Nga Xhevat Zenjelaj
Është e vështirë të radhiten punët dhe meritat e një njeriu e jo më të një fisi të tërë prej disa brezash dhe sidomos kur kanë dhënë kontribute prej mëse një shekulli. Edhe ky fis me prejardhje nga Kardhiqi i Gjirokastrës prej më se nëntë brezash ka jetuar, punuar e lënë gjurmët e veta në historinë e Karbunarit e më gjerë. Është vendosur në kodrën piktoreske të Liçajt, 149 metra mbi nivelin e detit, qarkuar me ullinj shekullorë e pemë të gjithfarëllojshme, fryt i djersës dhe punës së ndershme brez pas brezi. Prej aty shpaloset një panoramë e mrekullueshme e bashkimit të punës së natyrës dhe asaj të njeriut. Si në pëllëmbë të dorës ke gati gjithë bukurinë e shtëpive, të kodrave e fushave të tij, ke Vjosën me dredhat lozonjare; përballë vren Bylisin e Klosin antik dhe gjithë rrethinat që harkojnë duke shtrirë syrin deri në Selishtë e afër detit. Pjesëtarë të këtij fisi janë dalluar e dallohen si bujq e blegtorë të zotë, por edhe si tregtarë, ushtarakë e administratorë të fushës së biznesit. Zonjat e tyre kanë qenë amvisa e punëtore të respektuara. Kanë qenë dhe janë njerëz sedërlinj, këmbëngulës e luftëtarë, të traditës, mikpritës e besnikë, cilësi të labit e shqiptarit në tërësi. Këto kanë rritur respektin në fshat e më tej duke shtuar lidhjet e gjakut në komunitet si, me: Lutajt, Kucajt, Kapajt, Manajt, Haxhirajt, Xhafajt, Zenjelajt, Veizajt, Cenajt etj., pa folur për ato me fshatra rreth nesh, në Mallakastër, Selenicë, Vlorë, Lumi i Vlorës e më gjerë. Në veprimtarinë e tyre, si edhe të çdo karbunarasi, janë rrënjosur thellë ndjenjat atdhetare, për fatin e të cilit asnjëherë nuk kanë qenë indiferent, përkundrazi.
Kështu, në kuadrin e lëvizjeve kryengritëse të kohës së Tanzimatit, kur shpërtheu vullkani popullor kundër skllavërisë osmane në vitet 1840–1850 edhe Karbunari u përfshi në kryengritjen e Rrapo Hekalit në korrik-gusht 1847 me një çetë trimash më vete. Komandant kishte Zeqo Xhafo Karbunarin dhe që populli e ka përjetësuar në vargjet përkatëse: “Zeqo Xhafo Karbunari / Si komshi erdhi i pari / Ndezur si flakë zjarri / Çetë e tij gur stërralli”.[2] Në këtë çetë prej 43 luftëtarësh, ishin edhe Hasan Avdul Liçaj e Mehmet Hodo Liçaj, dy trima nga dy shtëpi atdhetare. Përveç kësaj Hasan Avduli, i pari, ka punuar edhe si tregtar ambulant, i lidhur me tregtarët e Beratit, Vlorës etj.
- Publicitet -
Si atdhetar të vërtetë, pjesëtarë të këtij fisit ndihmuan me sa mundën në zgjedhjen e Ismail Qemalit si deputet i Vlorës, jo vetëm me votë, por edhe materialisht. Si bashkëfshatarë dhe krah patriotit të dëgjuar, karbunarasit Ahmet Durmishi, ditën e ngritjes së Flamurit në Vlorë edhe Avdul Avdulaj e Dervish Hodaj së bashku me mbi 30 karbunaras të tjerë shkuan në Vlorë, gëzuan e festuan me gjithë atë mori pjesëmarrësish nga tërë kombi shqiptar. Po kështu, në vitin 1914, kur bandat e Haxhi Qamilit dhe Esat Toptanit kërcënonin ekzistencën e Flamurit e të Shtetit të sapolindur Shqiptar, çeta e Karbunarit me 36 vet, së bashku me rreth 300 luftëtarë nga tërë zona jonë, me komandant Ahmet Durmish Xhafajn, luftuan trimërisht në Cakran dhe i shpartalluan ato. Ndër pjesëmarrësit ishte edhe Avdul Hasan Avdulaj (1875–1943) e Dervish Mehmet Hodaj (1879–1944).
Nuk ka të ndalur pjesëmarrja dhe veprimtaria patriotike e këtij fisi në çdo ngjarje me vlera të vërteta kombëtare. Ushtria imperialiste italiane, territorin e fshatit tonë përballë Bylisit e Klosit, e përdori si bazë të frontit të saj kundër Ushtrisë Austro-Hungareze nga viti 1915 e deri 1918. Të brumosur me urrejtje të skajshme kundër kësaj murtaje që shkeli e përdhosi truall e derë të këtij fshati e tërë krahinën, trimat Avdul Hasan Avdulaj, Brahim Hasan Avdulaj e Dervish Mehmet Hodaj ishin promotorë në organizimin dhe veprimtarinë luftarake të çetës së komunitetit tonë në Epopenë e Vlorës, më 1920, duke treguar akte trimërie e vetëmohimi të pashoqe. Dervishi ka qenë kryeplak i fshatit nga viti 1923 deri 1937 dhe anëtar i Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar të tij nga dita e krijimit, më 15 tetor 1942 e deri në çlirim. I pakursyer në çdo moment që e kërkonte situata, pavarësisht rrezikut mbi kokë. Bashkëshortja e tij, Shazja, u bë viktimë e reprezaljeve fashiste më 14 prill 1943.
Lufta Nacional-Çlirimtare ishte sprova më e madhe historike si për mbarë popullin shqiptar ashtu edhe për burrat dhe gratë e fisit të mësipërm. Pesë pushkë e mitraloz nga ky fis kënduan këngën e vdekjes kundër pushtuesve nazifashistë nga dhjetori i vitit 1942 e deri 29 nëntor 1944. Ç’mund të themi për vajzën e këtij fisi, Haire Avdul Avdulaj (1927–08.05.2013), që çau e vetme në fshat mentalitetin dhe vështirësitë e asaj kohe e doli në mal, nga shtatori 1943 e deri në çlirimin e vendit, inkuadruar në batalionin “Perlat Rexhepi” dhe në Brigadën XII sulmuese. U bë edhe kjo një nga ato 6 mijë shqiponja partizane të këtij trualli që, së bashku me mijëra vëllezër të tyre nga të katër anët e vendit ua bënë jetën ferr pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Është dekoruar me “Medalja e Çlirimit” dhe “Medalja 60 vjetori i Çlirimit”. Theksojmë këtu se, edhe i fejuari e më vonë bashkëshorti i saj; Neim Nexhip Bendaj (1925–21.02.2012) doli partizan dhe luftoi deri në çlirimin e vendit.
Në aksionin e Selenicës më 21 shkurt dhe 1 prill 1943 Çoban Avdul Avdulaj (01.01.1924–06.04.1979), djalë trim e i vendosur, së bashku me bashkëfshatarët provoi pushkën e tij kundër karabinierëve italianë. Më 16 prill 1943 u rreshtua krahas të trembëdhjetë karbunarasve në çetën e krahinës “Ismail Qemali”, pastaj në batalionin me të njëjtin emër. Mori pjesë në të gjitha aksionet luftarake të këtij formacioni. Më 5 gusht 1943, në aksionin e Tragjasit u plagos në shpatull. Nga 28 nëntori 1943 e deri më 9 maj 1945 në brigadën e V Sulmuese. Aty luftoi trimërisht gjatë tërë asaj periudhe 17 mujore nga malet e Labërisë, Përmetit, Shqipërisë së Mesme e të Veriut, në Gjakovë, Prizren e deri në Sanxhak. Pas Çlirimit ishte oficer i forcave të Ndjekjes në Durrës, drejtor dhe shef kuadri në minierën e bitumit në Selenicë, kuadër i Forcave Vullnetare në këtë qytet etj. Për guxim e trimëri është vlerësuar me 6 Medalje Çlirimi, Trimërie e Pune.
Nga e njëjta derë nuk mbeti pas edhe Neim Brahim Avdulaj (1922–01.05.1992). Mori pjesë në aksione të ndryshme luftarake që organizoheshin rreth fshatit e zonës sonë dhe nga janari i vitit 1944 e deri në çlirimin e vendit u inkuadrua në Brigadën e V S. U bë pjesë e sukseseve të kësaj njësie Heroinë, duke luftuar nga Gumenica, në Përmet, Shupal, Macukull, Pejë, Gjakovë, Prizren e gjetkë. Kalimi në tufan e stuhi në kalanë e Dodës e bëri invalid për tëre jetën. Është dekoruar me “Medalja e Çlirimit”. Bashkëshortja e Neimit, Xhevrija (1922–24.12.2017), vjen nga një familje me rrënjë atdhetare. Dy vëllezërit e saj, Ismail Kaso Hakani (1921–1944) nga Rexhepaj dhe Cano Meço Bejaj (1928–08.08.1949) nga Karbunari janë dëshmorë të Atdheut, të dekoruar përkatësisht me “Medalja e Çlirimit” dhe “Urdhri i Trimërisë”.
Shaqo Dervish Hodaj (1913–1974), shtëpia bazë e luftës. Në qershor 1942 u bë anëtar i formacionit paraushtarak “Ushtarët e popullit” dhe më 31 dhjetor 1942 deri më 2 janar 1943 mori pjesë në luftën e Gjormit. Në 21 shkurt dhe 1 prill 1943 u përfshi në aksionin e Selenicës. Më 16 prill 1943 u rreshtua me armë në krah në formimin e çetës “Ismail Qemali”, më vonë në strukturat e batalionit me të njëjtin emër, në çeta e batalione Territoriale etj. deri në çlirimin e vendit. Ka qenë kryetar i Këshillit Popullor të fshatit nga viti 1947 e deri 1957. Në vitin 1958 shkoi familjarisht në Selenicë, ku u zgjodh për 4 vjet kryetar i Lokalitetit e më pas përgjegjës i Pasurisë Shtetit derisa doli në pension më 1968. Është dekoruar me “Medalja e Çlirimit”.
Arap Dervish Hodaj (15.01.1921–17.01.2005) në qershor të vitit 1943 u bë pjesëtar i çetës dhe batalionit “Ismail Qemali” dhe nga 28 nëntori i këtij viti e deri më 9 maj 1945 pjesëtar i forcave të Brigadës V Sulmuese. Luftoi me mitralozin që u rrëmbeu italianëve në shtator 1943 në aksionet luftarake të zonës, në Luftën e Drashovicës e deri në Kosovë e Sanxhak. Është vlerësuar me disa urdhra e medalje. Qëndroi në ushtri ku bëri karrierë si ushtarak i zoti e rigoroz në Shkodër e Fier.
Përveç këtyre, armiku nuk do tua falte edhe dy pjesëtarëve të denjë të këtij fisi aktivitetin e tyre të vendosur kundër tij: Brahim Hasan Avdulaj (03.05.1890–06.08.1975) tregtar i njohur i viteve ‘20–’30 të shekullit të kaluar në fshat. Mbështetës e pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet dhe veprimtarit me interes kombëtar. Në vitet 1917–1918 i burgosur e torturuar nga pushtuesit italian. Pjesëmarrës me armë në dorë në Epopenë e Vlorës dhe në aksionet luftarake të organizuara në luftë kundër nazifashistëve, si në aksionin e Selenicës, Drashovicës etj. Edhe furnizues i njësive partizane me ushqime e veshmbathje. Kërkesës së përfaqësuesit të Ballit Kombëtar, Shahin Nuredinit, për mbështetje të kësaj të fundit iu përgjigj me “jo” të vendosur. Në kuadrin e reprezaljeve naziste më 10 maj 1944 u arrestua nga gjermano-ballistët dhe u internua në kampin e Beogradit, ku u trajtua mizorisht prej tyre për mbi 7 muaj. Fati e desh të kthehej në atdheun dhe shtëpinë e vet me çlirimin e vendit. Është dekoruar me “Medalja e Çlirimit”.
Ahmet Dervish Hodaj (15.01.1901–1985) Në Luftën e 20-ës ishte një nga furnizuesit e vijës së frontit me ushqime e materiale të tjera për luftëtarët karbunaras në atë Epope. Ka marrë pjesë në demonstratën e bukës në Vlorë më 9 mars 1942 dhe gjatë LANÇ-it shtëpia e tij ishte bazë e luftës. Ndihmoi luftën me të gjitha mundësitë. Më 10 maj 1944 u kap e u internua në Beograd. Fatmirësisht u kthye në atdhe me çlirimin e vendit. Ishte nga bujqit më me emër në fshat. I dekoruar me Medalja e Çlirimit dhe ajo e Punës.
Hodo Dervish Hodaj (17.03.1935–29.01.1946), megjithëse invalid, iu përkushtua punës në arsimin fillor në fshat prej fillimit të viteve ’50 e derisa doli në pension. Për ish nxënësit e tij ka mbetur imazhi i një mësuesi e prindi shembullor, edukatori me mjaftë takt e buzagaz, sedërli e punëtor. Iniciator i veprimtarive kulturore, artistike e sportive në fshat.
Hasan Brahim Avdulaj (10.09.1930–18.05.1998) Në vitin 1947 mori pjesë në ndërtimin e hekurudhës Tiranë–Durrës dhe u kthye i dekoruar nga Kuvendi popullor. Për periudhën 1950-1957 punonjës policie në qytezën e Selenicës dhe prej atij viti e derisa doli në pension punëtor i dalluar dhe me medalje pune, në minierën e Selenicës.
Të lartpërmendurit kanë qenë njerëz të nderuar dhe të sakrificës, jetuan kohë të rrezikshme e mjaft të vështira. U është dashur mund e përkushtim i jashtëzakonshëm për përballimin e peripecive të kohës, rindërtimin e vendit dhe rritjen e edukimin e një brezi të tërë pasardhësish të denjë për familjen e atdheun.
Nga ky fis (Avdulaj e Hodaj) në kushtet e lirisë së sotme kanë mbaruar arsimin e mesëm 34 dhe atë të lart mbi 44 bija e bij të tij, pa përmendur këtu 55 nipër e mbesa me arsim të lart që kanë rrënjë e damar gjaku tek ky fis. Një pjesë e mirë e tyre janë me master e mbrojtur grada shkencore të niveleve të larta. Kanë dhënë e japin ndihmesën e tyre në fusha nga më të ndryshmet si; ekonomistë, artistë, piktorë, arsimtarë, ndërtues, mjekë e infermierë, juristë, inxhinierë, estetistë, sportistë e deri ushtarakë të zot e me emër në forcat tokësore, të marinës, policisë etj. Ndërmjet tyre ka të tillë që kanë kryer e kryejnë detyra e funksione të rëndësishme në shtet, shoqëri, biznes etj., si; Anila Mehmet Hodaj drejtoreshë shkolle, Alma Njazi Avdulaj specialiste e lartë e trajnimeve në Bankën Kombëtare të Kanadasë, Alban Kastriot Hodaj, përfaqësues i firmave të turizmit shqiptar në vendet e Gjirit Persik, Alban Njazi Avdulaj, kampion i vendit në boks në vitin 2007 dhe për 2 vite nënkampion. Mishërimin kuptimplotë zotësia dhe inteligjencia e bijve të këtij fisi e gjen tek biri i tij, Ëngjëllush Njazi Avdulaj (në foto). Në radhë të parë është ushtarak, studiues e sportist me emër. Ka qenë i angazhuar suksesshëm si sportist, boksier e trainer në klubin “Dinamo” për gati 20 vjet. Me punë këmbëngulëse dhe vështirësive që ka kjo detyrë, ka fituar gradën komisar në armën e policisë, duke kryer më së miri detyra si shef komisariati, komandant i repartit special “Shqiponja”, së fundi mbrojti me rezultate të shkëlqyera gradën “Doktor i Shkencave Juridike”, pedagog në Fakultetin Juridik etj. Një veti me vlera të shkëlqyera të këtij djali të komunitetit tonë është kujdesi dhe puna e pa ndërprerë për të rritur ndjenjat e dashurisë për fshatin tonë të mrekullueshëm tek të rinjtë, por jo vetëm e për të evidentuar e promovuar çdo gjë me vlerë për të. Njeriu bëhet i madh kur pasi ka arritur shumë në jetë, nuk shkëputet nga vendlindja, por përkundrazi, punon për zhvillimin e saj dhe të mbarë vendit tonë.
Në përfundim, vlen të nxjerrim në pah një detaj në dukje me pak vlerë po me shumë domethënie për çdo karbunaras që punon e jeton jashtë tij, regjistri familjar i tij figuron edhe sot në gjendjen civile të ish-komunës sonë. Nder e suksese bijve e bijave të këtij fisi, nipërve e mbesave të tyre, që nuk qëndrojnë më poshtë se ata, kudo që punojnë e jetojnë.
[1] Studiues
[2] “Hekali në Histori”, Hajdar Sulaj, Triptik 2015, faqe 196