Ndërsa shumë shqiptarë vazhdojnë të braktisin vendin, Shqipëria projekton të punësojë çobenj, muratorë dhe bujq nga Nepali, Sri Lanka dhe India.
Pas dështimit me Banglandeshin, këto do jenë vendet nga ku do merren punëtorë, pasi mungesa e tyre është kthyer në një nga problemet kryesore të vendit, sidomos në këtë periudhë ku sezoni veror është shumë i afërt.
Dje DITA publikoi lajmin se po përgatitet nga agjencitë e punësimit ardhja e shumë punëtorëve nga vendet e treta për të punuar në Shqipëri, kryesisht çobenj, muratorë dhe bujq nga Nepali, Sri Lanka dhe India.
Sipas ekspertes së punësimit, Kumrie Zika, po synohet që punonjësit nga jashtë t’i sjellin familjarisht që të mos arratisen nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së siç ka ndodhur me banglandeshasit.
Zika u shpreh se “ka mungesa në bujqësi. kryesisht në bujqësi po bashkëpunojmë për t’i sjellë nga Nepali, Sri Lanka, në fushën e ndërtimit nga India. Jemi në hapat e parë. Do e finalizojmë pas dy muajsh. Do të jenë në Shqipëri.”
Nga ana tjetër, ekspertja e turizmit, Gladiola Dona tha në një intervistë për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se nuk i gjen arsye marrjes së punonjësve filipinez në Shqipëri.
Sipas saj nuk leverdis të sjellësh punonjës nga Filipinet për shkak të kostove që kanë.
“Mesa di është diku te 3500 euro vetëm ta sjellësh, që janë kosto të agjencisë, fluturimit, rruga e të gjitha. Sigurisht do dojë dhe pjesën e akomodimit, ushqimi gjithashtu. Rroga fillon nga 500 euro deri në 800, 1 mijë ndonjëherë kur janë specialistë”, u shpreh Dona.
Ajo tregoi se ka raste kur i marrin dhe çift sepse duan që të jenë më të qëndrueshëm, por në pjesën më të madhe të rasteve janë beqarë.
“Sa aftësi duhet të ketë një staf sanitaresh që të jetë kaq e shtrenjtë dhe kaq e vështirë për t’u kapur? Ne nuk po flasim për inxhinierë apo IT që industria vërtetë nuk po i prodhon këtu”, u shpreh Dona, ndërsa shtoi se pronarët pranojnë të paguajnë shifra të mëdha për të pasur një staf të bindur, ose “kokëulur” siç i dëgjon shpesh të thonë.
j.l./ dita
