e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

“Pushtetarët në ikje po djegin edhe pyjet”

3
Interviste
Postuar më: 31 Korrik, 2013 tek Lajme Flash
sergei peshtani

Nëse në një takim me gazetarin Peter Lukas, ish-kryeministri Berisha ishte shprehur rreth 18 vjet më parë “pas meje, u bëftë kiameti”, këtë gjë është duke e bërë realitet tanimë që ka humbur zgjedhjet në mënyrë të thellë. Në gjithë vendin shikon vatra zjarri të cilat vihen në mënyrë të qëllimshme herë për të prodhuar qymyr dhe herë për të fshehur shfrytëzimin pa kriter nga firma që kanë licenca për shfrytëzimin e pyjeve. Situatë alarmante është në zonën e Kolonjës ku, përveç shfrytëzimeve pa kriter, nuk kanë të ndalur as zjarret të cilat ndodhin në ato vende ku janë të instaluara firmat, të cilat janë të lidhura me pushtetin në ikje. Denoncimi vjen nga kryetari i PS-së për Leskovikun, zoti Sergei Peshtani, i cili në një intervistë për “DITA” ngre shqetësimin e vënies së zjarreve në mënyrë të qëllimshme dhe kërkon dhënien fund të klientelizmit në shfrytëzimin e pasurive natyrore.

 

Zoti Peshtani, çfarë është duke ndodhur me pyjet në zonën e Leskovikut?

Pyjet në këtë zonë janë shfrytëzuar pa kriter, sepse ka munguar kontrolli si rezultat i vënies në krye të drejtorisë pyjore të militantëve partiakë të cilat në një formë apo në një tjetër krijojnë lidhjet e tyre vetjake, duke e kthyer në një biznes shumë fitimprurës bashkëpunimin e drejtuesve me firmat e përkëdhelura të tyre.

 

Kush janë personat që shfrytëzojnë pyjet?

Këtë aktivitet e kam zhvilluar edhe unë për afro 12 vjet, por të gjitha parametrat e pyllit janë ruajtur në mënyrë shumë strikte, jo vetëm nga kontrolli i institucioneve, por dhe nga ndërgjegja ime për këtë vlerë kaq të madhe. Ne kemi hequr ata drurë që duhen hequr duke mbajtur konfigurim të drejtë të pyllit. Firmat që operojnë sot aty janë thjesht firma që janë afër pushtetit që po ikën. Një ndër to është firma shfrytëzuese e kryetarit të Partisë Demokratike të rrethit të Kolonjës. Edhe po të shikosh sheshet e grumbullit të materialit drusor, që ata kanë shfrytëzuar, duket se çfarë abuzimi i madh është bërë. Duke i krahasuar kontratat e shfrytëzimit dhe gjendjen që ka sot gjendja e pyjeve del një suficit i madh dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë.

 

Pse i është vënë zjarri pyllit?

Kur shfrytëzojnë pyllin këto firma që përkëdhelen nga pushteti është bërë si traditë dhe një psikologji që po vajtën ata që shfrytëzojnë, më pas do t’i vihet zjarri. Unë dua të theksoj edhe për lexuesit tuaj se kur ka rënë një zjarr shumë i madh. T’u them të drejtën edhe unë që nuk kisha lidhje me institucionin që merret me pyjet kam bërë të pamundurën duke u lidhur edhe me shtetin grek me komandantin e zjarrfikësve që nuk kursyen asgjë duke vënë në dispozicion dy helikopterë dhe 6 makina zjarrfikëse. Me zjarret që u ndodhin këtyre firmave të pushtetit, përfaqësuesit e firmave jo vetëm që nuk kontribuojnë në shuarjen e zjarrit, por përkundrazi vazhdojnë punën normalisht sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po të jesh në aksin rrugor të Ersekës mund të shikosh në këto momente 11 kamiona të ngarkuar me lëndë drusore dhe askush nuk angazhohet për izolimin e zjarrit.

 

A ka ndonjë kallëzim në organet e hetimit për këto masakra që janë bërë me pyjet?

Nëse do të isha në vendin e atyre që administrojnë sot pyjet që marrin rrogën për këtë punë, puna e parë do të shikoja shkakun, arsyen dhe do të çoja para drejtësinë njerëzit që i vë zjarrin pyjeve. Duhet theksuar se zjarri nuk mund të ndizet vetë por vetëm nga shkrepsja dhe dora e njeriut. Prokuroria asnjëherë nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë punë. Në këto pyje ka dhe firma të tjera që punojnë të cilat nuk janë të lidhura me pushtetin. Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: pse zjarri bie vetëm ku janë të instaluara firmat e përkëdhelura nga pushteti dhe jo në zona të tjera?

 

Çfarë prisni nga qeveria e re me problemin që ngritët?

Nga qeveria e re presim një ndryshim rrënjësor. Në fillim pres atë që lidhet me disiplinimin e shfrytëzimit të pyjeve. Pyjet janë një pasuri që duhet shfrytëzuar, por në bazë të ligjeve. Duhet të kemi rreptësi të ligjit për të mos lejuar zjarret. Përveç kësaj edhe kontrolli duhet forcuar. Ne jemi angazhuar që të vendosim dhe roje për të parë nëse ka vatra zjarri, por janë të pamjaftueshme dhe duhet patjetër dora e shtetit. Nuk ka pse të mos shfrytëzohen pyjet sepse janë pasuri që hyn në punë, por duhet ndjekur parimi për një pemë të prerë duhen dy pemë të mbjella.

 

 

 

 

Leskoviku, qyteti i harruar nën qeverisjen e PD

 

Nga Sergei Peshtani

 

Nën sundimin e  Sali Berishës, Leskoviku u zhyt akoma më tepër në hullitë e harresës dhe mungesës së vëmendjes prej pushtetit. Kjo harresë dhe mungesë vëmendje konsiston:

 

1. Rritjen drastike të papunësisë, kjo jo vetëm si një fenomen i përgjithshëm, por e ilustruar me shifra konsiston jo vetëm në rritjen e numrit të të rinjve të papunë, por edhe në dyfishimin apo trefishimin e listës së familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Nga 62 që ishte në vitin 2005, sot ka arritur në 154, ose e thënë  ndryshe 450 votues. Ajo që vlen të përmendet dhe që tregon fytyrën e vërtetë të regjimit të Saliut kryeministër dhe salinjve kryetarë vendorë është se kjo listë është shëndërruar në një mjet të fortë presioni, sidomos gjatë fushatave elektorale. Këtë e vërteton fakti se vetëm në muajin Maj, kësaj liste iu shtuan edhe 24 familje të tjera. Ka shumë familje që vërtet e meritojnë këtë ndihmë, por nuk u jepet për faktin se dihen bindjet e tyre, të cilat janë të kundërta me kryetarin aktual të Bashkisë Leskovik, i cili “bashkëqeveris” në mënyrën më ekstreme të nepotizmit me kushëririn e parë-kryetar të Këshillit të Bashkisë dhe me kushëririn e parë të këtij kryetari-shef finance!

 

2. Mungesa e investimeve në bujqësi e sidomos në vreshtari, ka bërë që nga rreth 700 ha tokë e ndarë sipas Ligjit 7501, të punohen e të mbillen vetëm afërsisht 75 ha, 90% të së cilës e zenë vreshtat. Pra nga rreth 540 familje që u trajtuan me tokë bujqësore, vetëm 80 deri në 100 familje merren me bujqësi, kurse të tjerët, për shkak të kostos së lartë por edhe kondicionit pedologjik, teknologjik e agrokimik të tokës, e cila konsiston në pamundësinë për të nxjerrë fitim, e kanë braktisur tokën, duke iu bashkangjitur armatës të të papunëve. Kjo ndodh sepse pavarësisht se këto familje paguajnë tatim dhe taksë për tokën, pjesa më e madhe e të cilës i kalon pushtetit vendor,deri më sot, asnjë lek prej tyre nuk është shpenzuar në ndihmë të sektorit të bujqësisë dhe fermerëve!

 

3. E njëjta situatë në blegtori, ku edhe ato pak subvencione qesharake që janë dhënë, janë ndarë sipas ngjyrimeve politike. Shikoni paradoksin: Shkarkohet nga puna, apo hiqet nga struktura administrative në pushtetin vendor veterineri dhe hapet një vend pune për punonjës për marrëdhëniet me publikun, apo polic kushedi për çfarë, pa përmendur këtu mungesën e vaksinave, kontrollin e therjeve, të përmbajtjeve të lëndëve të huaja apo toksike të produkteve, etj.

 

4. Niveli shumë i ulët i mësim-dhënies, në të gjitha nivelet, që nga ai parashkollor deri në arsimin e mesëm, si rezultat i kompozimit të stafit mësimdhënës me mësues e mësuese të reja,të cilat akoma nuk kanë marrë apo mbrojtur diplomat dhe duke hequr nga shkolla arsimtarë me përvojë mbi 20 vjeçare, vetëm e vetëm për shkak bindjesh apo simpatish e përkatësish politike. Vetëm në vitin 2011 u kryen 6 largime të tilla!

 

5. Dështimin e reformës që ka bërë qeveria e PD në shëndetësi, Leskoviku dhe zona për rreth e ndien dhe e vuan në mënyrën më të keqe të mundëshme. Reduktimi i personelit mjeko – shëndetësor, shndërimi i spitalit në një miniqendër shëndetësore, reduktimi i investimeve, mungesa e medikamenteve më elementarë të urgjencës apo heqja e autoambulancës, e cila për raste urgjente duhet të niset nga Erseka, jo vetëm e përkeqësojnë, por edhe e rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve.

 

6. Heqja e Postës së Policisë, ka bërë jo vetëm që rendi dhe qetësia të ndihen të cunguara, por mos kontrolli i gjithë territorit nga ana e forcave të policisë ka bërë të mundur rritjen e rasteve të dhunimit të qytetarëve dhe sidomos rritjen e rasteve të dhunimit e vjedhjes së pronës private. Vidhen shtëpitë e emigrantëve, vidhen bagëti të imta e të trasha, vidhen edhe kafshë samari dhe identifikimi e kapja e autorëve është zero!

 

7. Shkatërimi i ambientit, është një tjetër tregues i abuzimit me pushtetin të drejtuesve të institucioneve përkatës, përfaqësues të partisë në pushtet. Janë masakruar me lejen e drejtorit të Drejtorisë të Shërbimit Pyjor, zona të tëra të mbrojtura për zhvillimin e turizmit, si “Hija e Bredhit” në Sotirë, “Kroi i Arapit” në Shelegurë, etj., për të cilat jo vetëm janë vënë në dijeni kryeministri dhe ministrat përkatës, por edhe organi i Prokurorisë, nuk tentoi të merrej aspak me këtë shkelje dhe nqse shtojmë këtu se në zonën turistike të Gërmenjit dhe Arzës u dogjën dhe u përshkuan nga zjarri mbi 2000 ha pyll pishe e bredhi në vitin 2008, teritor në të cilin zhvillonin aktivitet shfrytëzues disa firma shfrytëzuese, nuk u ndalua apo penalizua kush, del ashiqare papërgjegjshmëria e kësaj qeverie qëndrore e lokale në lidhje me ambientin. Edhe këtu del përsëri fare “rastësisht” emri i kryetarit të PD të rrethit Kolonjë, cili në këtë zonë ishte përfaqësuesi ligjor i subjektit më të madh shfrytëzues!

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


3 Komente


  1.  
    Santana

    Kolonja beri Shqiperine te tjeret e prishen..!Sot po prishin edhe Kolonjen , po nuk kane vdekur akoma kolonjaret , jane gjalle , ne Shqiperi e neper bote dhe nuk do te lejojne me qe te digjet e shkaterohet ai vend…!




  2.  
    Gramoz

    te liqte kane mare ne dore kolonjen e njerezve me te shquar te kombit ,,eshte per te vene duart ne koke kur degjon kryetari i partise antidemokratike ,sillet si padrino ..nuk di kush eshte por me keto qe po ben duhet te ktheje shtetit dhe te denohet maksimalisht ali po ti c ben o mik pse i lejon keto ti je bure trim ,,,tani ke gurin dhe aren ne dore bjeri keti moro kushdo qe te jete dhe fute ne fund te dheut se na i kane sjelle shpirtin ne maje te hundes ,,keta idiote santana mesa shoh ne jemi te dy nga ky vend eshte krenari te jesh kolonjar ,,,vendi fan nolit konices petros se luarasit papa k negovanit te dh qiriazit poetit tone qe kure nuk kemi ditur se ka qene kaq i madh ,,sepse ne kolonjen tone ka sunduar i ligu dhe njerezit medioker …ku jane burat dhe patriotet e butkes te prodanit te starjes te leskovikut ,e kane bere emer ne historine e kolonjes tone heroike ..po tani ka rene ne duart e sharlataneve qe keta prvec paras nuk njohin asgje tjeter ,,keta njeres te tille ja kane ulur nderin dhe dinjitetin kolonjes tone ..po nje dite e drejta do fitoje dhe kolonja do ta fitoje nderin dhe dinjitetin qe ka pasur ne shekuj kure mos vdeksh kolonja ime e dashur .aty do prehen kockat e mija dhe kurrre nuk do gjej paqe deri sa te kthehem aty ku kam varet e te pareve te mi …te dua marezisht kolonja ime e nuk te krahasoj me asnje vend te shqiperise time qofsh e bekuar zonje e nderuar




  3.  
    Santana

    Ri i qete or miku im kolonjer se te siguroj qe mjere ata qe jan tallur ne Kolonje, qe kane prere pyet sikur ti kene prone te tyret Kolonja eshte vend i shenjt ne shekuj dhe lumin Osum e ka te shenjte or njerez te pa ditur e injorante e te babzitur, edhe ujin e pishem e ka te shenjte e te pa prekshem…mjere ju o te Zinj qe keni vene dore ne ato toka te shenjta …!MJERE JU!





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)


Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter