Nga Fatos Tarifa
Bëmat e mbrapshta të këtij njeriu, që për fat të keq vazhdon të jetë kryeministri ynë, nuk kanë të sosur. Frikën e tij ai përpiqet ta projektojë mbi tërë shoqërinë.
Dje, ai propozoi një paketë ligjore “kundër dhunës dhe anarkisë urbane”, siç e quajti ai. Do të kisha dashur që në vend të saj, madje jo sot, por shumë kohë më parë, kryeministri të kishte propozuar një paketë ligjore për strehimin, një tjetër për arsimin e lartë, një për shëndetësinë, një për pensionet, një për luftën kundër korrupsionit.
Nëse këto çështje të mëdha shoqërore do të ishin zgjidhur, ose vënë në rrugën e zgjidhjes kohë më parë, sot nuk do të kishim protesta qytetare dhe kjo paketë “kundër dhunës dhe anarkisë urbane” do të ishte krejt e panevojshme. Sepse, nëse do të kishim më shumë mirëqenie, më shumë siguri, dhe më shumë dinjitet, nuk do të kishim as dhunë, as anarki. Është kaq e thjeshtë. Këtë vetëm ai që nuk do të kuptojë nuk e kupton dot. Por çështje si këto që përmenda dukest se nuk kanë qenë e nuk janë në hartën mendore të këtij kryeministri.
Sot nuk dua të shkruaj për to. Dua të shkruaj për një rrezik të madh që kërcënon shoqërinë tonë. Marr shkas pikërisht nga kjo paketë e re ligjore që me aq arrogancë kryeministri e propozoi dje publikisht. Ashpërsimi i gjobave dhe i dënimeve penale për ata individë që kryejnë veprime të dhunëshme është një gjë, por kufizimi i së drejtës për tubime paqësore dhe dënimi i pjesëmarrësve paqësorë në to është një gjë krejt tjetër. Unë flas këtu për këto të fundit.
Propozimet e kryeministrit ngrenë një sërë pikëpyetjesh serioze që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Më seriozja prej tyre është propozimi ogurzi që dënon me sanksione çdo person që merr pjesë në një tubim ku ushtrohet dhunë dhe vazhdon të qëndrojë paqësisht, në shesh ose në rrugë, që janë sheshi dhe rruga e qytetit të tij, pas paralajmërimit të policisë, edhe pse ai vetë është krejtësisht paqësor, madje mund edhe të jetë thjesht një kalimtar i rastit. I pafajshmi, pra, ngarkohet me faj, sepse kështu do kryeministri, edhe pse ligjërisht mbi të nuk rëndon asnjë përgjegjësi.
Po kaq shqetësuese janë propozimet për të gjobitur prindërit e fëmijëve mbi 14 vjeç që marrin pjesë në tubime të dhunëshme, apo krijimi e një regjistri elektronik për persona të referuar ose nën hetim për vepra kundër rendit dhe sigurisë publike, pa u provuar nga gjykata akuzat ndaj tyre, si edhe masat disiplinore ndaj mësuesve që përdorin autoritetin e tyre për të përfshirë nxënësit e mitur në protesta (nuk mendoj se ka mësues që e bëjnë këtë, nëse kjo nuk është një ide paranojake e kryeministrit).
Paketa e kryeministrit duhet vlerësuar në kuadër të rrethanave në të cilat propozohen masa të tilla, veçanërisht proporcionaliteti i tyre dhe pasojat që mund të kenë ato për për lirinë dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Kjo paketë legjislative propozohet nga kryeministri pikërisht në kulmin e protestave që kërkojnë largimin e tij. Kjo rrethanë ngre dyshimin se mbrojtja e rendit publik mund të përdoret edhe si justifikim për mbrojtjen e pushtetit të tij personal.
Vlerësimi i kushtetutshmërisë së masave shtrënguese që propozon kryeministri do të varet nga formulimi përfundimtar i dispozitave që eventualisht mund të miratojë Kuvendi, nga proporcionaliteti i masave dhe garancitë kundër zbatimit arbitrar të tyre. Në fund të fundit, ështtë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë.
Por unë shpreh një shqetësim të madh politik dhe qytetar:
Mos po lejojmë krijimin e një shteti policor?
Mos po rrezikojmë që përgjegjësia individuale e njerëzve që ushtrojnë dhunë të zëvendësohet nga fajësia kolektive për shkak të pranisë në tubime?
Mos pushteti po përdor pushtetin kundër qytetarëve të cilët ka detyrë t’i mbrojë?
A synojnë këto masa të mbrojnë rendin kushtetues dhe sigurinë publike, apo ato rrezikojnë ta shndërrojnë ligjin në një mjet për mbrojtjen e pushtetit nga kundërshtimi qytetar?
Me fjalë të tjera, a po mbrohet rendi demokratik nga dhuna, apo po krijohen instrumente që nesër mund të përdoren për ta mbrojtur pushtetin nga qytetarët
Shumë nga këto masa që propozon kryeministri shprehin prirje autoritariste dhe krijojnë rreziqe serioze për liritë demokratike të qytetarëve. Unë do i shmangem përdorimit të termit “fashizëm”, pasi sjellja e tij nuk orientohet nga një ideologji e tillë. Në shkencën politike ne bëjmë dallim mes mentalitetit autoritaritarist dhe praktikave represive, nga njëra anë, dhe fashizmit si ideologji dhe sistem politik, nga ana tjetër.
Pra, fashizmi nuk identifikohet thjesht me ashpërsimin e ligjeve apo me përdorimin e forcës policore. Historikisht, ai është karakterizuar edhe nga ultranacionalizmi, nga refuzimi i pluralizmit, kulti i udhëheqësit dhe nënshtrimi i shoqërisë ndaj pushtetit politik. Dy të fundit duket se janë bërë tipare karakteristike të mënyrës së sotme të qeverisjes në Shqipëri.
Fashizmi nuk fillon domosdoshmërisht me shfuqizimin e ligjit. Historia na mëson se ai mund të përparojë edhe përmes ligjeve që e zhveshin qytetarin nga liria dhe e mbrojnë pushtetin nga përgjegjësia. Rreziku fillon atëherë kur kreu i qeverisë e identifikon veten me shtetin, kundërshtimin ndaj tij me kërcënimin ndaj rendit dhe mbijetesën e vet politike me interesin kombëtar (siç është edhe anëtarësimi në Bashkimin Europian).
Veç duhet vënë në dukje se, nuk është e thënë që një qeveri të jetë fashiste që disa nga praktikat e saj të paraqesin rreziqe serioze për demokracinë. Tendenca drejt autoritarizmit nuk kërkon gjithmonë shfuqizimin e Kushtetutës. Ndonjëherë mjafton që të drejtat që ajo u garanton qytetarëve të bëhen aq të kushtueshme, aq të rrezikshme e të pasigurta për t’u ushtruar, sa qytetarët të heqin dorë vetë prej tyre.
Edhe pse nuk ka analogji me rastin e Shqipërisë, ka një paralajmërim historik serioz që ia vlen të mbahet parasysh: fashizmi nuk lindi në shoqëri që nuk i njihnin kushtetutat, zgjedhjet, partitë politike apo institucionet parlamentare. Lindja dhe ngritja e tij dëshmuan se institucionet demokratike mund të shfrytëzohen dhe, në fund, të shkatërrohen nga lëvizje armiqësore ndaj vetë demokracisë. Kjo nuk do të thotë se çdo prirje autoritariste e kohës sonë është fashiste, por do të thotë se vigjilenca ndaj çdo prirjeje dhe sjelljeje autoritariste bëhet edhe më e domosdoshme.
Unë nuk mendoj se masat e propozuara janë fashiste. Ato, gjithsesi, mund të përmbajnë elemente të një mentaliteti dhe praktike shtetërore autoritare. Nuk duhet harruar se asnjë demokraci nuk është e imunizuar ndaj autoritarizmit dhe asnjë kushtetutë demokratike nuk mund të garantojë që ata, të cilëve u është besuar pushteti, do t’i respektojnë gjithmonë kufijtë e tij.
Një demokraci nuk mund ta trajtojë qytetarin si të dyshuar vetëm sepse ai guxon të kundërshtojë qeverinë. Asnjë kryeministër, sado mandate të ketë fituar, nuk është pronar i shtetit, i ligjit apo i të drejtave të qytetarëve. Kur policia merr kompetenca të reja për të kufizuar tubimet, pa garanci mjaftueshëm të forta kundër arbitraritetit, liria e protestës mund të shndërrohet nga një e drejtë kushtetuese, në një liri të kushtëzuar nga toleranca e autoriteteve.
Një nga mësimet më të rëndësishme të historisë së shekullit të 20-të është se demokracia nuk merr fund domosdoshmërisht përmes një përballjeje të vetme dramatike. Ajo mund të gërryhet edhe gradualisht, përmes përqendrimit të pushtetit ekzekutiv në duart e një individi, dobësimit të mekanizmave institucionalë të kontrollit dhe të kufizimit të pushtetit, frikësimit të zërave kundërshtarë dhe përdorimit të ligjeve që, në dukje, synojnë mbrojtjen e rendit publik.
Shteti, pa dyshim, ka detyrimin të mbrojë jetën, pronën dhe sigurinë publike. Shqetësuese në masat që propozon kryeministri nuk është synimi i deklaruar për të ndëshkuar dhunën dhe ata që e ushtrojnë atë, por rreziku që, nën pretekstin e luftës kundër dhunës, të kufizohet vetë e drejta e protestës. Nëse nuk kufizohen nga garanci të forta kushtetuese dhe kontroll gjyqësor, masat e propozuara, frymëzuar nga një mendësi autoritariste, mund t’u hapin rrugë praktikave gjithnjë e më represive.
Me fjalë të tjera, një qeveri demokratike ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të ndëshkojë dhunën. Por ajo nuk ka të drejtë ta përdorë dhunën e disave si justifikim për të frikësuar të gjithë ata që i kundërshtojnë qeverinë dhe politikat e saj.
Kryeministri duhet ta kuptojë se demokracia nuk vihet në provë nga mënyra se si pushteti trajton ata që e mbështesin, por nga mënyra se si trajton ata që e kundërshtojnë. Rreziku më i madh për një demokraci nuk është domosdoshmërisht kur pushteti shkel hapur ligjin, por kur përpiqet ta përdorë ligjin për ta bërë shtypjen ndaj kundërshtarëve politikë të duket e ligjshme.
Me kohë kam kuptuar se kryeministri është një njeri shumë i paedukuar në politikën demokratike, në teorinë dhe praktikën e demokracisë. Propozimet e fundit të bëra dje prej tij e dëshmojnë sërish qartë këtë që them.
Edukimit demokratik të tij, edhe pse tani është shumë vonë për të, sepse disa mësime merren në rini, do u shërbente leximi i disa autorëve klasikë. Ndër ta do të veçoja iluministin e shuar Montesquieu, i cili, në Frymën e ligjeve, përcaktonte se deri ku duhen shtrirë kufijtë e pushtetit, duke argumentuar pikërisht idenë që pushteti duhet të kufizohet nga pushteti. Ky parim është thelbësor kur policisë i jepen kompetenca të reja për kufizimin e tubimeve. Çështja nuk është aspak se çfarë kompetencash merr policia, por kush e kontrollon ushtrimin e tyre dhe sa efektiv është kontrolli gjyqësor.
Do i sugjeroja kryeministrit të lexonte Demokracinë amerikane të Tocqueville, i cili, afro dy shekuj më parë, paralajmëronte rrezikun që pushteti i mbështetur në shumicë të ushtrojë presion mbi mendimin e pavarur dhe pakicën, një ide që Thomas Jefferson, para tij, e kishte cilësuar si “tirani të mazhorancës”. Jefferson dhe Tocqueville do i thoshin kryeministrit tonë se pretendimi i tij se një mandat elektoral i jep qeverisë të drejtë të pakufizuar për të përcaktuar hapësirën e kundërshtimit qytetar nuk ka asgjë të përbashkët me parimet e demokracisë.
Do i sugjeroja kryeministrit, gjithashtu, të lexonte nga Hanna Arendt veprën e saj Mbi dhunën, për të kuptuar se pushteti, i cili buron nga vullneti dhe veprimi i përbashkët, me mbështetjen e qytetarëve, dallon nga dhuna, e cila mbështetet në mjetet e detyrimit. Paketa ndëshkimore që propozon ai, duke synuar të ndëshkojë autorët e dhunës, mund të rrezikojë zëvendësimin e dialogut politik, të cilin ai asnjëherë nuk e ka dashur, me frikën e ndëshkimit. Në rastin tonë, propozimet e kryeministrit rrezikojnë ta shndërrojnë ligjin në një instrument të frikës.
Së fundmi, do i sugjeroja kryemnistrit të lexonte nga George Orwell esenë e tij të njohur Politika dhe gjuha angleze, në të cilën analizohet mënyra se si gjuha politike mund ta mjegullojë realitetin dhe t’i bëjë veprimet e diskutueshme të qeverisë të duken të pranueshme. Një gjuhë si ajo që përdor kryeministri ynë me këtë paketë, “anarki urbane” dhe “dhunues”, veçanërisht nëse përdoret pa dalluar autorët e dhunës nga protestuesit paqësorë, është pikërisht ajo gjuhë pushteti që kritikonte Orwell.
Dy ide të themelore burojnë nga veprat e këtyre mendimtarëve të shquar:
Së pari, demokracia nuk vdes vetëm kur pushteti merret me dhunë. Ajo rrezikon të vdesë edhe kur pushteti mbahet me çdo kusht, kur ligji shndërrohet në mburojë të qeverisë dhe kur qytetari fillon të ketë frikë të kërkojë atë që demokracia ia njeh si të drejtë: ndryshimin e saj.
Së dyti, mbrojtja e demokracisë nuk është detyrë vetëm e institucioneve, e gjykatave apo partive politike. Ajo është përgjegjësi e çdo qytetari që refuzon të mësohet me abuzimin, heshtjen dhe frikën. Pushteti është gjithnjë i përkohshëm, ndërsa institucionet dhe të drejtat e qytetarëve duhet të jenë më të qëndrueshme se çdo qeveri.
DITA
