Shtetet e Bashkuara për herë të parë i kanë kërkuar Ukrainës t’i lëshojë territor Rusisë në këmbim të anëtarësimit të Kievit në NATO, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklarata që i dërguari i SHBA-së Jared Kushner u përpoq t’i minimizonte.
Pas rritjes së sulmeve ruse kundër Ukrainës ndërsa afrohet dimri, Zelensky shtoi se Rusia po “vë bast gjithçka” për fushatën e saj ushtarake këtë dimër.
Presidenti ukrainas i bëri këto deklarata pas vizitës së tij në Danimarkë dhe Irlandë, ku u takua me udhëheqësit evropianë dhe të dërguarit e SHBA-së Jared Kushner dhe Steve Witkoff, pas dy ditësh bisedimesh të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës nën ndërmjetësimin e SHBA-së.
“Amerikanët ngritën pyetjen: ‘Po sikur Ukraina t’i bashkohet NATO-s? A do të tërhiqet nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që u ngrit kjo çështje”, tha Zelensky.
Diskutimi tregoi gjithashtuse “NATO është rikthyer në axhendë”, shtoi ai duke theksuar se Kievi nuk do të pranojë as një regjim neutraliteti.
Ukraina kërkon të bashkohet me NATO-n pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, por Moska është plotësisht kundër kësaj perspektive dhe për vite me radhë ka akuzuar Aleancën e Atlantikut të Veriut për forcimin e krahut të saj lindor.
Gjatë bisedimeve, Kushner vuri në dukje në një postim X se “dolën shumë ide të reja dhe tani po shqyrtohen. Disa mund të çojnë në përparim të menjëhershëm të madh, ndërsa të tjerat mund të evoluojnë në propozime të reja që do të ndihmojnë në tejkalimin e boshllëqeve”.
Pa iu referuar konkretisht deklaratave të Zelensky, dhëndri i Trump shprehu keqardhje për transmetimin në media të“qëndrimeve maksimaliste nga të dyja palët, të shoqëruara me retorikë të fortë”.
Bisedimet në Abu Dhabi, të parat midis Rusisë dhe Ukrainës që nga shkurti, nuk arritën të sjellin ndonjë përparim domethënës në zgjidhjen e krizës. Megjithatë, ato i lejuan të gjitha palët të bien dakord për pjesëmarrjen e evropianëve në negociatat e ardhshme, pasi Moska dhe Uashingtoni thonë se duan të diskutojnë jo vetëm luftën, por edhe sigurinë e Evropës.
Në Dublin, europianët ranë dakord të përfaqësoheshin në negociatat e ardhshme nga pesë vende (Franca, Gjermania, Britania, Polonia dhe Italia) dhe përfaqësues të BE-së.
Për Kushner, “një paqe e qëndrueshme kërkon garanci të besueshme sigurie për Ukrainën” dhe “NATO do të mbetet një shtyllë jetësore e sigurisë evropiane”, siç theksoi ai në X.
“Siguria e vërtetë në Evropë do të thotë BE dhe NATO. Nuk ka siguri tjetër për Evropën”, theksoi Zelensky.
“Renditja duhet të jetë si më poshtë: një armëpushim, fundi i luftës në Ukrainë dhe garanci sigurie për Ukrainën”, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas theksoi se Moska e hodhi poshtë propozimin e Kievit për një armëpushim energjetik në Abu Dhabi, ndërsa Kievi, nga ana tjetër, e hodhi poshtë propozimin e Presidentit rus Vladimir Putin për një “mision humanitar” në qytetin e diskutueshëm ukrainas të Kostiantynivka, duke e konsideruar atë një “manovër” për të çuar përpara trupat ruse në Donbas.
Për të parandaluar një ofensivë të re në rast të përfundimit të armiqësive, Kievi po diskuton me partnerët e tij “një paketë gjithëpërfshirëse garancish sigurie”, disa aspekte të së cilës kanë të bëjnë me NATO-n dhe BE-në, të cilat do të përfshinin sigurimin e një “ushtrie të fortë ukrainase”, si dhe marrëveshje për rindërtimin pas luftës, tha Zelensky.
Sipas tij, nëse vendet perëndimore i konfirmojnë këto propozime, ato do t’i paraqiten “shoqërisë ukrainase”.
Me Kongresin e ri, në të cilin demokratët kanë shumicën, që pritet të fillojë punën në Uashington në janar, presidenti ukrainas kërkoi gjithashtu një paketë ndihme ushtarake nga SHBA-të, e cila, sipas tij, do ta detyronte Putin t’i jepte fund konflikteve.
j.l./ dita
