Mijëra persona kanë dalë në protesta në disa qytete të Spanjës kundër krizës së strehimit, një ditë pasi Parlamenti rrëzoi dy dekrete të qeverisë që synonin të forconin mbrojtjen e qiramarrësve.
Në Madrid, organizatorët thanë se rreth 500 mijë persona morën pjesë në protestë, ndërsa autoritetet e vlerësojnë numrin në rreth 70 mijë.
Prej rreth një jave, aktivistët kanë ngritur një kamp në Puerta del Sol, një nga sheshet kryesore të kryeqytetit.
Protestuesit mbanin pankarta me thirrje për “grevë të përgjithshme” dhe kundër asaj që e cilësojnë si dominim të interesave të pronarëve dhe investitorëve në tregun e banesave.
Sindikata e Qiramarrësve, e cila koordinon protestat, kërkon uljen me 50% të qirave, kontrata pa afat dhe shpronësimin e banesave në pronësi të të ashtuquajturave “fonde grabitqare”.
Zëdhënësja e sindikatës, Valeria Racu, tha se ende nuk është caktuar një datë për grevën e përgjithshme, por se po zhvillohen bisedime me organizata të tjera me synimin që ajo të jetë “historike”.
Në Madrid protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe nën praninë e forcave të policisë.
Ndryshe ishte situata në Valencia, ku protestuesit marshuan drejt Palau de les Arts Reina Sofía, ndërsa aty zhvillohej konferenca “Valencia Real Estate Summit 2026”.
Disa protestues hoqën barrierat dhe kordonin policor dhe hodhën objekte ndaj efektivëve. Policia u përgjigj me plumba gome dhe gaz lotsjellës.
Protesta u zhvilluan edhe në San Sebastian, Cádiz, Las Palmas de Gran Canaria, Lanzarote, Fuerteventura, Tenerife dhe Barcelona, ndërsa në Teruel është paralajmëruar një tjetër tubim.
Protestat vijnë pas rrëzimit në Parlament të dy dekreteve të qeverisë për strehimin.
Dekreti i parë mori 172 vota pro dhe 178 kundër, ndërsa i dyti 166 vota pro dhe 184 kundër. Kundër votuan PP, Vox dhe UPN, ndërsa Junts refuzoi t’i mbështeste.
Kryeministri Pedro Sánchez paralajmëroi se do të reflektojë mbi mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa opozita ka përsëritur kërkesën për zgjedhje.
Protestat morën hov edhe pas dëbimit nga banesa të Maricarmen Abascal, një grua 87-vjeçare, e cila u nxor me barelë dhe përfundoi në spital.
Sipas aktivistëve, një kompani investimi kishte blerë pronën ku ajo kishte jetuar për rreth 70 vjet dhe kishte kërkuar rritjen e qirasë me 275%.
Pas reagimeve publike, pronarët e rinj ranë dakord që ajo të rikthehej në banesë me një qira të ulët.
j.l./ dita
