Nga Zef Preçi
Beogradi tregoi se një makineri klienteliste mund të mposhtet. Tirana duhet të pyesë pse te ne pakënaqësia nuk kthehet në votë, por në biletë avioni me një drejtim.
Diten e djeshme (25 Tetor 2026), Lista e Studentëve fitoi zgjedhjet e parakohshme në Serbi me rreth 51,5% të votave, kundrejt rreth 40,4% të koalicionit të Aleksandar Vučićit, (sipas vëzhguesve të Crta-s); Vučići e pranoi humbjen të njëjtën natë, pas 14 vitesh në pushtet.
Pjesëmarrja ishte afër 70%, më e larta që nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Politologu Dušan Pavlović e shpjegon këtë fitore me disa elementë: grumbullimi i pakënaqësisë, studentët si pikë e përbashkët koordinimi, “duart e pastra” dhe refuzimi për të marrë poste, si dhe fakti që Vučići u bë i vjetëruar kulturalisht për një brez që nuk donte të ishte pjesë e botës së patronazhit partiak
(https://dusan1969.substack.com/p/how-students-defeated-vucic-without?r=gthry&utm_medium=ios).
Detaji më domethënës për ne këtu në Shqipëri është se ai u mund pa krizë ekonomike.
Në disa opinione a komente të mëparshme jam përpjekë të argumentoj se leku i fortë, kullat bosh dhe paraja me origjinë krimin e organizuar, trafiqet dhe korrupsionin janë simptoma të një “sëmundjeje holandeze” shqiptare. Rasti serb e shtyn këtë argument një hap më tej: e njëjta para që deformon ekonominë ushqen edhe sistemin politik që e mban këtë deformim në këmbë.
E njëjta makineri, rezultat i kundërt
Shqipëria ka shumë nga përbërësit që studiuesi Pavlović përshkruan për Serbinë. Në zgjedhjet e 11 majit 2025, OSBE/ODIHR konstatoi përdorim të gjerë të burimeve administrative nga partia në pushtet, që krijoi avantazh të padrejtë, si dhe raporte për blerje votash, presion mbi votuesit e cenueshëm dhe ndikim të pretenduar të elementëve kriminalë në disa zona. Raporti i Bertelsmann Stiftung’s Transformation Index për vitin 2026 vëren se pothuajse të gjitha hetimet për korrupsion të nivelit të lartë kanë zbuluar rrjete patronazhi që devijojnë kontrata dhe burime publike drejt familjarëve, bizneseve të lidhura dhe madje rrjeteve kriminale. Një studim i fundit i IZA, nje rrjet global i studiuesve, tregonte se fushatat zgjedhore në Shqipëri shoqërohen me përfitime në tregun e punës për mbështetësit e partisë në pushtet. Pra, “një votë për një vend pune” nuk është metaforë, por mekanizëm i matshëm.
Megjithatë, rezultati është i kundërt. Ndërsa në Serbi pjesëmarrja arriti afër 70%, në Shqipëri ajo ishte vetëm 44,8% në 2025, dhe partia në pushtet fitoi mandatin e katërt me 53,3% të votave. Sipas mendimit tim, dallimi nuk qëndron te forca e makinerisë klienteliste, por te mënyra si reagon shoqëria ndaj saj.
Te ne, pakënaqësia ka zgjedhur daljen, jo zërin
Në Serbi, pakënaqësia u grumbullua derisa u shndërrua në votë. Në Shqipëri, ajo largohet. Shqipëria kishte në 2024 emigracionin neto më të lartë në Evropë: 12,1 banorë për çdo 1.000 banore, ndërsa rreth 62% e emigrantëve janë nën 35 vjeç. Pavlović thekson se demografia e ndihmoi lëvizjen serbe: bazës së moshuar të Vučićit iu shtuan të rinj që sapo mbaronin shkollën. Te ne, demografia punon në drejtim të kundërt: brezi që mund ta shihte klientelizmin si “të vjetëruar kulturalisht” po voton me pasaportë.
Edhe Shqipëria ka pasur momentin e saj studentor. Në dhjetor 2018, studentët pushtuan auditoret dhe rrugët për tarifat, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet në konvikte, në protestën më të madhe që vendi kishte parë prej vitesh. Por lëvizja u shua pa marrë formë politike dhe pa u bërë pika e përbashkët e votuesve të zhgënjyer. Mungoi pikërisht ajo që bëri dallimin në Beograd: një alternativë e pastër, që nuk kërkon postet, por ndryshimin e rregullave të lojës.
Paraja informale dhe kriminale si karburant i klientelizmit
Në disa opinione të mëparshme kam shkruar për nevojën e ndryshimit të kulturës politike, për ndikimin e lekut të fortë dhe rolin e patronazhimit politik në deformimin e proceseve ekonomike dhe politike. Klientelizmi ka nevojë për para që nuk duken: për fushata, për blerje votash, për “investime” që shpërblejnë besnikërinë. Në zgjedhjet e 2025, SPAK dërgoi në gjyq disa raste blerjeje votash, ndërsa gazetarët raportuan për më shumë se 35 procedime penale të lidhura me zgjedhjet dhe rreth 200 milionë lekë cash të gjetura në shtëpinë e një biznesmeni të dyshuar për blerje votash.
Kur ndërtimi, resortet me lehtësi fiskale dhe paraja cash bëhen kanale të rëndësishme të zhvillimit, ato krijojnë një shtresë interesash dhe interesaxhinjsh që kanë çdo arsye ta mbrojë status quo-në aktuale.
Paraja informale dhe kriminale nuk shtrembëron vetëm kursin e lekut; ajo i jep makinerisë klienteliste burimet që i duhen për t’u riprodhuar. Dhe ashtu si në Serbi, edhe këtu ekonomia nuk po krijon krizë që ta shembë sistemin. Leku i fortë, rritja e pagave të nëpunësve dhe stabiliteti makroekonomik shiten si dëshmi suksesi. Mësimi serb është se ndryshimi nuk vjen domosdoshmërisht nga kriza ekonomike, por nga momenti kur një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më të jetë pjesë e një kulture politike.
Çfarë mund të mësojmë nga Beogradi
Rasti serb nuk mund të kopjohet mekanikisht, por sipas mendimit tim ofron të paktën tre mësime kryesore.
Së pari, alternativa duhet të jetë e pastër dhe të heqë dorë nga postet, të mos jetë e motivuar prej tyre; vetëm kështu premtimi për ndryshimin e sistemit bëhet i besueshëm.
Së dyti, duhet një pikë e përbashkët e dukshme, që t’u tregojë votuesve të zhgënjyer se nuk janë vetëm; pa këtë, abstenimi i cili ka qenë një zgjedhje në dukje racionale e opozitave të derisotme, nuk duhet të jetë më një opsion.
Së treti, angazhimi vullnetar mbi bazën e solidaritetit njerëzor dhe interesit të përbashkët mund të zëvendësojë paratë e patronazhit, por vetëm nëse të rinjtë mbeten në vend.
Prandaj, lufta kundër parave me origjinë të paqartë, transparenca në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme dhe politikat për mbajtjen e të rinjve në Shqipëri nuk janë tri politika të ndara.
Ato janë kushtet që pakënaqësia shqiptare të shndërrohet nga largim jashtë vendit si deri më sot në zë i fuqishëm kundër keq-qeverisjes, korrupsionit dhe varfërisë që ato krijojnë.
Me zgjedhjet e djeshme Serbia na tregoi se kultura politike mund të ndryshojë edhe brenda një brezi. Pyetja për Shqipërinë është nëse do ta kemi atë brez këtu kur të vijë momenti, që duket se nuk është shumë larg…
Vučići kishte buxhetin, institucionet dhe rrjetin e besnikëve patronazhistë. Studentët kishin vetëm një ide: se pushteti mund të kërkohet pa u bërë pjesë e sistemit që e prodhon. Dhe ideja fitoi. Keynes shkruante se idetë e ekonomistëve dhe të filozofëve politikë, kur kanë të drejtë dhe kur gabojnë, janë më të fuqishme nga ç’mendohet zakonisht. Botën e ndryshojnë idetë, por vetëm kur ka njerëz që qëndrojnë për t’i mbrojtur. Në Shqipëri, sfida nuk është mungesa e ideve, por që ata që i mbartin të mos largohen nga vendi.
DITA
