Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Shqipëri, në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe tensione të larta politike. Në deklaratën e saj, organizata shpreh shqetësim për raportimet mbi dhunën ndaj protestuesve pas nisjes së tubimeve studentore më 13 tetor në Tiranë, duke kërkuar që qytetarëve t’u jepet një përgjigje konkrete për pakënaqësitë e ngritura.
IDU thekson se zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme, me garanci për pavarësinë e administratës zgjedhore, lirinë e medias dhe praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë ODIHR-in. Organizata kundërshton gjithashtu pretendimet se protestat janë nxitur nga ndërhyrje të huaja, duke argumentuar se shqetësimet e studentëve dhe qytetarëve duhet të trajtohen përmes dialogut dhe jo të shpërfillen.
Në reagimin e saj, organizata ndalet edhe te raportimet për përdorimin e plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe granatave trullosëse ndaj demonstruesve. Ajo u bën thirrje autoriteteve shqiptare të shmangin përdorimin e forcës së tepruar dhe kërkon hetime të pavarura e transparente për çdo rast të dyshuar të shkeljes së ligjit nga efektivët e policisë.
Deklarata: IDU i bën thirrje qeverisë së Edi Ramës të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të zhvilluara në mënyrë të lirë dhe të ndershme, me respekt të plotë për lirinë e medias, një administratë zgjedhore të pavarur dhe akses të pakufizuar për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë Zyrën e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
Shqetësimet e ngritura nga të rinjtë shqiptarë meritojnë një përgjigje të sinqertë dhe konkrete, jo shpërfillje. Paraqitja e një lëvizjeje të gjerë studentësh dhe qytetarësh si rezultat i ndërhyrjes së huaj nuk ndihmon në zgjidhjen e pakënaqësive që i kanë nxjerrë ata në rrugë.
DU i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe forcave të saj të sigurisë të përmbahen nga përdorimi i dhunës ndaj protestuesve, të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe proporcionalitet, si dhe të respektojnë të drejtat themelore të çdo qytetari. Raportimet për përdorimin e plumbave prej gome, gazit lotsjellës dhe granatave trullosëse kundër turmave të përbëra kryesisht nga studentë janë alarmante. Çdo rast i përdorimit të forcës së tepruar duhet të hetohet në mënyrë të pavarur dhe transparente, ndërsa përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.
j.l./ dita
