Kandidatët për mësues në arsimin fillor, janë të parët që do të nisin me garën për licencimet e reja në arsim. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka bërë publik kalendarin me datat kur do të zhvillohet provimi i shtetit për të gjithë kandidatët e rinj të mësuesisë, të cilët gjatë muajve prill dhe maj do të konkurrojnë për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit sipas profilit lëndor në të cilin kanë kryer studimet universitare. Pajisja më lejen e ushtrimit të profesionit, e lejon çdo mësues të ri që të nisë procedurat e mëtejshme të konkurrimit për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar, si dhe gjimnazeve publike dhe private të vendit.
Duke qenë se janë me mijëra kandidatë në pritje të licencimit, Qendra e Shërbimeve të Arsimit bën me dije se provimet do të vijojnë për një muaj, ku të parët që do të zhvillojnë testimin e informatizuar janë mësuesit e arsimit fillor. Në këtë profil konkurrojnë për licencën 927 kandidatë, ku për secilin prej tyre është përcaktuar data dhe ora se kur duhet të paraqiten në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit për të plotësuar testin e informatizuar. Zhvillimi i provimit të shtetit në këtë profil do të vijojë për pesë ditë me radhë, duke nisur nga dita e premte e datës 7 prill, për të vijuar më pas në datat 10 deri në 14 prill.
Autoritetet e QSHA-së bëjnë me dije se provimet do të zhvillohen me tre turne gjatë secilës ditë, çka do të thotë se mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të paraqiten për të zhvilluar provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për ta. Në të kundërt nuk do të lejohen që t konkurrojnë në këtë sezon për licencën.
Gjithashtu janë përcaktuar edhe rregullat që kandidatët duhet të zbatojnë në ditën e provimit për të shmangur përjashtimin. Në këto kushte, krahas dokumenteve të identifikimit, si dhe mandat pagesës së hyrjes në testim, mësuesit e rinj në ditën e provimit duhet të kenë detyrimisht me vete edhe kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara, vërtetimin për njohjen dhe njësimin e diplomës në rastet kur studimet janë përfunduar jashtë shtetit, dokumentacionin e lëshuar nga institucioni përgjegjës për arkivat që provon lëshimin e diplomës apo dokumentit të barasvlershëm me të, në rastet kur studimet janë përfunduar në një institucion të arsimit të lartë të mbyllur.
Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet të pajiset nga universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet se: ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, (si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi). Ky vërtetim duhet të përmbajë edhe emërtesën e plotë dhe llojin e programit të ciklit të dytë të përfunduar, vitin e përfundimit, numrin e matrikullimit, si dhe datën e diplomimit. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit, e për rrjedhojë nuk do të mund të aplikojnë për vendet e lira të punës në strukturat arsimore publike dhe private në vend.
Gjithashtu në ditën e provimit duhet të bëni kujdes dhe të paraqiteni në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit 30 minuta para orarit të përcaktuar për zhvillimin e testit, teksa duhet të jeni të pajisur me dokumentet e identifikimit, stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimi.
Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve që do të testohen në këtë sezon, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të kësaj qendre.
p.k\dita
