Nga Fatos Tarifa
Në romanin e njohur satirik Dymbëdhjetë karriget, botuar më 1928, shkrimtarët sovjetikë Ilya Ilf dhe Evgeny Petrov rrëfejnë aventurën e dy personazheve që vihen në kërkim të një thesari me diamante, të fshehur brenda njërës prej dymbëdhjetë karrigeve. Është një komedi brilante për lakminë, oportunizmin dhe marrëzinë njerëzore.
Gati një shekull më vonë, në Tiranë, kryeministri Rama mendoi të shkruante versionin e tij të kësaj komedie, me një ndryshim thelbësor: thesari që kërkon nuk janë diamantet, por diçka shumë më e vështirë për t’u gjetur—besimi i qytetarëve.
Për këtë qëllim, ai nxorri dymbëdhjetë karrige në trotuarin e bulevardit të madh, përpara Kryeministrisë, dhe ftoi të ulen në to pedagogë, studente dhe qytetarë, të cilëve, për vite me radhë, u ka folur nga lart, i ka shpërfillur, përqeshur e fyer. Tani kërkon të bisedojë me ta.
Sa prekëse!
Dymbëdhjetë karrige! As njëmbëdhjetë, as trembëdhjetë. Sikur demokracia të ishte çështje mobilimi dhe kriza e besimit publik të zgjidhej me disa orendi të vendosura në trotuar.
Kryeministri, i cili për vite me radhë ka parapëlqyer monologun ndaj dialogut, duartrokitjet ndaj kritikës dhe bindjen ndaj mendimit të lirë, shfaqet papritur si një Sokrat i vonuar i bulevardit, i gatshëm të dëgjojë ata që deri dje nuk denjonte as t’i merrte seriozisht.
Por Sokrati bënte pyetje për të kërkuar të vërtetën; Rama duket se kërkon bashkëbisedues për t’iu shmangur së vërtetës.
Në këtë komedi politike, karriget janë të vërteta, por ftesa tingëllon e rreme. Sepse dialogu nuk fillon kur pushtetari nxjerr karriget në rrugë. Ai fillon kur pushtetari pranon se qytetarët kanë të drejtë të mos mendojnë si ai.
Dhe këtu lind pyetja që, si një refren i pashmangshëm, e shoqëron këtë shfaqje të vogël të teatrit politik shqiptar:
Dialog me ju? Pse? Pse tani?
Pse tani, kur pedagogët, studentët dhe qytetarët e këtij vendi kanë kohë që kërkojnë të dëgjohen?
Pse tani, kur pakënaqësia ka dalë nga auditorët në rrugë dhe është shndërruar në një krizë të thellë besimi ndaj qeverisë dhe kreut të saj?
Pse tani, kur pushteti nuk përballet më thjesht me kërkesa, por me një refuzim gjithnjë e më të hapur të mënyrës se si ushtrohet ai?
Dhe, mbi të gjitha, përse duhet të besojë dikush se njeriu, i cili gjithnjë e ka pasur bezdi kritikën ndaj tij, kundërshtimin e ka konsideruar si armiqësi dhe mospajtimin si mungesë inteligjence, është shndërruar brenda natës në apostull të dialogut?
Për vite me radhë, Kryeministri ka folur. Ka folur gjatë. Ka folur për gjithçka. Në parlament, në televizione, në rrjetet sociale, në mbledhje qeverie, në takime publike. Ka folur edhe kur duhej të dëgjonte. Sidomos atëherë.
Dhe tani kërkon dialog!
Dialog me ju? Për çfarë? Që të na shpjegoni edhe një herë se sa gabim e kemi ne, intelektualët dhe qytetarët e këtij vendi dhe sa të drejtë keni ju?
Që të na bindni se universitetet shqiptarë janë më mirë nga sa mendojnë pedagogët që japin mësim dhe studentët që studiojnë në to?
Që të na tregoni se realiteti nuk është ai që jetojmë, por ai që përshkruani ju?
Jo, zoti Kryeministër. Ky nuk është dialog. Kjo është pedagogjia e vjetër e pushtetit autoritar: Ç’thotë Partia bën populli! Ju kujtohet kjo parrullë famëkeqe e kohës së diktaturës së proletariatit në Shqipëri. Sot, jo u thoni shqiptarëve pothuajse të njëjtën gjë: kur pushteti flet, qytetarët dëgjojnë; kur pushteti shpjegon, qytetarët duhet të kuptojnë; kur pushteti vendos, qytetarët duhet të falënderojnë.
Dhe kur qytetarët nuk falënderojnë, nxirren karriget!
Ka diçka thellësisht komike në këtë gjest tuajin. Një kryeministër që ka në dispozicion të gjithë mekanizmat institucionalë të një shteti demokratik, zgjedh të improvizojë një sallon dialogu në trotuar.
Një njeri që mund të kishte dëgjuar prej kohësh çfarë thotë dhe ç’kërkon populli, vendos të dëgjojë pikërisht kur njerëzit nuk duan më ta dëgjojnë atë vetë.
Sepse problemi nuk është se ju, zoti Kryeministër, nuk keni pasur ku të uleshit me pedagogët, studentët dhe qytetarët e këtij vendi. Problemi është se ju nuk keni ditur, ose nuk keni dashur, të uleni me ta si i barabartë, edhe ju si një qytetar i këtij vendi.
Tani që qytetarët nuk pranojnë më të jenë spektatorë, ju u ofroni vende në rreshtin e parë.
Çfarë bujarie!
Por edhe në këtë shfaqje ju kërkoni të jeni njëkohësisht regjisori, skenaristi, skenografi dhe protagonist i saj. Ju caktoni vendin, kohën, numrin e karrigeve dhe, me sa duket, edhe kuptimin e dialogut. Të tjerëve u mbetet të pranojnë ftesën dhe të marrin pjesë në spektakël.
Nuk kam asgjë kundër dialogut. Përkundrazi. Dialogun e konsideroj si një ndër virtytet themelore të jetës demokratike dhe të kulturës universitare. Karl Popper, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të shoqërisë së hapur, e ka shprehur thelbin e dialogut me një thjeshtësi të admirueshme: “Unë mund të jem gabim dhe ti mund të kesh të drejtë; por, duke u përpjekur së bashku, mund t’i qasemi më shumë së vërtetës”.
Problemi është se, në krye të pushtetit, ju nuk jeni për një shoqëri të hapur. Ju jeni kundër asaj polifonie zërash në hapësirën publike për të cilën fliste Habermas. Dhe Habermas thoshte se, në një dialog të vërtetë, nuk duhet të vendosë autoriteti i atij që flet, por pesha e argumentit që ai sjell, “forca pa shtrëngim e argumentit më të mirë”.
Ju nuk e kuptoni dhe nuk e doni të tillë dialogun. Ju doni të dëgjohet vetëm zëri juaj. Në një shoqëri demokratike, dialogu kërkon respekt të ndërsjellë, gatishmëri për të dëgjuar dhe, mbi të gjitha, vullnet për të pranuar se edhe tjetri mund të ketë të drejtë. Pa këto, dialogu është thjesht një emër më i tërheqës për vazhdimin e monologut.
Më lejoni t’ju kujtoj një gjë fare të thjeshtë: Në demokraci ka diçka shumë më të rëndësishme sesa gatishmëria e një kryeministri për të dialoguar me qytetarët e vendit të tij: kjo është aftësia e tij për të kuptuar kur qytetarët nuk kanë më besim tek ai.
Ju nuk e përballoni dot forcën e argumentit më të mirë, edhe pse me fodullëk u thatë qytetarëve disa ditë më parë se askush nuk përballet dot me arguementet tuaja. Ju parapëlqeni argumentin e forcës së pushtetit. Madje ky është, mesa duket, i vetmi argument që keni. Midis kësaj mënyre të të kuptuarit të dialogut dhe asaj për të cilën flisnin Popper dhe Habermas, qëndron i gjithë dallimi mes arrogances së pushtetit dhe ademokracisë liberale.
Dhe mos harroni: një popull nuk është i detyruar të “dialogojë” pafundësisht me një pushtet që e ka zhgënjyer. Dhe as universiteti nuk është një klasë nxënësish që duhet të paraqiten sa herë mësuesi i vetëshpallur i kombit i thërret për t’u dhënë një leksion tjetër.
Natyrisht, asnjë ftesë për dialog nuk bëhet e pavlefshme vetëm sepse vjen vonë. Edhe një qeveri që ka gabuar mund të ndryshojë kurs. Por ndryshimi nuk provohet me gjeste teatrale. Provohet me pranimin e gabimeve dhe të përgjegjësisë, me vendime konkrete dhe me heqjen dorë nga arroganca. Asgjë nga këto nuk mund të zëvendësohet me dymbëdhjetë karrige.
Prandaj, zoti Kryeministër, problemi nuk është thjesht se ftesa juaj erdhi vonë. Problemi është se ajo ftesë vjen pas kaq shumë rastesh të humbura për të dialoguar, sa sot tingëllon më tepër si një përpjekje për të shpëtuar pushtetin tuaj sesa për të dëgjuar qytetarët.
Too little, too late. Shumë pak. Shumë vonë.
Në fund të romanit Dymbëdhjetë karriget, thesari gjendet, por jo nga ata që e kërkojnë me aq dëshpërim. Thesarin që kërkoni sot ju, zoti Kryeministër, duket se e keni humbur përgjithmonë. Sepse besimi i qytetarëve nuk fshihet në karrige, nuk blihet me spektakle dhe nuk rikthehet me një ftesë të vonuar. Ai fitohet me respekt, me përgjegjësi dhe me atë përulësi demokratike që pushteti i gjatë shpesh e shkatërron.
Dymbëdhjetë karriget mbetën bosh në trotuar, të refuzuara nga qytetarët, si dëshmitare të një tragjikomedie politike, në të cilën protagonisti kërkon me dëshpërim të gjejë atë që vetë e ka humbur.
Ndoshta nesër, nëse do të jeni përsëri kryeministër, do t’i zëvendësoni ato karrige me të tjera. Por mbi bulevardin e madh të Tiranës, përballë dritareve të Kryeministrisë, do të vazhdojë të endet, si një fantazmë që nuk gjen prehje, pyetja së cilës asnjëra prej tyre nuk mund t’i japë përgjigje:
Dialog me ju, z. Kryeministër? Pse? Pse tani?
Ndoshta sepse, siç do të thoshte Betrand Russell, ju, më në fund, e zbuluat nevojën për dialog jo sepse filluat të dyshoni te vetja, por sepse të tjerët nuk ju besojne më juve.
Pra, zoti Kryeministër, përse na ftoni të ulemi në ato dymbëdhjetë karrige të kryeministrisë, kur ajo që ne kërkojmë është që ju të kuptoni se nuk mund të qëndroni përgjithmonë në karrigen tuaj?
DITA
