Një kasafortë e mbrojtur nga teknologji të sofistikuara sigurie është gjetur pas një muri të rremë në vilën luksoze të ish-presidentit të Paraguait, Santiago Peña. Zbulimi u bë gjatë një kontrolli të kryer nga policia dhe prokuroria.
Bastisja u krye të dielën në pronën që Peña përdorte si rezidencë verore në San Bernardino. Ajo ishte pjesë e hetimit mbi skandalin financiar ku përfshihet banka Ueno dhe lidhjet financiare të ish-presidentit me të.
Mediat vendase raportojnë se autoritetet hasën në një korridor të fshehur, i cili përfundonte te një derë e blinduar. Përtej saj ishte vendosur kasaforta, e pajisur me fjalëkalim dixhital dhe identifikim biometrik. Dyshimet janë se mekanizmat mbrojtës përfshinin edhe njohjen e fytyrës dhe skanimin e irisit të syrit.
Përpjekjet për të hapur kasafortën nuk dhanë rezultat, pasi sistemi i avancuar i sigurisë ua pamundësoi autoriteteve hyrjen në të. Përmbajtja e saj mbetet ende e panjohur.
Në dosjen e hetimit thuhet se banka Ueno i miratoi Peña-s dy kredi në të njëjtën kohë, më 13 maj 2024, gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Financimi, me një shumë të përgjithshme prej rreth 600 mijë dollarësh, ishte dhënë për ndërtimin e rezidencës.
Vlera e ndërtimit të vilës përllogaritet në rreth 1.3 milionë dollarë. Ndërkohë, pagesat mujore për kreditë shkonin në 37 200 dollarë, një shumë afërsisht gjashtëfish më e lartë se paga që Peña merrte si president.
Në themel të hetimeve është kriza e bankës Ueno. Pas evidentimit të vështirësive të rënda financiare dhe përkeqësimit të treguesve të aftësisë paguese, ajo kaloi nën administrimin e Bankës Qendrore të Paraguait.
Siç bëjnë të ditur mediat lokale, ndaj Peña-s janë ngritur akuza për shkelje të besimit dhe administrim në përfitim personal. Zhvillimet politike dhe vendimi i Kongresit për shkarkimin e tij u pasuan nga arrestimi i ish-presidentit, i cili ndodhet në paraburgim në një strukturë ushtarake në Asunción.
Hetuesit po vazhdojnë punën për të sqaruar raportet financiare mes Peña-s dhe bankës Ueno. Ndërkohë, ajo që ruhet pas derës së blinduar në vilën e tij mbetet mister.
j.l./ dita
