Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për masën disiplinore ndaj prokurores së Beratit, Albjona Papajani. ILD kërkoi uljen e pagës me 40% deri në një vit, ndërsa KLP vendosi uljen e përkohshme të pagës me 10% për gjashtë muaj.
Hetimi disiplinor ndaj prokurores Papajani nisi pas një ankese të Avokatit të Popullit për mënyrën e përllogaritjes së kohës së vuajtjes së dënimit të një personi të dënuar. Gjatë hetimit disiplinor, ILD konstatoi se prokurorja kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve, duke mos marrë në konsideratë edhe periudhën e paraburgimit të vuajtur nga i dënuari në Greqi. Sipas ILD-së, si pasojë e këtyre veprimeve dhe mosveprimeve, i dënuari kishte qëndruar në burg përtej afatit kur dënimi duhej të kishte përfunduar.
ILD e cilësoi sjelljen e prokurores si shkelje të rëndë disiplinore, duke vlerësuar se neglizhenca kishte cenuar drejtpërdrejt të drejtën themelore të lirisë personale, e akoma më tej, duke rrezikuar të passjellë një efekt më të gjerë sistemik, pasi mosrespektimi i detyrimeve ligjore në lidhje me kontrollin dhe përllogaritjen e ekzekutimit të dënimeve mund të përsëritet në raste të ngjashme.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në KLP më 17 shtator, prokurorja Papajani konstatoi se nga rrethanat e evidentuara nga hetimi nuk mund të caktohej masa disiplinore e kërkuar nga ILD. Ajo vërejti se ka qenë hallka e fundit në këtë proces. Po ashtu, solli në vëmendje të anëtarëve të këshillit se kishte kërkuar marrëveshje që ti caktohej një vërejtje konfidenciale, por nga inspektori nuk i ishte kthyer përgjigje.
