Egjipti ka përfshirë 35 organizata dhe 36 individë në listat e subjekteve terroriste dhe personave të shpallur terroristë për një periudhë pesëvjeçare.
Në mesin e organizatave të përfshira në këtë vendim është edhe Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Arsim nga Kosova, transmeton Telegrafi.
Vendimi është marrë nga Gjykata Penale e Kajros, në kuadër të çështjes nr. 11108 të vitit 2026, e regjistruar pranë Prokurorisë së Sigurisë së Lartë të Shtetit.
Ai është publikuar në numrin e së martës, 250 (suplement), të Gazetës Zyrtare të Egjiptit, më 10 nëntor 2026, dhe parasheh përfshirjen e organizatave dhe individëve për pesë vjet.
Në listën e 35 organizatave, institucioneve dhe këshillave figuron edhe Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Arsim nga Kosova.
Përveç tij, në listë janë përfshirë edhe organizata të tjera nga vende të ndryshme evropiane, përfshirë Këshillin e Myslimanëve të Evropës dhe degët e tij, Fondacionin Mysliman të Francës, Shoqatën Islame të Britanisë, Lidhjen Myslimane të Zvicrës, Komunitetin Islamik Gjerman dhe Këshillin e Myslimanëve të Ukrainës.
Lista përfshin gjithashtu institucione dhe organizata nga Shqipëria, Turqia, Italia, Spanja, Irlanda, Polonia, Rumania, Hungaria, Belgjika, Bosnja, Maqedonia, Finlanda, Norvegjia, Danimarka, Austria, Holanda, Moldavia dhe Greqia.
Mes tyre janë edhe Këshilli Evropian për Fetva dhe Hulumtime, Këshilli Evropian i Imamëve, Këshilli Evropian për Familjen Myslimane, Këshilli Evropian për Kur’anin e Shenjtë dhe Forumi Evropian i Studentëve Myslimanë.
Në listë edhe 36 individë
Përveç 35 organizatave, vendimi i gjykatës egjiptiane përfshin edhe 36 individë, emrat e të cilëve janë publikuar në Gazetën Zyrtare.
Në mesin e tyre figurojnë Abdullah Sami bin Mansour, Ibrahim Farouk Mohamed Al-Zayyat, Ahmed Kazem Fathi Suleiman Al-Rawi, Anas Osama Tawfiq A-Tikriti, Mohamed Heni, Wissam Al-Bardawil dhe persona të tjerë.
Gjykata ka urdhëruar publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare të Egjiptit, me të gjitha pasojat ligjore që rrjedhin prej tij.
Vendimi nuk jep hollësi të veçanta për rolin e Fondacionit Kulturor për Shkencë dhe Arsim nga Kosova apo arsyet konkrete të përfshirjes së tij në këtë listë.
