Përdorimi i tullumbacëve me azot shumë shpejt do të jetë i ndaluar me ligj. Në Komisionin e Shëndetësisë u miratua nisma e qeverisë që e përfshin protoksidin e azotit në lëndët psikotorpe të ndaluara për përdorim. Kjo lëndë përdoret gjerësisht nga të rinjtë, duke u shkaktuar atyre probleme shëndetësore.
Për të folur mbi këtë temë në emisionin “Jetë Shqiptare” në një lidhje Skype, ishte eksperti i shëndetit publik në Londër, Leidon Shapo. Ai theksoi se Britania e Madhe këtë vit pritet të nxjerrë ligjin për të ndaluar këtë lloj substance.
“Situata në Britaninë e Madhe nuk është shumë e ndryshme nga sa është në vende të tjera. Shqipëria është aq interesante sa ato gjëra që ia ndaloi regjimi, i ka kapur me shpejtësinë e zërit. Gjithsesi, ajo që vihet re është që në Mbretërinë e Bashkuar rreth shtatorit u debatua në parlament sepse të dhënat tregonin se prevalenca e marrjes së N2O-së, i cili shpesh quhet dhe “gazi i së qeshurës” nuk zgjat më shumë se disa sekonda deri në një minutë në varësi për sa kohë është përdorur tullumbacja.
Në Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës së pandemisë ka pasur rreth 9-10% përdorim tek mosha 16-24 vjeç dhe kjo erdhi duke rënë. Të dhënat për moshën 21-22 tregojnë vlerën 4%. Kjo nuk e ndaloi aspak parlamentin anglez të shqyrtonte të gjitha evidencat dhe të zbulonte që nuk është problemi sa shumë e përdorin dhe kush e përdor, por që janë të njëjtat grupe në risk, të cilët që nga mosha 11-15 përdorin vape, pastaj nuk kënaqen me to dhe tentojnë të provojnë kanabisin. Ka shumë vite që në Britaninë e Madhe fëmijëve nuk u shitet kanabis original, i cili do më shumë kohë për varësi për të bërë dëmet e tij neurologjike etj.
Po të shikojmë të dhënat ka një vdekje nga N2O prej një milion përdoruesish, ndërkohë që ka 28 mijë vdekje nga 40 milion përdorues të pijeve alkoolike. Nuk është se ky gaz është vdekje prurës, sigurisht që është tjetër të merret nga bombola dhe tjetër të merret me tullumbace.
Në varësi sa kohë përdoret, kush e përdor dhe grupet në risk krijojnë atë që detyruan parlamentin të thoshte se brenda këtij viti duhet të vihet legjislacioni përkatës. Kjo quhet drogë e kategorisë C dhe dëmet i bën kombinuar me gjithçka tjetër.
Në rast se kapesh me këtë drogë dënohesh deri në dy vjet, nëse e prodhon dhe e shet dënimi shkon deri në 14 vjet. Është shtuar numri i personave që çohet në gjykatë. Po bëhet çmos që në legjislacionin përkatës, kjo lloj droge të hiqet tërësisht nga përdorimi sepse është parë që përdoruesit për një kohë të gjatë sjellin problematikat më të mëdha”, u shpreh mjeku Leidon Shapo.
p.c. / dita
