Sekretariati i Etikës ka përjashtuar me 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare, gjashtë deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Edi Palokën, Fidel Krekën, Luçiano Boçin dhe Besart Xhaferrin. Ndërsa për 14 deputetët e tjerë të PD-së, për të cilët socialistët kërkua 10 ditë përjashtim, nuk është marrë asnjë masë.
Bëhet fjalë për deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Gjatë seancës plenare, Flamur Noka u përplas me kryeparlamentarin Niko Peleshi dhe kreun e Grupit të PS, Taulant Balla, ndërsa deputeti demokrat Fidel Kreka u përplas me ish-ministrin Ervin Hoxha.
“Gjithashtu deputetët Belind Kelliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi, fyen dhe goditën me shishe uji deputetet e Partisë Socialiste. Siç vërehet nga pamjet filmike deputetët Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj, Bujar Rexha etj jane sulmuar dhe fyer nga këta deputete gjate procesit të votimit”, thuhet në kërkesën e PS për Etikën.
Tensionet nisën në momentin që Kryetari Niko Peleshi po lexonte rendin e ditës dhe deputetët e opozitës bllokuan foltoren. Të gjitha përplasjet erdhën si pasojë e revoltës studentore. Pas përplasjeve të ashpra, socialsitët kaluan direkt në votim, ku u votuan 6 projektligjet e rendit të ditës dhe 3 projektvendime, mes të cilave edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua.
Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin.
Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.
j.l./ dita
