Hetimi i prokurorisë kundër ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ka zbuluar prona dhe investime të padeklaruara të tij në dy dekada si dhe pagesa të tërthorta të marra nga biznesmenët e incineratorëve me vlerë 491 mijë euro si dhe një vilë në Hamallaj.
Prokuroria bën të ditur se ka identifikuar gjithashtu një vilë në Green Coast në Palasë, të cilën dyshohet se Ahmetaj e ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga biznesmeni Mond Begaj.
Ka një kopje të kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit parlamentar të Ahmetajt, me qëllim kontrollin e banesës dhe arrestimin e tij.
Kërkesa paraqet në mënyrë të përmbledhur faktet e grumbulluara nga hetimi i prokurorisë, në të cilin, Ahmetaj akuzohet se ka përfituar korrupsion në gjashtë raste si dhe është angazhuar në pastrim parash në më shumë se një rast.
Prokuroria nuk shpjegon lidhjen mes Begajt dhe Ahmetajt dhe e klasifikon përfitimin e vilës në Palasë si pasuri të padeklaruar dhe jo si korrupsion.
Begaj është një personazh i dënuar më parë, i njohur për lidhje miqësore me ministrin e sapoemëruar të Brendshëm, Taulant Balla. Bega është dënuar në Itali me fillimisht me mbi 24 vjet heqje lirie në vitin 2007 me emrin Manoli Bega, por ka arritur të përfitojë ulje të vazhdueshme, duke u dënuar në përfundim me 11 vjet. Gjykata e Lartë në Shqipëri e konvertoi këtë dënim në vitin 2009 me pak më shumë se katër vjet.
“…nga të dhënat e administruara përgjatë këtij hetimi, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se shtetasit Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj kanë porositur dhe fituar pronësinë që në vitin 2019, të një vile të identifikuar si vila me nr. 73, ndodhur në Green Coast, Palasë, e porositur me kontratë sipërmarrje nga shoqëria Inerte Express sh.p.k., me ortak shtetasin Mond Bega, kaluar në vijim, me qëllim fshehjes së pronarit të vërtetë, shtetases Elda Dinaj, mikeshë e ngushtë e shtetases Albina Mançka,” shkruhet në kërkesën e prokurorisë.
Sipas kërkesës, vila duket se është pronë e fshehtë e të dyshuarit dhe është përfituar me të ardhura që nuk mund të justifikohen me burime të ligjshme.
Partia Demokratike e cila tani e mbron, e akuzoi Ahmetajn në vitin 2018 se ka favorizuar Begon për privatizimin e një sipërfaqeje tokë shtetërore në Tiranë. Ahmetaj i hodhi poshtë akuzat.
