Diskutimet për projektligjin për barazinë gjinore u shoqëruan me debate dhe akuza të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës në seancën e së enjtes.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e mbajtur nga foltorja e Kuvendit e cilësoi këtë ligj si kundër familjes dhe në shkelje të kushtetutës së vendit.
Berisha tha se janë të pavërteta të gjitha pretendimet se ky ligj kërkohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa kërkoi nga ambasadori i BE që të tregonte direktivat mbi bazën e të cilave i kërkohet Shqipërisë të votojë këtë ligj.
“Sillet në emër të direktivave të BE. Ekspertë të shquar kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE, në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Në asnjërën prej tyre nuk flitet për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit. I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë cila direktivë e BE e kërkon një gjë të tillë. T’u thotë shqiptarëve, se direktivat janë aty. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë në 21 vende anëtare të BE. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016”, tha Berisha.
Menjëherë pas Berishës e mori fjalën kreu i grupit të PS, Taulant Balla i cili dënoi sulmet sipas tij të kryedemokratit ndaj ambasadorit të BE ndërsa theksoi se do të depozitojnë kërkesë pranë Komisionit të Etikës që ai të japë shpjegime lidhur me këto deklarata.
“E dënoj ashpër sulmin qe sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt ambasadorit te BE-së në Shqipëri. Ky sulm i përsëritur nga u njëjti individ, prej 35 vitesh kundër ambasadoreve të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, kundër ambasadorëve të tjerë të vendeve mike dhe ambasadorit të BE-së këtu.
Bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës, dhe interesin kombëtar të Shqipërisë sonë se BE mbetët partneri ynë më i rëndësishëm dhe se Shqipëria brenda viti 20230 do jetë pjesë e bashkimit Evropian pavarësisht orientimit tuaj aspak në favor të kësaj aspirate historike për ta parë vendin pjesë të Bashkimit Evropian.
Sa i përket këtij sulmi sot, zoti kryetar i Kuvendi ne do të depozitojmë pranë komisionit të etikës të kuvendit të Shqipërisë qe deputeti në fjalë të japë shpjegime por edhe Kuvendi të ndalë sulmet”, tha Balla.
Para nisjes së seancës së sotme u mbajt edhe një protestë para Parlamentit kundër këtij projektligji të cilës iu bashkua edhe kryedemokrati Berisha.
j.l./ dita
