Shërbimi i psikologut dhe punonjësit social tashmë ofrohet edhe në qendrat shëndetësore publike në të gjithë vendin. Sikundër ndodh me mjekët e specialiteteve të ndryshme, edhe për këta punonjës, rekrutimi në vendet vakante do të bëhet nëpërmjet portalit online “Mjekë për Shqipërinë”.
Drejtoria Qendrore e Operatori të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka konfirmuar vendet e lira të punës në pozicionin “Psikolog/Punonjës Social” në qendrat shëndetësore të rretheve, për të cilat mund të aplikohet online deri në datën 16 mars. Ndërkohë që është konfirmuar edhe skema se si do të vlerësohet secili kandidat, deri në shpalljen e fituesve që plotësojnë kushtet për të lidhur kontratën e punës në këto vende. Po në të njëjtën formë do të veprohet edhe për vendet e lira të punës që do të rezultojnë në të gjitha qendrat e tjera shëndetësore në vijim.
Konkurrimin për këto vende pune mund ta vijojnë të gjithë kandidatët që kanë minimalisht diplomë universitare të nivelit “Bachelor” në degën Psikologji/Punonjës Social. Për diplomat të cilat janë marrë jashtë vendit, specifikohet se ato duhet të jenë njohur dhe njehsuara, sipas legjislacionit në fuqi nga strukturat përkatëse të arsimit në vend.
Procedurat e aplikimit zhvillohen në platformën online “Mjek për Shqipërinë”, në ndërfaqen “Psikologë”. Për të pasur një aplikim të suksesshëm, duhet që një kopje të dokumentacionit që do të ngarkoni gjatë aplikimit online, ta dërgoni edhe me anë të postës, ose dorazi, pranë drejtorisë rajonale, në të cilën aplikoni për vendin vakant. Konkretisht, në dosjen e dokumenteve të aplikimit duhet që të përfshini: Jetëshkrimin CV që është i detyrueshëm, fotokopje e kartës së identitetit (e detyrueshme), diplomën universitare dhe listën e notave. Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (e detyrueshme). Në dokumentet e aplikimit duhet të keni edhe Librezën e punës, Diplomën e nivelit master, Lejen e ushtrimit të profesionit, Dëshmi të kualifikimeve shkencore (gradë ose titull akademik/shkencor), Dëshmi të njohjes së gjuhës/ve të huaja, si dhe certifikatat e pjesëmarrjes në aktivitetet e edukimit në vazhdim të ndjekura brenda dhe jashtë vendit.
Si do bëhet vlerësimi i kandidatëve
Sipas skemës së përcaktuar nga autoritetet e dikasterit të shëndetësisë, kandidatët do të vlerësohen për diplomën, përvojën në shëndetësi, gjuhën e huaj, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën dhe për intervistën me gojë. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 50 pikë, përkatësisht: deri në 30 pikë vlerësimi i dosjes, dhe deri në 20 pikë vlerësimi i intervistës me gojë.
Komisioni i Vlerësimit, brenda tre ditë pune pas përfundimit të afatit të pranimit të aplikimeve, vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe i njofton ata nëpërmjet adresës së emailit, për pikët që kanë marrë nga vlerësimi i dosjes, si dhe për datën dhe vendin e intervistës.
Intervista me gojë do të fokusohet mbi njohuritë mbi ligjin “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr.44/2012 “Për shëndetin mendor”, vendim nr.405, datë 20.5.2020 “Për miratimin e strategjisë së zhvillimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri 2020-2025”, Kodin e Etikës në administratën publike, si dhe pyetje lidhur me sjelljen dhe situata hipotetike.
Shpallja e fituesve
Pas përfundimit të dyjave fazave të konkurrimit, Komisioni i Vlerësimit, harton listën me pikët totale për çdo kandidat dhe i njofton ata për rezultatin nëpërmjet adresës së tyre të emailit. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit për rezultatin brenda dy ditëve nga dita e njoftimit të tyre në rast se konstatojnë pakënaqësi në vlerësimin e marrë. Pas përfundimit të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, Komisioni i Vlerësimit shpall renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe e dërgon atë pranë Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimit dhe Kujdesit Shëndetësor, e cila bën publikimin në portalin “Mjekë për Shqipërinë” në ndërfaqen “Psikologë”. Kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme sipas njesisë vendore të kujdesit shëndetësor është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në Qendrat Shëndetësore të njësisë përkatëse.
Vendet vakante në qendrat shëndetësore:
- Qendra Shëndetësore Klos dhe Qendra Shëndetësore Xibër 24/7-A, 1 Vend vakant.
- Qendra Shëndetësore Luf Qerret 24/7-B, Qendra Shëndetësore Qelez 24/7-B,Qëndra Shëndetësore Gjegjan 24/7-B) ,1 vend vakant.
- Qendra Socio-Shëndetësore Pogradec, 1 vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Shëndetësore Maliq 24/7-A, 1 vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Shëndetësore Himarë 24/7-A, 1 vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Shëndetësore Selenicë 24/7-A, 1 vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Socio-Shëndetësore Sarandë, 1 vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Shëndetësore Patos + Ruzhdie 24/7-A, 1 Vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Shëndetësore Fratar+Kute+Selitë 24/7-A, 1 Vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Socio-Shëndetësore Gjirokastër, 1 vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
- Qendra Socio-Shëndetësore Nr.1, Tirane 1 vend vakant Psikolog/Punonjës Social.
p.k
