Juristi i njohur Idajet Beqiri ka dorëzuar një kallzim penal në SPAK. Në padinë e dërguar për kreun e SPAK, Dumani, avokati shkruan:
I nderuar Zoti Drejtues i SPAK,
Unë, kallëzuesi Av. Idajet Beqiri, bazuar në nenin 283 të Kodit Procedures Penale, depozitoj këtë kallëzim penal ndaj shtetasve të sipërpërmendur për kryerjen e veprave penale respektive, pasi jam vënë në dijeni si qytetar dhe si avokat të fakteve me përmbajtje si dyshime të arsyeshme se nga Zotrinjtë SALI BERISHA, ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, GENC RULI, ish ministër, LULËZIM BASHA, ish ministër, nga shtetasit sërb VOJIN LAZAROVIÇ dhe DAMIR FAZLLIÇ, nga shtetasit JAMARBËR MALLTEZI, ERION ISUFI, ARGITA BERISHA, FLUTURA KOLA, FLORENC KOLA, në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal, kanë kryer veprat penale të “Korrupsionit aktiv”, të “Korrupsionit pasiv”, të “Shpërdorimit të detyrës”, të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” etj.
Në bazë të fakteve të konstatuara dhe dokumenteve, të cilat do t‘i përmend në vijim, ju paraqes këtë kallzim penal, duke ju bërë prezent të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të natyrës penale personat e kallëzuar, të cilët kanë qënë dhe janë funksionarë të lartë shtetëror, si dhe kanë vepruar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal.
Të kallëzuarit janë subjekt në kompetencë të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pasi në bazë të nenit 135 pika 2 të Kushtetuës parashikohet: “Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur” dhe nenit 75/a të K.Pr.Penale parashikohet: Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:
a) krimet e parashikuara nga nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b,233, 234, 234/a, 234/b, 244, paragrafi 2, 244/a, 245, 245/1, paragrafët 2 dhe 4, 257, 258, paragrafi 2,259, paragrafi 2, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, 328 dhe 328/b të Kodit Penal
…
c) akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendës ministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj;
ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
Sa më sipër, vlerësoj dhe ju kërkojmë të regjistrohet procedimi penal dhe të kryhen veprime hetimore ndaj të gjithë personave të përmëndur në këtë kallëzim.
– Të verifikohen mbajtësit e llogarive të cilët administrojnë llogaritë bankare në “pronësi” të SALI BERISHA, ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, GENC RULI, ish ministër, LULËZIM BASHA, ish ministër, nga shtetasit sërb VOJIN LAZAROVIÇ dhe DAMIR FAZLLIÇ, nga shtetasit JAMARBËR MALLTEZI, ERION ISUFI, ARGITA BERISHA, FLUTURA KOLA, FLORENC KOLA, dhe të gjithë familjarëve të tyre.
– Të administrohen deklarimet periodike pranë ILDKPI për të kallëzuarit subjekte të deklarmit dhe familjarëve të lidhur me ta.
– Të vendoset sekuestro konservative mbi pasuritë e tundëshme dhe të patundshme të personave të kallëzuar SALI BERISHA, ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, GENC RULI, ish ministër, LULËZIM BASHA, ish ministër, nga shtetasit sërb VOJIN LAZAROVIÇ dhe DAMIR FAZLLIÇ, nga shtetasit JAMARBËR MALLTEZI, ERION ISUFI, ARGITA BERISHA, FLUTURA KOLA, FLORENC KOLA, dhe të gjithë familjarëve të tyre, për të siguruar kështu vlerën e dëmit civil në proçesin penal.
Rrethanat e çështjes:
Grupi i strukturuar kriminal ka si protagonistë kryesor shtetasit sërb Damir Fazlliç dhe Vojin Lazareviç, të cilët para se të vinin në Shqipëri, kishin ndërtuar marëdhënije në Kosovë me Argita Berishën, Lulëzim Bashën, Jamarbër Malltezin, të cilët i kanë përdorur për qëllime antishqiptare kundër rolit dhe misionit të UÇK në Kosovë dhe për të inkriminuar udhëheqësit kryesor të saj si “kriminel lufte” përmes mbledhjes së fakteve dhe provave të rreme.
Fakti që Argita Berisha dhe Lulëzim Basha merrnin si të ardhura deri në 800.000 euro në vit, nuk e përligj kurrë pagën e një punonjësi të OKB, përpos bërjes së shërbimeve të tjera në interes të shtetit gjenocidist të Serbisë kundër Kosovës dhe shqiptarëve të saj.
Shtetasit Argita Berisha, Lulëzim Basha, Jamarbër Malltezi, sapo Sali Berisha mori postin e lartë të Kryeministrit të Shqipërisë, kanë lënë detyrën që ushtronin si punonjës të OKB, me një pagë jashtzakonisht të lartë dhe janë kthyer në Shqipëri.
1. Argita Berisha, pasi morën informacionin e duhur nga babai i saj Sali Berisha, në detyrën e Kryeministrit, i cili është njëkohësisht edhe vjerri i shtetasit Jamarbër Malltezi, mbi zhvillimin që do të pësonin pronat e ndodhura në vendin e quajtur fshati “Rinia” në Porto Romano të Durrësit, janë futur në lidhje me shtetasit Florenc Kola dhe Flutura Kola, të cilët janë bashkëshortë, dhe kanë krijuar fillimisht kompaninë “Malltezi & Kola”, dhe më pas janë ndarë në dy kompani ligjore “Kola & Associates” ku aksionere ishte Flutura Kola dhe dhe “Malltezi & Associates”, ku aksionere është Argita Malltezi. Të dyja kompanitë veprojnë në të njejtën ndërtese, vetëm me një mur ndarës nga njëra-tjetra, kanë të njejtin numur telefoni dhe të dyja këto shoqëri nuk i kanë rregjistruar në QKB, megjithëse kanë ushtruar veprimtari duke bërë transaksione të shumta dhe grumbullime parash të ardhura nga burime të dyshimta.
“Kola & Associates”, ortakja e Argita Berishës u kreditua me plot 340 mijë euro brenda 10 muajsh në periudhën Dhjetor 2007 – Tetor 2008. Ndërsa në një tjetër llogari, listohen mbi 250 mijë euro të tjera kreditime nga kompani të ndryshme. Mes tyre, shquhet edhe Kompania “Rompetrol”. Pagesat për konsulencë ishin jashtë çdo llogjike të tregut shqiptar, plotë 200 dollarë për orë.
Në muajin korrik të vitit 2007 përmes disa kontratave të shitblerjes me nr. 1719 Rep/ 331 Kol, datë 26 korrik 2007 etj, shtetasi Jamarbër Malltezi, ka blerë në fshatin “Rinia” në Durrës prej fshatarëve që ishin bërë pronarë të këtyre tokave në bazë të Ligjit 7501, viti 1971, një sipërfaqe toke prej 14 ha.
Kontratat e shitblerjes me pronarët e tokave i ka bërë para noteres Merita Isufaj. Shitësit, pronarë të tokave, kanë marrë nga shtetasi Jamarbër Malltezi një çmim për metër katëror tokë të blerë prej 9 Euro për m2.
Në muajin shtator 2007, osë dy muaj pasi shtetasi Jamarbër Malltezi ka blerë këto toka, është shfaqur në këtë zonë dhe ka blerë toka edhe i ashtuquajturi këshilltar i ish Kryeministrit Sali Berisha, njeriu më i besuar i të tij dhe familjes së tij, shtetasi sërb Damir Fazlliç, i njohur nga institucionet ndërkombëtare ligjzbatuese si një person me rekorde të rënda kriminale, posaçërisht në fushën e trafiqeve dhe pastrimin e parave të pista. Ky person krijoi Shoqërinë Tregtare “ALPHA” shpk, me NIPT K72110020T, me ortak të vetëm këtë shtetas sërb, domethënë Damir Fazlliç.
Me Kontratën e shitblerjes Nr. 2330 rep/505 kol, datën 11 shtator 2007, të bërë para noteres Merita Isufaj, Jamarbër Malltezi, me cilësinë e shitësit, e ka shitur këtë tokë te Shoqëria Tregtare “ALPHA” shpk, me NIPT K72110020T, e cila ka si administrator të vetëm shtetasin sërb Damir Fazlliç. Ky shtetas i huaj, megjithëse e ka parë që vlera e një m2 toke ishte në shumën prej 9 euro para një muaj e gjysëm, sipas kontratave të shitblerjes që kishte bërë shtetasi Jamarbër Malltezi me pronarët e tokave, në këtë kontratë të bërë me palë shitëse dhëndrrin e Kryeministrit Sali Berisha, ia ka blerë atij me dy fishin e çmimit, domethënë me 18 euro për një m2 tokë.
Duke vepruar si një strukturë e mirëorganizuar kriminale, shtetasi sërb Damir Fazlliç, duke marrë garancitë e plota prej vajzës së Kryeministrit Sali Berisha, shtetases Argita Malltezi për bashkëpunëtoren e saj Flutura Kola, i ka dhënë asaj akte përfaqësimi me të drejta të plota, për të kryer kjo shtetase veprime shitblerje dhe financiare me noterët dhe bankat, sikur këto akte dhe veprime të ishin kryer nga vet shtetasi Damir Fazlliç.
Shtetase Flutura Kola ka shitur 8 parcela me vlerë 257 mijë euro për llogari të shtetasit Damir Fazlliç, dhe këto akte shitje disponohen nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Shoqëria Kola & Associates”, ortakja e Argita Berishës, për një kohë rekord është kredituar në një numur llogarie me 340 mijë euro brenda 10 muajsh në periudhën Dhjetor 2007- Tetor 2008, dhe në një tjetër llogari me 250 mijë euro kreditime nga kompani të ndryshme.
Flutura Kola ka vepruar lirshëm në llogaritë e Damir Fazlliçit, dhe një nga provat që e vërteton këtë fakt është dokumenti bankar që bashkangjitim si provë, ku vërtetohet se kjo shtetase ka tërhequr cash përmes prokurës së përgjithëshme që i ka lëshuar Damir Fazlliçi shumën prej 500 mijë euro. Ndërsa 150 mijë euro të tjera në cash nga llogaria e Damir Fazlliçit i ka tërhequr Florenc Kola, partneri i Flutura Kolës.
Në grupin e strukturuar kriminal të Damir Fazlliçit, Argita Berishës, Jamarbër Malltezit, Flutura Kolës dhe Florenc Kolës është përfshirë edhe shtetasi Erion Isufi, kunati i Lulëzim Bashës, i cili sikurse theksuam më sipër, u largua nga puna që bënte në Kosovë pranë OKB së bashku me Argita Berishën dhe erdhën në Shqipëri menjëherë sapo Sali Berisha mori detyrën e Kryeministrit të Shqipërisë në vitin 2005. Shtetasi Erion Isufi bëhet prej Damir Fazlliçit administrator i dy shoqërive tregtare të tij këtu në Shqipëri, shoqëri të cilat merreshin vetëm me pastrimin e parave të pista.
Për llogari të dy shoqërive tregtare të Damir Fazlliçit, me administrator Erion Isufi, u blenë nga Jamarbër Malltezi dhe Flutura Kola 14 hektarë tokë më një çmim prej 18 euro për m2, në një kohë që këta dy persona tashmë në rolin e shitësit, këto toka i blenë nga fshatarët e fshatit “Rinia” pak ditë më parë me 9 euro për m2.
Vetëm prej kësaj afere të hapur kriminale për pastrimin e parave të pista të Demir Fazlliçit, shtetasit Jamarbër Malltezi, Flutura Kola dhe i gjithë grupi i strukturuar kriminal ka përfituar 1.1 milion euro.
Pasi ky grup i strukturuar kriminal u formësua dhe nisi veprimtarinë e tij për pastrimin e parave të pista të shtetasit sërb Damir Fazlliç, duke përfituar në rrugë kriminale 1.1 milion euro, futet në veprim ish Kryeministri Sali Berisha i cili në konflik të hapur interesi, në bashkëpunim me ish ministrin e METE shtetasin Genc Ruli, kanë hartuar dhe kanë miratuar VKM nr 703 datë 23.04.2008 me anën e të cilit kanë zgjeruar parkun energjitik “Zhvillimi i integruar (në sinergji) i zonës energjitike dhe industriale të Porto Romanos, Durrës, Infrastruktura dhe konturet e saj”, duke futur brenda tij tokat e blera nga shtetasi sërb Damir Fazlliçi, duke ja shumfishuar atij vlerën e pronës në plotë 8 fish më shumë nga sa jua kishte blerë dhëndërrit të Sali Berishës, shtetasit Jamarbër Malltezi, Flutura Kola etj.
Në fakt Porto Romano është shpallur “Park energjitik” në vitin 2001 kur ishte Kryeministër Fatos Nano, por ish Kryeministri Sali Berisha, për llogari të shtetasit sërb Damir Fazlliç, i cili i kishte paguar dhëndërrit të tij 1.1 milion euro më shumë nga sa ai e kishte blerë tokën te fshatarët, e favorizoi Damir Fazlliçin duke e futur tokën e blerë prej tij, nga dhëndrri i tij, me zgjerim kriminal, brenda perimatrit të Parkut Energjitik.
Me rikthimin e menjëhershëm të Argita Berishës dhe Lulëzim Bashës në Shqipëri, sapo Sali Berisha mori postin e Kryeministrit, duke lënë në Kosovë të ardhurat tepër të majme prej 66.000 euro në muaj, në diferencë të pakët mujore u shfaqën në Shqipëri edhe shtetasit sërb Damir Fazlliç dhe Vojin Lazaroviç, të cilët nuk erdhën vetëm për të pastruar paratë e pista, por mbi të gjitha erdhën me qëllime të mirëfillta antishqiptare, për t’i dhënë njërit prej sektorëve më të rëndësishëm që lidhet drejtpërsëdrejti me sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar, varësinë e plotë prej Serbisë dhe Rusisë. Në Porto Romano shtetasit sërb Demir Fazlliç dhe Vojin Lazaroviç synonin të ndërtonin një impiant të gazit argjilor. Nga ana tjetër këta dy shtetas sërb synonin të kontrollonin 50 përqind të energjisë në Shqipëri.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që e gjithë Familja e Sali Berishës u vu në shërbim të këtyre dy shtetasve sërb, duke u bërë favore të mëdha me toka në Porto Romano, si dhe duke u dhënë këtyre tokave të blera nga Damir Fazlliç dhe Vojin Lazaroviç një vlerë prej 8 fish përmes VKM nr. 703, datë 23.04.2008 që nxorri ish Kryeministri Sali Berisha posaçërisht për t’a. Ishte gjithashtu kjo arsyeja që si administrator i shoqërive të Damir Fazlliçit në Shqipëri u vendos pikërisht kunati i Lulëzim Bashës, shtetASI Erion Isufi.
Shtetasi sërb Damir Fazlliç ka shitur aksionet e Shoqërisë “Croun Acquisitions”, për 1.7 milionë euro te kompania “Altaria Research Limited”, e cila është e regjistruar në Qipro. Kjo kompani kontrollohej nga Vojin Lazareviç, i cili është paraqitur si një partner biznesi i Damir Fazllic. Aksionerë në këtë kompani ishte edhe “Plenexus”, një subjekt i njohur ndërkombëtarisht dhe i pleksur në skandalin “Panama Papers”.
Shoqëria “Alpha shpk” e Damir Fazlliçit, me administrator Erion Isufi, e cila bleu toka në Porto Romano, u shit për 1.25 milionë euro te Shoqëria “Irongold LTD”, e regjistruar në Qipro dhe e kontrolluar nga Vojin Lazareviç.
Ortakja e Argita Berishës, shtetasja Flutura Kola, u bë përfaqësuese ligjore e Vojin Lazareviçit dhe e kompanisë së tij “Altaria Reserch”, kompani e cila në 9 korrik 2007 bleu për 1.750.000 euro kompaninë “Croën Acquisition”, administrator i së cilës është kunati i Lulzim Bashës dhe që ndërkohë është bërë pronare e disa hektarëve truall të blerë në Porto Romano, shtetasi Erion Isufi.
Oligarku sërb Vojin Lazareviç në fillim ka derdhur nëpërmjet kompanisë se tij “Pluto “ 1.245.000 euro Damir Fazlliçit, dhe më pas i paguan sërish Damir Fazlliçit 1.750.000 euro të tjera për të blerë shoqërinë, nga del qartë se kemi të bëjmë me veprën penale të pastrimit të parave, sepse rezulton që tokat janë blerë dy herë, me para të ardhura nga parajsat fiskale.
Shpjegimin e plotë për sa sipër duhet t’a japi përfaqësuese e “Altaria Reserch” në Shqipëri, Flutura Kola, ortakja e Argita Berishës e cila delegohet nga shoqëria “Altaria Reserch” për të firmosur aktin e blerjes së shoqërisë “Croën Acquisition”.
Ndërsa administrator i “Croën Acquisition” është Erion Isufi, i cili ka dhënë dorëheqjen duke u larguar nga pozicioni i administratorit te “Croën Acquisitions” pikërisht pak dite para operacionit te blerjes se dyshimte me 1.7 milion euro.
Shoqëria “Altaria Research” nëpërmjet shoqërisë “Irongold services” ka blerë edhe një tjetër kompani të Damir Fazliç, “Alpha” shpk, e financuar nga vetë shoqëria “Irongold services” me 950.000 euro, shumë e përdorur cash për të blerë toka nga Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola, ndërkohë që kompania iu rible pastaj bashkë me pronat e patundshme për 1.250.000 euro, pra duke derdhur një vlerë shtesë prej 300.000 euro.
Financimi në cash prej 4.500.000 euro me origjinë tëpaqartë, të financuara nga serbi Vojin Lazareviç dhe të administruara nga Jamarbër Malltezi, Argita Berisha, Flutura Kola, Erion Isufi etj, kanë gjithmonë si suport të fort ish kryeministrin Sali Berisha.
Në fakt, Vojin Lazareviç dhe Damir Fazlliç ishin dhe vepronin bashkë. Këtë veprimtari të përbashkët Damir Fazlliç e justifikonte me të qënurit e tij si anëtar bordi në kompaninë e Vojin Lazarevicit.
Jam vënë në dijeni se shtetasja Flutura Kola ka deklaruar se 2.5 milion euro që janë futur në llogarinë bankare të Damir Fazlliçit, të cilat i kanë marrë shtetasit Jamarbër Malltezi, Argita Berisha, Flutura Kola, kanë ardhur nga një shtetas rumun. Por prej dokumenteve bankare rezulton se në llogarinë bankare të Damir Fazlliçit janë depozituar 1 milion euro nga kompania ndërkombëtare e quajtur “Pluto international”. Derdhje në llogarinë e tij kanë bërë edhe disa kompani të tjera, të cilat në total kapin vleftën e 2.5 milionë euro, aq sa u paguan për blerjen e tokave në Porto Romano. Në fakt këtë shumë prej 2.5 milion euro e ka sjellë në Shqipëri nga Rumania shtetasi sërb Vojin Lazareviç, një oligark i njohur sërbo-rus që qarkullon mbi 600 milionë euro.
Shtetasi sërb Vojin Lazareviç është një person i akuzuar për trafik armësh dhe kontrabandë. Një media e mirënjohur kroate “Nacional”, ka evidentuar faktin se Vojin Lazareviç ka një njohje të hershme me ish-kryeministrin Sali Berisha. Shtetasi sërb Vojin Lazareviç është ortaku i oligarkut sërb Vuk Hamoviç, i cili u fuqizua shumë financiarisht gjatë sundimit në Serbi të Sllobodan Millosheviçit.
Ky partner i Damir Fazlliçit, pra Vojin Lazaroviç, ka qënë financuesi kryesor i kriminelit famëkeq të luftës, sërbit Željko Ražnatović (Arkan), paramilitari që ka kryer masakra të mëdha ndaj shqiptarëve në Kosovë. Krimineli i luftës dhe që ka qënë i pranishëm në takimin famëkeq të ish Presidentit të Shqipërisë Sali Berishës dhe Momir Bulatoviçit në Malin e Zi, kur bënë marrëveshjen e thyerjes së embargos së OKB ndaj Serbisë, për t’a furnizuar këtë të fundit me armë dhe karburante prej kufijëve të Shqipërisë.
Theksojmë gjithashtu se mes lidhjeve të afërta të Vojin Lazareviç kanë qënë edhe kriminelët e luftës Ratko Mlladiç dhe Vojislav Sheshel.
Pozicioni i Vojin Lazareviç si ortak i kompanisë “Pluto International” del një dokument rus që paraqesim si provë ku listohen aksionistët e Bankës Euroaksi që Sllobodan Millosheviçi hapi në vitin 1994 në Moskë për të ruajtur sasitë e mëdha të parave, me qëllimin për t’i shpëtuar nga embargua ndërkombëtare e OKB.
Studio ligjore e Argita Berishës dhe Flutura Kolës janë bërë mjeti për të kontrolluar faktikisht të gjitha aktivitetet kriminale të pastrimit të parave të pista të Damir Fazlliç dhe Vojin Lazaraviç në Shqipëri. Kjo marrëdhënie kaq e ngushtë nga një anë shpjegon mburojën mbrojtëse që Sali Berisha ka ngritur përreth gjithë aferave të Damir Fazlliçit dhe Vojin Lazareviçit dhe nga ana tjetër shpjegon lumin e miliona eurove të parave publike që të dy arrijnë të arkëtojnë në Shqipëri.
2. Ish-drejtori i KESH Gjergj Bojaxhiu, ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një raport ku denoncon faktin se kompania “Rudnap Serbia”, në mënyrë krejt të papritur ka zëvendësuar në tregun shqiptar shumë furnizues ndërkombëtarë dhe lokalë që kishin punuar me qeverinë e Shqipërisë deri në vitin 2006 dhe fiton pjesët më të mëdha të tenderave.
Në muajit shkurt-dhjetor 2007 kompania “Rudnap Serbia” ka fituar tendera nga ish Kryeministri Sali Berisha me KESH për një vlerë prej 41 milionë euro dhe deri në fund të vitit 2008 kjo vlerë arriti në 106 milionë euro.
Në saj të veprimtarisë kriminale të ish Kryeministrit Sali Berisha, të vajzës së tij Argita Berisha, të dhëndërrit të tij Jamarbër Malltezi, të bashkëpunëtorëve të tyre Flutura Kola, Erion Isufi etj, nga viti 2007 deri në vitin 2013, tregu i energjisë elektrike shqiptare përfundon gati i gjithi në duart e shoqërisë serbe “Rudnap Serbia”, me sekser të padiskutueshëm Damir Fazlliç, të cilët arkëtojnë nga Shqipëria një lumë të madh parash publike, në një konflikt të dukshëm e shumë të rëndë interesi të ish Kryeministrit Sali Berisha.
Nga 28 dhjetori 2007 deri ne 16 tetor 2008 studio “Kola & Associates” ka marrë në llogarinë bankare 341.433 euro, ndërsa Flutura Kola ka arkëtuar në llogarinë e saj personale si avokat 289.000 euro të tjera. Një mesatare prej 63.000 euro në muaj të cilat nuk kanë asnjë justifikim tjetër veç marrëdhënies me Argita Berishën dhe Sali Berishën. Ndërsa Argita Berisha deklaronte të ardhura vetëm për 40.000 euro për gjithë vitin, kolegia e saj Flutura Kola arkëtonte 63.000 euro në çdo muaj.
3. Mes arkëtimeve të bëra në llogarinë e Flutura Kolës dhe Argita Berishës në këto 10 muaj, shfaqen 168.745 euro të paguara nga shoqëria svicerane “ASG Poëer”. Kjo shoqëri merret me energji dhe ka seli në Lugano, në Kantonin Tiçin. Pronare me 50% është shoqëria elektrike zvicerane me kapital publik AET. Në 16 qershor 2006 shoqëria ka hapur një filial në Shqipëri duke premtuar projekte ambicioze. Një nga dy administratorët e filialit shqiptar quhet Agim Gjinali, një biznesmen nga Kosova, rezident në Zvicër.
Në një intervistë dhënë të përditshmes greke “Kathamerini” me 21 nëntor 2007, Agim Gjinali ilustron planet që “ASG Poëer” ka për Shqipërinë dhe lajmëron projektin për të ndërtuar një linjë interkonjeksioni dhe një central termo-elektrik, për një superinvestim prej 3.7 miliardë dollarësh.
Shtetasi Agim Gjinali i ka paguar studios ligjore të Argita Berishës dhe Flutura Kolës shumën prej 168.745 euro. Pas kësaj pagese ka emruar në këshillin mbikqyrës të shoqërisë “ASG Poëer” bashkëshortin e Flutura Kolës, shtetasin Florenc Kola, mikun e ngusht të Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës. Pas kësaj shtetasi Agim Gjinali ka përfituar në konflikt të hapur interesi, duke shpërdoruar detyrën dhe duke bërë korrupsion të hapur pasiv prej ish Kryeministrit Sali Berisha firmosjen e VKM nr. 778, datë 14 nëntor 2007, me të cilën autorizohej “ASG Poëer Albania‘’ e Agim Gjinalit për ndërtimin e linjës tregtare, me rrymë të vazhduar, të interkonjeksionit Seman, (Shqipëri) – Foxhia, (Itali)’’.
Vetëm shtatë muaj pasi kishte marrë lejen përmes VKM nr. 778, datë 14 nëntor 2007, të firmosur nga ish Kryeministri Sali Berisha, shoqëria publike zvicerane AET, distancohet nga Shoqëria “ASG Poëer” duke dalë përfundimisht nga projekti. Në vitin 2019 Shoqëria “ASG Poëer” falimenton pa realizuar asnjë projekt në Shqipëri, ndërsa filiali shqiptar është ende aktiv në duart e Fatmir Bektashit, i cili është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim të produkteve që rrjedhin nga një krim.
4. Një klient tjetër i Studios së Argita Berishës dhe Flutura Kolës, Shoqëria “Union Eolica Albania” shpk, ka paguar 64800 në llogarinë e kësaj studio ligjore. Kjo shoqëri është rregjistruar në Shqipëri në datën 28.12.2007 dhe është në pronësi 100% të shoqërisë italiane “Italgest Reneëables”. Projekti i saj ishte që të ndërtonte në fshatin Kryevidh, pranë Kavajës, një impiant për te prodhuar energji prej erës, prej 150 megavat me një investim prej 200 milionë euro.
Edhe për këtë projekt Shoqëria “Union Eolica Albania”, pasi bënë korrupsionin e hapur aktiv me Argita Berishën dhe Flutura Kolën duke i dhënë shumën prej 64.800 euro, një përfaqësues i kësaj Shoqërie takohet personalisht me ish Kryeministrin Sali Berisha dhe siguron prej tij firmosjen e VKM përkatëse.
Ish kryeministri Sali Berisha pas takimit me këtë përfaqësues të kësaj shoqërie ka bërë një deklaratë publike:
‘’Përfaqësues të kompanisë italiane “Italgest” i kanë prezantuar Kryeministrit projektin për ndërtimin e një impianti të madh për prodhimin e energjisë nga era, në zonën e Kryevidhit (afër Durrësit). Një impiant ky që parashikohet të ketë kapacitet prej 150 megavat dhe që kap vlerën e investimit në rreth 200 milionë euro. Kryeministri Berisha, pasi është njohur deri në detaje me këtë projekt e pasi u ka prezantuar përfaqësuesve të kompanisë situatën ekonomike dhe klimën e biznesit në Shqipëri, ka siguruar mbështetjen e qeverisë për suksesin e këtij projekti’’.
Pas kësaj deklarate, në datën 6 gusht 2008 Enti Rregullator i Energjisë (ERE), liçencon në kohë rekord shoqërinë “Union Eolica Albania” sh.p.k. për ‘’ aktivitetin e ndërtimit, instalimit dhe shfrytëzimit të centraleve elektrike me erë, si dhe prodhimin e energjisë elektrike’’.
Pikërisht ditën që kjo Shoqëri është liçensuar, i ka paguar studios ligjore të Argita Berishës dhe Flutura Kolës edhe një shumë tjetër prej 7.189 euro.
Ish kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar ministrin e Energjisë Genc Ruli të nisë procedurat për të autorizuar shoqërinë kliente të vajzës së tij të ndërtojë impjantin. Procedurat ishin të ndërlikuara nga fakti se ligji “Mbi Koncesionet” nuk parashikonte në atë moment sektorin e energjisë së rinovueshme. Por në datën 6 korrikut 2010 KKT, i kryesuar nga Sali Berisha, kapërcen pengesat dhe autorizon ndërtimin e impiantit eloik siç kërkuan Shoqëritë “Union Eolica” dhe “Italgest”.
Për ironi të fatit, pasi u konsumuan veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv edhe ky projekt është bllokuar për shkak se nuk kanë përballuar dot shumat e tjera të eurove që u kërkoheshin prej Argita Berishës dhe Flutura Kolës për ecurinë e mëtejshme të projektit.
Me rrëzimin e qeverisë Berisha, zhduket edhe shoqëria “Union Eolica”, të cilës në vitin 2018 ERE i heq edhe licencën, pa mundur t’i gjejë as adresën e selisë ku kishte kryer “aktivitetin”.
5. Një klient tjetër i Argita Berishës dhe Flutura Kolës, e cila përmes korrupsionit aktiv dhe pasiv përfitoi një VKM prej Sali Berishës për shitjen e kabllove nëndetare, është Shoqëria “Unifi Holdings Inc”. Kjo Shoqëri ka kërkuar të bëjë në Shqipëri një investim të një linje nënujore me fibra optike për të lidhur Shqipërinë me Italinë. Kjo Shoqëri ishte e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe drejtpohej nga Adrian Shatku, një shqiptar nga Peshkopia, i cili ka ngritur një biznes të fuqishëm në Nju Jork. Shoqëria “Unifi Holdings Inc” hap një filial në Tiranë dhe si administratorë të saj ngarkohen Florian Shatku dhe Enkeleda Shatku, dy familjarë të afërt të biznesmenit Adrian Shatku.
Edhe për këtë investim ka hyrë në veprim Argita Berisha dhe kjo Shoqëri ka derdhur për llogari të studios “Berisha-Kola” shumën prej 7.656 euro vetëm për të nisur një studim për mundësinë e realizimit të projektit. Ish Kryeministri Sali Berisha, në konflikt të hapur interesi, duke shpërdoruar detyrën dhe duke u përfshirë në krimin e korrupsionit nxjerrë menjëherë VKM nr. 840, datë 21.10.2010 duke lejuar Shoqërinë “UNIFI Holdings Inc”. – dega Shqipëri, për të kryer studimin përkatës dhe për shtrirjen e kabllos nëndetare ndërkombëtare me fibër optike Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri)’’.
Por kablloja nënujore nuk u vendos kurrë dhe investimi deshtoi, ndërsa Flutura Kola dhe ortakja e saj Argita Berisha i futën në xhepin e tyre shumën prej 7656 Euro thjeshtë sepse babai i kësaj të fundit, ish Kryeministri Sali Berisha firmosi VKM nr. 840, datë 21.10.2010, i cili mbeti formal dhe pa vazhdimësi.
6. Pakistanezi Zafar Ansar ka ardhur në Shqipëri në fundin e vitit 2007 për të investuar 100 milion euro në ndërtimin e një termocentrali. Ish ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite Admir Banaj, i ka rekomanduar këtij biznesmeni të ndërtonte marëdhënije konsulence me Argita Berishën, vajzën e ish Kryeministrit Sali Berisha.
Argita Berisha, pasi i mori një sasi të konsiderueshme “për konsulencë” këtij shtetasi pakistanez, i ka kërkuar atij si shpërblim për këtë investim një pagesë prej 1,5 deri në 3% të vlerës prej 100 milion euro që ai do të investonte për ndërtimin e termocentralit, ose 1,5 deri në 3 milion Euro, duke i garantuardhenijen e lejes me VKM qe do te nxirrte babai i saj, ish kryeministri Sali Berisha. Shtetasi Zafar Ansar refuzon dhe në atë moment detyrohet të heqë dorë edhe nga investimi, duke humbur kështu shumën e konsiderueshme të eurove që i pagoi Argita Berishës “për konsulencën”!
7. Shoqëria “Stream Petroleum Albania Limites” ishte një tjetër kliente e Argita Berishës. Kjo shoqëri themelohet në Shqipëri me 5.10.2007 si branch shqiptar i kompanisë kanadeze “Stream Oil & Gas”. Pas një seri procesesh gjyqësore, ndryshoi emrin në “Transantlantic Albania LTD”.
Nga verifikimet bankare të kryera nga Agjencia antiriciklim mes janarit 2007 dhe tetorit 2008 shoqëria “Stream Oil & Gas” ka paguar për studion e Argita Berishës dhe Flutura Kolës shumën prej 57.486 euro. Më pas ka paguar një faturë të dytë prej 7.200 euro dhe një faturë të tretë prej 11.590 euro. Pra gjithsej prej kësaj shoqërie Argita Berisha dhe Flutura Kola kanë marrë shumën prej 76.276 euro.
Në këmbim të këtij akti korrupsioni të sipërcituar ish Kryeministri Sali Berisha, babai i Argita Berishës ka urdhëruar Albpetrolin, e cila është një shoqëri që kontrollohej nga Qeveria e Shqipërisë, për t’i lëshuar shoqërisë “Stream Oil & Gas” konçensionin për 4 burime nafte.
Më pas, ish Kryeministri Sali Berisha firmos VKM nr. 509, datë 08.08.2007 me anën e të cilit lidhet “Marrëveshja për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet e naftës Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe në vendburimin e Delvinës, ndërmjet “Albpetrol” sha dhe “Stream oil & gas limited’’.
8. Një aferë tjetër të rëndë korrupsioni ish Kryeministri Sali Berisha ka bërë me vajzën e tij Argita Berisha dhe Flutura Kolën me Shoqërinë “Superbeton” shpk.
Shoqëria “Superbeton” shpk është e përzjerë, publike-private, e ngritur në datën 28.09.1993. Kjo shoqëri kontrollohej me 30 për qind nga ministri i ekonomisë Genc Ruli dhe 51 për qind nga firma private “Euroteorema”. Shoqëria “Euroteorema” në vitet 2007 dhe 2008 ka arkëtuar te studio ligjore e Argita Berishës shumën prej 62.400 Euro dhe në këmbim ka marrë nga ish Kryeministri Sali Berisha një numur të konsiderueshëm tenderash për ndërtim rrugësh etj.
Sa më sipër, vlerësoj dhe ju kërkoj të regjistrohet procedimi penal dhe të kryhen veprimet e duhura hetimorendaj personave të kallëzuar SALI BERISHA, ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, GENC RULI, ish ministër, LULËZIM BASHA, ish ministër, nga shtetasit sërb VOJIN LAZAROVIÇ dhe DAMIR FAZLLIÇ, nga shtetasit JAMARBËR MALLTEZI, ERION ISUFI, ARGITA BERISHA, FLUTURA KOLA, FLORENC KOLA.
KALLËZUES
AV. IDAJET BEQIRI