza është një sëmundje që prek sidomos gratë e moshuara por mund të prekë edhe burrat. Marrja ditore e 1000 deri 1500 mg  kalciumi në ushqime ose si shtesë me tableta është një mënyrë shumë e mirë dhe pa probleme shoqëruese për ta parandaluar apo vonuar fillimin e saj. Gratë duhet të këshillohen me mjekun për të ndërmarrë atë që quhet terapia zëvendësuese me estrogjene e cila e ul jashtëzakonisht shumë riskun jo vetëm të osteoporozës, por edhe të sëmundjeve kardiovaskulare etj.

 

Ndalemi tek shqisat, cilat janë shqetësimet më të shpeshta që shoqërojnë këtë kategori dhe çfarë duhet bërë për t’i parandaluarnë kohë?

Shqisat e të moshuarve bëhen më pak të mprehta me kalimin e moshës. Shumë vetë preken nga ulje e dëgjimit dhe ndryshime në shikim. Çdo vit pas moshës 50 vjeç, individët humbin diçka nga aftësia e tyre për të dëgjuar, kështu që nga mosha 65-70 vjeç rreth një në katër vetë janë të prekur nga një ulje e dallueshme e dëgjimit. Ulja e të dëgjuarit dëmton komunikimin me njerëzit e tjerë dhe kufizon shkëmbimet sociale të personave të prekur duke çuar  shpesh deri në tërheqje nga jeta shoqërore.

Humbja e dëgjimit tek të moshuarit lidhet me ndryshimet në veshin e brendshëm, çka rezulton në vështirësi për të kuptuar bisedat dhe krijon një intolerancë për tingujt e lartë. Kjo lloj humbje e dëgjimit është graduale dhe progresive.

Ndaj duhet t’i kushtojmë shumë kujdes pyetjes se si duhet të flasim me të tjerët. Kësaj pyetje duhet t’i vijnë në ndihmë pesë alternativa të cilat janë: flit pak më fort se normalisht, sidoqoftë pa bërtitur; flit me shpejtësi normale dhe mos e tepro me artikulimin e fjalëve; flit në një largësi prej 50 –100 cm; kur flet vendosu në një pozicion të tillë që lëvizja e buzëve dhe shprehja e fytyrës të shihen qartë, si dhe mos flit drejtpërdrejt në veshin e personit.

Ndërkohë që një nga rregullimet më të shpeshta të lidhura me shikimin tek personat e moshës së tretë është edhe katarakti, një gjendje që mund të korrigjohet me kirurgji. Një tjetër problem që mund të kontrollohet po të kapet në kohë, është edhe glaukoma.

 

Shpesh flitet se të moshuarit vuajnë edhe nga kequshqyerja, cilët janë faktorët që ndikojnë në këtë drejtim?

Shumë persona të moshuar vuajnë nga kequshqyerja. Një arsye e rëndësishme për këtë fakt është gjendja ekonomike. Shumë persona të moshuar nuk kanë mundësi financiare të blejnë llojin dhe sasinë e ushqimeve të nevojshme. Rritja e madhe e çmimeve të ushqimeve, ndërkohë që pensionet janë rritur shumë pak, ka ndikuar në mënyrë serioze tek personat e moshuar. Vlen të theksohet se ky nuk është vetëm një problem shqiptar apo i vendeve në tranzicion, por edhe i vendeve të pasura perëndimore. Vëzhgimet flasin edhe për një rënie të oreksit tek të moshuarit. Kjo është shpesh me natyrë më shumë sociale sesa fiziologjike.

Kur një person jeton vetëm dhe ha vetëm, dëshira për ushqime të kompletuara dhe të përgatitura mirë bëhet më e vogël. Për këtë arsye (dhe pa dyshim jo vetëm për këtë) është shpesh e rëndësishme të gjenden mënyra për krijimin e qendrave komunitare që ofrojnë kushte për ngrënie të përbashkët, për qytetarët e moshuar. Kjo është një praktikë që ka filluar të zbatohet në shumë vende të botës. Në mënyrën e të ngrënit ndikojnë edhe disa ndryshime fiziologjike. Kështu është e mundur që ndjesia e shijes të ndryshojë me moshën.

Ushqimet që më parë ishin si të shijshme ashtu dhe të ushqyeshme nuk e hapin më oreksin. Megjithëse kjo dukuri dikur konsiderohej të kishte një shtrirje të gjerë, studime të kohëve të fundit tregojnë se vetëm rreth 10 për qind e individëve të moshuar të shëndetshëm zhvillojnë humbje relative të ndjesisë së shijes. Edhe kjo është parë të haset me shpesh tek individët që marrin medikamente. Të moshuarit gjithashtu preken nga probleme të lidhura me dhëmbët çka prek dëshirën e tyre për ngrënë shumë lloje ushqimesh. Rënia e dhëmbëve, problemet e mishrave dhe protezat e dhimbshme janë mjaft të shpeshta tek mosha e tretë.

 

Sëmundjet kronike

 

Profili i sëmundjeve kronike tek të  moshuarit

Sëmundjet kronike përbëjnë problemet shëndetësore kyç që prekin personat e moshave të mesme dhe ata të moshës së tretë. Rreth 80 për qind e të gjithë personave të moshuar (mbi 65 vjeç) kanë një ose më shumë sëmundje kronike. Në qytetin e Tiranës ne kemi gjetur që kjo shifër të jetë nga 60 – 70 %, por ka gjasa të jetë akoma më e madhe nëse do të studionim edhe individët që nuk kërkojnë ndihmë mjekësore për arsye të ndryshme. Këto sëmundje janë zakonisht afatgjata dhe përgjithësisht çojnë në ndryshime të pakthyeshme. Sëmundjet kardiovaskulare, cerebrovaskulare apo kanceri janë gjendje kronike të cilat përbëjnë edhe tre shkaqet kryesore të vdekjeve tek të moshuarit.

 

Shkaqet që çojnë në shfaqjen e këtyre komplikacioneve

Për sëmundjet kronike nuk ekzistojnë shkaqe të vetme dhe të përcaktuara mirë. Gjithashtu, ende nuk ka mënyra për t’i shëruar ato përfundimisht. Ky faktor është shumë i rëndësishëm dhe kushtëzon strategjinë e kujdesit shëndetësor për të moshuarit. Sëmundjet e gjata kronike shpien jo vetëm në probleme të lidhura me trajtimin, por edhe në probleme financiare. Ndjekja e gjatë e një sëmundjeje apo terapia afatgjatë (shpesh për gjithë jetën) me medikamente janë të shtrenjta.

Në përgjithësi shpenzimet mesatare vjetore mjekësore për popullatën e moshuar janë tre herë më të mëdha se për të rinjtë. Kjo rrit rrezikun që të moshuarit të lihen pa shumë shërbime rutinë apo të përjashtohen nga programet shëndetësore thjesht për arsye financiare (pa folur për arsyet politike). Përpjekjet diagnostike të mjekut zakonisht orientohen drejt zbulimit të një shkaku apo problemi të vetëm. Siç thamë më sipër me kalimin e moshës, shtohen si ndryshimet fiziologjike të përgjithshme ashtu dhe shpeshtësia e disa sëmundjeve. Pra një pacient me moshë të vjetër mund të vuajë nga shumë probleme, dhe jo nga një çrregullim i vetëm.

 

Simptomat mund të ngatërrojnë diagnozën e saktë

Prania e shenjave që shoqërojnë sëmundje të ndryshme mund të çojë në diagnoza të pasakta. Për shembull një person mund të ketë sëmundje zemre, sëmundje të stomakut, apo probleme të ezofagut në të njëjtën kohë. Dhembja e gjoksit mund të shoqërojë secilin prej këtyre çrregullimeve. Kështu që kur ndodh një dhimbje e gjoksit, ka gjasa që të zbulohet vetëm një sëmundje ndërkohë që të tjerat të kalojnë të padiagnostikuara.

Një tjetër shembull do të ishte ndryshimi i zakonit të jashtëqitjes. Një ndryshim i tillë është një shenjë e rrezikshme e kancerit të zorrëve të trasha. Megjithatë ai mund të injorohet si nga familja ashtu edhe mjeku tek një person i moshuar i cili ka pasur shqetësime të zorrëve apo lidhur me kapsllëkun herë pas here. Edhe gjakrrjedhja gjatë daljes jashtë e cila gjithashtu është një shenje e kancerit të zorrës së trashë mund të anashkalohet, sepse ngatërrohet me hemorroidet që kanë ekzistuar prej kohësh.

 

Si duhen kuptuar dhimbjet

Veç kësaj, diagnoza mund të vështirësohet nga ndryshimet e lidhura me moshën në pamjen klinike të një sëmundjeje të dhënë. Për shembull, dhimbja zakonisht na detyron ne që të kërkojmë ndihmë mjekësore. Në rastin e sëmundjes së zemrës së quajtur ‘angina pectoris’, një dhimbje shtrënguese në gjoks është shenjë e rëndësishme paralajmëruese e një infarkti të miokardit. Kjo dhimbje na thotë ne dhe mjekut se diçka nuk shkon mirë. Tek të moshuarit dhimbja e ‘angina pectoris’ mund të mungoje. Afërsisht një e pesta e personave të moshuar nuk ndjejnë dhimbje kur ndodh një infarkt miokardi. Edhe kur dhimbja e shoqëron një çrregullim ajo mund të jetë më pak e fortë. Tek disa persona të cilët janë konfuzë nga ana mendore dhimbja mund të harrohet lehtësisht. Apo ndodh që shumë persona e konsiderojnë dhimbjen si një fenomen të zakonshëm të moshës së shkuar dhe e anashkalojnë atë. Nuk duhet harruar se dhimbja nuk është një shoqëruese normale e moshës së shkuar dhe nuk duhet injoruar asnjëherë.

 

Prirjet e sëmundjeve kronike

Zgjatja e jetës së shëndetshme kushtëzohet nga një numër problemesh shëndetësore kronike, risku i të cilave bëhet gjithmonë e më i madh me rritjen e moshës. Ndikimi i secilit prej tyre varion në lidhje me përkufizimin e invaliditetit por në përgjithësi ato renditen si në vijim” sëmundjet kardiovaskulare si sëmundja koronare e zemrës dhe hemorragjia cerebrale, sëmundjet muskuloskeletike, si: artriti dhe osteoporoza të cilat shpien në fraktura, çrregullimet neurologjike, si humbja e memories dhe demencat, çrregullimet neuropsikiatrike, si depresioni, kanceret ku përfshihen ata të mushkërive, të gjirit, të prostatës, si dhe çrregullime të tjera, siç janë humbja e shikimit nga kataraktet, degjenerimi makular dhe glaukoma, apo dhe rënia e flokëve. Reduktimi ose shtyrja në kohë e këtyre çrregullimeve jo vetëm që mund të çojë në një ulje të vdekjeve të parakohshme dhe rritje të jetëgjatësisë, por, dhe çka është më e rëndësishme, mund gjithashtu të zvogëlojë periudhën e sëmundshmërisë (shëndetit të keq) kështu që të moshuarit mund të ngelen të shëndetshëm deri afër vdekjes.

 

Problemet që shfaqen në shëndetin mendor

Problemet mendore dhe ato emocionale përbëjnë një shqetësim për shumë të moshuar. Depresioni ndodh shpesh si rezultat i vdekjes së bashkeshortit/es apo e miqve të ngushtë. Vec kësaj lloj humbje dhe akoma më e rëndësishme dhe më e shpeshtë është humbja e respektit të të tjerëve. Me daljen në pension një individ nuk ndihet më i dobishëm për familjen e tij, për shoqërinë dhe akoma më tepër për veten e tij. Të tilla situata që mund të rezultojnë në depresion, bëjnë që shumë të moshuar të tërhiqen nga jeta sociale, të mos jenë produktivë dhe të mos përpiqen për të realizuar diçka. Personat e moshuar kanë shumë gjasa që nga problemet e tyre fizike të kalojnë në çrregullime mendore. Për shembull arteriet e ngushtuara dhe të sklerozuara duke e furnizuar keq trurin me gjak, mund të prodhojnë çrregullime të orientimit, deficite në kujtesë, ndryshime të humorit dhe dëmtim të funksioneve intelektuale. Po ashtu efektet anësore të disa barnave që përdoren për një kohë të gjatë për të kontrolluar sëmundjet kronike mund të konsistojnë në marrje mendsh, agjitim apo konfuzion. Shëndeti i keq i vazhdueshëm mund të shoqërohet gjithashtu me depresion mendor. Për fat të keq, konfuzioni mendor dhe seniliteti (konfuzion mendor) shume shpesh konsiderohen si shoqërues normalë të moshës së tretë dhe nuk u vihet rëndësi nga mjeku për të kërkuar shkakun e vërtetë të tyre.

 

Sëmundjet e pashërueshme të trurit

Pa dyshim që ka persona të moshuar tek të cilët furnizimi i mangët me gjak i trurit si pasojë e arterosklerozës cerebrale shkakton sëmundje të pashërueshme të trurit. Kjo mund të ndodhë tek pothuaj gjysma e çrregullimeve mendore në moshën e tretë. Seniliteti nënkupton konfuzionin mendor ose paaftësinë për të mbajtur mend dhe për fat të keq ende përdoret si referencë e moshës së tretë. Dy karakteristika baze janë në thelbin e tij; deliriumi dhe demenca. Nëse deliriumi (që karakterizohet nga simptomat e disorientimit) haset në persona të të gjitha moshave, demenca vihet re sidomos tek të moshuarit. Rreth 10 për qind e personave të moshës së tretë janë të prekur nga ky problem.

Demenca më e shpeshtë e hasur në të moshuarit është sëmundja e Alcajmerit. Të dhënat nga Shqipëria për këtë sëmundje janë të pjesshme edhe për arsye të tabuve që ekzistojnë ende. Kjo është një sëmundje kronike që përfundon në invaliditet të rëndë mendor dhe fizik. Për fat të keq, deri me tash nuk ka një metodë parandalimi, trajtimi apo kurimi. Bile edhe për shkaqet nuk mund të thuhet ndonjë gjë e saktë. Shenjat e para të një individi me Alcajmer janë të lidhura me rënien e kujtesës. Personi fillon të harrojë vendin ku ka lënë çelësat e shtëpisë apo emrin e të njohurve. Zakonisht këto shenja të para kalojnë pa u vene re, për arsye se gjithkush mund të ketë situata të tilla për arsye të ndryshme. Me përparimin e sëmundjes këto simptoma bëhen më të shpeshta dhe më të rënda. Fillojnë vështirësitë në orientimin në kohë dhe hapësirë si dhe ndryshimet në personalitet dhe sjellje.

 

Paraqitjet atipike të sëmundjes

Shpesh të moshuarit e kanë të vështirë të paraqesin në mënyrë të qartë problemet e tyre dhe nuk mund të nxiten që të shpejtojnë. Është e nevojshme të gjendet koha e nevojshme gjithsesi sepse historia e sëmundjes ka rëndësi të veçantë për diagnozën e një të moshuari. Sëmundja paraqitet në forma të alternuara për një sërë arsyesh, kryesisht të lidhura me ndryshimet përkatëse fiziologjike që kemi përmendur më lart.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


Nje koment


  1.  
    Luli

    Zonja Kola,
    E vleresoj shkrimin tuaj eshte teper domethenes …. informacioni juaj eshte vertete i rendesishem per popullin….. por ne te vertete njerezit ne Shqiperi ende nuk kane ate kulture te vete-kujdesies shendetesore duke e lene vehten deri ne ate shkalle sa perfundojne tek mjeku ….
    Une jetoj larg dhe si farmacist nga profesioni jame i informuar ne fushen e Nutraceutical apo Holistic ….
    Te gezosh shendet kjo varet gjeresisht nga te ushqyerit dhe menyren e te jetuarit, megjithese disa njerezit mendojne apo pretendojne se mbajne diete apo kane nje stil-jete te mire ata ne fakt jane deficit ne “essecial nutrients” prandaj ose duhet te hane cdo dite “ekstremisht ushqim te shendetshem” ose duhet te marin “suplemente’ qe ketu me shume se gjysma e popullates i perdorin gjeresisht ato …
    Duke ju falenderuar per mirekuptimin, dhe nese jeni e interesuar sic une jam mund te kontaktoni. E-mail bmskenduli@hotmail.com

    Canada





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)


Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter