Nga Gëzim Kabashi
Në qytezën Piana degli Albanesi si dhe komunat e tjera të banuara nga arbëreshët, vendosja e një linje ajrore me Tiranën dhe projektet e përbashkëta synojnë që të rivitalizojnë turizmin kulturor.
Në sheshin antik të Piana degli Albanesi në Siçili, Nicola Petta shërben në kafenenë e tij “Extrabar” edhe përkundrejt lekut shqiptar, ndërsa mbi banak janë reklamuar gjithashtu produkte shqiptare.
Në biznesin e tij vijnë më shumë vizitorë nga Kosova, por me vendosjen e një linje direkte Tiranë- Palermo e kthim, kanë nisur të shtohen edhe ata nga Shqipëria.
“Shumica e turistëve deri tani janë kosovarë, dhe ne urojmë të shtohet numri i atyre që vijnë nga Shqipëria,” thotë Nicola, duke shtuar se vizitorët habiten me gjuhën arbëreshe që ata vazhdojnë të flasin.
“Sidoqoftë, 200 vizitorë që mbërritën disa ditë më parë janë një fillim i mirë,” theksoi ai.
Qyteza e Piana degli Albanesi, e njohur ndryshe si “Hora e Arbëreshëve” u themelua 538 vjet më parë, nga një grup refugjatësh shqiptarë që u larguan nga Ballkani për shkak të pushtimit Osman.
Linja direkte ajrore është pjesë e projektit për nxitjen e turizmit drejt komunave me shumicë arbëreshe, i cili synon gjithashtu të shtrihet në qendra të tjera arbëreshe në Kalabri, Pulia apo Basilikata.
Turistët shqiptarë qëndrojnë në bujtinat e ngritura në Piana jo më shumë se dy ditë, pasi i kushtojnë kohë edhe vizitës në Palermo.
Veli Berisha, një inxhinjer 42-vjeçar që jeton dhe punon në Bernë, thotë se shoqata “Hora e Skënderbeut” në Zvicër po mbështet zhvillimin e turizmit në komunat arbëreshe në Siçili.
“Mësimi i gjuhës shqipe në shkolla është një nga këto synime, pasi më siguri do t’i forcojë lidhjet me tokën amë,” tha Veliu. Vetëm një muaj më parë, në festivalin “Tri Net Fest” të zhvilluar në Zvicër, filmi “Primo sangue” i regjisori arbëresh, Antonio La Camera u shpall filmi më i mire.
Giorgio Cuccia, një nga aktivistët e turizmit në Piana, tha për BIRN se vizitorët janë mjaft të interesuar të shohin kishat e qytezës, veçanërisht ato kushtuar Shën Gjergjit dhe Shën Mitrit.
Përpjekjet për vënien në funksionim të linjës Tirana-Palermo kanë nisur gati 10 vjet më parë me kontributin edhe të shqiptave në Siçili, si Vincenzo Lombardo.
Lombardo, president i Legambiente në Palermo, i tha BIRN se ky vektor është i pari për destinacionin Tiranë- Palermo.Ai shton se bashkëpunimi mes shqiptarëve që u vendosën në ishull pas viteve ’90 me arbëreshët është tepër i rëndësishëm, në mënyrë që e ardhmja e turizmit të mos zbehet.
Sipas Vincenzo Lombardos, përparësitë natyrore të pesë bashkive arbëreshe pranë Palermos krijojnë mundësi festash të përbashkëta, sipas karakteristikave të secilës prej tyre.
Lorenzo Lonoce, këshilltari i bashkisë së San Marzanos në Pulia tha për BIRN se bashkëpunimi mes komunave arbëreshe kudo që ndodhen dhe realizmi I projekteve të përbashkëta bëhet mjaft i rëndësishëm për të ardhmen.
Sipas Lonoces, më 9 nëntor në San Marzano, presidenti i Italisë, Mattarella dhe ai i Shqipërisë, Begaj do të takojnë edhe drejtues të komunave arbëreshe, ku pritet të ketë edhe një program të përbashkët për të ardhmen e komunitetit.
Lonoce shtoi se tashmë komunat e San Marzanos dhe Pianës kanë nënshtruar një marrëveshje binjakëzimi, duke “u mbështetur në praninë historike të arbëreshëve në Itali dhe që i bashkon gjuha dhe kultura e komuniteteve”.
“Nga 50 ngulime arbëreshe, mëse 35 prej tyre janë komuna, të cilat mund të kenë një program të përbashkët të financuar nga shteti edhe për turizmin,” tha Lonoce, duke shtuar se deri tani bashkitë arbëreshe janë ndalur vetëm në njëfarë vetëpromovimi për veçantitë e secilës.
Në bashkinë e Pianës, pranë Palermos ka një traditë mjaft të mirë me kostumet, qëndismat si dhe me festën e Pashkës, ku kanë marrë pjesë edhe artistë shqiptarë.
“Ditës së Pashkës do t’i bashkohemi edhe ne shqiptarët e Zvicrës, bashkë me familjet. Prej kohësh kemi lënë takim në Piana degli Albanesi, ku me siguri na pret një festë e bukur,” tha Berisha nga Berna.



