Kryeqyteti shqiptar ka kaluar sot ditën e gjashtë radhazi të tensioneve dhe protestave. Situata gjatë ditës së sotme dhe orëve të mbrëmjes është shoqëruar me përplasje me forcat e policisë, incidente të rënda përpara institucioneve kyçe dhe reagime të forta diplomatike e politike.
Dita e gjashtë e tubimeve të dhunshme që erdhën pas rreth 140 ditë protestash paqësore pa reflektim nga kryeministri, nisi me forma të ndryshme protestimi. Në orët e para të ditës, grupe të rinjsh e studentësh për disa momente mbajtën një atmosferë paqësore.
Gjatë pasdites dhe me rënien e mbrëmjes, situata u përshkallëzua. Grupe protestuesish (një pjesë e të cilëve me fytyrë të mbuluar) shënjestruan godina shtetërore e politike. Zjarre dhe dëmtime u raportuan pranë Ministrisë së Infrastrukturës, hyrjes kryesore të selisë së Partisë Socialiste, si dhe janë regjistruar akte vandalizmi te disa objekte përgjatë qendrës.
Gjatë orëve të mbrëmjes u raportuan përplasje pranë Komisariatit Nr. 3 në kryeqytet, ku u hodhën lëndë djegëse/molotovë që shkaktuan tym e flakë lokale, duke lënë edhe efektivë të lënduar në vendngjarje.
Policia e Shtetit përdori mjete uji me presion, gaz lotsjellës dhe kordonë të përforcuar për të shpërndarë turmat nga Bulevardi dhe sheshi “Skënderbej” drejt rrugëve dytësore.
Ndikimi i ditëve të fundit në infrastrukturën e qytetit dhe në shëndetin e qytetarëve e efektivëve është i konsiderueshëm.
Nga të dhënat e raportuara, 270 persona kanë marrë ndihmë mjekësore (efektivë policie, protestues dhe kalimtarë).
Dhjetëra persona po marrin trajtim intensiv në Spitalin Universitar të Traumës.
Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar dhjetëra masa sigurie për të shoqëruarit; një pjesë e të miturve janë lënë nën mbikëqyrje, ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënë në “detyrim paraqitje” apo “arrest shtëpie”.
Ministria e Financave dhe bizneset raportojnë dhjetëra degë bankare e bankomate të dëmtuara, koshash mbeturinash të djegur dhe dëmtime të trotuareve.
Kryeministri dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë deklaruan se shteti nuk do të dorëzohet sipas tyre përballë dhunës vandalizuese, ndërsa u bënë thirrje prindërve të mbajnë fëmijët e mitur larg tensioneve rrugore.
Komisioni Evropian, PE-ja dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë kanë reaguar duke dënuar dhunën dhe duke u bërë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje, dialog politik dhe respektim të së drejtës së tubimit paqësor.






o.p. / dita
