Kreu i qeverisë Rama ka prezantuar në Kuvend një buxhet dhe paketë fiskale për të cilat tha se synojnë të ulin pabarazitë dhe të rishpërndajnë më mirë përfitimet. Duke marrë si shembull strehimin dhe shpallur lehtësi për 10 mijë familje që sipas tij pritet të përfitojnë nga kjo qasje e re ai deklaroi:
“Parlamenti do të kalojë edhe një ligj, atë të strehimit, një ligj falë të cilit ne do të kemi një transformim tërësor të qasjes ndaj strehimit. Nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër, por edhe për ata që janë të rinj. Ne nuk mund ta pranojmë si një realitet të pandryshueshëm që një çift i ri që përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më të vështirë që të ndërtojnë një çati mbi kokë. Ne nuk mund ta pranojmë që kryeqyteti ynë bëhet gjithmonë e më i pasur, por ndërkohë një pjesë e të rinjve, që janë e ardhmja e kryeqytetit dhe atyre qyteteve dhe që kontribuojnë me punën e tyre, ta kenë gjithnjë e më të vështirë ta imagjinojnë veten të pavarur”.
Për të kuptuar se ç’do të bëjë në të ardhmen është mirë të shikojmë se ç’kanë bërë kabinetet e tij në 13 vite në krye të vendit.
Duke ndjekur politikën e futjes së parave të zeza në ndërtim, ato kanë bërë të pamundur jo vetëm strehimin për të rinjtë, por në përgjithsi për këdo që do të jetojë me një pagë të ndershme. Sot banimi, mbi të gjitha në Tiranë, është i pa aksesueshëm jo vetëm për të varfeit por edhe për shtresën e mesme që do të jetojë me pagë të ndershme.
Pak ditë më parë revista ekonomike Monitor, publikoi një studim ku rezultonte se mundësia për të blerë një banesë në Tiranë ishte zvogëluar në krahasim me vitin 2013 (viti kur Rama erdhi në pushtet). Aty dilte qartë në pah pabarazia midis ritmit të rritjes së çmimeve të banesave dhe rritjes së pagave.
Sipas këtij studimi për të siguruar një strehë duhej që të shpenzohej paga e 19 viteve ndërkohë që një dekadë më parë, kur Rilindja ishte në fillimet e pushtetit, mjaftonte paga e 13 viteve. Pra saktësisht në vitin 2014, mjaftonte paga e 13.1 viteve për tu bërë më banesë në kryeqytet.
Se sa i paaksesueshëm është strehimi ynë mund të bëhet edhe një krahasim me kryeqytetet e Evropës. Më i vështiri për banim në këtë klasifikim renditet Amsterdami, ku banorëve u nevojiten 15.4 paga mesatare bruto vjetore për të blerë një apartament 70 m². Pas tij renditet Athina, me 15.3 paga vjetore, ndërsa në vendin e tretë është Praga, ku duhen 15 paga vjetore për një banesë të ngjashme.
Pra ndryshe nga sa thotë Rama, se puna e qeverisë të tij ka qenë zgjidhja e problemeve të trashëguara, problemet si strehimi apo ato të keqshpërndarjes së pasurisë i ka krijuar vetë qeveria apo qeveritë e drejtuara prej tij duke punuar në favor të të pasurve dhe në dëm të të paprivilegjuarve.
Pavarësisht propagandës me “taksimin e shtëpive të dyta apo të treta, apo ujit të pishinave” kjo politikë do të vijojë edhe me buxhetin e ri. Pse? Sepse mbahen në fuqi përjashtimi nga taksat i investitorëve strategjikë dhe i atyre që ndërtojnë kulla por nuk paguajnë taksën e ndikimit në mjedis se i regjistrojnë si hotele me 5 yje. Prandaj, sic edhe do ta shohim në vijim, strehimi për të rinjtë nuk do të zgjidhet dhe pabarazitë nuk do të zbuten.
