Nga Johana Lubonja
Një protestë gjallon me pulsin e atyre që guxojnë. Edhe me plagët që lë pas. Po lëvizim tashmë në muajt e pestë e të gjashtë të historisë së revoltës qytetare e studentore në Tiranë. Emrat e Erjon Vishkullit dhe Eva Pangos janë simbole të përplasjes deri tani të pandalur mes dëshirës për ndryshim dhe murit të blinduar të pushtetit që e ka ndarë mendjen të mbahet me dhunë
Një ditë, e gjitha kjo, do jetë histori. Tymi i kapsollave, gazit lotsjellës dhe goditjeve të dhunshme do lenë pas kujtime të hidhura. Mes tyre, plagosjet e rënda të dy të rinjve Eva Pango dhe Erjon Vishkulli, do mbartin edhe çmimin e lartë të fjalës së lirë dhe revoltës në Shqipërinë e vitit 2026.
Mbi 160 ditë më parë mijëra të rinj, studentë dhe qytetarë zbritën në rrugët e Tiranës. Opinioni publik dhe mediat i pagëzuan si “Revolucioni Flamingo”. Ajo që nisi si një tubim kundër një rrethimi në bregdet, tani është përshkallëzuar pasi ka nxjerrë më zhveshur se kurrë kastën e ndryshkur politike të vendit.
Në mesin e tetorit gjatë përplasjeve të ashpr, regjistrohet një nga momentet më dramatike të protestës. Evanthi Pango, aktivistja e njohur 34-vjeçare, mbetet e plagosur rëndë në kokë. Pamjet e transportimit të saj me barelë tronditën opinionin publik, duke dëshmuar se tensioni kishte kaluar çdo vijë të kuqe të sigurisë.
Disa ditë më vonë, protesta arrin pikën e vlimit kulmor me përleshje frontale. Është nata kur Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani (i njohur edhe si pjesë e komunitetit të tifozëve kuq e zi), qëllohet drejtpërdrejt në syrin e majtë nga një plumb gome.
Erjoni, një shpirt rebel


Pamjet e Erjonit të gjakosur, ashtu si edhe ato të Evës pak ditë më parë, bashkë me ndërhyrjet urgjente mjekësore u shndërruan në simbolin tragjik të disproporcionit të dhunës shtetërore ndaj protestuesve.
Ndërsa Eva kaloi ditët më të vështira të jetës së saj në Spitalin e Traumës me thirrjen se plaga e rëndë e ka bërë “më të fortë dhe më të motivuar”, Erjoni detyrohet të udhëtojë urgjentisht drejt Romës, Itali, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve të ndërlikuara kirurgjikale.
Ai do të ndante nga shtrati i spitalit një mesazh mirënjohjeje, por edhe sfide:
“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur… Po përballem me një sfidë tjetër për shikimin, por çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë dhe kurajë. Mirënjohje pafund, u shtofshin shqiptarët e mirë!”
Për ata që e njohin, Erjoni mbetet dëshmi e gjallë e një shpirti që nuk mund të verbohet lehtë. Plumbi preku pikërisht organin përmes të cilit ai kërkonte të shihte një Shqipëri ndryshe.
Eva, zëri që nuk hesht


Nga ana tjetër, rasti i Eva Pangos mishëron rezistencën e vajzave dhe grave në vijën e parë të protestave. E goditur rëndë në kokë – dyshimet paraprake flisnin për goditje direkte nga mjetet e hedhura në turmë apo granatat e gazit – ajo e kaloi pragun e vdekjes duke u trajtuar në reanimacion, në një moment kur familjarët dhe miqtë jetuan orë ankthi.
Në dëshmitë pas daljes nga spitali, Eva do të shprehej pa doreza:
“Unë nuk kam bërë kurrë as hedhje guri, as hedhje granatash. Unë në natyrë kam retorikën… Më goditën drejtpërdrejt… Nuk funksionon dhuna me shqiptarët, ta harrojnë. Në spital shpresoj të mos kthehem kurrë, por në protestë do të kthehem që ç’ke me të.”
Fjalët e saj përfaqësojnë thelbin e këtij “Revolucioni Flamingo”. Dhuna shtetërore do ulë numrat në rrugë por nuk do shërbejë dot për të shuar revoltën. Përkundrazi, e ka bërë tashmë atë çështje të çdo qytetari që refuzon të pranojë frikën si normë jetese.
Plagë që flasin
Protestat kanë hyjnë në fazë të dhunshme dhe sfiduese ditët e fundit. Pushteti mendon se me plumba gome dhe goditje në kokë do të shuajë hirin e pakënaqësisë. Mendim naiv dhe i cekët.
Historitë e Erjonit dhe Evën janë epitafi moral i kësaj periudhe. Janë dëshmia se pas sloganeve, pankartave, tymit të bulevardit, qëndrojnë njerëz prej mishi e gjaku, ëndrrat e të cilëve u rrezikuan në emër të një të ardhmeje të ndryshme për të gjithë.
DITA
