Në një investigim të publikuar dje, faktohej se kandidati i Berisha-Meta për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka mashtruar universitetin “Coppin University” në Maryland, SHBA, dhe më pas edhe shtetin shqiptar, duke u regjistruar në shkollën amerikane, (dhe duke bërë njësimin më pas të diplomës) pa pasur një diplomë të shkollës së mesme.
Sot është publikuar një tjetër dokument që rëndon pozitën morale por edhe atë ligjore të politkanit të ri. Është proces verbali i Komisionit të Njohjes së Diplomave të Ministrisë së Arsimit, që mban datën 18 nëntor 2010, ku 5 anëtarët e komisionit kanë bërë njohjen e diplomës për Këlliçin.
Në këtë proces verbal gjendet edhe Deklarata e Aplikantit, Belind Këlliçi, i cili ndër të tjera deklaron se “Informacioni që kam dhënë në këtë formular ose në ndonjë material bashkëngjitur është i plotë, korrekt dhe aktual”.
Më poshtë, në pikën B të deklaratës, konkretisht nënpika e) Pragu i pranimit: tipi/niveli i diplomës mbi bazën e së cilës jeni pranuar në këtë program studimi, Belind Këlliçi i është përgjigjur me germa kapitale: “PËRFUNDIM I SHKOLLËS SË MESME”.
Në fund, Këlliçi ka nënshkruar me dorën e tij këtë deklaratë, duke pranuar se informacioni është i vërtetë dhe i saktë.

Por, si në rastin kur u regjistrua në “Coppin University” në vitin 2005, pa pasur një diplomë dhe duke mashtruar shtetin amerikan të Maryland, këtu Këlliçi shkon edhe më larg, duke mashtruar me firmën e tij edhe shtetin shqiptar.
Kjo është një shkelje flagrante dhe e rëndë e ligjit, pasi njësimi i diplomës është bërë në premisa të rreme. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, siç tregohet nga shkresa e kthimit të përgjigjes nëse Këlliçi e kishte kryer Maturën Shtetërore të vitit 2006 (të cilën e botuam dje dhe përgjigja ishte negative), ka qenë në dijeni të faktit se ai nuk e kishte përfunduar shkollën e mesme.
Po ashtu, edhe Belind Këlliçi e ka ditur se për të kryer me sukses njësimin e diplomës sipas ligjit shqiptar, duhet detyrimisht të kishte përfunduar shkollën e mesme. Kjo provon qartë që ai ka gënjyer me dijeni të plotë se ka shkelur ligjin dhe etikën.
Por, është ende e paqartë nëse pas këtyre fakteve të reja, njësimi i diplomës së Këlliçit, por edhe vetë shkolla e tij e lartë, të jetë apo jo e vlefshme.

Në gjithë këtë histori ka edhe diçka tjetër, që duhet zbardhur: lidhja e vëllait të tij më regjistrimin e Këlliçit në “Coppin University” (2005). Këlliçi ka deklaruar shpesh se vëllai i tij ka qenë dhe është mbështetësi i tij më i madh në jetë, e çuditërisht në vitin 2005, kur Këlliçi u regjistrua në universitet, ai punonte në zyrën e pranimeve të studentëve të universitetit amerikan.
Ka dyshime të forta se ka qenë pikërisht vëllai i tij, i cili nëpërmjet ndërhyrjes personale, e ka ndihmuar të regjistrohet lehtësisht në këtë universitet, pa e pasur diplomën e shkollës së mesme. Këlliçi ka rrëfyer se vëllai i tij është edhe financuesi kryesor i fushatës me sponsorizime prej mijëra eurosh në Facebook.
Duhet theksuar se vëllai i Këlliçit aktualisht është edhe Anëtar Bordi i Institutit “Harry Fultz” dhe një skandal i përmasave të tilla hedh dyshime serioze mbi menaxhimin e institucionit në fjalë, – raporton portali Shqiptarja.
j.l. / dita
