e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Shtresat në nevojë, 10 dokumentet që kushtëzojnë librezën e shëndetit

0
Pranvera Kola
Postuar më: 2 Korrik, 2013 tek Aktualitet
spital-gripi

Për vite me radhë kategoritë në nevojë janë vënë përballë situatave të vështira sa i takon marrjes së shërbimeve mjekësore në poliklinikat e lagjeve, si dhe në rrjetin spitalor. Në mungesë të librezës shëndetësore shumë prej familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, studentët, pensionistët, invalidët apo dhe shtresa të tjera të klasifikuara si “kategori në nevojë”, janë detyruar të paguajnë kostot reale për çdo vizitë apo shërbim të marrë në strukturat e shëndetit publik.

Ndërkohë që ligji i sigurimeve shëndetësore u njeh të drejtën këtyre shtresave që përmes dokumenteve përkatëse që vërtetojnë statusin e tyre të mund të pajisen me librezën shëndetësore.

Dokument ky, që i përjashton ata nga detyrimi i pagesave për çdo shërbim mjekësor që duhet të marrin si në poliklinika ashtu edhe në spitale. Burimet zyrtare pranë Fondit të Sigurimeve bëjnë me dije se në ligjin e ri detajohet se, këto shtresa përmes dokumenteve përkatëse mund të sigurojnë kujdesin e specializuar mjekësor, pa u përballur me kostot reale të shërbimit.

Në këto kushte përveç personave ekonomikisht aktivë që sigurohen, sigurimi i detyrueshëm shëndetësor mbulon gjithashtu edhe kategoritë në nevojë, si pensionistet, invalidët, veteranët, personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, të papunët, gratë shtatzëna, shtetasit e huaj azilkërkues, fëmijët nën moshën 18 vjeç, nxënësit e studentët nën moshën 25 vjeç, si dhe kategori personash që përcaktohen me ligje të veçanta.

Për të gjitha këto kategori hapja e librezës për të marrë shërbimet në poliklinika e spitale bëhet duke depozituar dokumentin përkatës, të cilin e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Pjesa e kontributeve shëndetësore për këto shtresa mbulohen nga shteti. Kështu, nëpërmjet librezës së shëndetit këto shtresa përfitojnë shërbim shëndetësor pa pagesë, mjafton që çdo kush të marrë dokumentet përkatëse për statusin të cilit i përket (libreza e pensionit për pensionistët, vërtetimi i papunësisë për personat e papunë etj) dhe mund të tërheqin librezën e shëndetit nga zyrat e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Nëpërmjet librezës shëndetësore këto kategori sigurojnë shërbimin shëndetësor falas te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes, kujdesin tek mjeku specialist, vizitat falas në shtëpi, poliklinikë dhe spital, ekzaminimet laboratorike dhe radiologjike, ekzaminimet e shtrenjta duke paguar vetëm 10 për qind të kostos totale.

Këto kategori përfitojnë edhe barnat e rimbursimit sipas përcaktimeve të detajuara. Barnat e listës së rimbursuar shkojnë edhe për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët, për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Përfitimi me rimbursim në masën 100 për qind i këtyre barnave shkon edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemisë major. Ndërsa për pjesën tjetër barnat do jepen me rimbursim të pjesshëm, por jo më pak se 50 për qind të çmimit. Nga ana tjetër ligji i ri përcakton se do të kontraktohen nga Fondi edhe spitalet private apo shërbime të caktuara të këtyre spitaleve, për popullatën që do të zgjedhë shërbimet e tyre. Por kontratat me spitalet private do të lidhen vetëm pasi këto të fundit të kenë përfituar statusin e akreditimit, nëpërmjet të cilit vlerësohet cilësia e shërbimeve që ofrojnë për pacientin.

 

Dokumentet që duhen për secilën kategori

Pensionistët                                                       Me librezën e pensionit

Veteranët                                                             Librezën përkatëse

Fëmijët                                                                Certifikatë familjare

Nxënës, student                                              Certifikatë, vërtetim të vazhdimit të shkollimit

Të papunët, punëkërkues                           Kartonin nga zyra e punësimit

Përfituesit e ndihmës ekonomike            Vërtetim nga njësitë e pushtetit vendor

Invalidët                                                               Librezën përkatëse

Të sëmurë me tumore                                 Përgjigjen e konsultës që vërteton diagnozën.

Nënat me leje lindje                                       Vërtetim i konsultorit nëna dhe fëmija.

Të paaftët mendorë e fizikë                         Vërtetimin e Komisionit të vlerësimit të paaftësisë

 

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)