Në 15 mars 2008 një shpërthim i tmerrshëm me profilin e një kupole bërthamore, vrau në Gërdec 26 vetë, plagosi rreth 300 të tjerë, shkatërroi qindra jetë njerëzish dhe shtëpitë e tyre.
Tragjedia e Gërdecit e shkundi prapaskenën e politikës shqiptare. Personazhe të kulisave të saj u ndjenë seriozisht të rrezikuar. Vala goditëse e “Gërdecit” pasi vrau njerëz dhe rrënoi disa fshatra, mund të hidhte në erë edhe karrierën e tyre. Të tremburit nuk qenë vetëm politikanë dhe qeveritarë shqiptarë.
Të blerë dekada më parë në Kinë nga mbrojtja e Enver Hoxhës, municionet kineze mbaheshin në depot e shumta dhe tunelet maleve të Shqipërisë. Natyrisht ato mund të tregtoheshin apo të shkatërroheshin mund t’i dhuroheshin çdo aleati në luftën kundër terrorit, por nuk mund t’i shiteshin një kompanie, kontraktore e ushtrisë amerikane, për faktin e thjeshtë se SHBA i kish vendosur Kinës një embargo për armët qysh nga shtypja e dhunshme e revoltave në sheshin Tien An Men.
Por çuditërisht pikërisht kjo kishte ndodhur. Qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së saj të Mbrojtjes dhe kompanisë së këtij dikasteri MEICO, i kish shitur një kompanie amerikane (AEY) fishekë kinezë të cilat, më pas, ajo i dërgonte në Afganistan për të furnizuar ushtrinë afgane, aleate e SHBA dhe NATO’s në luftën kundër Al Qaedas dhe terrorizmit.
Si ishte bërë e mundur një gjë e tillë? Edhe sot e kësaj dite, një pjesë e mirë e publikut shqiptar, nuk e ka kuptuar aferën mafioze të kontrabandës së fishekëve.
I ndjeri Andrea Stefani e ka rindërtuar në detaje këtë histori, bazuar në takimet e tij me gazetarët amerikanë që u përfshinë, si dhe në materialet nga Komisioni Hetimor në Kongresin Amerikan. Ai e botoi investigimin e plotë në DITA dhe në librin e tij “Komploti kundër lirisë”.
Po risjellim sot nga Stefani pjesën e botuar nga DITA, ku ai flet për implikimin e Fatmir Mediut, i cili po rigjykohet për ngjarjen e tmerrshme, pas rihapjes së dosjes:
—-
Nga Andrea Stefani
Botuar në DITA
“…Opinioni u trondit edhe më fort kur, pak kohë më vonë, kreu i një komisioni hetimor në Kongresin amerikan, Henri Uaksman (Henry Waxman), shfaqi dyshime të reja.
Shkak për këto dyshime kishte shërbyer një deponim para këtij komisioni, që po hetonte aferën e fishekëve, i kolonelit Larry Harrison, atashe ushtarak i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ai informoi për një takim që kish ndodhur mesnatën e 19 nëntorit të vitit 2007, mes Ambasadorit Uithers, disa zyrtarëve të tjerë të ambasadës dhe ministrit shqiptar të mbrojtjes, Fatmir Mehdiu.
Kish qenë ky i fundit që e kish kërkuar këtë takim të beftë, i shqetësuar nga prania në Tiranë e një gazetari të NYT që po investigonte për aferën.
Në një letër që Uaksman i dërgoi Sekretares Kondoleza Rais (Condolezza Rice) në qershor 2008 thuhet:
“Sipas majorit Harrison, ministri shqiptar i mbrojtjes, Fatmir Mediu, i telefonoi në 19 nëntor 2007, për të kërkuar një takim urgjent me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers II. Majori Harrison pohoi gjatë intervistës se ministri shqiptar i mbrojtjes ishte i shqetësuar se një reporter i Nju Jork Taims-it, kish në plan të inspektonte Gërdecon.
Majori Harrison i tha Komitetit se gjatë takimit, ministri shqiptar i Mbrojtjes kërkoi ndihmë nga ambasadori i SHBA. Ai bëri disa komente se kish qenë mik i SHBA, se kish ndihmuar SHBA. Ai ndjente se SHBA i kish borxh diçka”. (Letër e Henry Waxman për Sekretaren Condolezza Rice, 23 qershor 2008. Dokumente të Kongresit të SHBA, Komiteti i Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare.)
Vetë Uithers ka pohuar publikisht, se ministri i Mbrojtjes Mediu që, po sipas ambasadorit ishte shumë i emocionuar, i kishte kërkuar në atë takim gjëra të çuditshme, si bllokimin e investigimit të reporterit të “NYT”. Pse? Vetëm për origjinën kineze të fishekëve, për të cilën ai hiqej në publik moskokëçarës? Me sa duket jo. Mediu duket kishte hall se Nikolas Ud po investigonte shumë më tepër. Janë vetë ato që Mediu ka thënë në takim, që e mbështesin këtë dyshim.
Sipas Harrison:
“…ministri i mbrojtjes qe i shqetësuar se reporteri do të ekspozonte akuza korrupsioni. Se Nju Jork Times-i mund të shkruante një artikull rreth korrupsionit shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes”. (Po aty).
Mediu synonte të mos publikoheshin, telefonatat e regjistruara nga Trebicka me Diverolin, ku përfliteshin Kryeministri Berisha dhe i biri si të përfshirë në trafikun e municioneve. Prandaj do ishte normale të hamendësohej se ndoshta ka qenë pikërisht Kryeministri Berisha që e ka nxitur Mediun të takojë me urgjencë ambasadorin Uithers natën e 19 nëntorit.
Është normale të dyshosh se prapa gjendjes emocionale të ministrit, fshihej ankthi i Kryeministrit. Vështirë të besosh se një ministër shqiptar, kushdo qoftë ai, do guxonte të “çonte nga krevati” ambasadorin e SHBA me kokën e tij. Dhe na duket se Mediu ka synuar ta mobilizonte Uithers dhe ambasadën për bllokimin e investigimit të “NYT”, i inspiruar nga Berisha. Kjo duket se ka qenë forma më e lehtë e shantazhit që mund të jetë përdorur.
Një ministër nuk do të guxonte ta ndërmerrte një hap të tillë (të përmendte si “nder” fishekët kinezë të kontrabanduar) nëse në mos ambasadori, dikush nga ambasada amerikane, apo edhe dikush në Pentagon, nuk do të kishin pasur dijeni që Shqipëria kontrabandonte municione kineze në “interes” të SHBA në dhunim të ligjeve të SHBA.
Ka disa indicie që konfirmojnë këtë dyshim. Në letrën e 23 Qershorit që Uaksman i dërgon Sekretares Rais, flitet edhe se:
“Komiteti ka marrë gjithashtu informacion që zyrtarë të Departamentit të Shtetit u përpoqën të mbajnë fshehur takimin e 19 Nëntorit… se evidencat e marra nga Komiteti sugjerojnë që, të paktën në një rast zyrtarë të ambasadës kanë patur rol në fshehjen e origjinës kineze të municioneve, se provat ngrejnë pikëpyetje mbi rolin e Departamentit të Shtetit në dërgimin e municioneve kineze si dhe sinqeritetin e përgjigjeve të Departamentit për Komitetin”.
Ndërkaq edhe gazetari Lawson që kemi cituar më lart, shkruan se Trebicka kish marrë takim me atasheun ekonomik të ambasadës së SHBA dhe e kish vënë në dijeni për origjinën kineze të municioneve që po i shiteshin AEY. Por atasheu ekonomik i kish dhënë të kuptonte se s’kish problem. Përse? Dhe a ka njoftuar Ambasadën ky atashe dhe nëse po, përse nuk është ndërhyrë për të ndaluar kontrabandën? Sido që të ketë qenë puna, një cedim nga ligji dhe detyra ka patur.
Jo rastësisht, menjëherë pas daljes së artikullit të “NYT” që bëri shumë bujë, një punonjës i ambasadës shkruante i lehtësuar në një e-mail të tij: “Lavdi zotit nuk u përmend përfshirja e ambasadës”!
Sipas deklarimeve të ambasadorit Uithers, takimi i natës së 19 nëntorit u shmang nga informacioni i Ambasadës për Komitetin e Mbikëqyrjes, sepse në atë takim nuk është përmendur fare emri i AEY! Qëndrim që kundërshtohet nga ato që majori Harrison i ka deklaruar Komitetit të Mbikëqyrjes.
“Në kohën e takimit mes ministrit të Mbrojtjes, ambasadorit dhe disa zyrtarëve të tjerë të Departamentit të Shtetit, ishte e qartë se kompania blerëse me një kontratë të SHBA ishte AEY?” – citohet të jetë pyetur, ndër të tjera, majori Harrison. Dhe ky i fundit ka pohuar, nën betim, se një gjë e tillë ishte e qartë për pjesëmarrësit në bisedë.
Dhe sipas asaj që ka dëshmuar Harrison, pasi ministri Mediu kish shprehur në bisedën e mesnatës shqetësim për investigimin e reporterit të “NYT”, ai vetë (Harrison) kish sugjeruar që reporteri të mos lejohej të hynte në punishten e paketimit. Por kjo nuk qe pranuar nga të pranishmit në takim. Pas kësaj ministri Mediu i telefonoi një gjenerali të ushtrisë shqiptare dhe e instruktoi të largonte të gjithë kutitë e municioneve kineze nga punishtja e ripaketimit në mënyrë që reporteri të mos shihte gjë.
Sipas Harrison: “ambasadori ra dakord se kjo do të zhdukte dyshimet mbi një keqbërje nëse Z. Ud (reporteri i “NYT”) ndërsa ndodhej në Rinas, nuk do të shikonte kuti me municione kineze”.
Kush gënjente, ambasadori Uidhers apo majori Harrison? Hetimet e mëvonshme i anashkaluan të gjithë këto enigma. Askush nuk dha përgjigje për to në publik. Muaj më vonë nga këto zhvillime, ambasadori Uithers u deklarua nga Departamenti i Shtetit i papërfshirë në këtë aferë të mistershme.
Nuk qe e vështirë të kuptohej që kishim të bënim me një hap politiko-diplomatik. Askush nuk kish mundur të sqarojë bindshëm dhe me prova pyetjet e ngritura nga kongresmeni Uaksman “mbi rolin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri në aprovimin e një plani për të fshehur origjinën kineze të municioneve”.
Shihet qartë se ka pasur mungesë të vullnetit politik për zbardhjen e të vërtetës. Edhe në qeverinë e Tiranës edhe në atë të Uashingtonit. Gjë që mban gjallë dyshimin se kontrabanda e fishekëve kinezë qe një kooperim shqiptaro – amerikan jo thjesht tregtar por edhe në nivele të larta politike.
Nëse do të ekzistonte vullneti politik, nuk qe aq e vështirë që deklaratat e majorit Harrison të testoheshin për vërtetësinë e tyre. Për shembull të verifikohej, me anë të tabulateve telefonike nëse gjatë mbledhjes së 19 Nëntorit 2008, Mediu i ka telefonuar gjeneralit Spahiu për të urdhëruar lëvizjen e fishekëve.
Në ditët dhe muajt pas tragjedisë të Gërdecit kam patur dyshime të forta se ambasadori Uidhers ka qenë, në një formë ose në një tjetër, i implikuar në aferën e kontrabandimit të fishekëve kinezë apo edhe në atë të punishtes së Gërdecit. Dyshimet u përforcuan edhe kur Uidhers iu përvesh punës që ta bindte kreun e opozitës, Edi Rama, të mos zhvillonte protesta që nuk mund të mos çonin në rënien e Berishës.
Një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve të jep të kuptosh se ambasadori Uidhers e ka parë befas veten në kurth, thuajse viktimë të skandalit të fishekëve. Implikimi i mundshëm i niveleve të ndryshme të diplomatëve apo zyrtarëve amerikanë në këtë aferë e nxirrte automatikisht edhe atë vetë, të implikuar qoftë edhe për mungesë kujdesi dhe parandalimi.
Si çdo njeri krejtësisht i papërlyer, duhet të jetë ndjerë i frustruar dhe i zemëruar, i keqpërdorur që akuzohej dhe duhej të mbrohej për një krim që s’e kish bërë madje, që detyrohej të ndihmonte t’i fshihej medias dhe publikut shqiptar dhe amerikan, një ministër i korruptuar shqiptar që sipas Nju Jork Taims, kishte prova se merrte rryshfet si pjesë e kontratës së municioneve të AEY.
Uidhers është ndjerë i neveritur nga që i është dashur të bëjë diplomaci me një kryeministër, djali i të cilit dhe ai vetë, ishin përfolur nga një trafikant si Diveroli, si mafia e gjithë kësaj afere të ndyrë.
Kish ardhur në Shqipëri me misionin që të përshpejtonte integrimin e këtij vendi në NATO. Dhe për këtë, ndoshta i ish thënë nga eprorët të bëjë kujdes me stabilitetin e vendit, pavarësisht xanxës autokratike të një kryeministri dhe pushtetit të tij.
Një xanxë që nuk i rezultoi e huaj as edhe për lidershipin e opozitës. Kjo ndoshta shpjegon se përse Uidhers u shfaq aq i ankthshëm dhe pengues përsa i takon protestave të opozitës pas tragjedisë të Gërdecit. Ndaj menjëherë pas Gërdecit thyerja në marrëdhëniet mes Uidhers dhe Berishës është evidente dhe nuk i shpëtoi as syrit të gazetarëve…”
Ky material i plotë mund të lexohet në arkivën e DITA
—–
©Copyright Gazeta DITA
Botuar në DITA nga i ndjeri Andrea Stefani në 15 marsin e fundit para ikjes së tij. Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016