Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste njoftoi se Kuvendi do të jetë më pak aktiv përgjatë muajit prill për shkak të angazhimeve elektorale të deputetëve.
I pyetur nga gazetarët se kur do të zgjidhet Avokati i Popullit, para apo pas zgjedhjeve, ai la të kuptohej se votimi do të bëhet pas 14 majit.
“Dje në Kuvend, nënkryetarja bëri një njoftim për procedurën zgjedhore. Ajo iu referua traditës parlamentare sesi funksionon Kuvendi gjatë procesit zgjedhor vendor. Në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme, Kuvendi mbyll punimet. Dje në Konferencë të kryetarëve e ngritëm si shqetësim, që Kuvendi të harmonizohet në axhendë me angazhimin elektoral. Deputetët do të jenë pranë qytetarëve në zonat e tyre, do të kemi seancë, jo çdo javë por ngadalësim të punës që të gjitha ditët të kompesohen pas datës 14 maj”, tha ai.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste akuzoi deputeten e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi si të lidhur me oligarkë pranë presidentit rus, Vladimir Putin. Nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se Kryemadhi duhet të dalë dhe të sqarojë akuzat dhe prokuroria duhet ta hetojë nëse janë të vërteta pretendimet e mediave që kanë publikuar dokumentet.
“Rreth 5 vite më parë kam dalë në mënyrë të rregullt para jush për një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe lidhet me faktin se edhe Shqiopëria ka qenë vulnerabël dhe target i penetrimit të financimeve të paligjshme nga kompani guacka, off-shore që financonin parti politike apo politikanë të caktuar. Ajo që ka zbuluar dje Top Channel ose ka vijuar, por e djeshmja është panoramë e plot, skemë e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve e biznesmenëve të kenë financuar politikanë të caktuar në vende të ndryshme në Europë. Raste të tilla janë zbuluar. Përpjekja është e qartë, lidhja me politikanë për të dëmtuar demokracinë dhe për të krijuar një front pro rus në këto vende.
Ju e mbani mend Panama Papers çfarë ndodhi me llogaritë e politikanëve në Panama. Në shumicën e vendeve, politikanët dhanë dorëheqjen por ajo që ndodhi ishte që organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet. Kjo gjë ka të bëjë me transparencën, nuk dua të bëj prokurorinë, por mendoj që Kryemadhi dhe të tjerët duhet të dalin vetë në një komunikim publik të thonë kjo nuk është e vërtetë. Dhe shteti, a është prekur siguria kombëtare? Fakti që merr divident apo je aksioner atje ku janë miqtë e Putin, kjo është e rëndë”, tha Balla.
Partia Socialiste gjithashtu është e gatshme të bashkëpunojë me Enkelejd Alibeajn për ligjin për hapjen e dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit. Taulant Balla, kryetar i grupit të PS tha sot se kush ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit do të humbasë mandatin e deputetit dhe shtoi se PS është gati të bisedojë.
“Kush ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, e humb mandatin e deputetit. Propozimi i opozitës, që t’ju them të drejtën bën sens, është një mënyrë tjetër, nuk përdoret ligji i Dekriminalizimit, por një ligj i posaçëm. Ndërhyrjet përmes autoritetit që ka jo vetëm fuqinë verifikuese, por merr vendimin përfundimtar. Ajo që na duhet pa humbur kohë është që t’i bëjmë bashkë dy propozimet që të shkojmë te zgjedhja konkrete, ligjore. Propozimi ynë është i hapur që ta diskutojmë me grupin e PD. Duhet t’i hapim rrugë. Besoj që do ta votojmë. Ne duam që të shkojmë te propozimi ynë, por ka dhe një propozim dhe opozita. Jemi të hapur të diskutojmë çdo formë, me rëndësi është rezultatit përfundimtar.”, tha Balla nga Kryesia e Kuvendit.
Prej muajsh, Alibeaj propozon se duhet të ketë një ndryshim në ligjin e dosjeve. Sipas tij, kush ka qenë pjesë e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit nuk duhet të jetë më në asnjë post drejtues apo të zgjidhet nga qytetarët. Drafti parashikon përjashtim edhe nga gara për të zgjedhurit vendorë.
j.l./ dita
