e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Tatimi progresiv: Edhe Banka Botërore marksiste?

3
Luan Shahollari
Postuar më: 29 Tetor, 2013 tek Ekonomi
gold (1)

Ellen Goldstein, drejtore për Evropën Juglindore në Bankën Botërore, në prani të drejtorit ekzekutiv të kësaj Banke për Shqipërinë Piero Cipollone, në konferencën për shtyp në Tiranë më 22 tetor 2013, pyetjes së një gazetari, iu përgjigj: “Kemi theksuar disa ide që janë të rëndësishme për qeverinë. E para: mund të rrisësh taksat për dikë, por duhet t’i ulësh për dikë tjetër. E dyta: mund të rritet progresiviteti i taksave, me qëllim që ata që kanë më shumë parà të paguajnë taksa më shumë. E treta: të ulet evazioni fiskal dhe të rritet numri i atyre që paguajnë taksat. E katërta: të ekzistojnë mekanizmat e mbrojtjes për qytetarët e varfër.”(www.ama-news.al/2013).

Një deklarim i tillë është normal për një institucion financiar ndërkombëtar si Banka ku bëjnë pjesë 188 vende, dhe ku shumica e tyre zbatojnë variante të tatimit progresiv. Po të ishte bërë vite më pare ky pohim, do të kishte ndikuar për pozitivisht në debatet në Shqipëri lidhur me tatimin përpjestimor (proporcional), quajtur ndryshe edhe “taksa e sheshtë” dhe tatimin progresiv.

Por mund të kishte ndodhur edhe ndryshe: BB mund t’i ishte ngjitur etiketa “marksiste” nga ish-kryeministri Berisha! Nga viti 2007, në detyrën e kryetarit të PD-së apo të kryeministrit z.S. Berisha ka folur kaq shumë e me pasion për “taksën e sheshtë” dhe kaq shumë e me mllef për tatimin progresiv sa mund të bëhen volume nëse ndonjë ditë do të “zbardhen” urim-mallkimet përkatëse! Ndërkohë nuk kemi ende ndonjë reagim prej tij, tashmë në rolin e një ish-kryeministri.

 

Tatimi progresiv dhe tatimi përpjestimor

Në literaturën financiare njihen tre sisteme tatimi: progresiv, përpjestimor dhe regresiv.

Në një sistem progresiv, në parim, kush siguron më shumë të ardhura, paguan më shumë tatime. Ky sistem u bë mbizotërues në botën kapitaliste sidomos përgjatë shekullit të 20-të. Këtë sistem përdorin rreth 85 përqind e vendeve të botës: në BE, ShBA, Japoni, Brazil, Australi, Kinë, Egjypt, Afrikë Jugore, Turqi, Kosovë etj.

Në një sistem përpjestimor, (“taksa e sheshtë), tatimpaguesit i nënshtrohen të njëjtës përqindje tatimi, pavarësisht nga niveli i të ardhurave të tyre. “Taksa e sheshtë” është përdorur në fillimet e kapitalizmit të pazhvilluar, por filloi të zgjerohet pas ndryshimeve politike në fillim të viteve 1990, kryesisht në disa vende ish komuniste të BS, Europës Lindore e Qendrore, ish-Jugosllavisë etj. Këtij sistemi i u bashkua edhe Shqipëria në fillim të vitit 2008.

Në një sistem regresiv zbatohet i njëjtë tatim për të gjithë tatimpaguesit, për rrjedhojë godet më shumë individët me të ardhura më të ulëta se ata me të ardhura të larta, si në rastin e TVSh.

Në Shqipëri, në regjimin e A. Zogut (1925-1939) është përdorur tatimi progresiv mbi të ardhurat personale. Këtë e vërteton H. Shkoza, inspektor i përgjithshëm i pallatit mbretëror, në librin prej 907 faqe “Financat e Shqipnís (1839-1934), botuar më 1935. Në vitet 1921-1928 sistemi tatimor ka qenë progresiv me 9 shkallë, nga 2 % deri në 6 %, kurse më vonë u miratua një tabelë e re, përsëri me 9 shkallë, por në franga ari, si dhe me shkallë tarifore nga 2 % në 10 %.

Pas vitit 1990, kur filluan reformat e tranzicionit drejt një sistemi politik demokratik dhe ekonomisë së tregut, nga 1993 deri më 2007, për 14 vjet, tek ne u zbatuan variante të tatimit progresiv. Varianti më i fundit ka qenë me 5 grupe të ardhurave, me tarifa tatimi në lekë dhe në përqindje. Për grupin e parë tarifa ishte 1 për qind, për grupin e dytë 3.6 për qind, për grupin e tretë 7.1 për qind, për grupin e katërt 5.6 për qind dhe për grupin e pestë 13.2 për qind.

Me ndryshimet ligjore të korrikut 2007, duke filluar nga 1 janari 2008, sistemi tatimor progresiv u zëvëndësua me sistemin përpjestimor, (“taksa e sheshtë”) ku të ardhurat personale dhe fitimi tatohen me 10 për qind. Krahasimi i të dhënave midis dy sistemeve tregon se “taksa e sheshtë” është 9 % më e lartë për grupin e parë, 6.4 % për grupin e dytë, 2.9 % për grupin e tretë, 4.6 % për grupin e katërt dhe 3.2 % më e ulët për grupin e pestë. Pra, “taksa e sheshtë” ul të ardhurat e shumicës dhe favorizon grupin me të ardhura mëtë larta.Vetëm në mars 2013, u miratua një ligj që përjashton nga tatimi shumat deri 30 mijë lekë në muaj, nga 10 mijë lekë më parë.

 

Tatimi progresiv-origjina tek Adam Smithi

Veçoria që e dallon z.Berisha më shumë nga të tjerët është pasioni me të cilin ai mbron “taksën e sheshtë” dhe zelli mbi baza ideologjike me të cilin denigron tatimin progresiv. Sipas z.Berisha, nëse shprehesh për metodën e tatimit progresiv, nuk je gjë tjetër, veçse një…marksist!

Në fakt, i pari që ka shkruar edhe për tatimin progresiv, në kuadrin e sistemit kapitalist është Adam Smith (1723 -1790),themeluesi i shkencës të ekonomisë moderne. Në veprën e tij madhore Pasuria e kombeve (1776), Smithi i ka kushtuar analizës dhe parimeve të taksave një kapitull të veçantë prej 72 faqesh. Mes të tjerave, pasi ve në dukje se të varfërit harxhojnë më shumë për ushqimin, kurse të pasurit për komoditet e luks,Smithi sugjeron që “nuk është shumë e paarsyeshme që të pasurit të kontribuojnë për shpenzimet publike, jo vetëm në përpjestim të ardhurave të tyre, por diçka më shumë se ky përpjestim”. (Faqe 691 e botimit në anglisht).

Rreth 72 vjet pas A.Smithit, në shkurt 1848 K.Marks dhe F.Engels botuan në Londër Manifestin Komunist, ku propozojnë 10 masa që duhej të merreshin në atë kohë në vendet më të zhvilluara kapitaliste në kuadrin e kalimit të pushtetit nga duart e borgjezisë në ato të proletariatit. Njëra prej tyre, e dyta, kërkon vendosjen e “një takse të lartë apo të shkallëzuar mbi të ardhurat”(http://www.gutenberg.org/cache/epub/61/pg61.html).

Pra, duket qartë se origjina e tatimit progresiv daton tek A.Smithi,”babai” i ekonomisë moderne dhe jo tek Marksi. Smithi dhe Marksi kanë shkruar në kohë e rrethana të ndryshme, për sisteme politike dhe synime të ndryshme. Bota e zhvilluar kapitaliste ka ditur me kohë të bëjë dallimin e qëllimeve të tyre kur prej mëse një shekulli po zbatonmetodën e tatimit progresiv.

Nëse tatimi progresiv do të ishte trashëgimi e Marksit, këtë nuk do ta kishte zbatuar R.Regan-presidenti amerikan, M.Theçer-kryeministre britanike, apo A.Merkel-kancelare përfaqësues të së djathtës dhe liderë të vendeve më të fuqishme botërore!

Por këto nuk i bëjnë përshtypje z.Berisha. Qysh më 12 prill 2007, në kuadrin e propogandës për të ndryshuar sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale nga progresiv, në “taksë e sheshtë”,  z.Berisha është shprehur se “në filozofinë fiskale botërore janë dy rryma: rryma marksiste e taksës progresive dhe e kundërta e saj, rryma e taksës së sheshtë” ( http://forumi.shqiperia.com).

 

Tatimi progresiv-marksist. Taksa e sheshtë –e shenjtë

Debati për tatimin progresiv rifilloi më i nxehtë sidomos kur PS shpalli programin e saj tëri ku angazhohej për ta hequr taksën e sheshtë dhe për të vendosur drejtësi sociale përmes tatimit progresiv. Në kundërpërgjigje të këtij programi dhe të deklarimeve të liderit të PS, E.Rama, si rëndom z. Berisha shfrytëzoi mbledhjen e qeverisë më 2.11.2011 për t’u zotuar se “Marksi nuk do të mund të shëtisë më, në rrugët e qytetet e Shqipërisë. Jo!”(http://www. keshilliministrave.al).

Më 27 tetor 2012, në pusin kërkimor Shpirag 2, në Berat, z. Berisha deklaroi : “ Ata të cilët premtojnë taksën progresive nuk bëjnë gjë tjetër  vetëm shëtisin Manifestin e Karl Marksit nëpër sipërmarrje, kodrat, fushat, malet  e Shqipërisë, por ai, ju jap fjalën nuk ka të ardhme”.(http://www .panorama.com.al/2012/10/27/) . Në fakt, fjalën nuk e mbajti, dhe dihet përse.

Në mitingun e Rrogozhinës, më 5 maj 2013, z.Berisha u shpreh se “Taksa progresive është shkatërrimi përfundimtar i mundit dhe i djersës suaj….Vendet e BE-së do të mund të sjellin me kontenierë qumështin dhe djathin, vezët, qumështi pa TVSh, Kanadaja do sjellë grurin pa TVSh dhe prodhimi  juaj do të mbetet në shtëpi”.

Në luftën kundër “taksës marksiste”, ai hedh edhe argumente me natyrë religjioze.

Më 3 qershor 2013, në një takim në komunën e Bushatit (Shkodër) z.Berisha, u drejtohet fermerëve: “Lexoni Biblën dhe Kuranin: të dhjetat janë taksat më të ndershme. Të tjerat janë shfrytëzuese dhe kurrë nuk duhet t’i pranoni…Deputeti merr rrogën e tij 140 mijë lekë, paguan taksë 14 mijë lekë. Infermierja merr rrogën e saj 40 mijë lekë, paguan 4 mijë lekë, pra katër herë më pak se deputeti. Ata që marrin më pak, paguajnë më pak.”(http://gazetadita.al/).(Duket qartë se nuk e kuptuar A.Smithin, se mbajtja e 4 mijë lekëve të infermieres i prek asaj nivelin minimal të jetesës, kurse 14 mijë lekë, deputetit nuk i prekin ndonjë gjë jetike).

Më 6 qershor 2013, z.Berisha u shpreh në Gramsh: “Edi Rama mashtron dhe do tu servirë taksën progresive si taksë të ndershme. E ndershme mbi tokë është vetëm taksa e të dhjetave. Janë vetëm të dhjetat të caktuara në librat e shenjtë, është taksa më e drejtë, e ndershme, ai që ai që fiton dhjetë, paguan 1, ai që fiton 100, paguan 10, ai që fiton 1000, paguan 100. Ai që merr më shumë, paguan më shumë, kjo është e drejta, kjo është e ndershmja”.(http://time.ikub.al/).

Më 9 qershor, në takimin me fermerët në Metoq (Sarandë) Berisha shprehet: ”Taksa e të dhjetave është taksa më e ndershme. Është taksë e shenjtë”(http://www.balkanweb.com). Zbatimi i “taksës së sheshtë” nga qeveria Berisha nga viti 2008 e këtej ka thelluar hendekun e pabarazisë në të ardhurat e shtresave të caktuara të shoqërisë shqiptare, duke e hedhur barrën e tatimit në personat dhe bizneset me më pak të ardhura, kryesisht nëpunës apo të vetëpunësuar.

Veç kësaj, të ardhurat nga “taksa e sheshtë” kundrejt të ardhurave gjithsej të buxhetit kanë pasur prirje rënie: 14.3 për qind më 2007 në13.6 për qind më 2012.

Me qëllim që të shmangen këto dhe tëmeta të tjera të vërejtura nga viti 2008 nga “taksa e sheshtë”, Qeveria e re e koalicionit të majtë, ka vendosur të zbatojë metodën e tatimit progresiv.

 

Tab

 

Si mund të aplikohet taksa progresive

 

-Shumat deri 30 mijë lekë në muaj përbëjnë të ardhurat që duhet të sigurojë një i punësuar për të arritur atë që quhet minimumi jetik, prandaj dhe përjashtohet nga tatimi duke e rishikuar në përputhje me ndryshimin e faktorëve që ndikojnë në nivelin e jetesës.

-Shumat deri 50 mijë lekë në muaj përbëjnë pagën mesatare në sektorin publik prandaj mund të parashikohet një tarifë prej 5 për qind.

-Shumat nga 50-deri 100 mijë lekë në muaj i përfiton numri më i madh i të punësuarëve në sektorin publik dhe privat prandaj mund të parashikohet një tarifë prej 2.5 për qind më të lartë se grupi i tretë, por 2.5 për qind më i ulët se varianti i tanishëm përpjestimor, pra 7.5 për qind.

-Shumat nga 100 -150 mijë lekë në muaj mund të tatohen me 10 për qind, kurse ato mbi këtë shumë me tarifën prej 12.5 për qind.

Sigurisht, specialistët e tatimeve dhe financave, si dhe organet shtetërore vendimarrëse përkatëse, të cilat i njohin më mirë nevojat për të ardhura dhe shpenzime në buxhetin e shtetit, mund të ndërtojnë dhe miratojnë variante të tjera, më të harmonizuara me mundësitë që ka aktualisht dhe në perspektivë vendi ynë.

 

Faleminderit per vleresimin!
Si ju ben te ndiheni ky lajm?

  • asnje ndjesi
  • I kenaqur
  • i shqetesuar
  • i trishtuar
  • i indinjuar


3 Komente


  1.  
    aqif thumbi

    E PO KUR ZEN NE GOJ MARKSIN DISA KUNGUJ, DO TE THOTE :VARE VETEN ME LITAR O DINO!




  2.  
    nastradini

    NJE SHKRIM I SHKELQYER PER DEBILE DHE DALLKAUKE.

    Qe fillon me pohime akoma me debile nga Adam Smithi si KOKA e takses progresive dhe mbaron tek Sali Berisha si KOKA e takses se sheshte. Vetem qe KOKA e financave shqyptare Luan Shahollari ka harruar nje gje fare te thjeshte ne shkrimin e tij si carcafe kineze per dacibao kunder Saliut dhe sistemit te tij fiskal dhe kjo gje fare e thjeshte formulohet si:

    SISTEMI ME I MIRE FISKAL ESHTE AI QE FUT NE BUXHET ME SHUME TE ARDHURA.

    Mashtrimi qe behet nga alifmatrake me vetdije ekonomisti famoz eshte kur thone se BB kerkon te implementoje ne vendin tone taksen progresive te Edi Rames, nderkohe qe as FMN-se dhe as BB-e nuk i plas se cfare sistemi taksimi do te perdorin albanezet ne vendin e tyre ibret pa prodhim fare, por zyrtarisht kane deklaruar disa here qe niveli i te ardhurave ne buxhet nuk duhet te preket kursesi. Cdo te thote kjo? Jua spjegon nastradini shume lehte: Kjo do te thote se specialisteve te FMB-se dhe BB-e ne Shqypni i duhet nje sistem fiskal qe te garantoje maksimumin e mundshem te mbledhjes se taksave, tatimeve dhe akcizave dhe nuk jane kunder formulave alkaiste te KOKAVE shqyptare per te nxjerre “dhjame nga pleshti”, por me pare vene kushtin qe te gjenden PLESHTAT pasanike te Biznesit Barkderr shqyptar qe te detyrohen te deklarojne te ardhurat dhe fitimet e tyre famoze ne shtet vullnetarisht dhe qe akoma me pas taksidaret e Edi Rames dhe te Leon Shahollarit t’u vjelin taksat sipas formulave te nderlikuara progresive. Po sikur keta PLESHTA te Biznesit te mos dalin ne drite dhe te qendrojne ne terr te fshehur ne brimat e tyre te miut, sic bejne edhe aktualisht ne kohe krize boterore? Si do t’i zbuloje ku jane fshehur ekonomisti famoz i financave fiskale Luan Leoni i Shahollareve? Sepse ne kete shkrim na llogarit vetem tatimin e pagave dhe rogave pa permendur tatimin e fitimit qe eshte edhe shtylla kryesore e te ardhura ne shtetet qe Leoni Yne i permend me krenari si shembej kontraverse te doktrines se Sali Berishes. Po sikur te gjitha bizneset te fillojne te deklarojne paga dhe roga nen vleften e patatueshme 300 mije LEKA kush do te mbushe atehere buxhetin e Edi Rames, qe duket si nje thes i shpuar pas fitorjes historike te 23 qershorit nga plumbat e PD-se se Saliut 8 vjet me radhe ne pushtet? Kjo eshte nje ceshtje qe do hulumtime shkencore qe duhet te fillojne para se Adam Smithi te mesonte per taksen famoze progresive te Edi Rames nga Shqypnia.




  3.  
    Mimoza

    Si sistemin e takses progresive si ate te takses se sheshte te huajt na e kane servirur, prandaj te dyja kane te mirat e te keqijat e tyre dhe duhen vendour ose nderruar sipas situates dhe jo sipas nderrimit te qeverive per t”u gjendur Kola ne pune, se ashtu vetem prishim pune.





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)


Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter