e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

EKSKLUZIVE: Tenderi, ish-krenaria e Flotës Luftarake Detare shitet për skrap

1
Kujtim Boriçi
Postuar më: 12 Nëntor, 2012 tek Ekonomi
fld durres 1970

NËNDETËSET

 

Specialistët: 3 nga mjetet ujore do shiten për skrap, nëndetësja ‘105’ do të shndërrohet në relike muzeale të detarisë

 

Fituese e tenderit është firma turke ‘Kurum’ me vlerën 73 milion lekë

 

Nëndetëset e Pasha Limanit, të cilësuar si lavdia e Flotës Luftarake Detare dhe pjesë e rëndësishme e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u shitën për skrap. Nga katër nëndetëse që janë në Bazën e Vlorës, tri do të shiten për skrap, ndërsa një prej tyre, ajo që njihet si ‘Nëndetësja-105’, do të shndërrohet në relike muzeale të detarisë. Burime zyrtare pranë kabinetit të Imamit që për shkaqe të njohura nuk duan të identifikohen pohojnë se ‘pas një verifikimi të grupit të specialistëve, këto dit u zhvillua tenderi për shitjen e tri nëndetëseve për skrap’. Njëkohësisht, në skrap(nëpërmjet të njëjtës procedure tenderimi) do të kthehen dhe 17 katër-silurues.  Nga të njëjtat burime mësohet se fituese e tenderit me vlerën 73 mln lekë, nga dy të tilla pjesmarrëse në konkurim, është firma turke ‘Kurum’, me qendër në Elbasan. Specialistë të Flotës Detare konfirmojnë se nisur nga vlera e shitjes, ‘ky është një skandal i radhës i drejtuesve aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes’. “Është skandal jo vetëm për shkak të procedurave të ndjekura, zvarritjes shumëvjeçare për fatin e nëndetëseve,(në mënyrë që vlera e tyre të bjerë sa më shumë), por dhe për faktin e shitjes së një nëndetësie në vlerën e një makine. Vetëm në vitin 1998, kur u bë përpjekja e parë për shitjen e nëndetëseve, ku të interesuara ishin dy firma të huaja, njëra prej tyre, vetëm si vlerë garancie arkëtoi në bankë shumën 3 milion dollarë”- shtojnë specialistët…

 

TENDERI

Tenderi për shitjen si skrap të 3 nëndetëseve që ndodhen në Bazën Ushtarake Detare të Vlorës, është zhvilluar këto dit në Ministrinë e Mbrojtjes. Burimet zyrtare nga kjo ministri japin dhe detaje për zhvillimin e tenderit, firmat pjesëmarrëse, përcaktimin e firmës fituese, vlera e hekurit për kg (e përgatitur dhe në objekt), shumën e përgjithshme të shitjes etj. “Tenderi për shitjen e nëndetëseve është bërë konform ligjeve në fuqi dhe me urdhër të titullarit Imami. Në bazë të këtij urdhri, tri nga katër nëndetëset ekzistuese, të nxjerra jashtë përdorimit luftarak, iu nënshtruan shitjes për skrap në tenderin e zhvilluar. Ndërsa nëndetësja tjetër, ajo që njihet si ‘Nëndetësja-105’, po me urdhër të veçantë të titullarit të ministrisë, që ndodhet praktikisht në bregun e Bazës Ushtarake, do të kthehet e do të shërbej si relike muzeale. Në tenderin e zhvilluar u paraqitën  dy firma, përkatësisht firma turke ‘Kurum-sh.a’ dhe firma shqiptare ‘Rafaelo-Shpk’. Në përfundim të proçedurave, fituese e tenderit u shpallë firma ‘Kurum…’ me ofertën e përgjithëshme 73 milion lekë. Bashkë me tre nëndetëset e në të njëjtën vlerë të paraqitur nga firma fituese, përfshihen dhe materiale të tjera si predha jashtë përdorimit luftarak, pajisje të ndryshme luftarake, etj… Njëkohësisht, në skrap e në të njëjtin tender, janë përfshirë (do shiten për skrap) dhe 17 katër silurues që ndodhen, një pjesë në Bishtin e Pallës në Durrës dhe një pjesë në Bazën Detare të Shëngjinit në Lezhë”-shtojnë burimet në ministrinë e Mbrojtjes.

 

SPECIALISTËT

Para tenderit, me urdhër të titullarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, u ngrit një grup specialistësh për të parë situatën e objekteve në vend (nëndetëseve, katër silureusve, pajisjeve e municionit) e për të përcaktuar vlerën për një kilogram skrap. Burimet e konfirmuara shtojnë se ekipi i specialistëve u porosit të vepronte shpejt, për ti hapur rrugë sa më shpejt procedurave të tenderit të shitjes së nëndetëseve për skrap. “Në grupin e specialistëve që panë e verifikuan objektet në vend e përcaktuan vlerën e shitjes për 1 kg hekur, përbëhej nga tre vetë, përkatësisht një jurist i Ministrisë së Mbrojtjes, një ekonomist dhe një specialist i detarisë. Përfundimi i detyrës nga ana e tyre u bë një muaj më parë”- shtojnë burimet e mësipërme. Nga të njëjtat burime mësohet se në përcaktimin e vlerës për një kilogram, u konsiderua gjendja e nëndetëseve dhe pozicioni(nën e mbi ujë), katër silurave e mjeteve të tjera që do shiteshin për skrap. Në përfundim, specialistët vendosën që vlera e një kilogram të materialit nën ujë të ishte 34 lekë, ndërsa skrapi nën ujë, 18 lekë për kg. Mësohet se e gjithë sasia e skrapit të 3 nëndetëseve, silurave e objekteve të tjera, është për afërsisht 1400 ton.

 

SKANDALI

Për specialistët, shitja e nëndetësjeve, që nga lënia për gati 2 dekada në mëshirën e fatit, shkatërrimi i pajisjeve të kushtueshme, dështimi i disa tenderave gjatë kësaj kohe e deri tek vlera reale e shitjes së ditëve të fundit për skrap, është një skandal që minimalisht, ka sjellë humbje të konsiderueshme financiare. “Është skandal që një nëndetëse të shitet sot pothuaj në vlerën e një makine të mirë, ndërkohë që vlera reale, qoftë dhe në formën e skrapit është shumë herë më e lartë. Nëndetëset janë mjete ujore shumë të sofistikuara e me pajisje të kushtueshme. Një pjesë e tyre e konsiderueshme është çelik special. E të shesësh një kilogram çelit special 18 apo 34 lekë kilogrami, është abuzim i pastër. Unë nuk di se kush qëndron prapa kësaj shitje, por di mirë se me praktikën që është ndjekur, i kanë shkuar dëm shtetit miliona lekë. Të mos harrojmë se material të cilësisë së lartë e të lakmueshme në treg kanë dhe silurat, pa bërë fjalë për skrapin e municioneve detare(aktualisht dy fusha ‘magazina’ të tilla, një në Pasha Liman e tjetra Bishtin e Pallës). I kanë lënë enkas të shkatërrohen, me qëllim abuzimin që realizuan tani”- pohon mes të tjerave Myfit Qorduka, ish-drejtues nëndetësje. Njëkohësisht, për specialistët, ‘vlera 73 mln e shitjes për skrap të nëndetëseve, është e pa përfillshme në krahasim me vlerën 3 milion dollarë që arkëtoi vetëm si garanci një firmë e huaj rreth 14 vjet më parë, në një nga tenderat e dështuar të Ministrisë së Mbrojtjes”.

 

TENDERI I DËSHTUAR

Tentativa e parë për shitjen e nëndetëseve për skrap, i takon vitit 1998. Konkurrentë në këtë tender ishin dy firma të huaja, përkatësisht një egjiptiane dhe një indiane. Një nga personat në dijeni të këtij tenderi, ushtaraku specialist A.J., rrëfen për gazetën: “Ishte viti 1998, një vit tepër i vështirë  pas trazirave të marsit 1997 që krahas shkatërrimit të shtetit, vit që solli dhe  boshatisjen e depove nga armët dhe municionet luftarake. Ndërsa nëndetëset luftarake në Bazën Detare të Pashalimanit, nuk mund të vidheshin apo të shiteshin, ndonëse ishin në mëshirën e fatit. Dihet që në kohën e përplasjes me rusët në vitin 1961, nga 12 nëndetëse që ishin në Bazën Detare Luftarake të Pashalimanit, mbetën vetëm 4. Ndërsa 8 nëndetëse, sipas marrëveshjes, në ikje, u morën nga rusët… Prej kohësh, për blerjen e nëndetëseve ishin interesuar dy firma të huaja. Ishte një firmë  indiane dhe një firmë egjiptiane. Unë shoqëroja atë vit një grup të huajsh dhe isha prezent dhe në disa nga përpjekjet e  firmave të mësipërme për të marr pjesë në tenderin për shitjen e nëndetëseve tona luftarake. Do të veçoj një bisedë të gjatë që u bë një natë në një nga lokalet pranë qendrës së Tiranës, pikërisht në katin e nëndheshëm të tij. Kujtoj këtu se në këtë takim ishin dhe disa specialistë të Bankës Botërore që punonin në Shqipëri. Merrnin pjesë në këtë takim dhe drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes e deputetë të asaj kohe. Shtoj gjithashtu se firmat e interesuara për pjesëmarrje në tender, kishin derdhur në arkën e Ministrisë dhe shumat ligjore, përkatësisht 3 milion dollarë. Pra, siç u tha  në bisedë e sipër, firmat kishin respektuar të gjitha  ligjet e shtetit tonë si dhe pritej vetëm zhvillimi i tenderit ku do të përcaktohej fituesi. Pra kishte kaluar kohë dhe  kur të gjithë pjesëmarrësit në atë darkë para tenderit po bëheshin gati, ndodh diçka e papritur. Dikush(funksionar në ministri) solli një lajm se tenderi nuk do të zhvillohej pasi ishte dhe një firmë tjetër anonime që kishte shprehur interesin  të merrte pjesë. Thanë se urdhri kishte ardhur nga lart, por nuk u mor vesh se kush ishte personi konkret që jepte këtë urdhër. U krijua një situatë tensioni. Ikën të gjithë, pra dhe të interesuarit për pjesëmarrjen në tenderin për shitjen e nëndetëseve e që kishin  para arkëtuar dhe shumat në të holla , siç dhe e kërkonte ligji. Nuk di se çfarë u bë më pas, por tenderi nuk u zhvillua!…”

 

NËNDETSJA-105

Vetëm një nga katër nëndetëset që kishte ushtria, i ka shpëtuar skrapit dhe furrave të shkrirjes së turqve të ‘Kurum’. Bëhet fjalë për nëndetësen që njihet si ‘Nëndetësja-105’, ku është përjetuar e xhiruar në film një ngjarje e detarisë shqiptare, përkatësisht konflikti i ashpër mes ushtarakëve shqiptarë dhe atyre rus në Bazën e Pashalimanit, të cilët donin t’i rrëmbenin të gjitha nëndetëset nga Shqipëria. “Në Vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton shitjen e nëndetëseve për skrap, ashtu dhe në urdhrin e firmosur nga Arben Imami, përcaktohet që një nga nëndetëset, të mos shkatërrohet. Ajo do të qëndroj në mjediset bregdetare të Pasha Limanit, i cili do të përshtatet si muze detar, në mënyrë që brezat që do të vijnë, të njohin armatimin e teknikën e kohë dhe historikun e  nëndetëseve shqiptare”- konfirmojnë burimet zyrtare të ‘Dita’ në Ministrinë e Mbrojtjes. Mësohet gjithashtu se ‘Nëndetësja-105’, ashtu dhe elementë të tjerë që do të jenë pjesë e muzeut detar, janë fryt i përpjekjeve disa vjeçare të arkeologut Neritan Ceka. “Nëndetëses si dhe aksesorët e tjerë, që do të jenë pjesë e muzeut që ngrihet, pasi paijsjet luftarake dhe aksesorë të tjerë, janë pjesë e historisë së detarisë shqiptare, e brezave të ushtarakëve që kanë kaluar jetën e tyre në detyra të ndryshme”- pohon Ceka.

 

SOM 1

“Në përfundim, specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes vendosën që vlera e një kilogram të materialit të nëndetëseve, mbi ujë të ishte 34 lekë, ndërsa skrapi nën ujë, 18 lekë për kg. Mësohet se e gjithë sasia e skrapit të 3 nëndetëseve, silurave e objekteve të tjera, është për afërsisht 1400 ton. Firma ‘Kurum’ i bleu për 73 mln lekë”

 

SOM 2

“Bashkë me 3 nëndetset që u shitën për skrap, përfshihen dhe materiale të tjera si predha jashtë përdorimit, pajisje të ndryshme luftarake, etj… Njëkohësisht, në skrap e në të njëjtin tender, janë përfshirë (do shiten për skrap) dhe 17 katërsilurues që ndodhen, një pjesë në Bishtin e Pallës e një pjesë në Bazën Detare të Shëngjinit”

 

SOM 3

“Në Vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton shitjen e nëndetëseve për skrap, ashtu dhe në urdhrin e firmosur nga Arben Imami, përcaktohet që një nga nëndetëset, të mos shkatërrohet. Ajo do të qëndroj në mjediset bregdetare të Pashalimanit, i cili do të përshtatet si muze detar, në mënyrë që brezat që do të vijnë, të njohin armatimin e teknikën e kohë dhe historikun e nëndetëseve shqiptare

 

HISTORIA E NËNDETËSEVE TË PASHALIMANIT

 

Në organikë të ushtrisë, përkatësisht në Bazën Detare të Pashalimanit në Vlorë, ishin 12 nëndetse të ardhura nga ish-Bashkimi Sovjetik. Nëndetëset erdhën në fillim të viteve ’60-të të shekullit të kaluar, të shoqëruar nga specialistë rus. Njëkohësisht, për drejtimin dhe komandimin e tyre u përgatitën në ish-Bashkimin Sovjetik dhe breza ushtarakësh nga Shqipëria. Gjatë qëndrimit në Pashaliman, nëndetset shqiptare kishin komandë të dyfishtë, ushtarakë rus dhe ushtarakë shqiptarë. Njëkohësisht, edhe efektivat e stërvitjes dhe gatishmërisë, ishin të dubluar. Me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, nisën konfliktet dhe në Bazën Detare të Pashalimanit. Shkak i konfliktit, shpesh deri në prag ndeshje fizike, ishte këmbëngulja e rusëve për të mos lënë nëndetëset në duar të ushtarakëve shqiptarë. Ata këmbëngulnin që në ikje(me prishjen përfundimtare të marrëdhënieve mes dy vendeve) të merrnin 12 nëndetëset nga Baza Ushtarake Detare e Vlorës. Kjo u kundërshtuar deri në vendosmëri konfliktuale nga ushtarakët shqiptarë. Përfundimisht, në ikje, sipas marrëveshjes, rusët morën vetëm 8 nëndetëse. Nëndetëset shqiptare, të  vlerësuara ndër dekada si krenaria e Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë, pas vitit 1990, ashtu si pothuaj pjesa më e madhe e arsenalit luftarak, u braktisën.  Me këtë braktisje, jo vetëm u mbyll një periudhë e  njohur e me gjurmë qëndrese në historinë e ushtrisë shqiptare(përballja me rusët në vitin 1961 kur në ikje nga Pashalimani donin ti merrnin dhe 4 nëndetëset), por po dëmtohej një vlerë monetare e konsiderueshme  e pasurisë  kombëtare.  Veçanërisht pas trazirave të vitit 1997, shkatërrimi i nëndetëseve të ankoruar në  Pashaliman, u bë më evident. Pas neglizhencës së gjatë, ata dolën jashtë funksionit, e së fundi, u shitën me vlerën e një automjeti për skrap.

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


Nje koment


  1.  
    ALBERT M.

    LEXOVA NE INTERNET FATIN E NENDETSEVE TONA, ME VJEN KEQ PER KETO NENDETSE ME HISTORI E TYRE TE MADHE. KAM SHERBYER PER 3 VJET SI KRYEMOTORIST ME DASHURI TE MADHE PER ATO. PYES VETEN TIME: KAQ KOMANDANT KOMISAR, INXHINERA QE KAM SHERBYER ME KETO N/D QE E DIM MIR SE SA PESHON 1 N/D (1045T) PESH. SI KA MUNDSI TE SHITEN FALAS PER NJE COP BUK PA ZVENDESUAR QOFT EDHE ME 2 TE TILLA NGA KUSHTET EKONOMI KE QE JAN SOT. ME KETE VENDIM QE KAN MAR FSHIJN HISTORIN E F.L.D. PER SA I PERKET N/D 105 QE DUAN TA BEJN MUZE JAM DAKORT SEPSE DO TE JETE NJE KUJTIM PER NE QE KEMI SHERBYER TEK KETO N/D.





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)


Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter