Sot do të shpallet zyrtarisht rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Komisioni Rregullator pritet të mblidhet sot rreth orës 11:30, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të vulosur në këtë mënyrë Kuvendin e ri.

Pas këtij vendimi do të jetë presidenti Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së re. Ai do të ketë një afat 10 ditor për të caktuar datën, duke nisur nga data 9 shtator, që është dhe data e përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual.

Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste fitoi 83 mandate, aleanca e Partisë Demokratike 50 mandate, Partia Socialdemokrate tre mandate, Partia Mundësia dy mandate ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.

Kujtojmë se opozita ankimoi të gjitha rezultatet e qarqeve dhe për këtë arsye, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të hapë pjesërisht disa kuti në Durrës dhe Elbasan dhe plotësisht në Fier dhe Tiranë. Megjithatë, pavarësisht rinumërimit rezultati nuk ndryshoi.