Nga Migena Aleksi
Me sa duket, protestuesit në shesh kanë një problem të madh identiteti. Botuesi dhe analisti pranë Ramës, Mero Baze, shtron me mjaft shqetësim pyetjen se me kë do negociojë Rama, dmth kë përfaqësojnë me të vërtetë ata që kanë dalë në rrugë. Me bujari të rrallë analitike, ai pranon se kësaj radhe nuk ia faturon dot aq lehtë protestën Sali Berishës.
“Sali Berisha del dhe i merr përsipër orë e minutë dhe ju e dini sa gati jam unë të them se ata janë të Sali Berishës. E vërteta është se njerëzit e Sali Berishës janë me ata, por ata që janë në rrugë me urë zjarri në dorë nuk janë me Sali Berishën. Sali Berisha po i serviloset kot një turme zjarrvënësish, e cila deri tani ka djegur më shumë seli të PD-së sesa të PS-së dhe ka dhunuar më shumë deputetë të PD-së sesa të PS-së. Është një hipokrizi që e kuptoj se e vuan shumë, por, kur s’ke asgjë, kënaqesh edhe me miellin hua…” – shkruan Baze në një artikull.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama shfaqet dukshëm më dorëlëshuar në atribuimin e autorësisë. Në tregun e tij të gjerë të diagnozave publike, protesta i përket një koalicioni vërtet të larmishëm: pak Berishë, pak Rusi, pak Iran, disa analistë medie dhe, së fundmi, ajo periferia e pakëndshme që thjesht nuk po na e kupton dot rehatinë e qendrës.
Për momentin, zilia e Greqisë ndaj bumit tonë turistik po pushon në stolin e rezervave. Nuk ka pse shpenzohet e gjithë gjeopolitika brenda të njëjtës javë.
DITA
