Liderët e huaj i kanë nisur urimet e tyre kryeministrit Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit ku arriti të merrte mandatin e katërt të tij.
Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, ka uruar Edi Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit.
Orban përmes një postim në “X”, shkruan se kjo ishte një fitore bindëse, ndërsa shton se pret me padurim të jetë pjesë e samitit në Tiranë më datë 16 maj.
“Urime Kryeministrit Edi Rama për fitoren e tij bindëse në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. I dashur Edi, mezi pres t’ju shoh këtë të premte në Tiranë në atë që mund të jetë një Samit historik i EPC-së”, shkruan Orban.
Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare.
Sheikh Mohamed në urimin e tij shprehu besim në rritjen e vazhdueshme të marrëdhënieve dypalëshe, duke pohuar se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shqipëria do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm në dobi të të dy kombeve dhe popujve të tyre.
“Urime të sinqerta Kryeministrit Edi Rama për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Lidhjet midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë kanë parë një rritje të fortë vitet e fundit dhe jam i bindur se së bashku mund të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të promovojmë zhvillimin e mëtejshëm në dobi të kombeve dhe popujve tanë”, shkruan Presidenti i EBA.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren. Me një mesazh në gjuhën shqipe, ai i drejtohet Ramës si mik i dashur, ndërsa shton se vendi i tij do të jetë gjithmonë krah Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ai thotë gjithashtu se mezi pret që të takohen në premten në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë.
“Urime Edi Rama, mik i dashur, për fitoren tuaj në zgjedhjet legjislative. Franca do të qëndrojë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Do të takohemi përsëri të premten për Samitin e Komunitetit Politik Evropian dhe për një vizitë që duhet të na mundësojë të forcojmë më tej partneritetin tonë!”, shkruan Macron.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyn ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 11 majit.
Në një mesazh të shpërndarë në platformën ‘X’ ajo shkruan se nën udhëheqjen e Ramës, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit Evropian. Von der Leyen shton se Shqipëria e meriton të jetë në BE.
“Urime për fitoren në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat drejt BE-së. Shqipëria e meriton të jetë në BE! Me padurim pres t’ju uroj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan ajo.
Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 11 majit.
“Urimet më të ngrohta, i dashur Edi Rama, për këto rezultate mbresëlënëse zgjedhore. Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan Costa në urimin e tij.
j.l./ dita
