Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri, deklaroi sot se Belind Këlliçi po tregon mungesë integriteti ndaj qytetarëve të Tiranës. Duke folur në ABC News, Kulluri theksoi se vjehrri i Këlliçit, Artan Shkreli është arkitekti i kullave në Tiranë.
“Është fatale për Këlliçin. Ti nuk mundet të sulmosh, po themi VKM-në e PS-së, për kontrollin teknik të godinave 50-vjeçare, nëse janë të rrezikuara nga tërmetet dhe mos të sulmosh atë që del e mbron në televizion dhe atë që e shkruan vendimin e qeverisë. Kjo është ajo që kam folur para nja 2 muajsh për mungesën e integritetit të zotit Këlliçi. Të hysh në garë për Tiranën, do integritet. Do që ta çosh kokën dhe ta shikosh me sy qytetin, qytetarët dhe mbi të gjitha rivalin tënd. Kur ti shikon rivalin, por nuk përmend ata që janë në krah të rivalit, apo mbas rivalit, kjo tregon që ti ke frikë, ke droje, sepse në vetvete zoti Këlliçi, është me të drejtë i kompleksuar absolutisht, askush nuk i hyn në jetën e tij private. Por njeriu duhet të bëjë disa zgjedhje, midis jetës private dhe asaj publike, mirë është që të mos jesh i detyruar të zgjedhësh. Ti kupton që një familjar i kandidatit të Tiranës është një nga ata që ka projektuar dhe është anëtar i KRTSH-së, anëtar i KRT-së së Tiranës. Po shikoja CV-në e zotit Shkreli, që mund të jetë i nderuar në punën e tij, nuk kam ndonjë gjykim, as pozitiv, as negativ për kualitetin e tij si arkitekt, por patjetër që janë bashkëfajtorë. Anëtarët e KRT-së kanë bashkëpunuar me Edi Ramën për këto 1 mijë e ca leje ndërtimi dhe sot që vazhdojnë firmosin leje ndërtimi, edhe ndonjë kullë 58-katëshe. A ia pranojnë në familje pastaj, apo jo këtë, kjo është kosto që do ta marrë vet. Por nuk mundet gjithë kohën të shmangesh. Kur e thua të vërtetën për këtë, thonë pse futesh në punët e familjes. Po mirë, shumë mirë, thuaje atëherë kush janë shkaktarët. Ata që i miratojnë në organet kolegjiale apo edhe individualisht kanë emra dhe mbiemra”, deklaroi Kulluri.
Sipas tij, Këlliçi nuk po bën fushatë dhe se nuk po tregon integritet. “Këlliçi nuk ka fushatë. Nuk shoh teza, një set propozimesh për Tiranën nën drejtimin e Këlliçit. Deri tani shikoj negativizëm ndaj Veliajt. Këlliçi nëse ka dalë me të drejtë si kandidat i asaj partie që sulmon bashkinë e Tiranës në vijimësi për betonizimin e qytetit, duhet të përmendur edhe emrat e atyre që ka përmendur lejet e drejtimit”, tha ai.
o.j/dita
