Nga Albert Zholi*
Në datën 28 Mars, 2025, në Tiranë, u zhvillua Konferenca e 13-të e Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhëse të LANÇ.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre personalitete të artit, shkencës dhe kulturës si dhe deputeti i PS dhe ish-kryeministri Pandeli Majko.
Në këtë Konferencë merrnin pjesë të ftuar nga Shoqatat “Labëria”, ‘Mallakastra”, “Peza”, Organizata “Dëshmorët e LANÇ”, “Polifonia”, etj.
Raportin mbi veprimtarinë e Organizatës midis të dy Konferencave, në emër të Kryetarit, Prof. Hulusi Hako e mbajti Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës, Veli Myftari.
Midis të tjerave ai theksoi se: “Organizata jonë u themelua para 68 viteve si amanet i historisë me anëtarë veteranët, nga të cilët kemi edhe sot në gjirin tonë 232, që janë memoria e gjallë e historisë dhe vlera e madhe saj. Zgjerimi ynë u mirëprit dhe u pasua me pasardhës, të cilët na kanë rinuar, forcuar e gjallëruar. Sot jemi bërë organizata më masive, me një numër rekord prej rreth 18 000 anëtarësh të grup moshave të ndryshme, nga 105-vjeçari Prof. Ismet Elezi deri tek 11-vjeçari në qytetin e Kuçovës e 10-vjeçarja në qytetin e Durrësit.
Kjo anëtarësi shtrihet në fshat me 847 organizata dhe në qytet me 568, grupuar në 1415 organizata në 47 Bashki. Këtij numri i duhen shtuar edhe mjaft organizata të diasporës shqiptare. Ky shtim sasior, i ka dhënë organizatës një impuls të ri, ka rritur nivelin dhe forcën e saj, i ka dhënë asaj një imazh të ri cilësor. Kështu, në këto tre vite midis Konferencave, veprimtaria jonë ka marrë përmasa më të gjëra dhe më të fuqishme”.
Pas raportit dhe përshëndetjeve Konferenca vazhdoi punimet me pyetje dhe diskutime, në mbështetje të një raporti analitik.
Në këtë Konferencë folën shumica e delegatëve nga rrethet si dhe deputeti Pandeli Majko, i cili theksoi: “Ndihem shumë i gëzuar dhe i vlerësuar sot që ndodhem në këtë konferencë. Vazhdimisht kam qenë pjesë e aktiviteteve tuaja në vite, pasi unë rrjedh nga një familje e lidhur ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare. Babai im ma ka lënë detyrë që të jem kurdoherë pjesë e juaja, pranë Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it, “Nderi i Kombit”.
Në shumë takime e biseda kam dëgjuar vlerësime e konsiderata të larta për popullin shqiptar, për Luftën e tij Nacionalçlirimtare, që e vuri në krah të forcave antifashiste e përparimtare të botës. Dhe jam ndier e ndihem krenar për këtë.
Ju uroj ta mbani gjithnjë lart frymën patriotike të LANÇ-it dhe ta përçoni atë nëpër breza!”.
Ndërsa Kastriot Muço, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Labëria theksoi: “Ne vlerësojmë shumë veprimtaritë tuaja në mbrojtje të kësaj Lufte. Të dyja Shoqatat kemi objektiva të njëjta në mbrojtje të LANÇ. Veçanërisht kur fryn një erë nazisto-fashiste kundër saj, mohimit të Luftës NAÇ të popullit tonë, quajtjen e saj Luftë Civile, që pasohen edhe nga akte të dëmtimit të busteve e të Lapidarëve në kujtim të saj.
Ne mbrojmë gjakun e derdhur të prindërve tanë, të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi- fashistë. Dhe do të vazhdojmë t’a bëjmë këtë luftë ndaj kujtdo që cenon këto vlera. Edhe një herë i uroj punë të mbarë dhe suksese kësaj Konference”.
Sipas diskutantëve dhe atyre që përshëndetën, realizimi me sukses i Konferencës ishte mëse i merituar. Ishte krenari morale dhe qytetare për të gjithë. Ishte shpërblim dhe vlerësim maksimal i mundit, përballjes së shqetësimeve dhe realizimit të detyrave. Ishte shpërblim i punës intensive në grup i Kryesisë së Komitetit Kombëtar, i jetës organizative në baza ditore. Ishte shpërblim, vlerësim e sukses edhe për drejtuesit e aktivistët vullnetarë në qendër e në bazë në mbarë Shqipërinë.
Në fund të Konferencës u zgjodhën organet drejtuese si Komiteti Kombëtar, Kryesia e Komitetit dhe drejtuesit e Departamenteve. Kryetar i Organizatës me votim të hapur u zgjodh Prof. Hulusi Hako dhe Sekretar i Përgjithshëm Veli Myftari. Në fund të Konferenë u hartua dhe Rezoluta.
R E Z O L U T Ë
E KONFERENCËS XIII E ORGANIZATËS SË VETERANËVE DHE PASARDHËSVE TË LANÇ-it TË POPULLIT SHQIPTAR “NDERI KOMBIT”
Konferenca Kombëtare XIII e VP-LANÇ “Nderi i Kombit”
Tiranë, 28 mars 2025
Më 28 mars 2025, u mblodh në Tiranë Konferenca XIII e VP-LANÇ. Prej 192 delegatëve të mandatuar me mandat të rregullt nga 47 Komitete të vendit, të cilët përfaqësuan rreth 18000 anëtarë të kësaj organizate, morën pjesë 169 delegatë. Mungonin 23 delegatë, për arsye shëndetësore, pra pjesëmarrja rezultoi në 89% të të mandatuarve.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të organizatës simotër të Dëshmorëve të Atdheut, përfaqësues të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”; të Shoqatës “Myslim Peza”, Shoqatës “Mallaksatra’, etj., si dhe na nderuan përfaqësues të pushtetit vendor e lokal. Pas një analize dhe një diskutimi të përkushtuar mbi veprimtarinë e organizatës sonë në intervalin midis dy Konferencave XII-XIII (20 nëntor 2021 – 28 mars 2025), Konferenca miratoi me unanimitet Rezolutën e mëposhtme:
- Organizata ka realizuar me sukses objektivat themelore dhe qëllimin e saj në zbatim të Statutit për mbrojtjen, ruajtjen, propagandimin, mbajtjen gjallë dhe transmetimin e vlerave të shenjta të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare te brezat e rinj.
–Bashkë me dy referatet kryesore, kjo veprimtari u vlerësua dhe u pasurua dhe nga diskutimet e të pranishmëve dhe nga përshëndetjet e të tyre.
–Konferenca i kushtoi vëmendje të veçantë zgjedhjes së forumeve dhe drejtuesve kryesorë të organizatës. Aprovoi me unanimitet Komitetin e ri Kombëtar të përbërë prej 127 anëtarësh; rizgjodhi me votim të hapur Kryetarin e ri të Organizatës, zgjodhi Forumin e Këshilltarëve, Komisionin e Kontroll-Revizionit dhe kryetarin e këtij Komisioni.
–Ndërsa në mbledhjen e parë, Komiteti Kombëtar zgjodhi Kryesinë e tij, si dhe 5 (pesë) n/Kryetarë të Komitetit Kombëtar.
–Kësaj periudhe midis dy Konferencave, i takoi edhe 2024-a, viti i 80-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Organizata jonë nga baza në qendër festoi dhe përkujtoi me dinjitet, në vazhdimësi, pandërprerje dhe masivisht ngjarjet heroike të LANÇ-it deri në skajet më të thella të Shqipërisë. Në këto homazhe e festime kemi patur në krah Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve – OKFDA, shoqatat atdhetare kulturore të vendit, pushtetin qendror e lokal, si dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
–Është realizuar me sukses dhe unanimitet mendimi e veprimi, fushata e zgjedhjeve vendore – Konferencat e OVP-LANÇ të Bashkive në mbarë Shqipërinë.
–Vëmendje të veçantë iu kushtua fushatës së zgjedhjeve parlamentare, ku organizata jonë shprehu mbështetjen pa rezerva ndaj Partisë Socialiste si subjekt politik.
–Shtimi i radhëve me anëtarë të rinj, forcimi i lidhjeve dhe veprimtaritë e përbashkëta me shkollat, angazhimi i studiuesve e profesorëve në fushën e historisë së LANÇ-it, sesionet shkencore në kryeqytet e në rrethe kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë aktivitete me vlera e kontribut të lartë në mbështetje dhe vazhdimësi të rrugëtimit misionar atdhetar të LANÇ-it tonë të patjetërsueshëm.
–Gazeta “Kushtrim Brezash” ka qenë dhe mbetet zëri i fuqishëm i kësaj organizate në transmetimin e vlerave të LANÇ-it në mbarë vendin, në diasporë dhe në federatat apo organizatat tona simotra antifashiste në botë.
- Përvoja e madhe e kësaj organizate, por edhe arritjet e këtyre viteve të fundit, shtrojnë përpara nesh detyra të reja për zgjidhje dhe realizime më të suksesshme, si më poshtë:
-Të rrisë punën për mbajtjen gjallë të lavdisë e veprës së veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, aktin sublim të heronjve e dëshmorëve të saj. Këtë do ta arrijmë nëpërmjet gjithë formave të propagandës aktuale, së pari nëpërmjet gazetës “Kushtrim Brezash” si dhe mediave të tjera në vend (gazetave, revistave, TV publikë e privatë, portaleve të ndryshëm elektronikë), duke zhvilluar biseda, tavolina të rrumbullakëta, sesione shkencore apo konferenca, ku të dëgjohet zëri i veteranëve e pasardhësve, i personaliteteve të larta, i studiuesve, historianëve, sociologëve, etj.
-Thirrja për atdhedashuri dhe vetëdijësim të mbarë anëtarëve të organizatës e më gjerë, merr vlerë dhe rëndësi më tepër se kurrë sot, përballë sfidave të jashtme e të brendshme, fushatave goditëse ndaj deformimeve të historisë, kur situatat e brendshme me tendenca e revanshe të forcave të caktuara antishqiptare ekstreme të djathta, synojnë sidomos prekjen, ndryshimin e të vërtetave historike të LANÇ-it. Ky angazhim i yni, përforcohet edhe me ngjarjet negative në situatën gjeo-politike globale, që aktualisht janë evidente me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, në atë të Lindjes së Mesme, etj.
-Që të jenë në nivelin dhe vlerësimin historik të merituar, mirëmbajtja, ruajtja, ringritja e simboleve historike të LANÇ-it (Lapidarë, pllaka përkujtimore, buste, basorelieve, memorialë, shtëpi muze, varreza të Dëshmorëve të LANÇ-it), do të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së punës sonë në bashkëpunim me shoqatat simotra dhe sidomos me pushtetin vendor.
-Në mënyrë të veçantë, Konferenca tërhoqi vëmendjen në adresë të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASH) mbi pretendimet tona ndaj shtrembërimeve të ngjarjeve historike, kthimit të vlerave të vërteta të historisë në antivlera dhe anasjelltas, (që dëmtojnë dhe çoroditin ndërgjegjen kombëtare), si dhe për vendin e merituar të historisë së Shqipërisë dhe asaj të LANÇ-it në programet shkollore.
*Autori është kryeredaktor i gazetës “Kushtrim Brezash”