e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Provimi i letërsisë, gabimet që ju penalizojnë

0
Pranvera Kola
Postuar më: 15 Maj, 2013 tek Aktualitet
matura-shtetrore

Ethet e provimeve të maturës kanë përfshirë mijëra maturantë në të gjithë vendin. Java e ardhshme shënon nisjen e përgatitjeve finale për provimin e parë të detyruar të maturës 2013, që do të zhvillohet në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe më datën 31 maj.

Mbi 42 mijë është numri i maturantëve të regjistruar për të marrë pjesë në maturën e këtij vit. Megjithatë, shifra e plotë do të bëhet publike nga ekspertët e AKP-së pas verifikimit të të dhënave mbi plotësimet formularëve A1Z të bërë nga maturantët e vjetër, si dhe maturantët emigrantë që aktualisht janë në proces të plotësimit të këtij formulari. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se është hartuar tashmë fondi i përgjithshëm i pyetjeve, nga ku do të përzgjidhen në fshehtësi të plotë (nën masa të rrepta sigurie të kamerave dhe punonjësve të policisë) 25 pyetjet finale që do jenë në tezën e provimit.

Më datën 25 maj në ambientet e AKP-së do të ngujohet grupi i ekspertëve të lëndës së letërsisë dhe gjuhës, të cilët në izolim të plotë për një javë rresht do të përgatisin testet e provimit. Ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit kanë detajuar skemën e pyetjeve që do të përmbajë testi së bashku me temat përgatitore që nxënësi duhet të përvetësojnë për të siguruar kështu të drejtën e vijimit të garës për pranimet në universitetet publike, si dhe mbarimin e shkollës së mesme me sukses.

Teza e provimit edhe për këtë vit do të ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Rreth 60 për qind e pyetjeve të testit i përkasin lëndës së letërsisë, ndërsa pjesa tjetër rreth gjuhës. Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë.

Struktura e pyetjeve do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira të tre nivelet e vështirësisë. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Specialistët shtojnë më tej se maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që gjatë periudhës përgatitore dhe të mos mbështeten vetëm në perceptimin e fragmentit të tekstit, pasi testi do të përmbajë edhe pyetje rreth tërësisë së veprës së autorit përkatës.

 

Si duhet punuar me tekstet e përzgjedhura

Ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije se gjatë vlerësimit të testeve në vitet e shkuara kanë vërejtur se gabimet më të shpeshta që penalizojnë maturantët vijnë pikërisht nga mosleximi i duhur i veprave të përzgjedhura. Këto gabime kanë të bëjnë me mosleximin e plotë të veprës letrare, çka bën që edhe përgjigjet e dhëna nga maturanti në test, të mos jenë në nivelin e duhur.

Një tjetër problematike e konstatuar është edhe puna me një fragment që shihet dhe si objekt. Kështu, fragmenti i zgjedhur për testin është një pjesë e shkëputur nga trupi i veprës së plotë, çka do të thotë se testi do të ketë pyetje edhe rreth veprës së plotë, dhe jo vetëm në fragmentin e përzgjedhur.

Në këto kushte nxënësit duhet të bëjnë kujdes që të mos dalin nga natyra e përgjigjes së kërkuar pasi në këtë formë humbasin pikë në rezultatin e përgjithshëm të provimit. Burimet zyrtare pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se maturantët do të mbyllin procesin mësimor gjatë javës së ardhshme për t’iu nënshtruar më pas javës përgatitore për provimin e parë të detyruar.

Përgjatë gjithë javës përgatitore mësuesit e letërsisë do të zhvillojnë konsultime për të orientuar maturantët në lidhje me paqartësitë ose mbi mangësitë që kanë për këtë provim.

 

 Ja si do të jetë testimi i parë i maturës

•Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë. Struktura e pyetjeve do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira të tria nivelet e vështirësisë.

•Struktura e testit do të jetë: pjesa e parë, tekst joletrar që do të ketë 40 për qind të pyetjeve, që kryesisht do t’i takojnë gjuhës shqipe, ndërsa dy pjesët e tjera të teksteve letrare që do të kenë secila nga 30 për qind të pyetjeve, do të jenë rreth fragmenteve të autorëve të përzgjedhur.

•Teza e provimi do të përmbajë 25 pyetje. 13 pyetjet e para janë me zgjedhje, ku do të rrethohet vetëm shkronja përbri përgjigjes së saktë. Pyetjet e tjera kanë kërkesa që janë me zgjidhje dhe arsyetim. Pranë secilës pyetje ka hapësirë për të bërë veprimet e nevojshme. Koha e vënë në dispozicion të maturantëve për zhvillimin e testit është 2 orë e 30 minuta.

 

Testimet paraprake për dijet e fituara nga maturantët

Në të gjitha shkollat e mesme të Tiranës, si dhe të rretheve po zhvillohen testime paraprake në dy lëndët që do të jepen si provime të detyruara të maturës. Kjo me qëllim që të rishihet niveli i njohurive që maturantët kanë fituar gjatë tre viteve të studimit të shkollës së mesme. Në varësi të rezultateve të këtyre testimeve do të zhvillohen edhe konsultimet përkatëse mbi temat ku maturantët shfaqin mungesa në njohuri.

Sipas Drejtorisë Arsimore të Tiranës, si ambiente për zhvillimin e provimeve të maturës janë përzgjedhur 21 mjedise të ndryshme shkollash shtetërore, gjimnaze dhe shkolla profesionale, ku çdo shkollë duhet të ketë një numër nxënësish jo më të madh 150. Provimet e këtij viti do të shoqërohen me masa të rrepta sigurie për të shmangur kopjet nëpërmjet teknologjisë së komunikimit.

Për herë të parë do të vendosen zhurmues në të gjitha ambientet ku do të zhvillohen provimet për të bllokuar çdo sinjal të telefonisë celularë. Rezultatet e  provimeve të maturës janë vendimtare, pasi maturantët mund të konkurrojnë për pranimet e reja në shkollat e larta publike vetëm pasi të kenë marrë nota kaluese në të katër provimet e maturës (dy provimet me zgjedhje dhe dy të detyruarat).

 

Formula e llogaritjes së pikëve për të studiuar në fakultetet publike

Shënojmë me M, Di, D2, Zi dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe në ato me zgjedhje.

Shënojmë me K koeficientin e shkollës të përcaktuar nga universitetet publike.

Shënojmë me F1, F2 koeficientet e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara nga universitetet publike.

Llogaritja e shumës S të pikëve të maturantit/kandidatit bëhet sipas formulës:

S = [ (M + Di +D2) x K + (Z1 x F2+ Z2 x F2) ] x 100

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)