Më shumë se 1,000 vjet pas vdekjes së tij dhe pas mbi gjashtë dekadash negociata, eshtrat e Car Samuilit janë kthyer nga Greqia në Bullgari, ku u pritën me nderime shtetërore dhe nga mijëra qytetarë.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik.
“Athina po përmbush detyrën e saj historike. Besoj se ka ardhur koha për logjikë, drejtësi dhe etikë”, deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Rumen Radev shprehu mirënjohjen për kthimin e eshtrave.
“Dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë, i nderuar Kyriakos, për lidershipin tuaj politik, mençurinë dhe guximin”, tha ai.
Dhjetëra bullgarë morën pjesë në përcjelljen e eshtrave nga Selaniku. Pas hyrjes në hapësirën ajrore bullgare, avioni ushtarak “Spartan” u shoqërua nga avionë luftarakë MiG-29 dhe F-16.
Nga aeroporti Vasil Levski në Sofje deri në sheshin “Princi Aleksandër I”, eshtrat u transportuan nga ushtria bullgare. Mijëra qytetarë i pritën me duartrokitje.

Në Sofje, Radev mbajti një fjalim solemn, duke theksuar se Car Samuili kishte kaluar dekada në luftëra për mbrojtjen e identitetit bullgar.
Ceremonia vijoi me interpretimin e himnit kombëtar nga banda përfaqësuese e Gardës dhe me 21 të shtëna nderi.
Më pas u zhvillua një procesion drejt Bazilikës së Shën Sofisë, ku u mbajt shërbesa përkujtimore.
Eshtrat u vendosën përfundimisht në një sarkofag mermeri në kishë. Kështu, më shumë se një mijë vjet pas vdekjes së Car Samuilit, Bazilika e Shën Sofisë në kryeqytetin bullgar u bë vendi i prehjes së tyre.
Car Samuili ishte sundimtar i Perandorisë së Parë Bullgare nga viti 997 deri në vdekjen e tij më 6 tetor 1014. Para se të merrte titullin e carit, ai kishte qenë komandant ushtarak dhe një nga drejtuesit kryesorë të shtetit bullgar.
Sundimi i tij u karakterizua nga luftërat e vazhdueshme kundër Perandorisë Bizantine dhe përpjekjet për të ruajtur pavarësinë e Bullgarisë. Në kulmin e fuqisë së tij, shteti i drejtuar nga Samuili kontrollonte pjesë të mëdha të Ballkanit, ndërsa Ohri ishte një nga qendrat kryesore politike dhe kishtare të perandorisë.
Në vitin 1014, ushtria e tij pësoi një humbje të rëndë kundër forcave të perandorit bizantin Vasili II në betejën e Kleidionit. Samuili vdiq më 6 tetor të atij viti, ndërsa katër vjet më vonë Perandoria e Parë Bullgare ra nën sundimin bizantin.
Në historiografinë dhe kujtesën kombëtare bullgare, Samuili konsiderohet një nga sundimtarët më të njohur të mesjetës dhe simbol i rezistencës ndaj Perandorisë Bizantine.
j.l./ dita
