Nga Fatos Tarifa
(Nga sa them më poshtë, përjashtoj pesë a gjashtë deputetë socialistë, të cilët i njoh nga afër dhe me të cilët komunikoj. Ata vetë e dinë se e kam fjalën për ta).
1. Edhe pse nuk është zgjedhur drejtpërsëdrejti nga populli, beson se është përfaqësuesi i tij i drejtpërdrejtë dhe i denjë. Mandatin e deputetit ia ka borxh kryetarit të partisë, por, që nga dita e parë kur ulet në sallën e Kuvendit, nis të besojë se atë mandat e ka merituar më shumë, ose të paktën po aq sa kushdo tjetër.
2. Nga një njeri krejt i zakonshëm, pa ndonjë meritë të veçantë në ndonjë fushë, fillon ta besojë veten një VIP të vërtetë, pjesë të elitës së shoqërisë dhe se meriton të trajtohet si i tillë.
3. Në mungesë të bindjeve të veta, i bindet për gjithçka kryetarit. Nuk dyshon kurrë në vërtetësinë e fjalëve të tij, as në drejtësinë e qëllimeve të tij. Bindjen ndaj kryetarit e konsideron besnikërinë ndaj partisë.
4. Në Kuvend flet shumë rrallë, me një fjalor që vështirë se i kalon njëqind fjalë—gjithnjë të njëjtat fjalë—dhe, përgjithësisht, nuk thotë asgjë me rëndësi. Si të flasë, si të mos flasë, është e njëjta gjë. Gjasat për të thënë ndonjë gafë janë më të vogla kur flet pak reduktohen në zero kur e mbaj gojën kyçur.
5. Nuk e vë mendjen në punë, nuk gjykon, nuk analizon, nuk propozon ndonjë projektligj të ri ose më të mirë se ata që ekzistojnë. Vetëm voton gjithçka që i kërkon kryetari. Mendimin e vet, nëse ka vërtet një të tillë, ia ka deleguar kryetarit, ndërsa për vete ka ruajtur vetëm të drejtën për të ngritur dorën.
6. Për të, rëndësi nuk ka sa flet dhe çfarë thotë në Kuvend, por si duket në sallë, mes të ngjashmëve të vet, në rrugë, mes kalimtarëve dhe, sidomos, në ekran, ku e sheh e tërë Shqipëria. Nuk ka rëndësi çfarë përfaqëson; rëndësi ka të duket se përfaqëson dikë.
7. Mandati i deputetit ndryshon tek ai individ veshjen (e bën më të shtrenjtë), stilin dhe mënyrën e krehjes së flokëve (e bën të duket më juvenil), mënyrën e ecjes (më kapardisëse, më pompoze e më teatrale), por nuk e bën më të arsyeshëm, më të përgjegjshëm, më empatik. Ndryshon pamja, jo përmbajtja; shtohen pozat, por nuk rritet personaliteti.
8. Ka një dallim të madh, madje grotesk, mes asaj që mendon për veten dhe asaj që është në të vërtetë. Në përfytyrimin e vet është një personalitet; në realitet, shpesh, vetëm një karikaturë e tij.
9. Nëse e pyet ç’është një parti politike, ç’kuptojmë me ideologji apo ç’do të thotë pushtet i legjitimuar, nuk di të të japë përgjigje. Gëte do të thoshte për të se kupton nga politika më pak sesa kupton macja nga matematika.
10. Nëse ende nuk ka marrë një gradë shkencore, lexon me vështirësi; nëse e ka marrë, nuk është çudi ta ketë fituar me plagjiaturë.
DITA
